2013
Misioni Hyjnor i Jezu Krishtit: Biri i Vetëmlindur
dhjetor 2013


Mesazhi i Vizitave Mësimore, Dhjetor 2013

Misioni Hyjnor i Jezu Krishtit: Biri i Vetëmlindur

Studiojeni me lutje këtë material dhe kërkoni të dini ç’të thoni prej tij. Si do ta rrisë të kuptuarit e jetës dhe të misionit të Shpëtimtarit besimin tuaj tek Ai dhe t’i bekojë ato për të cilat kujdeseni përmes vizitës mësimore? Për më tepër informacion, shkoni tek reliefsociety.lds.org.

Logoja e Shoqatës së Ndihmës

Besim, Familje, Ndihmë

Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, është quajtur Biri i Vetëmlindur sepse Ai është i vetmi person në tokë që ka lindur nga një nënë e vdekshme dhe një Atë i pavdekshëm. Ai trashëgoi fuqi hyjnore nga Perëndia, Ati i Tij. Nga nëna e tij, Maria, Ai trashëgoi vdekshmërinë dhe ishte i prekshëm nga uria, etja, lodhja, dhembja dhe vdekja.

Për shkak se Jezu Krishti është I Vetëmlinduri i Atit, Ai qe në gjendje ta jepte jetën e Tij dhe ta merrte atë sërish. Shkrimet e shenjta japin mësim se “nëpërmjet shlyerjes së Krishtit” ne “m[arrim] një ringjallje” (Jakobi [LiM] 4:11). Ne mësojmë edhe që të gjithë “mund të ngrih[emi] në pavdekësi për te jeta e përjetshme” nëse “do të besoni[m]” (DeB 29:43).

Kur arrijmë ta kuptojmë më plotësisht se ç’do të thotë fakti që Jezusi është Biri i Vetëmlindur i Atit, besimi ynë në Krisht do të rritet. Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Besimi në Jezu Krisht është bindja dhe siguria për 1) gjendjen e Tij si Biri i Vetëmlindur i Perëndisë, 2) Shlyerjen e Tij të pafundme dhe 3) Ringjalljen e Tij të fjalëpërfjalshme”. Profetët e kohëve të sotme kanë dëshmuar: “[Jezu Krishti] ishte … Biri i Vetëmlindur në mish, Shëlbuesi i botës”.

Nga Shkrimet e Shenjta

Gjoni 3:16; Doktrina e Besëlidhje 20:21–24; Moisiu 5:6–9

Nga Historia Jonë

Në Dhiatën e Re ne lexojmë për gra, të njohura e të panjohura, që ushtruan besim në Jezu Krisht, i mësuan e i jetuan mësimet e Tij dhe dëshmuan për shërbesën, mrekullitë dhe madhështinë e Tij. Këto gra u bënë pasuese shembullore dhe dëshmitare të rëndësishme në punën e shpëtimit.

Për shembull, Marta dha dëshmi të fortë për hyjnueshmërinë e Shpëtimtarit kur i tha Atij: “Unë besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, që duhet të vinte në botë” (Gjoni 11:27).

Disa prej dëshmitareve më të hershme të hyjnueshmërisë së Shpëtimtarit qenë e ëma, Maria, dhe kushërira e saj, Elizabeta. Pak pasi engjëlli Gabriel e vizitoi Marien, ajo vizitoi Elizabetën. Sapo Elizabeta e dëgjoi përshëndetjen e Maries, ajo “u mbush me Frymën e Shenjtë” (Lluka 1:41) dhe dha dëshmi se Maria do të bëhej nëna e Birit të Perëndisë.

Shënime

  1. Shih Parimet e Ungjillit (2009), f. 56.

  2. D. Todd Christofferson, “Building Faith in Christ”, Liahona, shtator 2012, f. 13.

  3. “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, Liahona, prill 2000, f. 3.

Çfarë Mund të Bëj Unë?

  1. Përse është e rëndësishme që unë t’i kuptoj rolet e Jezu Krishtit?

  2. Si mund të rritet besimi ynë teksa mbajmë besëlidhjet?