“Ezdras: Përgatitja për të Frekuentuar Shtëpinë e Zotit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Ezdras: Përgatitja për të Frekuentuar Shtëpinë e Zotit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Ezdras 1; 3–7; Nehemias 2; 4–6; 8: Mësimi 92
Ezdras
Përgatitja për të Frekuentuar Shtëpinë e Zotit
Niveli ynë i përgatitjes për ngjarjet e rëndësishme në jetën tonë mund të ndikojë shumë në përvojën që kemi. Shumë izraelitë mundën të përjetonin gëzim të thellë pas vitesh përgatitjeje fizike dhe shpirtërore për të rindërtuar dhe adhuruar në tempullin e Perëndisë. Ati ynë Qiellor dhe Shpëtimtari na kanë bekuar edhe me mundësi për të përjetuar gëzim duke adhuruar në shtëpinë e Zotit. Përpjekjet tona për t’u përgatitur për atë bekim mund të ndikojnë në përvojën tonë. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë një dëshirë më të madhe për t’u përgatitur që ta adhurojnë Zotin në tempullin e Tij të shenjtë.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të bëjnë një listë të gjërave afatshkurtra, si dhe afatgjata, që mund t’i bëjnë për t’u përgatitur për ta adhuruar Zotin në tempull. Më pas ata mund të marrin parasysh mënyrën se si përgatitja e tyre mund të ndikojë në përvojën e tyre në tempull.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Pritja me padurim për të shkuar në tempull
Mund ta filloni orën mësimore duke i ftuar nxënësit të shkruajnë në tabelë disa ngjarje të ardhshme që ata presin me padurim t’i përjetojnë. Shembujt mund të përfshijnë diplomimin, martesën dhe karrierat. Nxënësit mund të zgjedhin më pas një ngjarje nga tabela dhe t’i tregojnë një partneri një ose dy gjëra që mund t’i bëjë dikush për t’u përgatitur për atë ngjarje.
Merreni parasysh të paraqitni figurën vijuese të tempullit të Solt-Lejkut kur ishte thuajse gati për t’u përkushtuar në vitet 90 të shekullit të 19-të.
Lexoje thënien vijuese nga Presidenti Uillford Udraf (1807–1898), duke kërkuar diçka për të cilën ai ishte përgatitur dhe e kishte pritur me padurim për shumë vite.
“[Në përkushtimin e tempullit të Solt-Lejkut] Presidenti Uillford Udraf u ngrit më pas për t’iu drejtuar shenjtorëve. ‘E kam pritur me padurim këtë ditë për pesëdhjetë vitet e fundit të jetës sime’, tha ai.” (Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days, vëll. 2, No Unhallowed Hand, 1846–1893 [2020], f. 663–664)
-
Çfarë di ti rreth tempujve që mund ta ketë shtyrë Uillford Udrafin të priste me padurim përfundimin e tempullit të Solt-Lejkut?
Nëse nxënësit nuk e përmendën Perëndinë ndërsa iu përgjigjën pyetjes së mëparshme, mund t’i ndihmoni ata ta bëjnë atë lidhje duke bërë një pyetje si: “Çfarë lidhje shihni ndërmjet frekuentimit të tempullit dhe marrëdhënies sonë me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?”
Ftojini nxënësit t’i shkruajnë mendimet e tyre rreth pyetjeve vijuese në ditarin e studimit. Nëse doni, mund të shpjegoni se gjetja e kohës për të reflektuar mbi ndjenjat dhe përvojat tona të tanishme mund të na ndihmojë të përgatitemi për të mësuar nga Fryma e Shenjtë.
-
Cilat janë ndjenjat e mia ndërsa pres me padurim të frekuentoj tempullin në të ardhmen?
-
Çfarë po bëj për ta përgatitur veten që ta adhuroj Zotin në shtëpinë e Tij?
Gëzim në shërbimin e tempullit
Rreth vitit 605 pr.K., babilonasit e pushtuan Jerusalemin dhe filluan t’i internonin judenjtë e robëruar në Babiloni. Në vitin 587 pr.K., ata e shkatërruan tempullin dhe internimet u shtuan. Rreth 50 vite më vonë, Persia e pushtoi Babiloninë nën komandën e mbretit Kir.
Nëse nxënësit tuaj kujtojnë shpalljen e një tempulli në zonën e tyre, mund t’ua kujtoni atë përvojë ndërsa i lexojnë vargjet vijuese. Ose mund t’u kërkoni nxënësve të përpiqen të imagjinojnë mënyrën se si do të ndihen nëse në zonën e tyre do të shpallej një tempull.
Lexo tek Ezdras 1:1–3, duke kërkuar atë që Perëndia e frymëzoi mbretin Kir të bënte.
-
Çfarë mendimesh dhe ndjenjash mendon se mund të kenë pasur judenjtë? Përse?
Përfundimisht, rreth 50 000 judenj u kthyen në Jerusalem për të rindërtuar tempullin nën drejtimin e Zorobabelit (shih tek Ezdras 2:1–2, 64–65). Si një përmbushje e profecisë (shih tek Isaia 44:28; Jeremia 29:10), tempulli u ndërtua 70 vjet pasi ishte shkatërruar.
