“Jezu Krishti: Shpresa dhe Premtimi i Pashkës”, Liahona, prill 2025.
Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Liahona, prill 2025
Jezu Krishti: Shpresa dhe Premtimi i Pashkës
Nëpërmjet shpresës dhe premtimit të Pashkës, Jezu Krishti përmbush dëshirimet e zemrës sonë dhe u jep përgjigje pyetjeve të shpirtit tonë.
Ilustrimet nga Michael Dunford
Ju lutem, krijoni një çast dhe një vend të qetë si një shenjtërore shpirtërore teksa e lexoni këtë mesazh.
Shumë shpesh bota jonë është e zhurmshme, e rrëmujshme me shtirje dhe kryelartësi. Por kur jemi të çiltër, të ndershëm dhe të cenueshëm ndaj vetes sonë dhe Perëndisë, shpresa dhe premtimi i Pashkës bëhen realitet te Jezu Krishti. Në çaste të tilla ne përgjërohemi:
“Si mund ta shoh sërish familjarin, mikun ose miken time, njerëzit e mi të dashur?”
“Në një botë të marrëdhënieve shpesh kalimtare të llojit ‘Unë zgjedh veten time’, ku të gjej dhe ndiej paqe, shpresë e komunikim me Perëndinë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:19), me njerëzit përreth meje dhe me veten time?”
“A ka ndonjë njeri që mund ta dua dhe që vërtet mund të më dojë mua? A mund të rriten dhe të jenë jetëgjata marrëdhëniet besëlidhëse, jo si një përrallë, por si lidhje më të forta se zinxhirët e vdekjes, vërtet të lumtura dhe përgjithmonë?”
“Atje ku ka shumë dhembje, vuajtje dhe padrejtësi, si mund të kontribuoj drejt paqes, harmonisë dhe mirëkuptimit te Jezu Krishti dhe ungjilli dhe Kisha e Tij e rivendosur?”
Në këtë periudhë Pashke jap dëshminë time për Jezu Krishtin dhe premtimin dhe shpresën e Tij.
Premtimi i Përkatësisë në Besëlidhje dhe i Qëllimit të Besëlidhjeve
Perëndia, Ati ynë i Amshuar në Qiell; Jezu Krishti, Biri i Tij i Dashur; dhe Fryma e Shenjtë janë personalisht pranë nesh. Drita, dhembshuria dhe dashuria e Tyre shëlbuese, të pafundme dhe të përjetshme, janë të ndërthurura në qëllimin e krijimit dhe në pëlhurën e ekzistencës sonë (shihni tek Alma 30:44; Moisiu 6:62–63).
Në Këshillin në Qiell para lindjes, “yjet e mëngjesit këndonin të gjithë së bashku dhe tërë bijtë [dhe bijat] e Perëndisë lëshonin britma gëzimi” (Jobit 38:7). Ne zgjodhëm zgjedhjen. Tani ecim me besim. Nëpërmjet përvojave tona vetjake, ne zbulojmë bukurinë, qartësinë, gëzimin dhe qëllimin e premtuar nga Perëndia mes pasigurive, shkurajimeve dhe sfidave të vdekshmërisë.
Qëllimi ynë nuk është të endemi të vetmuar në pasigurinë ekzistenciale. Ne mund të komunikojmë me qiellin, të ndërtojmë besim dhe të përkasim në familje, në vatrën familjare dhe komunitetin e shenjtorëve, dhe të bëhemi vetë njerëzit më të vërtetë, më të lirë, më të sinqertë, më të gëzuar nëpërmjet bindjes plot gatishmëri dhe gëzim ndaj urdhërimeve të Perëndisë. Shlyerja – bërja një – në dhe nëpërmjet Jezu Krishtit e sjell këtë përkatësi në besëlidhje.
