2025
E Vërteta rreth Jetës Sonë
Gusht 2025


“E Vërteta rreth Jetës Sonë”, Liahona, gusht 2025.

Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Liahona, Gusht 2025

E Vërteta rreth Jetës Sonë

Ati ynë i dashur Qiellor ka zbuluar të vërteta rreth së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes sonë, përfshirë mënyrën se si të marrim dhuratën më të madhe nga të gjitha.

Dyqani i N. K. Uitnit dhe Shoqërisë

Në krye të shkallëve, në një dhomë të vogël e të mbushur plot e përplot me njerëz mbi dyqanin e Njull K. Uitnit në Kirtland të Ohajos, më 22 janar 1833, pleqtë e Kishës u mblodhën me Profetin Jozef Smith. Dhjetorin e një viti më parë, Jozefi kishte marrë një zbulesë që e drejtonte të hapte një shkollë kryesisht për t’i përgatitur vëllezërit për misionet.

“Unë ju jap urdhërim”, – kishte deklaruar Zoti, – “që ju duhet t’ia mësoni njëri-tjetrit doktrinën e mbretërisë.

I mësoni me zell dhe hiri im do të jetë me ju, që ju të udhëzoheni në mënyrë më të përsosur në teori, në parim, në doktrinë, në ligjin e ungjillit, në të gjitha gjërat që lidhe[n] me mbretërinë e Perëndisë, të cilat janë të dobishme për ju për t’i kuptuar; …

Me qëllim që ju të mund të përgatiteni në gjithçka, kur unë t’ju dërgoj përsëri për të lartësuar thirrjen në të cilën ju kam thirrur dhe misionin me të cilin ju kam ngarkuar” (Doktrina e Besëlidhje 88:77–78, 80).

Në këtë “Shkollë… të Profetëve”, siç quhej, u përjetuan përvoja dhe dhurata shpirtërore të mrekullueshme. Shumë pleq të hershëm të Kishës morën mësim atje. Sot bota është një vend tërësisht ndryshe, por udhërrëfimi që Zoti dha në atë kohë është, në mënyrë mahnitëse, ende i zbatueshëm. Edhe ne duhet të kërkojmë njohuri dhe të vërtetë “për gjërat siç janë dhe siç ishin, dhe siç do të jenë” (Doktrina e Besëlidhje 93:24).

grua duke përsiatur për librin që po lexon

Kërkimi Ynë për të Vërtetën

Në këtë epokë që jetojmë, ne kemi në dispozicion më shumë njohuri se kurrë më parë. Në të kaluarën, nëse doje të dije diçka, të duhej të shkoje në bibliotekë dhe ta kërkoje. Sot, interneti dhe pajisjet elektronike që mbahen në dorë, sigurojnë qasje në informacione thuajse të pafundme, të cilat mund t’i gjejmë thuajse menjëherë.

Zoti kënaqet kur ne i përdorim me urtësi burimet që kemi në dispozicion, por Ai na ka dhënë këtë këshillë me vlerë të përhershme: “Kërkoni me zell dhe i mësoni njëri-tjetrit fjalë urtësie; po, kërkoni nga librat më të mirë fjalët e urtësisë; kërkoni të mësoni, madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” (Doktrina e Besëlidhje 88:118). Ai na nxit të mësojmë për botën përreth nesh (shihni te Doktrina e Besëlidhje 88:79; 93:53), por gjatë kërkimit tonë për të vërtetën, duhet të shohim te Perëndia i cili “i kupton të gjitha gjërat dhe të gjitha gjërat janë përpara tij, … dhe ai është mbi të gjitha gjërat, … dhe të gjitha gjërat janë nëpërmjet tij dhe prej tij” (Doktrina e Besëlidhje 88:41).

