“Unë Do t’i Shëroj Ata”, Liahona, shkurt 2025.
Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Liahona, Shkurt 2025
“Unë Do t’i Shëroj Ata”
Shërbesa shëruese e Shpëtimtarit është një prelud hyjnor dhe premtim për shërimin e përhershëm fizik dhe emocional që do t’i vijë secilit prej nesh në Ringjallje.
Kam ende kujtime të gjalla të disa prej fluturimeve të gjata që kam bërë gjatë jetës sime profesionale si kapiten i një linje ajrore.
Në njërin prej tyre, do të nisesha nga Gjermania në orën 11:00 dhe do të mbërrija në Kaliforni në orën 13:00 të po asaj dite. Duke krahasuar oraret vendore të nisjes dhe mbërritjes, mund të dukej se fluturimi përmes Oqeanit Atlantik dhe kontinentit të Amerikës Veriore zgjaste vetëm dy orë. Avioni Boing 747 ishte i shpejtë, por jo aq i shpejtë! Në të vërtetë, na u deshën rreth 11 orë, në varësi të erës, për të përshkuar largësinë prej 9 000 km.
Për shkak se po fluturonim drejt perëndimit, dielli nuk perëndoi kurrë gjatë fluturimit tonë. E shijuam dritën e plotë të diellit që nga Gjermania e deri në Kaliforni.
Rikthimi në Gjermani, sidoqoftë, ishte një histori krejt tjetër. Ndonëse u nisëm pasdite herët, teksa fluturuam drejt lindjes, perëndimi erdhi më shpejt se normalisht dhe si pa e kuptuar na zuri nata.
Gjatë këtyre fluturimeve të gjata, shpirti im shpesh mbushej me mahnitje teksa përsiatja bukurinë e kësaj toke dhe rendin e krijimit të Zotit. Edhe ndërkohë që po fluturoja natën, në errësirë të plotë, e dija me siguri se dielli do të lindte sërish, se drita plot shkëlqim do të kthehej dhe do t’i sillte ngrohtësi e jetë një dite të re përpara fundit të udhëtimit tonë. Rrethanat e fluturimit tim mund ta kenë bërë të duket sikur dielli po perëndonte më ngadalë ose më shpejt, por e dija se dielli mbetej i pandryshueshëm, i palëvizshëm dhe i qëndrueshëm në qiej.
Kështu ndihem edhe rreth Perëndisë. Për shkak se kam një siguri të ngulitur thellë për urtësinë dhe qëllimin e Perëndisë për të gjitha krijimet e Tij, unë mund të ndiej shpresë të gëzueshme dhe paqe afatgjatë kur mendoj rreth ekzistencës sonë në vdekshmëri. Ne jemi fëmijët e Perëndisë. Ai na do. Ai i di rrethanat tona. Ai është gati të ndihmojë. Këto të vërteta nuk ndryshojnë, edhe kur gjëra të tjera rreth nesh duken të paqëndrueshme dhe të paparashikueshme.
Të gjithë ne përjetojmë çaste errësire, trishtimi dhe pasigurie që e kërcënojnë paqen tonë. Sa mirënjohës jam për burimin e qëndrueshëm dhe të saktë të së vërtetës e dritës (shihni te Doktrina e Besëlidhje 88:6–11). Jezu Krishti është drita dhe jeta e botës. Për shkak të Tij dhe flijimit të Tij shlyes, ne kemi shpresë për të ardhmen, qasje te drita hyjnore që do të na i ndriçojë ditët e errëta të rrugëtimit tonë dhe premtimin e fitores përfundimtare mbi mëkatin dhe vdekjen.
“Ai e Do Botën”
Jezu Krishti ishte njeriu i vetëm i përkryer që eci ndonjëherë në tokë. Për shkak të jetës së Tij të përkryer, Ai nuk i detyrohej asnjë borxh drejtësisë. Nga dashuria për ne, Ai dhe jetën e Tij për secilin prej nesh individualisht dhe për të gjithë fëmijët e Perëndisë bashkërisht për t’ia hapur derën vdekshmërisë dhe jetës së përjetshme.
Pavarësisht nga ajo që Satani do të donte që ne të besonim, askush prej nesh nuk është përtej aftësisë së Shpëtimtarit për të na shpëtuar. Askush prej nesh nuk shkualifikohet nga hiri i faljes. Askush prej nesh nuk është përtej të qenit “i rrethuar përjetësisht në krahët e dashurisë së tij” (2 Nefi 1:15).
Dhurata më e madhja nga të gjitha vjen nga fuqia aftësuese dhe shëlbuese e Shlyerjes së Jezu Krishtit. Për shkak të vuajtjes së Shpëtimtarit në Gjetseman dhe në Golgotë, Ai e di se si të na shpëtojë nga çdo dobësi e jona dhe se si të na ndihmojë t’i kapërcejmë ato (shihni tek Alma 7:12).
