“Ne e Ndjekim Jezu Krishtin Duke u Bashkuar me Të në Veprën e Tij”, Liahona, Qershor 2025.
Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Liahona, Qershor 2025
Ne e Ndjekim Jezu Krishtin Duke u Bashkuar me Të në Veprën e Tij
Ne marrim pjesë në veprën e Shpëtimtarit kur përqendrohemi te qëllimet e Tij, i zbatojmë urdhërimet e Tij dhe e duam njëri‑tjetrin.
Hollësi nga Christ and the Rich Young Ruler [Krishti dhe i Riu Pasanik], nga Heinrich Hofmann
Kur pagëzohemi, ne fillojmë procesin e marrjes mbi vete të emrit të Jezu Krishtit. Pjesë e këtij procesi do të thotë që ne bashkohemi me Shpëtimtarin në veprën e Tij. Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, shkroi: “Një nga kuptimet më të rëndësishme të marrjes mbi vete të emrit të Krishtit [është] një gatishmëri dhe një zotim për të marrë mbi vete veprën e Shpëtimtarit dhe mbretërinë e Tij”.
Vepra e Shpëtimtarit është “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39). Pavdekësia është një dhuratë e pakushtëzuar që Jezu Krishti tashmë e ka garantuar nëpërmjet Ringjalljes së Tij. Sidoqoftë, jeta e përjetshme nuk është e njëjtë me pavdekësinë. Jeta e përjetshme është dhurata më e madhërishme që Perëndia mund t’ia japë njerëzimit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 14:7). Është të jetojmë përgjithmonë si familje në praninë e Tij. Në mënyrë që të marrim jetë të përjetshme, duhet të bëhemi dishepuj besnikë të Jezu Krishtit. Kjo do të thotë që ne e marrim ungjillin e rivendosur duke pasur besim te Shpëtimtari dhe Shlyerja e Tij, duke u penduar, duke u pagëzuar, duke marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë, duke bërë e mbajtur besëlidhjet në tempull dhe duke duruar deri në fund. Durimi deri në fund përfshin bashkimin me Shpëtimtarin në veprën e Tij.
Të Përfshirë Plot Zell
Ne marrim pjesë në veprën e Shpëtimtarit kur i ndihmojmë edhe fëmijët e Perëndisë që të bëhen dishepuj besnikë të Jezu Krishtit. Kjo përfshin shpërndarjen e ungjillit të Tij, duke e mbledhur në këtë mënyrë Izraelin e shpërndarë, me anë të përmbushjes së përgjegjësive në Kishën e Shpëtimtarit dhe me anë të përpjekjes fort që të bëhemi si Ai. “Suksesi [ynë në veprën e Tij] nuk varet nga mënyra se si të tjerët zgjedhin që t[ë na] përgjigjen [neve], ftesave t[ona] apo veprimeve t[ona] të çiltra të mirësisë.” Presidenti Rasëll M. Nelson pohoi: “Në çfarëdo kohe që bëni çfarëdo gjëje që e ndihmon cilindo – në çdonjërën prej anëve të velit – të hedhë një hap drejt bërjes së besëlidhjeve jetike me Perëndinë dhe marrjes së ordinancave të veta thelbësore të pagëzimit dhe tempullit, ju po ndihmoni që Izraeli të mblidhet”.
Për ta bërë veprën e Shpëtimtarit veprën tonë, ne përqendrohemi te qëllimet e Tij, i zbatojmë urdhërimet e Tij dhe e duam njëri‑tjetrin. Ndërkohë që e bëjmë veprën e Tij sipas mënyrës së Tij (shihni te Doktrina e Besëlidhje 51:2), disa gjëra lihen për ne që t’i zgjidhim vetë. Shpëtimtari u tha shenjtorëve të cilët u mblodhën në kontenë Xhekson në Misuri:
“Sepse vini re, nuk është e përshtatshme që unë duhet të urdhëroj për gjithçka; sepse ai që detyrohet në gjithçka, po ai është një shërbëtor i ngathët dhe jo i mençur; si rrjedhim ai nuk merr shpërblim.