Mes të vërtetave që na ka dhënë Perëndia, një prej të vërtetave më themelore për jetën tonë në tokë, është se Ai është Ati ynë Qiellor. Ne jemi bijtë dhe bijat e Tij shpirtërore. Ai na njeh dhe na do përsosurisht. Si fëmijët e Tij shpirtërorë, ne kemi një natyrë dhe fat hyjnor. Të kuptuarit dhe përqafimi i këtyre të vërtetave të përjetshme, na japin identitet, vlerë dhe qëllim, të cilat na bekuan dhe drejtuan në jetën tonë paratokësore dhe do të vazhdojnë të na bekojnë dhe drejtojnë tani e përgjithmonë.

njerëz duke kaluar përmes velit

Ne Ishim me Atin nga Fillimi

Ndërsa kërkojmë të vërtetën e gjërave, “siç ishin”, ne zbulojmë këto fjalë nga Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti: “Dhe tani, në të vërtetë unë ju them, unë isha në fillim me Atin dhe jam i Parëlinduri” dhe“ju gjithashtu ishit në fillim me Atin” (Doktrina e Besëlidhje 93: 21, 23).

Përpara jetës sonë në tokë, ne qemë të pranishëm në një këshill në qiell ku Ati ynë Qiellor paraqiti planin e Tij të madh të lumturisë. Profeti Jozef Smith dha mësim se shtysa e Perëndisë për planin e Tij është të na japë “privilegjin që të përparon[jmë] si ai [dhe] … të ekzaltohe[mi] me atë”. Vepra dhe lavdia e Tij është të “bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39).

Ne ushtruam lirinë tonë të zgjedhjes dhe zgjodhëm të ndiqnim planin e Atit Qiellor. Ne jemi bekuar që u sollëm në këtë jetë, ku vazhdojmë të kemi lirinë e zgjedhjes dhe mund të përjetojmë vdekshmërinë, të mësojmë dhe të përparojmë drejt jetës së përjetshme.

Gjatë rrugëtimit tonë në vdekshmëri, do të përjetojmë sfida dhe pengesa. Por nuk kemi pse t’i përballojmë vetëm fatkeqësitë e jetës. Jozef Smithi na mësoi se Ati Qiellor, “Prindi i Madh i universit[,] e trajton të gjithë familjen njerëzore me kujdes atëror dhe vëmendje prindërore”.

Ati ynë Qiellor, “Ati i të mëshirëve dhe Perëndia [i] çdo ngushëllimi”, do të na bekojë, do të na ngrejë shpirtërisht dhe do të na ngushëllojë “në çdo shtrëngim tonin, që, nëpërmjet ngushëllimit me të cilin ne jemi ngushëlluar nga Perëndia, të mund të ngushëllojmë ata që janë në çfarëdo shtrëngimi” (2 Korintasve 1:3–4). Si pjesë thelbësore e planit të Tij, Ati Qiellor na ka siguruar udhën për t’u kthyer tek Ai.

Kopshti i Gjetsemanit, Izrael

Udha për tek Ati Ynë

E vërteta “për gjëra ashtu siç janë në të vërtetë” (Jakobi [LiM] 4:13) është e qartë: ne nuk mund ta arrijmë potencialin tonë të plotë si fëmijë të Atit tonë Qiellor vetëm. Jezu Krishti, i Parëlinduri i Atit në frymë, besëlidhi që të ishte Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë.

Jezu Krishti, “[i] Vetëmlinduri [i] Atit, plot hir dhe të vërtetë, madje Shpirti… [i] së vërtetës, … erdhi dhe banoi në mish e banoi mes nesh” (Doktrina e Besëlidhje 93:11). Ai erdhi që të na tregojë udhën për të gjetur lumturi, kuptim dhe gëzim në këtë jetë dhe në përjetësi.

“Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.

Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij” (Gjoni 3:16–17).

Përvoja e Shpëtimtarit në tokë është e rëndësishme. Ai “nuk e mori plotësinë që në fillim, por mori hir pas hiri” (Doktrina e Besëlidhje 93:12). Ai u rrit derisa “mori një plotësi të lavdisë së Atit” dhe “gjithë fuqinë, si në qiell, edhe në tokë, dhe lavdia e Atit ishte me të, sepse ai banoi në të” (Doktrina e Besëlidhje 93:16–17). Shpëtimtari dha mësim:

“Unë jua jap këto thënie që ju të mund ta kuptoni e dini se si të adhuroni dhe të dini çfarë të adhuroni, që ju të mund të vini tek Ati në emrin tim dhe në kohën e përshtatshme të merrni plotësinë e tij.