“Ai nuk bën asgjë që nuk është për të mirën e botës; pasi ai e do botën, deri në pikën sa të japë jetën e tij, që ai të mund të tërheqë të gjithë njerëzit te vetja” (2 Nefi 26:24).
Jezu Krishti është forca jonë!
Ai na vjen në ndihmë.
Ai i rivendos gjërat.
Ai jep shpëtim.
“Kur Shpëtimtari [bëri flijimin e Tij shlyes] për të gjithë njerëzimin, Ai hapi një udhë që ata të cilët e ndjekin Atë, të mund të kenë të drejtën e shërimit, forcimit dhe fuqisë së Tij shëlbuese”, – tha Presidenti Rasëll M. Nelson.
Ajo fuqi, si dielli, është gjithmonë atje. Ajo nuk luhatet kurrë. Zgjedhja për të ndjekur hapat e Shpëtimtarit është si të dalësh nga hijet drejt dritës së diellit, ku ne mund të marrim bekimet e dritës, ngrohtësisë dhe dashurisë së Perëndisë. Unë e di që një ditë do të vështrojmë pas dhe do të mbushemi me mirënjohje që morëm vendimin me rëndësi të përjetshme për t’i mirëbesuar Jezu Krishtit dhe dashurisë së Tij hyjnore për të na lartësuar dhe për të na forcuar.
“Kthehuni tek Unë”
Libri i Mormonit tregon për një popull që kaloi tri ditë në errësirën më të thellë pas Kryqëzimit të Shpëtimtarit. Errësira fizike rreth tyre mund të simbolizojë errësirën shpirtërore që të gjithë ne përjetojmë për shkak të mëkatit. Më pas njerëzit dëgjuan zërin e Krishtit duke i ftuar ata që të dilnin nga errësira dhe të hynin në dritën e Tij:
“A nuk do të ktheheni tani tek unë dhe të pendoheni për mëkatet tuaja dhe të ktheheni në besim, që të mund t’ju shëroj?” (3 Nefi 9:13).
“Ofroni për fli një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar” (3 Nefi 9:20).
“Pendoh[uni] dhe ktheh[uni] tek unë, me qëllim të plotë të zemrës” (3 Nefi 10:6).
Shpëtimtari na i bën të njëjtat ftesa edhe ne sot kur gjendemi të humbur në errësirë. Ashtu si çdo lindje e diellit që shënon fillimin e një dite të re, sa herë që pendohemi, ne marrim një nisje të re, një fillim të ri, të ndritur.
Kjo nuk do të thotë se është e lehtë. Pendim do të thotë ndryshim dhe ndryshimi nuk ndodh shpejt. Ndërkohë që është i gëzueshëm, pendimi përfshin “trishtimi[in] sipas Perëndisë” (2 Korintasve 7:10). Për të duhet t’i pranojmë dhe t’i rrëfejmë gabimet tona, duke kërkuar falje nga Perëndia dhe nga ata që mund t’i kemi lënduar. Mbi të gjitha, ai kërkon që ne të përpiqemi për “Shpirti[n e] Zotit të Plotfuqishëm”, që ne të mund të përjetojmë “një ndryshim të madh … në zemrat tona, që ne nuk kemi më prirje të bëjmë keq, por të bëjmë mirë vazhdimisht” (Mosia 5:2).
Ai lloj ndryshimi është një udhëtim i gjatë, por, sapo të hidhni hapin e parë, fillon “dita e shpëtimit tuaj” dhe “plani i madh i shëlbimit do të realizohet menjëherë për ju” (Alma 34:31).
Nëpërmjet pendimit tonë të sinqertë, Perëndia premton të na falë dhe të mos i kujtojë më mëkatet tona. Kur ta kemi të vështirë t’i harrojmë mëkatet tona, le të përpiqemi t’i mirëbesojmë premtimit të Zotit për të na falur dhe të mësojmë që t’i falim të tjerët dhe veten tonë.
“Shpirtrat tanë dëmtohen kur bëjmë gabime dhe kryejmë mëkate”, – dha mësim Presidenti Bojd K. Paker (1924–2015). “Por ndryshe nga rasti i trupave tanë të vdekshëm, kur procesi i pendimit është tërësor, asnjë shenjë nuk mbetet për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit.”
