“Pas Skenave: Përgatitja e Skenës së Qendrës së Konferencave”, Liahona, maj 2024.
Pas Skenave të Konferencës së Përgjithshme: Përgatitja e Skenës së Qendrës së Konferencave
Kur e përfytyrojmë konferencën e përgjithshme, ndoshta imagjinojmë podiumin dhe ndenjëset e udhëheqësve të Kishës përpara tubave të organos. Por skena e Qendrës së Konferencave nuk ka po atë pamje gjatë gjithë vitit.
Në Qendrën e Konferencave zhvillohen shumë ngjarje që kërkojnë një organizim të ndryshëm, dhe duhen orë të tëra për ta përgatitur skenën (e quajtur zyrtarisht “tribunë”) për konferencën e përgjithshme. Një ekip prej 10 vetash shpenzojnë rreth tri javë për të bërë gati skenën, paradhomat dhe ambiente të tjera të Qendrës së Konferencave që vizitorët ta shijojnë konferencën e përgjithshme.
Ja disa fakte interesante:
-
Nivelet kryesore të skenave përbëhen nga 18 module skelerish, ku secili prej tyre peshon 1,5–4 ton.
-
Këto struktura të rënda vihen në lëvizje nga jastëkë ajri të kompresuar që i ngrenë strukturat prej tokës, duke i bërë ato relativisht të lehta për t’u lëvizur.
-
Janë shtuar dhe rreth 500 pjesë më të vogla, si binarë dhe panele.
-
Dyert 24 metra të larta hapen për të lejuar që strukturat më të mëdha të shkojnë në vend.
-
Ekipi i përgatitjes së skenës përgatit edhe ambientet për ekipin e sigurisë, misionarët dhe ekipin organizues, me mbi 600 detyra gjithsej.
Xhoel Rajti, mbikëqyrësi i ekipit të përgatitjes së skenës, ka ndihmuar për 50 konferenca të përgjithshme. Ai i referohet ekipit të tij si “heronj të heshtur” që bëjnë përpjekje të mahnitshme. Ai thotë: “Nuk bëhen shumë lëvdata për vendosjen e një karrigeje apo tavoline ose bërjen gati të ambientit”. “Por pa ata”, – thotë ai, “konferenca nuk do të ishte kjo që është.”
Drejtuesi i përgatitjes së skenës, Brendon Uri, vëren se duhen “shumë njerëz të ndryshëm me një sërë zotësish dhe formimesh të ndryshme” për të kryer punën e tyre, “për të transmetuar dashurinë e Zotit dhe fjalët që Ai ka për t’ia thënë gjithsecilit”.
Brendoni thotë se nevojitet që të gjithë ata njerëz, me ato zotësi të ndryshme, të “bëhen bashkë për një kauzë”. Meqë kjo kauzë është e përqendruar te Jezu Krishti, ky ekip i përgatitjes së skenës e ndien praninë e Tij dhe i sheh mrekullitë e Tij.
Robert Simpsoni, edhe ai drejtues i përgatitjes së skenës, thotë: “Unë … ndiej sikur Shpirti i Zotit futet në mbledhjet tona dhe është aty për të na ndihmuar … ta përmbushim [punën]. … Ndonjëherë pyesim veten se si do ia dalim me të gjitha. Por lutemi dhe kërkojmë ndihmën e Atit tonë Qiellor.”
Sikurse shton Xhoeli: “Duke duruar, duke ngulmuar, duke e vazhduar punën e zellshme, [përgatitja e skenës] ka përfunduar, gati për të vijuar me mëngjesin e konferencës së përgjithshme”.