Liahona
Ujë i Pastër, Shpresë e Pastër
Liahona, Shkurt 2026


Ujë i Pastër, Shpresë e Pastër

Për shtatëdhjetë njerëzit në Trilica, një qendër banimi me 10 shtëpi të romë-egjiptianëve në pjesën veriore dhe malore të Malit të Zi, jeta ishte e vështirë, veçanërisht në dimër. Shtëpitë e tyre të vjetruara kishin dyer që nuk puthiteshin mirë, të kalbura ose të dëmtuara, dritare pa izolim nga përshkimi i ujit dhe vetëm dysheme dheu të ngjeshur ose prej betoni. Njëra prej dy depozitave të ujit të komunitetit që e furnizonin qendrën e banimit, nuk ishte më e përdorshme dhe tjetra nuk siguronte klorinim, duke kërkuar që ata ta zienin ujin për të pirë dhe gatuar. Furnizimi me ujë mbarohej rregullisht kur disa familje përdornin ujë më shumë se ç’duhej.

Duke e dalluar nevojën e ngutshme, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme bashkëpunoi me qeverinë lokale dhe organizatën humanitare gjermane “Help” [“Ndihmë”] për të sjellë ndryshim afatgjatë. Kisha dhuroi dyer dhe dritare me izolim, mbulim për dyshemenë, lavamanë dhe dollapë për kuzhinat për të dhjeta shtëpitë. Më e rëndësishmja, ajo financoi instalimin e dhjetë depozitave vetjake të ujit, secila e pajisur me sisteme klorinimi, duke siguruar që çdo vatër familjare të kishte qasje ndaj ujit të pastër e të sigurt.

Ky projekt bëri më shumë sesa të përmirësonte infrastrukturën. I fuqizoi familjet që të merrnin zotërim të burimeve të tyre. Për herë të parë, secila vatër familjare ishte përgjegjëse për administrimin e furnizimit vetjak të ujit. Rezultati? Një ndjesi e sapogjetur krenarie dhe përgjegjshmërie. Një banore, Ljerlja Kajtafaj, tha: “Tani jemi ngrohtë dhe gjithçka është e mirë”. Ajo shkëlqeu nga krenaria kur shpjegoi se si tani paguan për energjinë e vet elektrike çdo muaj, një simbol i vogël por i fuqishëm i mbështetjes te vetja.

Shndërrimi i Trilicës është një dëshmi për zotimin e Kishës ndaj thirrjes së Shpëtimtarit për të “d[ashur] të afërmin [tuaj]” (Mateu 22:39). Duke trajtuar si nevojat fizike ashtu edhe shpirtërore, Kisha i ndihmon individët dhe komunitetet që të ngrihen mbi varfërinë e vështirësinë.

Kjo nismë gjithashtu përputhet me Synimin 6 të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm: Uji i Pastër dhe Instalimet Hidrosanitare dhe i bën jehonë nderimit mbarëbotëror të Ditës Ndërkombëtare të Ujit të Pastër më 22 mars. Kjo ditë na kujton se të pasurit e ujit të pastër nuk është thjesht një domosdoshmëri; është një e drejtë njerëzore dhe një bazë për dinjitet, shëndet e mundësi.

Teksa reflektojmë mbi bekimet e ujit të pastër, le të kujtojmë se veprime të vogla shërbimi mund të përhapen më tej, duke ndryshuar jetë dhe komunitete. Qoftë nëse dhurojmë tek një fond humanitar, dalim vullnetarë në lagjen e banimit ose thjesht ofrojmë një fjalë të mirë, secili prej nesh mund të jetë pjesë e punës së Zotit.

A dëshironi të sillni ndryshim? Hidhni një vështrim përreth lagjes suaj të banimit ose komunitetit tuaj që të gjeni mënyra për të ndihmuar ose vizitoni JustServe.org për mundësi shërbimi pranë jush. Uji i pastër ndryshon jetën – dhe po ashtu mundeni edhe ju.w