“Shtegu Gëzimplotë i Besëlidhjeve”, Liahona, shkurt 2026.
Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Liahona, Shkurt 2026
Shtegu Gëzimplotë i Besëlidhjeve
Mrekullia dhe madhështia e pjesëtarëve të familjes të lidhur së bashku në praninë e Atit dhe të Birit i sjellin habi dhe gëzim të jashtëzakonshëm shpirtit tim dhe më mbushin me një frymë mirënjohjeje.
Plaku Patrik Kirën dhe bashkëshortja e tij, Xheniferi
Kur Izrael dhe Elisabet Hejvën Barlou u larguan nga Navuja e Ilinoisit për në Luginën e Solt‑Lejkut në vitin 1848, ata lanë pas një foshnjë djalë të varrosur në një varrezë të vogël të Navusë. I vogli Xhejms Nataniel Barlou, fëmija i tyre i parë, kishte vdekur pak pas lindjes, në maj 1841.
Me nisjen e tyre për në Luginën e Solt‑Lejkut, Izraeli dhe Elisabeta ndoshta nuk e pritnin kurrë që të hidhnin përsëri vështrimin mbi varrin e birit të tyre. Por kur Izraeli u thirr në një mision për në Angli disa vjet më vonë, ai kaloi përmes Navusë teksa udhëtonte drejt lindjes. Me kërkesë të Elisabetës, ai ndaloi që të gjente varrin e birit të tyre dhe t’i lëvizte eshtrat e tij në varrezën kryesore në lindje të qytezës.
Pas një dite kërkimi të pafrytshëm, Izraeli kërkoi ndihmë nga përkujdesësi vendor i varrezave. Të nesërmen e gjetën varrin, të vendosur përkrah kushërirës së Xhejmsit, Merit. Për fat të keq, arkivolet ishin kalbur dhe thyer. Në një letër drejtuar bashkëshortes së tij, Izraeli shkroi: “Si rrjedhojë u largova dhe mora vendimin që do t’i lija atje ata derisa të vendosja ditë tjetër ç’të bëja”.
Nuk ishte larguar shumë nga varri, kur dëgjoi një zë. Duke kujtuar përvojën, ai shkroi: “Nuk ishte se dëgjohej, por ishte kaq i qartë në mendjen time sa nuk mund ta mohoja atë: ‘Babi, mos më lër këtu’”. Izraeli u kthye te varri, duke vendosur si përfundim që ta lëvizte birin e tij të vogël. “Ndjeva një qetësi dhe paqe shumë të veçantë të mendjes, të cilën nuk e kisha ndier më parë. … Kaq do ta them: se kurrë nuk isha më i vetëdijshëm për ndonjë detyrë të bërë në jetën time.”
Më 2 shtator 1853, Izrael Barlou dhe përkujdesësi i varrezave i lëvizën trupat e Xhejmsit dhe të Merit për në varrezën qendrore të Navusë, duke e shenjuar vendin me “gurë në krye dhe në fund të varreve”.
Izraeli i tha Elisabetës se teksa qëndroi më gjatë pranë varrit: “Ndjeva dëshirën që ta përkushtoja veten time dhe gjithçka që mund ta quaj timen, në duart e Zotit, që të mund të konsiderohesha i denjë për të ardhur me [Xhejmsin] në mëngjesin e Ringjalljes së Parë”.
Përkushtimi i Izraelit ndaj ungjillit të Jezu Krishtit, i shoqëruar me nderimin e besëlidhjeve të shenjta, e lejon Krishtin ta bëjë jetën e përjetshme, më të madhin e të gjitha bekimeve, të mundur për të, paraardhësit e tij dhe pasardhësit e tij.
E njëjta gjë është e vërtetë për të gjithë ne.