Shpresa te Jeta dhe Misioni i Jezu Krishtit
Çdo ditë, shpresa dhe premtimi i Pashkës përfshin bekimet dhe mësimet që Jezu Krishti i dha gjatë shërbesës së Tij të përsosur në vdekshmëri. I parashuguruar që nga fillimi, Jezu Krishti u lind si Biri i Vetëmlindur i Perëndisë (shihni te Jakobi [LiM] 4:5; Alma 12:33–34; Moisiu 5:7, 9). Ai u rrit në dituri dhe shtat, duke gjetur hir përpara Perëndisë dhe njerëzve (shihni te Lluka 2:52). Duke u përpjekur vetëm që të bënte vullnetin e Atit të Tij, Jezu Krishti fali mëkatet, shëroi dobësitë, ngriti nga vdekja dhe ngushëlloi të sëmurët dhe të vetmuarit.
Një herë, pasi agjëroi për 40 ditë, Ai dëshmoi: “Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillizuar të varfrit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të çliruar përsëri të shtypurit” (Lluka 4:18; shihni edhe tek Isaia 61:1).
I tillë është secili prej nesh.
Në Darkën e Fundit, Jezu Krishti lau këmbët e dishepujve të Tij (shihni te Gjoni 13:4–8). Si në Botën e Lashtë, ashtu edhe në Botën e Re, Vetë “uj[i i] gjallë” dhe “buka e jetës”1 themeloi sakramentin. Në ordinancën e shenjtë të sakramentit, ne i bëjmë thirrje Atit dhe besëlidhim që të marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit, ta kujtojmë gjithmonë Atë dhe t’i zbatojmë urdhërimet e Tij, që të mund të kemi gjithmonë Shpirtin e Tij që të jetë me ne (shihni te Lluka 22:19–20; 3 Nefi 18:7, 10–11).
Në Kopshtin e Gjetsemanit, Jezu Krishti vuajti më shumë sesa mund ta durojë njeriu që të na shëlbonte dhe të shlyente për ne. I doli gjak nga çdo por. Ai i vuajti këto dhembje për të gjithë, që ne të mos vuanim nëse do të pendoheshim (shihni te Doktrina e Besëlidhje 18:11; 19:16).
I tradhtuar dhe i akuzuar në mënyrë të rreme, Jezu Krishtin e përqeshën, e fshikulluan dhe mbi kokën e Tij të përulur i vunë një kurorë me gjemba (shihni te Mateu 27:26, 29; Marku 15:15, 17, 20, 31; Lluka 22:63; Gjoni 19:1–2). “U shtyp për paudhësitë tona … dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar” (Isaia 53:5). Ai u “ngrit në kryq” për të na tërhequr drejt Vetes (shihni te 3 Nefi 27:14–15). Prapëseprapë, edhe në kryq, Jezu Krishti fali (shihni te Lluka 23:34). I kërkoi Gjonit që të kujdesej për nënën e Tij (shihni te Gjoni 19:26–27). U ndje i braktisur (shihni te Mateu 27:46; Marku 15:34). Që shkrimi i shenjtë të mund të përmbushej, Ai tha se kishte etje (shihni te Gjoni 19:28). Kur gjithçka u përmbush, Ai Vetë “dha frym[ë]” (Lluka 23:46; shihni edhe te Gjoni 10:17–18).
Jezu Krishti di se si të na ndihmojë në sëmundjet, dobësitë, vetminë, izolimin dhe vështirësitë tona (shihni tek Alma 7:12). Mundime të tilla shpesh vijnë si pasojë e zgjedhjeve të njerëzve të tjerë. Ai gjithashtu e di se si të gëzohet me ne në kënaqësitë tona dhe mirënjohjen tonë, di se si të lotojë me ne kur gëzimi ynë është i plotë. Butësisht, Ai na thërret në emrin e tij, nëpërmjet zërit të Tij, në tufën e Tij. Ai i bën thirrje çdo njeriu kudo. Ai na fton ta shohim e ta kuptojmë jetën në vdekshmëri nëpërmjet një këndvështrimi të përjetshëm. Kur ecim me drejtësi dhe i mbajmë besëlidhjet tona, Ai premton se të gjitha gjërat mund të veprojnë së bashku për të mirën tonë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 90:24; Romakëve 8:28).