Në të vërtetë unë them, njerëzit duhet të përfshihen me zell në një kauzë të mirë dhe të bëjnë shumë gjëra me vullnetin e tyre të lirë e të shkaktojnë shumë drejtësi;
Sepse është në ta fuqia, me anë të së cilës ata janë veprues për veten. Dhe për aq sa njerëzit të bëjnë mirë, ata në asnjë mënyrë s’do ta humbasin shpërblimin e tyre” (Doktrina e Besëlidhje 58:26–28).
Kur e ndjekim Shpëtimtarin, bashkohemi me Të në veprën e Tij dhe i ndihmojmë të tjerët që të bëhen dishepujt e Tij besnikë, ne japim mësim atë që Ai do të jepte mësim. Ngaqë nuk autorizohemi që të japim mësim diçka tjetër (shihni te Doktrina e Besëlidhje 52:9, 36), ne përqendrohemi në mënyrë të padevijueshme te doktrina e Tij (shihni te Doktrina e Besëlidhje 68:25). Përveç kësaj, ne u kushtojmë vëmendje të veçantë njerëzve që janë të varfër, nevojtarë dhe të cenueshëm (shihni te Doktrina e Besëlidhje 52:40). Këto theksime u bënë të qarta kur Shpëtimtari citoi nga Isaia në një sinagogë në Nazaret:
“Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillizuar të varfërit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të çliruar përsëri të shtypurit,
dhe për të predikuar vitin e pranueshëm të Zotit” (Lluka 4:18–19; shihni edhe tek Isaia 61:1).
Viti i pranueshëm i Zotit i referohet kohës kur të gjitha bekimet e besëlidhjes së Perëndisë do të grumbullohen mbi popullin e Tij. Ne e ndjekim Jezu Krishtin duke i ftuar të tjerët që të marrin bekimet e bërjes dhe të mbajtjes së besëlidhjeve me Perëndinë dhe duke u kujdesur për ata që janë të varfër ose nevojtarë në mënyra të tjera.
Bashkimi me Jezu Krishtin në veprën e Tij është ngazëllues sepse veprat, planet dhe qëllimet e Tij “nuk mund të pengohen, as nuk mund të kthehen në hiç” (Doktrina e Besëlidhje 3:1). Për ata që ndihen të shkurajuar, Zoti këshilloi: “Prandaj, mos u lodhni së bëri mirë, sepse ju po ngrini themelin e një vepre të madhe. Dhe nga gjëra të vogla vjen ajo që është e madhe” (Doktrina e Besëlidhje 64:33). Ne e lëmë Zotin që të shqetësohet rreth të korrës dhe thjesht bëjmë pjesën tonë.
Zemrën dhe një Mendje të Gatshme
Bërja e pjesës sonë është më e thjeshtë nga sa mund ta përfytyrojmë ngaqë nuk kemi nevojë të sjellim talente ose zotësi të jashtëzakonshme në veprën e Zotit. Kërkesa e Tij është thjesht zotim dhe gatishmëri. Zoti u tha shenjtorëve në Kirtland të Ohajos: “Vini re, Zoti kërkon zemrën dhe një mendje të gatshme” (Doktrina e Besëlidhje 64:34). Zoti mund ta bëjë të aftë njeriun e gatshëm, por Ai nuk mundet dhe nuk do ta bëjë të gatshëm njeriun e aftë. Me fjalë të tjera, nëse jemi të zotuar dhe të gatshëm, Ai mund të na përdorë. Por pavarësisht se sa të talentuar jemi, Ai nuk do të na përdorë në qoftë se nuk jemi të zotuar ndaj veprës së Tij dhe të gatshëm për ta ndihmuar Atë.
Samuel dhe Ana‑Maria Koivisto treguan si zotim ashtu edhe gatishmëri. Pak kohë pas martesës së tyre, çifti Koivisto u shpërngul nga Jivaskëla në Finlandë për në Gëteborg të Suedisë që të ndiqnin mundësitë për karrierë. Pas mbërritjes, vëllanë Koivisto e ftuan të takohej me Presidentin Leif G. Matson, një këshilltar në presidencën e Kunjit të Gëteborgut në Suedi. Ngaqë Samueli nuk fliste suedisht, intervista u bë në anglisht.
Pas një vizite të shkurtër, Presidenti Matson i kërkoi Samuelit që të shërbente si udhëheqësi i misionit të lagjes në Lagjen Utbi. Samueli vuri në dukje diçka të qartë: “Por unë nuk flas suedisht”.
