“1 Samuelit 15: Përpjekja për t’i Zbatuar të Gjitha Urdhërimet e Perëndisë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“1 Samuelit 15: Përpjekja për t’i Zbatuar të Gjitha Urdhërimet e Perëndisë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
1 Samuelit 8–10; 13; 15–16: Mësimi 72
1 Samuelit 15
Përpjekja për t’i Zbatuar të Gjitha Urdhërimet e Perëndisë
Megjithëse Perëndia jep urdhërime për të na udhërrëfyer dhe sjellë gëzim, ne mund të tundohemi t’u përgjigjemi urdhërimeve të Tij ashtu siç u përgjigj Sauli. Perëndia i dha Saulit dhe ushtrisë së tij udhëzime specifike nëpërmjet profetit Samuel rreth konfliktit të tyre me amalekitët. Sauli dhe ushtria e tij ndoqën disa nga urdhrat e Perëndisë, por u ndien të justifikuar të mos u bindeshin urdhrave të tjerë. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë rëndësinë e përpjekjes për t’i zbatuar të gjitha urdhërimet e Perëndisë.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë për arsyet që mund të kenë njerëzit për të zgjedhur të mos u binden urdhërimeve të Perëndisë. Nxënësit mund ta shënojnë listën e tyre në një shënim në telefonin e tyre ose ta shkruajnë atë në një copë të vogël letre. Ftojini nxënësit t’i sjellin listat e tyre në klasë.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Mensat
Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke krahasuar situatat kur është e përshtatshme të përzgjedhim atë që na pëlqen, me situatat kur nuk është. Mund të paraqitni disa lloje ushqimesh ose figura të disa llojeve të ushqimeve. Ftojini nxënësit të imagjinojnë sikur i gjithë ky ushqim është në dispozicionin e tyre për ta ngrënë.
-
Cilat ushqime do të zgjidhje për të ngrënë? Cilat do të zgjidhje të mos i haje? Përse?
Lexo këtë thënie nga Presidenti Rasëll M. Nelson, duke kërkuar mënyrën se si qasja jonë për t’iu bindur urdhërimeve të Perëndisë duhet të ndryshojë nga mënyra se si e zgjedhim ushqimin tonë:
“[Kini] besim për t’i mbajtur të gjitha urdhërimet e Perëndisë, duke ditur se ato janë dhënë që t’i bekojnë fëmijët e Tij dhe t’u sjellin gëzim. [Ju] do të has[ni] njerëz që përzgjedhin se cilat urdhërime do të mbajnë dhe nuk i marrin parasysh të tjerat, të cilat vendosin t’i shkelin. Unë e quaj këtë ta trajtosh bindjen si përzgjedhja e ushqimeve në një vakt tip bufe. Ky zakon i përzgjedhjes dhe i të vendosurit, nuk do të funksionojë. Do të udhëheqë drejt mjerimit. Që të përgatitet të takohet me Perëndinë, një njeri i mban të gjitha urdhërimet e Tij. Duhet besim për t’iu bindur atyre dhe mbajtja e urdhërimeve të Tij do ta përforcojë atë besim.” (“Të Përballosh të Ardhmen me Besim”, Liahona, maj 2011, f. 34–35)
Ftojini nxënësit ta përmbledhin atë që dha mësim Presidenti Nelson rreth zbatimit të të gjitha urdhërimeve të Perëndisë, në një pohim të vërtete. Duke përdorur vetë fjalët e nxënësve, ndihmojini ata të përcaktojnë një të vërtetë si: përpjekja për t’i zbatuar të gjitha urdhërimet e Perëndisë çon në gëzim ose përzgjedhja dhe vendosja se cili prej urdhërimeve të Perëndisë të zbatohet, çon në mjerim.
-
Përse mund të zgjedhë dikush të mos i zbatojë urdhërime të caktuara nga Perëndia?
Reflekto mbi qasjen tënde për bindjen ndaj urdhërimeve të Perëndisë duke i përsiatur në heshtje pyetjet vijuese:
-
Si përgjigjesh kur dëgjon një urdhërim ose standard që mund të mos jesh i sigurt se dëshiron ta zbatosh?
-
Sa e rëndësishme është për ty përpjekja për t’iu bindur të gjitha urdhërimeve të Perëndisë?