Lexo tek Ezdras 6:15–16, 22 dhe shenjo mënyrën se si u ndien judenjtë kur më në fund tempulli u përkushtua pas shumë vitesh pune të lodhshme dhe përgatitjeje shpirtërore.
Ndërsa nxënësit vazhdojnë ta studiojnë tregimin për njerëzit tek libri i Ezdras, ftojini ata të kërkojnë prova për këtë të vërtetë: Ndërsa përgatitemi për ta adhuruar Zotin në tempull, Ai do të na bekojë me gëzim. Nëse doni, mund ta shkruani këtë të vërtetë në tabelë.
Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se si ndodh kjo e vërtetë në jetën e një adoleshenti. Një mënyrë për ta bërë këtë është ta ftoni klasën të përshkruajë shkurtimisht dy adoleshentë: një që thjesht frekuenton tempullin dhe një që përgatitet ta adhurojë Zotin në tempull.
Para se të bëni pyetjen vijuese, mund t’i ftoni nxënësit të përsiatin përvojat që kanë pasur duke u përgatitur për tempullin, ose me frekuentimin e tij.
-
Si mund të na sjellë gëzim adhurimi i Zotit në tempull?
Për t’u dhënë nxënësve një shembull të mënyrës se si adhurimi i Zotit në tempull mund të sjellë gëzim, merreni parasysh të shihni përvojën e Plakut Kevin R. Dankan, i Të Shtatëdhjetëve, te “Hearts, Love, and the Temple” [“Zemrat, Dashuria dhe Tempulli”], në dispozicion në byui.edu/devotionals nga kodi kohor 21:46 deri në 24:05.
Pas materialit filmik, mund t’i ftoni nxënësit të tregojnë mënyrën se si marrëdhënia jonë me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin mund të forcohet nëpërmjet adhurimit në tempull.
Përgatitja për të frekuentuar tempullin
Thënia vijuese mund t’i ndihmojë nxënësit të kalojnë nga të mësuarit rreth judenjve që ndërtuan tempullin në Jerusalem në përgatitjen e tyre për të adhuruar në tempull. Nxënësit mund ta shkruajnë ose ta bashkëngjitin thënien në shkrimet e tyre të shenjta pranë vargjeve te Ezdras 6:15–16.
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:
“Nga disa anë, është më e lehtë të bësh një tempull sesa të bësh një popull të përgatitur për një tempull.” (“Fjala e Mbylljes”, Liahona, nëntor 2019, f. 122–123)
Ftojini nxënësit të tregojnë arsyet përse mund të jetë më e lehtë të ndërtosh një tempull sesa të jesh i përgatitur për ta adhuruar Zotin në tempull.
Ne mund të mësojmë rreth përgatitjes për të adhuruar Zotin në tempull duke studiuar përvojën e judenjve me rindërtimin e tempullit në Jerusalem.
Fletushka shoqëruese mund t’i ndihmojë nxënësit të gjejnë lidhje më të madhe në librin e Ezdras me jetën e tyre duke i krahasuar përpjekjet e judenjve për të ndërtuar tempullin me përgatitjet tona për ta adhuruar Zotin në tempujt e Tij.
Nxënësit mund ta plotësojnë fletushkën në grupe të vogla. Për ta bërë këtë, çdo anëtar i grupit mund të plotësojë një ose dy pjesë të fletushkës. Ata mund t’ia tregojnë më pas atë që mësuan grupit të tyre.
Përndryshe, mund ta prisni fletushkën në pjesë dhe t’i vendosni ato nëpër të gjithë klasën. Grupet e nxënësve mund të qarkullojnë nëpër klasë dhe ta plotësojnë secilën pjesë të fletushkës, duke iu përgjigjur pyetjeve në ditarët e studimit.
Pasi nxënësit ta kenë plotësuar fletushkën, sigurohuni që ata të kenë kohë për të diskutuar idetë që u bënë përshtypje.
Merreni parasysh t’i paraqitni pyetjet e mëposhtme. Bëni tri kolona në tabelë të titulluara “1”, “2”, dhe “3”. Ftojini nxënësit ta shkruajnë emrin e tyre në kolonën nën numrin e pyetjes që do të ishin të gatshëm t’i përgjigjeshin. Ftoni vullnetarë nga secila kolonë që t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës.
-
Si mendon se përgatitja për të frekuentuar shtëpinë e Zotit mund të na ndihmojë të përjetojmë gëzim ndërsa frekuentojmë tempullin?
-
Si të ka bekuar Zoti me gëzim ndërsa ke frekuentuar tempullin?
-
Çfarë di ti rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit që do të të shtynte të përgatiteshe për të frekuentuar shtëpinë e Tyre të shenjtë?
Merreni parasysh të jepni dëshminë tuaj për gëzimin që marrim nga Zoti kur përgatitemi për ta adhuruar Atë në tempull.