Fotografia nga Jerry Garns, kopjimi lejohet vetëm për përdorim nga Kisha
Premtimet e Shenjta
Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, e duan secilin prej nesh përtej gjithçkaje që mund të përfytyrojmë. Askund nuk shfaqet më shumë dashuria e Tyre sesa nëpërmjet bekimeve të premtuara që lidhen me besëlidhjet që na ofrohen në pagëzim dhe në shtëpinë e Zotit.
“Një nga konceptet më të rëndësishme të fesë së [dhënë me zbulesë], është ai i një besëlidhjeje të shenjtë”, – dha mësim Presidenti Rasëll M. Nelson (1924–2025). “Në gjuhën ligjore, një besëlidhje në përgjithësi është marrëveshje midis dy ose më shumë palëve. Por në një kontekst fetar, një besëlidhje është shumë më tepër e rëndësishme. Ajo është një premtim i shenjtë me Perëndinë.”
Çdo premtim i shenjtë që bëjmë dhe mbajmë, na bekon. Ati Qiellor dhe Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, dëshirojnë që ne të afrohemi më pranë Tyre. Ata dëshirojnë të na ndihmojnë që të mësojmë e të rritemi në besim dhe kuptueshmëri. Ata dëshirojnë që të na dhurojnë fuqi qiellore. Ata dëshirojnë që ne të gjejmë shërim e paqe në një botë ku bekime të tilla mbeten të pakapshme. Ata dëshirojnë që ne të përjetojmë gëzim në këtë jetë dhe në jetën që do të vijë. Duke rrjedhur nga kjo dashuri e përsosur, Ata na ofrojnë mundësinë që të hyjmë në një lidhje besëlidhëse me Ta. Ne kemi bekimin e rizotimit ndaj atyre besëlidhjeve çdo javë gjatë mbledhjes së sakramentit.
Ne e marrim sakramentin me një frymë mirënjohjeje, sepse kemi bekimin gëzimplotë të marrjes mbi vete të emrit të Jezu Krishtit, duke e kujtuar Atë dhe dashurinë e Tij për ne, të treguar nëpërmjet dhuratës së Shlyerjes së Tij – që Ai, për ne, vuajti, u gjakos dhe vdiq. Sakramenti gjithashtu na bekon me një mundësi të përjavshme për të treguar gatishmërinë tonë për të zbatuar urdhërimet e Tij, për të ripërtërirë besëlidhjet tona dhe për të bërë një besëlidhje të re (shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:77, 79).
“Shpesh, dëgjoj shprehjen se ne e marrim sakramentin për të ripërtërirë besëlidhjet e bëra në pagëzim. Ndonëse është e vërtetë, është shumë më tepër se aq”, – tha Presidenti Nelson. “Unë kam bërë një besëlidhje të re. Ju keni bërë besëlidhje të reja. … Tani, si këmbim për këtë, [Zoti] bën deklarimin që ne do të kemi gjithmonë Shpirtin e Tij me ne. Çfarë bekimi!”
Kur pendohemi dhe e marrim sakramentin me zemër të kulluar, ne marrim Frymën e Shenjtë dhe “pastrohemi nga mëkati sikur të ishim pagëzuar përsëri. Kjo është shpresa dhe mëshira që Jezusi i ofron secilit prej nesh.”
Ç’gëzim që të pendohemi dhe të falemi nëpërmjet dashurisë shëlbuese të Krishtit!
Fotografi e Tempullit të Navusë në Ilinois nga Jennifer Rose Maddy
Shtëpia e Tij e Gëzimit
Pasi u bë President i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Presidenti Nelson foli shpesh rreth shtegut të besëlidhjeve, duke filluar me mesazhin e tij të parë publik si President i Kishës. Ne hyjmë në atë shteg nëpërmjet “pendimi[t] dhe pagëzimi[t] me anë të ujit” (2 Nefi 31:17), tha ai në një rast të mëvonshëm, dhe “më pas ne hyjmë më plotësisht në atë shteg në tempull”.