Në kohën e Tij dhe sipas mënyrës së Tij vjen rivendosja, jo vetëm se si ishin gjërat, por edhe për atë që mund të bëhen. Vërtet, Jezu Krishti mund të na çlirojë nga robëria e mëkati, nga vdekja e ferri, dhe mund të na ndihmojë që të përmbushim identitetin tonë hyjnor ndërsa bëhemi më shumë nga ç’mund ta përfytyronim ndonjëherë, nëpërmjet besimit dhe pendimit.
Premtimi i Çlirimit
Për shkak të Jezu Krishtit, vdekja nuk është mbarimi. Në kohën e Pashkës, ne shpallim:
Nëpërmjet urdhërimit dhe fuqisë nga Ati i Tij, Jezusi mund ta jepte jetën e Tij dhe ta merrte atë sërish (shihni te Gjoni 10:17). Ndërkohë që trupi i Tij qëndronte i shtrirë në varr, Jezu Krishti dha shërbesë dhe bëri organizime në botën e shpirtrave, duke shpallur “shëlbimin e tyre nga lidhjet e vdekjes” (Doktrina e Besëlidhje 138:16).
Në mëngjesin e ditës së tretë, Ai u ngrit nga varri. I foli Maries. Ai iu shfaq dy dishepujve rrugës për në Emaus, Apostujve të Tij dhe njerëzve të tjerë. (Shihni te Mateu 28; Marku 16; Lluka 24; Gjoni 20.)
Në dëshminë që vjen me stilin e kiazmës [paralelizëm i kundërt], Ai i ftoi dishepujt e Tij që të hidhnin rrjeta në anën tjetër të barkës; këtë herë, edhe pse plot me peshq, rrjetat nuk u çanë (shihni te Gjoni 21:6–11; Lluka 5:3–7). Ai i ushqeu dishepujt dhe iu lut Pjetrit tri herë që t’i ushqente ose kulloste delet dhe qengjat e Tij (shihni te Gjoni 21:12–17). Ai u ngjit në qiell, duke shpallur se dishepujt e Tij në atë kohë dhe ne të gjithë tani duhet ta shpërndajmë lajmin e lavdishëm të Pashkës dhe ungjillin e Tij te çdo komb, fis dhe popull (shihni te Mateu 28:19–20; Marku 16:15).
Jezu Krishti është Bariu ynë i Mirë dhe Qengji i Perëndisë. Ai dha jetën për delet e Tij dhe ua jep jetën e Tij deleve të Tij. Në kopsht dhe në kryq, Ai duroi të padurueshmen dhe shleu për ne. Në kohë dhe përjetësi, Ai na tregon me anë të shembullit se si “vdekja hap udh’kalimin për në përjetësi”.
Nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes dhe Ringjalljes së Krishtit, trupat dhe shpirtrat tanë do të ribashkohen në ringjalljen fizike. Ne do të jemi vërtet të lavdishëm, të rivendosur në pamjen e fytyrës dhe në trupin fizik, nga gjymtyra në gjymtyrë. Edhe flokët e kokës sonë do të rivendosen. Ne do të jemi të çliruar prej lëngatave të kohës, sëmundjes, aksidentit fizik dhe paaftësisë mendore. Shlyerja e Krishtit mund të na bekojë që të mposhtim çdo lloj ndarjeje shpirtërore dhe vdekjeje shpirtërore. Me kushtin e pendimit, ne çlirohemi nga çdo mëkat e hidhërim dhe hapemi kundrejt një plotësie të përjetshme të dashurisë dhe gëzimit. Të pastër, të kulluar, të çliruar, ne mund të kthehemi në marrëdhëniet tona më të çmuara familjare, në praninë e lavdishme çelestiale të Perëndisë, Atit tonë, dhe Jezu Krishtit.
