2025
Ndihma nga Jezu Krishti: Përse dhe Si
Prill 2025


Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Për Forcën e Rinisë, prill 2025

Ndihma nga Jezu Krishti: Përse dhe Si

Kuptoje arsyen përse Jezu Krishti është përgjigjja dhe mënyrat se si Ai të ndihmon.

Jezu Krishti

Ilustrimi nga Dan Wilson

“Ndiej sikur vazhdoj të gaboj. Është e vështirë që të vazhdoj të përpiqem.”

“Gjendja ime është e vështirë. Nuk jam i sigurt se si të shkoj përpara.”

“Shqetësohem për të ardhmen. Nuk e di nëse kam atë që më duhet për t’ia dalë mbanë.”

“Jam e rraskapitur, por ende ka më shumë për të bërë.”

A e gjen veten në ndonjërin prej këtyre problemeve? Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Çfarëdo pyetjesh apo problemesh të keni, përgjigjja gjendet gjithmonë në jetën dhe mësimet e Jezu Krishtit” (“Përgjigjja Është Gjithmonë Jezu Krishti”, prill 2023 konferenca e përgjithshme [Liahona, maj 2023, f. 127]).

Është e thjeshtë të thuash: “Jezu Krishti është përgjigjja”. Duhet pak më shumë përpjekje që të kuptosh arsyen përse dhe mënyrën se si Ai është përgjigjja.

Përse Krishti Është Përgjigjja?

Kur Ai e duroi flijimin e Tij shlyes, Shpëtimtari bëri tri gjëra të rëndësishme:

  1. Ai e mposhti vdekjen, duke na lejuar që të ringjallemi.

  2. Ai pagoi çmimin e të gjitha mëkateve, duke bërë të mundur që ne të pendohemi, të rritemi dhe të kthehemi te Perëndia. Kjo gjithashtu na ndihmon që t’i falim të tjerët kur ata mëkatojnë, sepse Krishti i mori mëkatet e tyre mbi veten e Tij.

  3. Ai përjetoi të gjitha dhembjet, mundimet, tundimet, sëmundjet dhe dobësitë (shihni tek Alma 7:11–13). Kjo do të thotë që Ai e di saktësisht se si të të ndihmojë e të të shërojë dhe mund të të forcojë që t’i durosh sprovat dhe të përpiqesh fort për t’u bërë më i mirë.

Zgjidh cilindo problem dhe mund ta lidhësh zgjidhjen sërish me njërën ose më shumë nga këto tri të vërteta.

Varfëria? Ngaqë Jezu Krishti i përjetoi të gjitha gjërat, Ai e di saktësisht se si është varfëria. Ai nuk e heq gjithmonë pengesën, por Ai mund t’i forcojë njerëzit që ta mbajnë atë barrë (shihni te Mosia 24:15).

Dështimi? Ngaqë Krishti e mposhti mëkatin, dështimet tona nuk ka nevojë që të jenë të përhershme. Pendimi përfshin përmirësimin dhe bërjen më shumë si personi që Ai e di se mund të bëhemi.

Sëmundja? Ngaqë Ai e mposhti vdekjen, ne do të ringjallemi me trupa të përsosur, të paprekshëm nga sëmundja e dhembja. Krishti gjithashtu “m[ori] përsipër … sëmundjet” (Alma 7:11), duke e bërë Atë njeriun e përsosur për të ofruar ngushëllim e përkrahje.

Si Ndihmon Krishti?

Por edhe kur e dimë përse Shpëtimtari është përgjigjja (për shkak të asaj që Ai është dhe të asaj që ka bërë për ne), ende na nevojitet të dimë se si të marrim ndihmë dhe forcë prej Tij. Ja tek janë disa mënyra:

Lutja. Nëpërmjet lutjes në emrin e Jezu Krishtit, njerëz të papërsosur si ne mund të flasin me një Perëndi të përsosur. Mund të lutemi për forcën që na nevojitet në çdo situatë dhe Perëndia do të përgjigjet, jo gjithmonë në mënyrën që e dëshirojmë apo e presim, por në një mënyrë që do të na bekojë. Ftesa e Shpëtimtarit është e vërtetë: “Kërkoni dhe do të merrni” (Gjoni 16:24; 3 Nefi 27:29; Doktrina e Besëlidhje 4:7).

Dhurata e Frymës së Shenjtë. Ati Qiellor, Jezu Krishti dhe Fryma e Shenjtë janë të bashkuar në qëllim. Ata veprojnë së bashku. Sa herë që ndien udhërrëfim ose ngushëllim nga Fryma e Shenjtë, mund të kuptosh se po të ndihmon edhe Krishti.

Mbajtja e Besëlidhjeve. Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ka dhënë mësim: “Termi shtegu i besëlidhjeve i referohet një serie besëlidhjesh me anë të cilave ne vijmë te Krishti dhe lidhemi me Të. Nëpërmjet kësaj lidhjeje besëlidhëse, ne kemi qasje te fuqia e Tij e përjetshme” (konferenca e përgjithshme e prillit 2023 [Liahona, maj 2023, f. 36]).

Hiri. Kur ushtrojmë besim te Jezu Krishti dhe pendohemi, ne mund të marrim ndihmë dhe forcë shtesë (gjithashtu e quajtur hir) që t’i kryejmë gjërat që nuk do të ishim në gjendje t’i bënim vetë (shihni tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Hir”). Kjo forcë, ose ky hir, mund të vijë në shumë mënyra: nga Fryma e Shenjtë, një mik ose mikeshë, një i panjohur, një ndjenjë. Praktikisht çdo gjë e mirë vjen nga Krishti (shihni te Moroni 7:22). Kur thjesht gjen pak më shumë durim, pak më shumë energji, pak më shumë forcë për të duruar te vetja, dalloje këtë si një mënyrë që Krishti po të ndihmon.

Mbaje Mend Arsyen Përse dhe Mënyrën Se Si

Prandaj, herën tjetër që të nevojitet një përgjigje për një pyetje ose problem, shih te Krishti. Mbaje mend se, për shkak të fitores së Tij mbi mëkatin, vdekjen dhe të gjitha sfidat e tjera në vdekshmëri, asgjë nuk është e pamundur. Shih se si Ai mund të të bekojë dhe do ta kuptosh ndikimin e Tij në jetën tënde. Ai të do pa masë!