“Esterit, Pjesa 1: Pikërisht për një Kohë të Tillë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Esterit, Pjesa 1: Pikërisht për një Kohë të Tillë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Esterit: Mësimi 94
Esterit, Pjesa 1
Pikërisht për një Kohë të Tillë
A e ke pyetur veten ndonjëherë përse Ati Qiellor të ka drejtuar në këtë vend, në këtë kohë dhe çfarë pune ka ai Ai për ty për të bërë? Një grua judease jetime e quajtur Ester mund të ketë pasur pyetje të ngjashme. Robërimi i Esterit në Persi e vendosi atë në pozicionin për ta ndihmuar Zotin për shpëtimin e popullit të Tij, judenjve. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të dallojnë mënyrën se si Ati Qiellor na vendos në situata për ta ndihmuar Atë të përmbushë punën e Tij.
Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’u kërkoni nxënësve të përsiatin me lutje mënyrën se si Ati Qiellor mund ta përmbushë punën e Tij nëpërmjet tyre në këtë orë seminari, ose në lagjen apo degën e tyre, në shkollë, qytet ose familje
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Qëllimi hyjnor
Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke treguar një fushë shahu dhe gurët ose një figurë të një fushe shahu. Ftojini nxënësit të tregojnë atë që dinë rreth lojës së shahut. Nëse është e nevojshme, shpjegoni se loja luhet me lojtarët që i lëvizin gurët e tyre në pozicione strategjike për të fituar lojën. Mund t’i pyesni nxënësit se çfarë mendojnë se duhet për të qenë një lojtar i zoti i shahut. Nëse nxënësit nuk e përmendin, merreni parasysh të tregoni se lojtarët e zotë planifikojnë paraprakisht disa lëvizje të strategjisë së tyre të fitores ndërsa loja vazhdon. Mund t’u kërkoni më pas nxënësve të mendojnë rreth mënyrës se si jeta jonë mund të jetë si një lojë shahu, duke dhënë shpjegimin e Plakut Rasband.
Plaku Ronald A. Rasband, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Jeta jonë është si një fushë shahu dhe Zoti na lëviz nga një vend në tjetrin – nëse u përgjigjemi nxitjeve shpirtërore. Kur e hedhim vështrimin prapa, ne mund ta shohim dorën e Tij në jetën tonë.” (“Sipas Qëllimit Hyjnor”, Liahona, nëntor 2017, f. 55)
-
Pse mendon se mund të jetë më e lehtë të vërejmë ndikimin e Perëndisë në jetën tonë duke kërkuar në të kaluarën, dhe jo në të tashmen?
Tregimi i Esterit demonstron mënyrën se si ndikimi i Perëndisë në jetën e Esterit e vendosi atë në pozicionin për të përmbushur punën e Tij. Në këtë mësim, do të studiosh pjesën e parë të këtij tregimi. Ndërsa studion, kërkoji me lutje Frymës së Shenjtë të të ndihmojë të dallosh mënyrën se si Ati Qiellor mund të të vendosë në situata për ta ndihmuar Atë të përmbushë punën e Tij.
Pikërisht për një kohë të tillë
Pasi persianët pushtuan Babiloninë, shumë judenj qëndruan në Persi, duke përfshirë Esterin dhe kujdestarin e saj, Mardokeun. Mbreti i Persisë, Asueroja, u zemërua me gruan e tij, Vashtin, dhe e largoi atë (shih tek Esterit 1:1–12). Duke kërkuar një nuse të re, Asueroja bëri thirrje që të gjitha gratë e Persisë të paraqiteshin përpara tij (shih tek Esterit 2:1–4).
Për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë historinë e Esterit, mund t’i organizoni nxënësit në grupe të vogla për të studiuar një nga blloqet vijuese të shkrimeve të shenjta. Ftojini grupet ta përmbledhin pjesën e tyre të historisë për orën mësimore. Nëse doni, mund të mendoni një mënyrë interesante se si mund ta përmbledhin nxënësit tregimin e tyre. Ata mund të vizatojnë një simbol në një fletë letre për të përfaqësuar historinë (për shembull, një kurorë ose vello nuseje, një unazë mbretërore, një shpatë, ose një simbol grafik [emoji] të një fytyre që qan). Disa nxënës mund ta interpretojnë historinë ndërkohë që të tjerë e tregojnë atë.
Lexoje fragmentin që të është caktuar duke kërkuar rrethanat e vështira me të cilat u përballën Esteri dhe Mardokeu.
Esterit 2:5–11, 15–17
Esterit 3:1–13
Esterit 4:1–9
Ndërsa nxënësit shprehen, kini parasysh kohën, në mënyrë që nxënësit të mos shpenzojnë shumë kohë duke i përmbledhur këto tregime.
-
Si mendon se u ndien Ati Qiellor dhe Jezu Krishti për ngjarjet në këto vargje? Për Mardokeun? Për Esterin?