Sepse, në qoftë se i mbani urdhërimet e mia, ju do ta merrni plotësinë e tij dhe do të përlëvdoheni në mua, sikurse jam unë në Atin; si rrjedhim, unë ju them, ju do të merrni hir pas hiri” (Doktrina e Besëlidhje 93:19–20).

Në Kopshtin e Gjetsemanit dhe në kryq, Jezu Krishti mori mbi Vete mëkatet e botës dhe i vuajti të gjitha brengat dhe “dhimbje[t] dhe hidhërime[t] dhe tundime[t] [e] çdo lloji” (Alma 7:11). Kjo “bëri [që Ai], … më i madhi i të gjithëve, të dridhe[j] për shkak të dhembjes e t[’i] … d[ilte] gjak nga çdo por” (Doktrina e Besëlidhje 19:18). Shpëtimi dhe ekzaltimi janë të mundur vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit dhe Shlyerjes e Ringjalljes së Tij.

Nëpërmjet hirit dhe flijimit shlyes të Shpëtimtarit, ne mund të rritemi derisa të marrim një plotësi dhe një ditë të mund të çohemi te përsosuria. Nëse do ta ndjekim shembullin e Shpëtimtarit dhe t’u bindemi urdhërimeve të Tij, Ai do të na udhëheqë dhe udhërrëfejë gjatë udhës së kthimit në praninë e lavdishme të Atit tonë në Qiell.

pikturë e Krishtit duke ecur rrugës për në Jerusalem

Christ on the Road to Jerusalem [Krishti në Rrugën për në Jerusalem], nga Michael Coleman, nuk lejohet kopjimi

A do ta Pranosh Dhuratën e Tij?

Mes të vërtetave “për gjëra ashtu siç janë në të vërtetë” (Jakobi [LiM] 4:13), ne mësojmë se përvoja jonë në përjetësi do të përcaktohet nga zgjedhja jonë për ta ndjekur Jezu Krishtin dhe për të marrë dhuratat që Ai ofron. Në shkrimet e shenjta na mësohet se ne do ta “gëz[ojmë] atë që j[emi] të gatshëm të marri[m]”. Trishtueshëm, disa nuk do të jenë “të gatshëm të gëzo[jnë] atë që mund të kishin marrë” (Doktrina e Besëlidhje 88:32).

Presidenti i misionit tim, Plaku Marion D. Henks (1921–2011), i cili shërbeu si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë, u mësoi misionarëve të tij se kërkimi për gjërat që jemi të gatshëm të marrim dhe t’i gëzojmë, është një mënyrë se si mund ta gjykojmë se ku jemi në rrugëtimin tonë shpirtëror. “Sepse çfarë dobie ka një njeri, nëse një dhuratë i jepet atij dhe ai nuk e pranon dhuratën?” Teksa i pranojmë dhuratat e Shpëtimtarit duke e kërkuar dhe ndjekur Atë me zell, ne do të gëzohemi në shpresën për jetë të përjetshme dhe “në atë që është dhënësi i [asaj] dhurat[e]” (Doktrina e Besëlidhje 88:33). Kjo dhuratë e dhënë me aq dashuri “është më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 14:7).

Perëndia është Ati ynë Qiellor. Ai na njeh dhe na do. Ndërsa i drejtohemi Atij në kërkimin tonë për të vërtetën, ne mund të kapemi pas inteligjencës, të marrim urtësi, të përqafojmë të vërtetën, të dashurojmë virtytin dhe të kapemi pas dritës që vjen prej Tij (shihni te Doktrina e Besëlidhje 88:40). Më pas, vazhdojmë gjatë gjithë jetës derisa “dita do të vijë kur [ne] do ta kupto[jmë] edhe Perëndinë, duke marrë jetë në të dhe prej tij” (Doktrina e Besëlidhje 88:49).

Ajo do të jetë dita më e lavdishme dhe më e gëzueshme.