“Gjyqtarët 6–8: ‘Por Unë do të Jem me Ty’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Gjyqtarët 6–8: ‘Por Unë do të Jem me Ty’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Gjyqtarët 2–4; 6–8; 13–16: Mësimi 66
Gjyqtarët 6–8
“Por Unë do të Jem me Ty”
Pasi izraelitët u lutën për çlirim, Zoti thirri Gedeonin që t’i çlironte ata nga armiqtë e tyre. Zoti e tregoi forcën e Tij duke i ndihmuar izraelitët ta mposhtnin një ushtri me më shumë se 135 000 ushtarë me vetëm 300 nga burrat e Gedeonit. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë një dëshirë më të madhe për t’u mbështetur te Jezu Krishti për forcë.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të gjejnë një shkrim të shenjtë që tregon forcën që mund të marrim nga Zoti. Ejani në klasë të përgatitur për ta treguar atë.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Llojet e ndryshme të forcës
Në tabelë, merreni parasysh të vizatoni një figurë njeriu duke mbajtur pesha në secilën dorë, si vijuesja:
Bëjini pyetjet e mëposhtme. Nëse është e dobishme, jepuni shenjues shumë nxënësve dhe vërini ata ta shkruajnë një nga përgjigjet e tyre përreth vizatimit në tabelë.
-
Kush janë disa njerëz që do t’i konsideroje si “të fortë”?
-
Cilat janë mënyrat e ndryshme se si një person mund të shihet si i fortë?
Shpjegoni se një lloj force është aftësia e një personi për t’u mbështetur te Zoti.
Merreni parasysh t’u jepni nxënësve mundësinë për të vlerësuar se sa shumë mbështeten te Zoti në situatat sfiduese me të cilat mund të përballen. Mund të përdorni situatat vijuese ose të mendoni për të tjera që kanë më shumë lidhje me nxënësit tuaj.
Mendo se sa gjasa ka që të mbështetesh te forca e Perëndisë në situata të ndryshme. Për secilën situatë të renditur më poshtë, përcakto se ku do ta vendosje veten në diagramin vijues.
-
Marrja e vendimeve të rëndësishme
-
Përballja me një lëndim ose sëmundje
-
Përmirësimi si person
-
Përballimi i sfidave me familjen ose miqtë
Ndërsa studion rreth Gedeonit sot, lutu që Ati Qiellor të të ndihmojë të ndiesh rëndësinë e mbështetjes te Zoti për forcë në jetën tënde. Kushtoju vëmendje mendimeve ose ndjenjave që mund të të dërgojë Perëndia nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
Gedeoni dhe izraelitët
Për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë kontekstin e kapitullit te Gjyqtarët 6, mund të rishikoni grafikun e ciklit të krenarisë nga Mësimi 65: “Gjyqtarët 2–4”. Mund edhe të lexoni ose përmblidhni paragrafin vijues.
Gjyqtarët 6 përshkruan një rast tjetër kur izraelitët e harruan Zotin dhe i humbën bekimet e Tij. Një grup njerëzish, të quajtur madianitë, filluan t’i shtypnin izraelitët. Për shtatë vjet, madianitët plaçkitën drithin dhe kafshët e izraelitëve gjatë periudhave të korrjes. Për rrjedhojë, izraelitët vuajtën nga varfëria. Në dëshpërim, ata iu drejtuan Zotit për ndihmë. Pasi izraelitët e kujtuan Zotin dhe e thërritën Atë, Ai u dha një njeri të drejtë të quajtur Gedeon për t’i çliruar nga armiqtë e tyre.
Për t’i ndihmuar nxënësit të shohin se si Zoti e bekoi Gedeonin dhe ushtrinë e tij që u mbështetën tek Ai për forcë, merreni parasysh të përdorni fletushkën “Dallimi i Forcës së Zotit në Rrëfimin e Gedeonit”. Lejojeni secilin nxënës që të familjarizohet me përmbajtjen e çdo pjese të fletushkës. Ka disa mënyra se si mund ta bëni këtë.