Ashtu si marrja e sakramentit na kujton për besëlidhjet tona dhe bekimet që i pasojnë ato, po ashtu ndodh nga bërja e punës si mëkëmbës në tempull. Kur kryejmë ordinanca si mëkëmbës për ata që kanë ndërruar jetë, ne kujtojmë premtimet e shenjta që kemi bërë dhe bekimet e premtuara që do të marrim.
Nëpërmjet shtegut të besëlidhjeve ne bëhemi trashëgimtarë të të gjitha bekimeve të premtuara Abrahamit, Isakut, Jakobit dhe pasardhësve të tyre. Pavarësisht nga ato bekime të premtuara, Abrahami, Isaku dhe Jakobi nuk patën jetë të kollajshme dhe as ne nuk e kemi. Si ata, ne përballemi me vështirësi, ndëshkim dhe humbje teksa “provohe[mi] në gjithçka” (Doktrina e Besëlidhje 136:31; shihni edhe te 101:4–5). Por sikurse profetët dhe shenjtorët e drejtë të lashtësisë, ne e dimë në cilin mund të kemi mirëbesim (shihni te 2 Nefi 4:19).
Jeta jonë në vdekshmëri është veçse një çast në ekzistencën tonë, por ai çast – nganjëherë shumë i vështirë – është i një rëndësie të përjetshme. Po, Ati ynë Qiellor dëshiron që ne të mësojmë dhe të rritemi. Dhe, po, ajo rritje nganjëherë sjell zhgënjim dhe vuajtje. Por Ai dëshiron që jeta jonë të jetë e bukur dhe plot shpresë. Për atë qëllim dhe për ta lehtësuar rrugëtimin tonë të kthimit tek Ai, Ai ka siguruar një Shpëtimtar, i cili është “garantuesi” i besëlidhjeve tona me Atin e Tij. Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, Ati i përmbush premtimet e bëra ndaj fëmijëve të Tij në tempull.
Nëpërmjet dashurisë dhe flijimit të Tij shlyes, Shpëtimtari ynë e ka trajtuar dhe shëruar gjithçka që ne do të hasim në jetë. Dhe për shkak të shtëpisë së Tij të shenjtë, shtëpisë së Tij të gëzimit, gjithçka do të jetë në rregull pavarësisht nga vështirësitë. Balsami i mbajtjes së besëlidhjeve e fshin hidhërimin, dhembjen, pikëllimin e zhgënjimin. Nuk kemi përse të shqetësohemi ose të kemi frikë. Përkundrazi, ne mund të gëzohemi që është paguar çmimi për shëlbimit tonë (shihni te 1 Korintasve 6:20) dhe që është shtruar shtegu i besëlidhjeve drejt jetës së përjetshme.
Shtegu i besëlidhjeve vërtet është një shteg i dashurisë shëlbuese. Kur i nderojmë besëlidhjet që bëjmë në tempull, ne marrim bekime të një fuqie më të madhe, dashurie më të madhe, mëshire më të madhe, kuptueshmërie më të madhe dhe shprese më të madhe. Mrekullia dhe madhështia e vulosjeve në tempull, e pjesëtarëve të familjeve të lidhur së bashku në dashuri për gjithë përjetësinë, i sjellin habi dhe gëzim të jashtëzakonshëm shpirtit tim dhe më mbushin me një frymë mirënjohjeje.
“Sa herë që çfarëdo lloj trazire ndodh në jetën tuaj, vendi më i sigurt për të qenë shpirtërisht është të jetoni brenda besëlidhjeve tuaja të tempullit!” – këshilloi Presidenti Nelson. Unë e di nga përvoja ime vetjake në vdekshmëri, e ëmbël dhe me raste e hidhur, vërtetësinë e këtyre fjalëve.
Xhejms Nataniel Barlou, fëmija i parë i Izrael dhe Elisabet Barlout, vdiq pak pas lindjes, në maj 1841. Vite më vonë, ai u vulos nëpërmjet mëkëmbësve te prindërit e tij në Tempullin e Loganit, në Jutë.