Lexo tek Esterit 4:10–14, duke kërkuar mënyrën se si Mardokeu e ndihmoi Esterin të shihte ndikimin që Ati Qiellor mund të ketë pasur në rrethanat e jetës së saj.
Nëse doni, mund t’i vini nxënësit të shenjojnë pyetjen “kush e di nëse është pikërisht për një kohë të tillë që ti ke arritur në pozitë mbretërore?” (vargu 14).
Plaku Rasband dëshmoi se Perëndia ndikon në rrethanat e jetës sonë për të përmbushur punën e Tij.
“Unë e di se Zoti do të na lëvizë në atë fushë shahu në dukje për të bërë punën e Tij. Ajo që mund të duket se është një rastësi, në fakt po mbikëqyret nga një Atë i dashur në Qiell, i cili mund të numërojë fijet e flokut të çdo koke. As edhe një harabel nuk bie përtokë pa dijeninë e Atit tonë. Zoti është në hollësitë e vogla të jetës sonë, dhe ato ngjarje e mundësi duhet të na përgatitin për t’i lartësuar familjet tona dhe të tjerët, ndërsa e ndërtojmë mbretërinë e Perëndisë në tokë. …
Ati Qiellor mund të na vendosë në situata me një qëllim të veçantë në mendje. Ai e ka bërë këtë në jetën time dhe Ai po e bën këtë në jetën tuaj.” (“Sipas Qëllimit Hyjnor”, Liahona, nëntor 2017, f. 55–56)
-
Çfarë të vërtetash mund të mësojmë rreth Atit Qiellor nga tregimi i Esterit dhe nga Plaku Rasband?
Ndërsa nxënësit i tregojnë përgjigjet e tyre, shkruani një të vërtetë në tabelë duke përdorur fjalët e nxënësve si Ati Qiellor na vendos në situata ku mund të ndihmojmë të përmbushet puna e Tij.
Shënim: Guximi i Esterit për të shkuar përpara mbretit për të shpëtuar popullin e saj, do të studiohet në Mësimin 95: “Esterit, Pjesa 2”.
Dallimi i udhërrëfimit të Atit Qiellor
Mund të jetë e dobishme të vini në dukje se përmbushja e punës së Zotit është shpesh një përvojë jodramatike. Mund të jetë e vogël, por gjithsesi e rëndësishme. Për disa shembuj të këtyre përvojave të vogla por të rëndësishme, mund të tregoni ose historinë e Motrës Mishel D. Krejg te materiali filmik “Sy për të Parë”, kodi kohor 2:23 deri në 4:54 (Liahona, nëntor 2020, f. 16), ose tregimin e Plakut Bruk P. Hejls tek “Answers to Prayers” [“Përgjigje për Lutjet”], kodi kohor 2:16 deri në 4:32. Mund t’i gjeni materialet filmike të këtyre tregimeve në ChurchofJesusChrist.org.
-
Si të ka dhënë Zoti ty ose dikujt që ti njeh një mundësi për të qenë një mjet në duart e Tij?
Merreni parasysh të tregoni një përvojë kur ju i keni dalluar mundësitë që ju ka dhënë Ati Qiellor për të ndihmuar që të përmbushet puna e Tij.
Për t’i ndihmuar nxënësit të reflektojnë mbi mënyrën se si Ati Qiellor i ka vendosur ata në situata për të përmbushur punën e Tij, mund t’u jepni atyre kohë për t’i përsiatur në heshtje përgjigjet e tyre për pyetjen vijuese. Ata mund t’i shënojnë mendimet e tyre në ditarin e studimit.
-
Në ç’mënyrë mendon se mund të të përshkruajë ty thënia e Mardokeut te vargu 14?
Nëse e ndieni se nxënësve u nevojitet më shumë ndihmë për t’i dalluar këto mundësi në jetën e tyre, në vend të kësaj mund t’i vini nxënësit të plotësojnë veprimtarinë vijuese.
Në ditarin e studimit, shkruaj emrin e dikujt në jetën tënde (nga familja, shkolla, kisha, ose mjedis tjetër). Pastaj përgjigju për të paktën njërën prej pyetjeve vijuese në ditarin tënd.
-
Çfarë prove ke parë që Ati Qiellor e ka vendosur atë person në jetën tënde “pikërisht për një kohë të tillë”? (Esterit 4:14)?
-
Kur e ke parë dorën e Atit Qiellor të të vendosë rreth njerëzve të veçantë ose në situata të caktuara “pikërisht për një kohë të tillë”? (Esterit 4:14)?
Si të jetë e nevojshme, mund t’i ftoni nxënësit t’ia tregojnë klasës atë që shkruan. Merreni parasysh t’i inkurajoni nxënësit të veprojnë sipas çdo mbrese shpirtërore që mund të kenë pasur gjatë mësimit.