Një mënyrë do të ishte t’i organizoni nxënësit në grupe me nga tre veta dhe t’i caktoni secilit anëtar një pjesë të fletushkës. Nxënësit mund ta plotësojnë pjesën e tyre dhe më pas t’ua mësojnë pjesëtarëve të tjerë të grupit atë që mësuan. Ata mund të vazhdojnë sipas rendit të pjesëve në fletushkë.
Një mënyrë tjetër do të ishte t’i ftoni nxënësit ta punojnë pjesën e parë të fletushkës me një partner. Pas një kohe të mjaftueshme, nxënësit mund të ndërrojnë partnerët dhe të punojnë me pjesën e dytë dhe më pas sërish me pjesën e tretë.
Mbështetja te Zoti
Pasi nxënësit ta kenë mbaruar fletushkën, ftojini ata të japin një përmbledhje të asaj që mësuan nga historia e Gedeonit.
Kërkojuni disa nxënësve të tregojnë të vërtetën që shkruan për veprimtarinë e studimit 3. Sa vijon është një shembull: Nëse mbështetemi te Zoti, Ai do të na bekojë me forcën e Tij.
-
Cilat janë mënyrat e ndryshme se si Zoti mund të na forcojë?
-
Si mund të mbështetemi te Zoti sot?
Për ta kuptuar më tej këtë të vërtetë, ftojini nxënësit të imagjinojnë sikur shoku i tyre u dërgon një mesazh me celular. Shoku është në një situatë ku ndien se forca e tij nuk është e mjaftueshme. Vërini nxënësit të tregojnë disa shembuj se si mund të jetë kjo situatë. Kërkojini klasës të përzgjedhë një situatë që e ndien se do të ishte më kuptimplotë për t’u trajtuar sot.
Përgatit një përgjigje që mund t’ia dërgosh mbrapsht me mesazh. Shkruaje atë në ditarin tënd të studimit. Nëse dëshiron, vizato një telefon me flluska ligjërimi dhe shkruaje përgjigjen tënde brenda. Përgjigjja jote duhet të përfshijë të paktën dy nga vijueset:
1. Si mund të ndihmojë shembulli i Gedeonit.
2. Si mund ta ndihmojnë shkrimet e tjera të shenjta shokun tënd që të mbështetet te Zoti. (Disa shembuj janë Fjalët e Urta 3:5–6; Filipianëve 4:13; Alma 26:12; Ethëri 12:27. Mund të kërkosh gjithashtu zërin “Vetëbesim” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.)
3. Çfarë di rreth Zotit që të ndihmon të mbështetesh tek Ai.
4. Përvojat që ke pasur kur e ke ndier Zotin të të forcojë përtej aftësive të tua.
Ftojini disa nxënës t’i japin përgjigjet e tyre. Kërkoni mënyra për t’i falënderuar ata për pjesëmarrjen e tyre dhe për të vënë në dukje se sa kuptimplota mund të jenë përgjigjet e tyre për ju dhe shokët e tyre të klasës.
Mund të jetë e dobishme të tregoni një përvojë vetjake rreth mënyrës se si jeni forcuar duke u mbështetur te Zoti. Mund të shfaqni gjithashtu materialin filmik “Thjesht Vazhdoni Përpara – me Besim” (ChurchofJesusChrist.org) nga kodi kohor 6:08 deri në 9:47. Plaku Karl B. Kuk, i Të Shtatëdhjetëve, tregoi një përvojë kur ai ishte një I Shtatëdhjetë Zonal i ri. Atij iu caktua të frekuentonte një konferencë kunji me Presidentin Bojd K. Paker. Kur Plaku Kuk e pyeti Presidentin Paker se si dëshironte ta planifikonte mbledhjen, Presidenti Paker tha se donte të ndiqte Shpirtin.
Përfundimi
Ftojini nxënësit të kërkojnë udhërrëfimin e Atit Qiellor ndërsa u përgjigjen pyetjeve vijuese në ditarët e tyre të studimit.
-
Cila është një fushë në jetën tënde ku ti ndien se forca jote nuk është e mjaftueshme?
-
Çfarë di ose çfarë ke mësuar rreth Zotit që do të të ndihmonte të mbështetesh tek Ai?
-
Si ndihesh në lidhje me Zotin dhe ndihmën e Tij?