Healing the Blind Man [Duke Shëruar të Verbrin], nga Carl Heinrich Bloch
“I Sillni Këtu”
Shpëtimtari është Shëruesi Mjeshtër. Një nga shfaqjet më të bukura të fuqisë së Tij shëruese gjendet te Libri i Mormonit, në rrëfimin e shërbesës së Tij vetjake në Amerikën e lashtë:
“A ka mes jush ndonjë që është i sëmurë?” – pyeti Ai. “Silleni këtu. A ka ndonjë që është i çalë ose i verbër, ose i gjymtë, ose sakat, ose i lebrosur, ose i deformuar, ose i shurdhër, ose i prekur në ndonjë mënyrë? I sillni këtu dhe unë do t’i shëroj ata, pasi kam dhembshuri për ju; zemra ime është e mbushur me mëshirë. …
Dhe ndodhi që pasi u foli kështu, e gjithë turma, të gjithë së bashku, shkuan para me të sëmurët dhe me fatkeqët, dhe me të çalët, dhe me të verbërit, dhe me memecët, dhe me të gjithë ata që ishin të prekur në ndonjë mënyrë; dhe ai i shëroi, secilin që sollën në prani të tij” (3 Nefi 17:7, 9).
Sa herë që Shpëtimtari shëroi dikë të “prekur në ndonjë mënyrë”, si përpara edhe pas Ringjalljes së Tij, kjo ishte një dëshmi e fuqisë së Tij më të lartë për të shëruar shpirtrat tanë. Çdo mrekulli shërimi nuk ishte gjë tjetër veçse një prelud dhe premtim për shërimin e përhershëm fizik dhe emocional që do t’i vijë secilit prej nesh në Ringjallje, i cili “është vepra e përsosur e shërimit të Zotit”.
Është e vërtetë që lutjet tona për shërim në këtë jetë nuk marrin gjithnjë përgjigje në mënyrën që shpresojmë ne, por ato nuk shpërfillen kurrë. Koha për shërim do të vijë, ashtu siç errësira e natës i lë vend – në kohën e duhur – lindjes së lavdishme të diellit.
Siç ka dëshmuar Presidenti Nelson: “Besimi ynë nuk është kurrë i pavlerësuar. Unë e di se [këndvështrimi i] një Ati Qiellor të gjithëdijshëm është shumë më [i] gjerë se [këndvështrimi ynë]. Ndërsa ne [i] dimë problemet dhe dhimbjet tona të vdekshmërisë, Ai di për përparimin dhe mundësinë tonë të pavdekshmërisë. Nëse lutemi për të ditur vullnetin e Tij dhe e nënshtrojmë veten ndaj tij me durim dhe kurajë, shërimi qiellor mund të ndodhë në mënyrën dhe në kohën e Tij.”
Kohët e fundit, bashkëshortja ime Herieta dhe unë përfshimë në lutjet tona një shpresë dhe lutje të veçantë në emër të disa njerëzve që i duam. Ne u lutëm që ekipit të tyre shëndetësor t’i jepeshin aftësi të veçanta për t’i kuruar sëmundjet e tyre. Ne patëm mbresën të shtonim që edhe po të mos ndodhte një kurë apo shërim i menjëhershëm, fuqia shëruese e Shpëtimtarit të mund t’u sillte atyre ngushëllim e paqe. Efekti shërues i fuqisë shëlbuese të Shpëtimtarit mund të ketë një ndikim edhe më të madh në shëndetin tonë emocional, shpirtëror madje edhe fizik sesa çdo kurë tokësore që mund të marrim. Jezu Krishti është Shëruesi në këtë jetë dhe në përjetësi.
Vëllezërit dhe motrat e mia, miq të dashur, unë dëshmoj se mëshira e Shpëtimtarit tonë është e mjaftueshme për t’jua shëruar plagët, për t’ju pastruar nga mëkati, për t’ju forcuar në sprovat që do të vijnë, dhe për t’ju bekuar me shpresë, mençuri dhe me paqen e Tij. Fuqia e Tij është gjithmonë pranë, e vazhdueshme dhe e besueshme, edhe kur ne, për njëfarë kohe, ndihemi larg nga dashuria, drita dhe ngrohtësia e Tij.
Lutem që të mos e humbasim kurrë ndjesinë e mahnitjes dhe mirënjohjes sonë të thellë për të gjitha ato që Jezu Krishti ka bërë për ne. Ju lutem, dijeni se Ai ju do në mënyrë të përsosur dhe mbani mend se çfarë ju është premtuar përjetësisht.
“Dhëntë Perëndia që barrat tuaja të jenë të lehta, nëpërmjet gëzimit të Birit të tij”, Jezu Krishtit (Alma 33:23).
© 2025 by Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved. Shtypur në SHBA. Miratuar për anglisht: 6/19. Miratuar për përkthim: 6/19. Përkthim i Monthly Liahona Message, February 2025. Albanian. 19609 101