Ilustrimi nga Allen Garns
Mblidhini Ata në Shtëpi
Pasi Izrael Barlou i dha lamtumirën e fundit birit të tij të vogël, ai i shkroi bashkëshortes së tij: “Mendimet e ikjes sime shumë larg, për të mos u kthyer kurrë më në jetë te varri [i Xhejmsit], m’i drodhën telat e dhembshurisë në zemër në pikën e fundit që mund të mbaja, derisa u copëtuan në shpërthim lotësh mbi varrin e tij”.
Përfytyroj se më shumë lot, lot gëzimi këtë herë, u derdhën më 4 dhjetor 1889. Në atë ditë, Xhejms Nataniel Barlou i vogël u vulos te prindërit e tij në Tempullin e Loganit, në Jutë. Në atë kohë Izraeli kishte ndërruar jetë, kështu që njerëz të tjerë qëndruan si mëkëmbës për të dhe Xhejmsin.
Motra Kirën dhe unë kemi një ndjesi të veçantë dhe dhembshuri të madhe për Izraelin dhe Elisabetën. Fëmija ynë i parë, një djalë i quajtur Shon, vdiq gjatë një operacioni të zemrës kur ishte vetëm tri javësh. Kjo ishte një humbje botëtronditëse për ne. Në atë kohë, pyesnim veten nëse mund të mbijetonim. E varrosëm atë në një varr të vogël, plot dhembje në Angli. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, familjes sonë iu kërkua të shpërngulej nga shtëpia për në Mbretërinë e Bashkuar për të shërbyer me kohë të plotë në Kishë dhe e lamë pas atë varr të vogël.
Nuk e humbëm fëmijën tonë në rrugëtimin drejt perëndimit dhe nuk vuajtëm vështirësitë e papërfytyrueshme të çiftit Barlou, por jemi në fazën e fillimit të kuptueshmërisë të asaj që kaluan ata. Varri i birit tonë foshnjë është shumë larg, prapëseprapë sikurse çifti Barlou, ne kemi besim të qëndrueshëm në Ringjalljen e Jezu Krishtit dhe natyrën e përjetshme të familjes sonë nëpërmjet besëlidhjes së shenjtë të vulosjes.
Ne të gjithë kemi paraardhës dhe njerëz të dashur të tjerë që kanë vdekur, të cilët po na thonë: “Mos na lini këtu”. Për shkak të besëlidhjeve të tempullit, askush nuk duhet të lihet pas. Thirrja jonë është t’i duam ata, t’u shërbejmë atyre dhe të ndihmojmë që t’i mbledhim ata në shtëpi.
Ati ynë Qiellor na do, ju dhe mua. Ai na ka dhënë tempuj kështu që “çfarëdo që lidh[im] në tokë, do të lidhet në qiell” (Doktrina e Besëlidhje 128:8; shihni edhe te Mateu 18:18). Ai dërgoi Birin e Tij për të këputur zinxhirët e vdekjes, duke shtruar udhën për lidhje të përhershme dhe ribashkime të përjetshme të familjeve.
Kjo është arsyeja pse kemi ordinanca. Kjo është arsyeja pse bëjmë besëlidhje. Kjo është arsyeja pse ndërtojmë tempuj. Kjo është arsyeja pse ia përkushtojmë veten tonë veprës dhe lavdisë së Perëndisë (shihni te Moisiu 1:39). Dhe kjo është arsyeja pse derdhim lot gëzimi, duke e ditur se një ribashkim i përjetshëm na pret ne dhe njerëzit tanë të dashur në praninë e Atit dhe të Birit.
Gjetshim gëzim e paqe ndërsa i mbajmë besëlidhjet tona dhe u bashkofshim me Zotin në veprën e Tij të lavdishme shpëtuese!
© 2026 by Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved. Shtypur në SHBA. Miratuar për anglisht: 6/19. Miratuar për përkthim: 6/19. Përkthim i Monthly Liahona Message, February 2026. Albanian. 19933 101