Do t’i shohim sërish njerëzit tanë të dashur. Kur të ribashkohemi me njerëzit që i duam, do ta shohim njëri‑tjetrin me një këndvështrim të përjetshëm – me dashuri, mirëkuptim dhe mirësi më të madhe. Shlyerja e Jezu Krishtit mund të na ndihmojë të kujtojmë atë që është me rëndësi dhe të harrojmë atë që nuk është me rëndësi. Të parit e Shpëtimtarit dhe të marrëdhënieve tona me besim dhe mirënjohje më të madhe sjell paqe, i lehtëson barrët, i pajton zemrat dhe i bashkon familjet për kohën dhe përjetësinë.
Shpresa e Begatisë dhe Gëzimit
Pashka e kremtuar në Jezu Krishtin përfshin pragjet e qiellit që hapen, frytin e vreshtit që shtohet dhe tokat që bëhen hirplota. Pashka e kremtuar në Jezu Krishtin përfshin ngushëllimin dhe përkujdesjen për të vejat dhe jetimët, për të uriturit dhe të pashpresët, për ata që kanë frikë, që janë të keqtrajtuar ose janë përfshirë në mënyrë të pafajshme në udhën e rrezikut. I ndërgjegjshëm për çdo njeri, Jezu Krishti na fton të shohim dhe të japim shërbesë me dashuri e dhembshuri, ashtu siç bën Ai.
Në të gjitha gjërat e mira, Jezu Krishti rivendos me bollëk (shihni te Gjoni 10:10; Alma 40:20–24). Ai premton se “toka është plot dhe ka mjaft edhe për të kursyer” (Doktrina e Besëlidhje 104:17). Rivendosja e të gjitha gjërave nga ana e Tij përfshin plotësinë e ungjillit të Tij, autoritetin dhe fuqinë e Tij të priftërisë, dhe ordinancat e besëlidhjet e shenjta që gjenden në Kishën e Tij, të quajtur me emrin e Tij, madje Kisha e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Pashka e kremtuar në Jezu Krishtin përfshin më shumë shtëpi të shenjta të Zotit duke ardhur më pranë fëmijëve të Perëndisë në shumë vende, duke sjellë në zemrat tona doktrinën e “çlirimtarë[ve] … në malin e Sionit” (shihni tek Abdia 1:21). Zoti na siguron një mënyrë të shenjtëruar, vetëmohuese për të ofruar në tokë atë që iu nevojitet njerëzve tanë të dashur që kanë ndërruar jetë dhe që e dëshirojnë në përjetësi, të cilën nuk mund ta marrin vetë.
E tillë është shpresa, premtimi dhe dëshmia ime. Unë dëshmoj për Perëndinë, Atin tonë; Shpëtimtarin dhe Shëlbuesin tonë, Jezu Krishtin; dhe Frymën e Shenjtë. Gjatë Pashkës dhe çdo ditë, gjetshim shpresën dhe premtimin e përjetshëm në planin hyjnor të Perëndisë për lumturinë, me shtegun e tij të besëlidhjeve për shndërrimin hyjnor nga vdekshmëria në pavdekësi dhe jetë të përjetshme! Çdo ditë, siguria e Shlyerjes së Jezu Krishtit i lehtësoftë barrët tona, na ndihmoftë që të ngushëllojmë të tjerët në hidhërimet e tyre dhe na e çliroftë shpirtin për të marrë gëzimin e Tij të plotë!
Nëpërmjet shpresës dhe premtimit të Pashkës, Jezu Krishti përmbush dëshirimet e zemrës sonë dhe u jep përgjigje pyetjeve të shpirtit tonë.
© 2025 by Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved. Shtypur në SHBA. Miratuar për anglisht: 6/19. Miratuar për përkthim: 6/19. Përkthim i Monthly Liahona Message, April 2025. Albanian. 19612 101