2024
Presidenti Nelson Kremton Ditëlindjen e 100‑të
Nëntor 2024


“Presidenti Nelson Kremton Ditëlindjen e 100‑të”, Liahona, nëntor 2024.

Lajme të Kishës

Presidenti Nelson Kremton Ditëlindjen e 100‑të

Udhëheqës të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u bashkuan me familjarët dhe miqtë më 9 shtator 2024, për të nderuar profetin dhe Presidentin e Kishës, Rasëll M. Nelsonin, në ditëlindjen e tij të 100‑të.

Ngjarja u zhvillua në Solt‑Lejk‑Siti dhe u transmetua në mbarë botën. U paraqitën muzikë e drejtpërdrejtë, nderime filmike nga udhëheqës të besimeve të ndryshme fetare, fjalime nga udhëheqës të Kishës dhe nga familjarë të Presidentit Nelson dhe materiale filmike nga anëtarë të Kishës që tregonin se si i dhanë shërbesë individit.

Presidenti Nelson i falënderoi familjarët, miqtë dhe shenjtorët e ditëve të mëvonshme për dashamirësinë dhe përkrahjen e tyre. Ai shprehu vlerësimin për mesazhet e panumërta për ditëlindjen dhe përgjigjen nga mbarë bota për ftesën e tij “99+1”, ku i nxiti njerëzit “t’ia shtrijnë dorën e ndihmës ‘atij individi’ në jetën tonë, i cili mund të ndihet i humbur ose i vetëm” (Facebook, 1 qershor 2024, facebook.com/russell.m.nelson).

Profeti theksoi rëndësinë e besimit, këndvështrimit të përjetshëm për jetën dhe flijimit shlyes të Jezu Krishtit. “Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, kohëzgjatja e jetës suaj nuk është aq e rëndësishme sa lloji i jetës që jetoni”, – tha Presidenti Nelson. “Për secilin prej nesh, edhe për një burrë 100‑vjeçar, jeta kalon shpejt. Lutja ime është që ju do ta lejoni Perëndinë të triumfojë në jetën tuaj. Bëni besëlidhje me Të. Qëndroni në shtegun e besëlidhjeve. Përgatituni të ktheheni për të jetuar përsëri me Të.”

Presidentët Dallin H. Ouks dhe Henri B. Ajring, këshilltarët e Presidentit Nelson në Presidencën e Parë, shprehën reflektimet e tyre nga puna krah për krah me profetin për gjashtë vjet e gjysmë. Ata theksuan përzemërsinë e Presidentit Nelson, respektin e tij për të tjerët dhe sjelljen e tij si të Krishtit.

“Të jesh në një dhomë ose mbledhje apo bashkëbisedim me Presidentin Nelson, thjesht të jep mundësinë të përjetosh se si do të jetë që të jesh me Shpëtimtarin”, – tha Presidenti Ouks. “Ai është përfaqësues i Shpëtimtarit. Ai është modeli ynë shembullor.”