Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Për Forcën e Rinisë, Shkurt 2025
Ndihmë nga një Burim i Përsosur
Pavarësisht se me çfarë vështirësish përballesh, Jezu Krishti do të të ndihmojë teksa i drejtohesh Atij.
The Pattern [Modeli], nga Jeanette Bourup
Herët a vonë, ne të gjithëve na nevojitet pak ndihmë. Ndonjëherë shumë ndihmë. E vërteta është se zakonisht jeta shkon shumë më mirë kur nuk përpiqemi ta përshkojmë vetëm.
Jezu Krishti është burimi ynë i përsosur i ndihmës, shpresës dhe forcës. Ai gjithashtu mund të ndihmojë që të të ndryshojë për më mirë, madje edhe në mënyra që nuk i mendove të mundshme.
Një Ndryshim i Zemrës
A je lutur ndonjëherë që Perëndia t’ua zbuste zemrën armiqve të tu? Nëse po, atëherë nuk je i vetmi ose e vetmja që e ka bërë këtë (shih te 3 Nefi 12:44; Moroni 7:48). Edhe pse nuk ke armiq në të njëjtin kuptim si në Librin e Mormonit (pra, armiq të armatosur me armë dhe gati për të sulmuar), ndoshta je lutur që Perëndia do ta zbutë zemrën e dikujt që nuk po të trajtonte me mirësi.
Por a ke menduar ndonjëherë të lutesh dhe t’i kërkosh Perëndisë që ta zbutë zemrën tënde? Ndoshta e ke të vështirë të falësh dikë. Ose vazhdon ta humbasësh vetëkontrollin edhe pse nuk do. Ose dëshiron të ndiesh më shumë mirësi kundrejt motrave dhe vëllezërve të tu pavarësisht nga fakti që ata të bezdisin ngandonjëherë.
“[Jezu Krishti] do ta ndryshojë zemrën dhe jetën tuaj. Pak nga pak, ju do të rriteni dhe do të bëheni më shumë si Ai. Lidhja juaj në besëlidhje me Të do t’ju sjellë të drejtë përdorimi më të madhe të fuqisë së Tij” (Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve [2022], f. 8, theksimi i shtuar).
A nuk është ky një premtim i madh? Pavarësisht nga gjërat me të cilat po ndesh vështirësi, qoftë ajo vetë zemra jote, Jezu Krishti mund të ndihmojë. Si mund t’i drejtohesh Atij sot?
© 2025 by Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved. Shtypur në SHBA. Miratuar për anglisht: 6/19. Miratuar për përkthim: 6/19. Përkthim i Monthly For the Strength of Youth Message, February 2025. Albanian. 19621 101