Presidenti Matson u përkul mbi tavolinën e tij dhe me qëllim e pyeti: “A të pyeta nëse mund të flasësh suedisht apo që a je i gatshëm t’i shërbesh Zotit?”
Samueli u përgjigj: “Më pyete nëse isha i gatshëm për t’i shërbyer Zotit. Dhe unë jam.”
Samueli e pranoi thirrjen. Edhe Ana‑Maria i pranoi thirrjet. Që të dy shërbyen besnikërisht dhe mësuan të flisnin gjuhën e bukur suedeze me kalimin e kohës.
Zotimi dhe gatishmëria për t’i shërbyer Zotit e kanë karakterizuar jetën e Samuelit dhe të Ana‑Marisë. Ata janë heronj të zakonshëm në Kishë. Kanë shërbyer besnikërisht çdo herë që u është kërkuar të shërbejnë. Ata më kanë mësuar se, kur shërbejmë, ne i përdorim talentet që kemi (shihni te Doktrina e Besëlidhje 60:13) dhe Zoti më pas na ndihmon që t’i përmbushim qëllimet e Tij.
Kur jemi të gatshëm të shërbejmë, ne përpiqemi fort që të mos ankohemi apo murmuritim, ngaqë nuk dëshirojmë ta njollosim shërbimin tonë në asnjë mënyrë. Ankesat mund të jenë shenjë e zotimit tonë të lëkundur ose që dashuria jonë për Shpëtimtarin nuk është ashtu siç duhet të jetë. Kur nuk e kontrollojmë, murmuritja mund të përshkallëzohet në rebelim të plotë kundër Zotit. Ky përshkallëzim shihet në jetën e Ezra Buthit, një të kthyeri të hershëm në besimin në Kishë në Ohajo, i cili u thirr si misionar për në Misuri.
Kur u largua nga Ohajoja në qershor të vitit 1831, Ezra u zemërua që disa misionarë ishin në gjendje të udhëtonin me karroca, ndërkohë që atij iu desh të ecte në të nxehtin e verës, duke predikuar përgjatë udhës. Ai murmuriti. Kur mbërriti në Misuri, ai u ndje i pavlerë. Misuri nuk ishte ajo çka kishte pritur. Në vend të kësaj, hodhi sytë përreth dhe vuri re se “perspektiva dukej disi e zymtë”.
Ezra u bë gjithnjë e më shumë cinik, sarkastik dhe kritikues. Pasi u largua nga Misuri, në vend që të predikonte ndërkohë që shkonte, sikurse i ishte kërkuar të bënte, ai u kthye në Ohajo sa më shpejt që mundi. Murmuritja e tij fillestare u zhvillua në një lëkundje dhe përfundimisht në humbjen e vetëbesimit në përvojat e tij të mëparshme shpirtërore. Shpejt, Ezra u largua nga Kisha dhe “përfundimisht ‘e braktisi krishterimin dhe u bë agnostik’”.
E njëjta gjë mund të na ndodhë neve nëse nuk jemi të kujdesshëm. Nëse nuk ruajmë një këndvështrim të përjetshëm, duke ia kujtuar vetes se vepra e kujt është kjo në të vërtetë, ne mund të ankohemi, të lëkundemi dhe përfundimisht ta humbasim besimin që kemi.
Lutem që të mund të zgjedhim për ta ndjekur Jezu Krishtin duke u bashkuar me Të në veprën e Tij. Ndërsa e bëjmë këtë gjë, na jepen “premtime [të] çmueshme dhe shumë të mëdha” (2 Pjetër 1:4). Këto bekime përfshijnë faljen e mëkatit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 60:7; 61:2, 34; 62:3; 64:3), shpëtimin (shihni te Doktrina e Besëlidhje 6:13; 56:2) dhe ekzaltimin (shihni te Doktrina e Besëlidhja 58:3–11; 59:23). Vërtet, neve na premtohet dhurata më e madhe që Perëndia mund të japë – jeta e përjetshme.
© 2025 by Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved. Shtypur në SHBA. Miratuar për anglisht: 6/19. Miratuar për përkthim: 6/19. Përkthim i Monthly Liahona Message, June 2025. Albanian. 19610 101