Ndërsa studion sot, kërko ndihmën e Shpirtit për të kuptuar rëndësinë e përpjekjes për t’iu bindur të gjitha urdhërimeve të Perëndisë.
Zgjedhjet e mbretit Saul
Merreni parasysh ta përmblidhni ose lexoni paragrafin vijues për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë ngjarjet që i paraprijnë kapitullit te 1 Samuelit 15.
Pasi Zoti i tha Samuelit t’i lejonte izraelitët të kishin një mbret, Zoti e udhëzoi Samuelin të vajoste një të ri të quajtur Saul për të qenë mbreti (shih te 1 Samuelit 8–10). Kur u kërcënua nga një sulm prej filistejve, Sauli nuk iu bind Zotit duke ofruar një flijim që nuk ishte i autorizuar ta bënte (shih te 1 Samuelit 13:8–9). Samueli më pas i mësoi Saulit pasojat e mosbindjes së tij (shih te 1 Samuelit 13:10–14). Te kapitulli 15, ne shohim një model të ngjashëm kur Sauli nuk i ndjek udhëzimet e Zotit me saktësi.
Lexo te 1 Samuelit 15:1–3, 7–9, ku Zoti i dha Saulit dhe ushtrisë së tij urdhërime specifike. Ndërsa lexon, kërko se cilit prej urdhërimeve të Zotit zgjodhën t’i bindeshin Sauli dhe ushtria e tij dhe cilit zgjodhën të mos i bindeshin.
Nëse dëshironi, mund t’u kujtoni nxënësve se ne nuk i dimë të gjitha arsyet përse Perëndia e urdhëroi Saulin dhe ushtrinë e tij t’i shfaroste amalekitët dhe kafshët e tyre. Por ne e dimë se Perëndia është i përsosur dhe i do të gjithë fëmijët e Tij dhe ne ende mund të mësojmë mësime të vyera nga reagimi i Saulit ndaj urdhërimit të Perëndisë.
-
Si mund t’i kishte ndihmuar Saulin dhe ushtrinë e tij e vërteta e dhënë mësim nga Presidenti Nelson?
Qëndrimet dhe justifikimet
Veprimtaria vijuese e studimit mund t’i ndihmojë nxënësit të dallojnë qëndrimet dhe justifikimet që mund të çojnë në mosbindje ndaj Perëndisë. Nxënësit mund ta plotësojnë veprimtarinë në grupe ose individualisht.
Pas betejës me amalekitët, Samueli foli me Saulin rreth mosbindjes së tij dhe të ushtrisë së tij.
Lexo te 1 Samuelit 15:13–24, duke kërkuar qëndrimet dhe justifikimet që ndikuan në zgjedhjen e Saulit për të mos iu bindur urdhërimeve të Perëndisë.
Nxënësit mund ta shkruajnë atë që gjejnë në tabelë. Ata mund të vënë në dukje se Sauli:
-
Gënjeu për mosbindjen e tij (vargjet 13, 20).
-
U mundua ta justifikonte mosbindjen e tij (vargjet 15, 21).
-
Fajësoi të tjerët për veprimet e tij (vargjet 15, 21).
-
U bë krenar (vargu 17).
-
Nuk i dha përparësi asaj që ishte më e rëndësishme (vargu 22).
-
Shqetësohej më shumë për mendimet e të tjerëve sesa t’i bindej Perëndisë (vargu 24).
Mund t’i ftoni nxënësit të krahasojnë qëndrimet dhe justifikimet e Saulit me qëndrimet dhe veprimet e Shpëtimtarit te Mateu 26:36–39. Ftojini nxënësit ta tregojnë atë që mësojnë rreth bindjes nga shembulli i Shpëtimtarit.
Më pas, merreni parasysh t’i ndani nxënësit në grupe. Kërkojuni atyre të krijojnë listën vijuese.
Bëj një listë të disa urdhërimeve që njerëzit sot mund të zgjedhin t’i anashkalojnë ose shpërfillin.
