2025
Kush Nuk Është Perëndia
Gusht 2025


Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Për Forcën e Rinisë, Gusht 2025

Kush Nuk Është Perëndia

5 Të Vërteta rreth Atit tonë Qiellor

Ne mund të mësojmë shumë se kush është Perëndia, kur kuptojmë se kush nuk është Ai.

bojë dhe furçë

Ilustrimi nga Camila Gray

Një nga bekimet më të mëdha të Rivendosjes është se Perëndia e ka zbuluar sërish Veten dhe karakterin e Tij si një Atë i Dashur Qiellor. Por nganjëherë kemi mendime ose ide rreth Perëndisë që thjesht nuk janë të vërteta. Kur kjo ndodh, ne mund të mësojmë shumë se kush është Perëndia, duke kuptuar se kush nuk është Ai.

Perëndia nuk është një person i panjohur në një fron tejet të largët.

Ai është Ati ynë, më i mrekullueshëm se edhe babai më i mirë tokësor që mund të imagjinosh. Ndonëse nuk na kujtohet jeta jonë para lindjes me Të, Ai na njeh individualisht dhe përsosurisht. Ai ka një trup të përsosur prej mishi dhe kockash dhe ne jemi krijuar sipas shëmbëlltyrës së Tij.

Nëse e ke të vështirë të përfytyrosh se si është Perëndia, ekziston një shembull i përkryer: Biri i Tij, Jezu Krishti. Krishti tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje. Po të më kishit njohur, do të kishit njohur edhe Atin tim” (Gjoni 14:6–7). Me fjalë të tjera, nëse duam të dimë se si është Ati Qiellor, mund të mësojmë rreth asaj se si është Jezu Krishti! Ata janë përsosurisht të bashkuar në qëllim.

Perëndia nuk është dikush që është tepër i zënë për t’u marrë me ty.

Në fakt, të të ndihmojë ty të kesh jetë të përjetshme, është vepra e Tij dhe lavdia e Tij. Ti je pika Nr. 1 e përqendrimit të Tij! Ai nuk ka kufizime nga koha, ashtu si ne. Drejtoju Atij në lutje kurdoherë. Më pas, mbaj vesh për mënyrat e shumta se si përgjigjet Ai.

Perëndia nuk është dikush që të detyron ta ndjekësh Atë.

Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim dikur: “Qëllimi i Atit tonë Qiellor si prindi ynë nuk është që t’i bëjë fëmijët e Tij të bëjnë atë që është e drejtë; është që t’i bëjë fëmijët e Tij të zgjedhin të bëjnë atë që është e drejtë dhe më së fundi të bëhen si Ai”. Ai do të të ftojë, do të këshillohet me ty dhe do të të mësojë të vërtetën, por Ai nuk do të ta heqë lirinë e zgjedhjes duke të të detyruar ta ndjekësh.

Perëndia nuk është dikush që përpiqet të të zërë duke bërë diçka të gabuar që të mund të të ndëshkojë.

Përkundrazi, sikurse e shprehu Plaku Patrik Kirën, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Perëndia është duke ju kërkuar pareshtur”, që do të thotë se Ai nuk do të heqë kurrë dorë së përpjekuri që të të ndihmojë të kthehesh tek Ai. Ai e di se të gjithë ne do të përballemi natyrshëm me gjëra të vështira kur të bëjmë gabime. Ndaj Ai na siguron një mënyrë që të pastrohemi nga mëkati dhe të gjejmë forcë nëpërmjet Shlyerjes së Birit të Tij.

Perëndia nuk është dikush që po pret që ti të jesh person i “mjaftueshëm” ose i “përsosur” përpara se të të dojë.

Dashuria e Tij për ty është e pafundme. Ai të do që tani, sado i/e papërsosur të jesh! Presidenti Xhefri R. Holland, President Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, jep një sqarim të fuqishëm rreth kësaj të vërtete: “ʻEjani siç jeniʼ, i thotë një Atë i dashur secilit prej nesh, por Ai shton: ʻMos planifikoni të mbeteni siç jeniʼ. Ne buzëqeshim dhe sjellim ndërmend që Perëndia është i vendosur për të na bërë më shumë nga ç’menduam se mund të ishim.” Me dashuri dhe inkurajim të përkryer, Ati Qiellor po përpiqet të të ndihmojë të bëhesh si Ai dhe të marrësh gjithçka që Ai ka, duke i hedhur hapat një e nga një.

Kush ËSHTË Perëndia

Mënyra më e mirë për të arritur ta njohësh Atin Qiellor është të vazhdosh të kesh përvoja me Të. Në ç’mënyrë? Mëso rreth Tij dhe Birit të Tij nga shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të gjallë. Lutju Atij. Zbatoji urdhërimet e Tij. Shpenzo kohë të qetë vetjake duke e adhuruar Atë në kishë, në tempull dhe në vende të tjera të shenjta. Bëji dhe mbaji besëlidhjet me Të. Ai do të të ndihmojë ta dish se kush është Ai dhe çfarë ndien Ai për ty.