Kërkojini secilit grup që të përzgjedhë një nga urdhërimet në listën e vet. Vërini ata të krijojnë një skenar në të cilin një adoleshent mund të tundohet të mos i bindet urdhërimit duke përvetësuar disa nga qëndrimet ose justifikimet që përcaktuan nxënësit nga 1 Samuelit 15. Ose mund të shihni “Honesty: You Better Believe It!” [“Ndershmëria: Bëni Mirë ta Besoni!”] (4:46), nga ChurchofJesusChrist.org. Ndalojeni materialin filmik te kodi kohor 1:27 dhe ftojini nxënësit të përdorin situatën e të resë si skenar. (Mund ta shfaqni përfundimin e materialit filmik pasi nxënësit t’u përgjigjen pyetjeve më poshtë.)
Duke përdorur skenarët e tyre, ftojini nxënësit t’i diskutojnë pyetjet më poshtë me grupin e tyre.
-
Si mund të tundohet dikush në këtë situatë t’i përdorë qëndrimet ose justifikimet që përdori Sauli?
-
Si mund të çojnë zgjedhjet për t’iu bindur ose për të mos iu bindur këtij urdhërimi përfundimisht drejt gëzimit ose mjerimit?
-
Cilat mësime të lidhura me ungjillin mund të na ndihmojnë të zgjedhim t’i bindemi Perëndisë po të ishim në këtë situatë?
Dashuria e Perëndisë
Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na ndihmoi të kuptojnë arsyen përse Ati Qiellor dhe Jezu Krishti na japin ligje që presin t’u bindemi:
“Dashuria e Atit dhe e Birit jepet lirisht, por përfshin gjithashtu edhe shpresa dhe pritshmëri. … [D]uke cituar Presidentin Nelson: ‘Ligjet e Perëndisë nxiten tërësisht nga dashuria e Tij e pafundme për ne dhe nga dëshira e Tij që ne të bëhemi gjithçka që mund të bëhemi’.
Ngaqë Ata ju duan, nuk dëshirojnë t’ju lënë ‘ashtu siç jeni’. Ngaqë Ata ju duan, dëshirojnë që ju të keni gëzim dhe sukses. Ngaqë Ata ju duan, dëshirojnë që ju të pendoheni sepse ky është shtegu drejt lumturisë. Por kjo është zgjedhja juaj – Ata e respektojnë lirinë tuaj të zgjedhjes. Ju duhet të zgjidhni që t’i doni Ata, t’u shërbeni Atyre, t’i zbatoni urdhërimet e Tyre. Atëherë Ata mund t’ju bekojnë si edhe t’ju duan më me bollëk.” (“Dashuria e Perëndisë”, Liahona, nëntor 2021, f. 18)
-
Çfarë do t’i tregoje nga kjo thënie dikujt që ndien se urdhërimet e Perëndisë nuk janë shumë të rëndësishme?
-
Si të ka ndihmuar zbatimi i një urdhërimi të caktuar të Perëndisë “të ke[sh] gëzim dhe sukses”?
Zgjedhja për t’iu bindur të gjitha urdhërimeve të Perëndisë
Nëse dëshironi, mund t’u thoni nxënësve se zgjedhjet e Saulit për të mos e pranuar këshillën e Perëndisë, bënë që Perëndia ta udhëzonte Samuelin të gjente një mbret tjetër për të zënë vendin e Saulit (shihni te 1 Samuelit 13:14; 15:28).
Për t’i ndihmuar nxënësit ta demonstrojnë kuptueshmërinë e tyre për rëndësinë e bindjes ndaj urdhërimeve të Perëndisë, merreni parasysh të paraqitni udhëzimet vijuese.
Përzgjidh një nga veprimtaritë vijuese për ta përfunduar në ditarin tënd të studimit:
-
Imagjino sikur ke shokë që janë shenjtorë të ditëve të mëvonshme dhe që po justifikojnë shkeljen e urdhërimeve të caktuara. Ata të kanë ushtruar trysni që të bësh të njëjtën gjë. Shkruaje atë që dëshiron të mbash mend nga ky mësim për të të ndihmuar të ndjekësh urdhërimet e Perëndisë.
-
Plotëso hapësirat bosh: Dua t’u bindem urdhërimeve të Perëndisë sepse . Diçka që dua të mbaj mend nga ajo që ndjeva ose mësova sot, është .
Merreni parasysh të jepni dëshminë tuaj për bekimet që vijnë nga përpjekja për t’iu bindur të gjitha urdhërimeve të Perëndisë.