Pikat do të Lidhen
Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore
2 shkurt 2025
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, të dashur miq, ju sjell dashurinë dhe bekimet e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.
Gëzohem që jam me ju dhe jam veçanërisht mirënjohës që kemi pasur mundësinë të dëgjojmë bashkëshorten time.
Harieta është drita e jetës sime. Kushdo që e njeh, e do atë. Ajo i bën njerëzit përreth më të mirë e më të lumtur. Tek unë e ka pasur atë lloj ndikimi patjetër.
Epoka e Përgjigjeve të Menjëhershme
Siç e dëgjuat nga Motra Uhtdorf, ne u martuam shumë të rinj. Tani, pas shumë vjetësh, jam mirënjohës për çdo çast me Harietën.
Me kalimin e kohës kam mësuar se ne të brezit më të vjetër kemi shumë pyetje rreth jetës njësoj si ju, vetëm se ne i kemi bërë ato pyetje për një kohë më të gjatë. Pyetje të tilla si:
A ndodhem në shtegun e duhur?
A më vë re vërtet Perëndia? A do t’ia dijë Ai?
Përse nganjëherë ndihem bosh, i stërmunduar, i shpërfillur apo i vetmuar?
Përse nuk ma siguroi Perëndia mrekullinë që aq ngutshëm më nevojitej?
Përse lejoi që ta përjetoja këtë trishtim, sëmundje apo tragjedi?
Këto janë pyetje të vështira në çdo moshë.
Pyetje si këto mund të bëhen tejet të bezdisshme kur nuk marrim përgjigje në çast. Tani mund ta pyesim Google-in pothuajse për gjithçka dhe të marrim përgjigje brenda sekondash.
Gjithsesi, përgjigjet për pyetjet më vetjake, më të rëndësishme dhe me ndikim më të gjerë jo gjithmonë vijnë shpejt. Shpesh, ne e drejtojmë zemrën nga qielli dhe gjithçka që marrim është si ai kursori rrotullues që na thotë të presim.
Nuk na pëlqen të presim, apo jo?
Kur presim më shumë sesa disa sekonda që të përgjigjet mjeti i kërkimit, hamendësojmë se lidhja është shkëputur. Në acarim e sipër, madje mund ta lëmë fare kërkimin. Por kur është fjala për pyetje të përjetshme, për çështje të shpirtit, duhet të jemi më të duruar.
Jo të gjitha përgjigjet kanë të njëjtën vlerë. Përgjigjet nga urtësia e botës apo opinioni shoqëror, janë të lehta për t’u marrë, por e humbasin vlerën shpejt kur shfaqen teori apo prirje të reja. Përgjigjet qiellore – përgjigjet e përjetshme – janë të paçmuara. Marrja e këtyre përgjigjeve shpesh kërkon sakrificë, punë dhe përsëritje [të lutjeve].
Por ju siguroj, ia vlen të presësh për këto përgjigje.
Nëse keni pyetje pa përgjigje, ju jap dëshminë time të sigurt se Ati juaj në Qiell ju dëgjon, Ai ju njeh dhe nuk do të heqë kurrë dorë prej jush. Prandaj mos hiqni dorë prej Tij. Vazhdoni të përpiqeni fort që ta ndiqni udhën e Tij dhe Ai “do t’ju udhëheq[ë] përgjatë udhës” për të gjetur përgjigje me aq udhërrëfim sa duhet që të vazhdoni të lëvizni në drejtimin e duhur, pa jua kufizuar rritjen ose mundësitë për të ushtruar besim ose ushtrimin e lirisë suaj morale të zgjedhjes.
Lidhja e Pikave
Stiv Xhobsi, bashkëthemeluesi i kompanisë “Apple”, dikur tha: “[Është] e pamundur të lidhësh pikat duke vështruar përpara. Mund t’i lidhësh ato vetëm duke vështruar pas, prandaj duhet të mirëbesosh se pikat në një farë mënyre do të lidhen në të ardhmen.”
Çfarë donte të thoshte ai me këtë? Ndoshta keni parë piktura të bëra me pikla shumë të vogla ngjyre në kanavacë. Nga afër, këto pika duken pa lidhje dhe rastësore. Por kur e rrok me sy të gjithë pikturën, shikon se si pikat kthehen në ngjyra dhe se si ngjyrat më së fundi krijojnë forma që nxjerrin në pah një kompozim të bukur. Ajo që dikur dukej arbitrare dhe madje pështjelluese, fillon të marrë kuptim.
Nganjëherë jeta ngjan me këto piktura. Pikat që përbëjnë përvojat tona në jetë, mund të duken, me raste, të palidhura dhe të rrëmujshme. Nuk ua kuptojmë dot rendin. As nuk mund ta përfytyrojmë se kanë ndonjë qëllim.
Gjithsesi, kur e shihni jetën tuaj nga këndvështrimi i përjetshëm i ungjillit të Jezu Krishtit, ju filloni të shihni se si lidhen pikat në planin madhështor që Perëndia ka ndër mend për ju.
Teksa bëni çmos t’i mirëbesoni Perëndisë dhe ta ndiqni Birin e Tij, Jezu Krishtin, një ditë do ta shihni veprën e përfunduar dhe do ta dini se Artisti Mjeshtër gjatë gjithë kohës kishte një plan për ato pika të rastësishme. Do të shihni se Ai po ju përgatiste për mundësi dhe raste shumë më të lavdishme nga ato që mund t’i kishit përfytyruar apo arritur ndonjëherë vetë. E kam parë këtë në vetë jetën time.
Aventura Ime e Vdekshmërisë
Shumë prej jush mund ta dinë se kur isha shumë i vogël, familja ime u bë dy herë refugjate. Në të dyja rastet, u bë tepër e dukshme se njerëzit në vendndodhjet tona të reja na konsideronin si “inferiorë ndaj tyre”. Mes fëmijëve moshatarë, theksi im i të folurit më etiketonte si të huaj dhe për ta ishte burim i madh talljeje dhe përqeshjeje.
Prindërit e mi e kishin të vështirë të siguronin të ardhura për familjen tonë. Prandaj, nëna ime filloi një sipërmarrje për larjen e rrobave [ku] të gjithë ndihmonim; edhe unë, me biçikletë dhe karrocë, pas shkollës punoja si “specialisti i shpërndarjes nëpër shtëpi”.
Tronditja dhe stresi prej zhvendosjeve tona më bënë të mbetesha mbrapa me mësimet dhe humba një vit të tërë shkollor.
Në Gjermaninë Lindore, si gjuhë të dytë, kisha studiuar rusishten. Ishte e vështirë, por ia dola. Tani, në Gjermaninë Perëndimore, më kërkohej të mësoja anglishten.
M’u duk e pamundur! Besoja se goja ime thjesht nuk qe bërë për gjuhën angleze.
Gjatë viteve të adoleshencës, më ra në kokë për një vajzë të mrekullueshme me sy të bukur, të mëdhenj, bojë kafe. Për fat të keq, Harieta nuk dukej aspak e interesuar për mua. Çfarëdo që provoja, nuk dukej se do të më ecte fati as edhe një herë të vetme. Epo, ju e dëgjuat variantin e saj të historisë.
Pra, ja ku isha, një i ri relativisht i parëndësishëm në vështirësi, që jetonte në Gjermaninë e pasluftës, i cili nuk dukej se do të kishte shumë mundësi për sukses në jetë.
Sidoqoftë, kisha disa gjëra të mira që ishin në anën time.
E dija se familja ime më donte. Në shkollë dhe në kishë pata mësues të cilët më nxitnin të vija përherë synime të larta dhe të mos hiqja dorë kurrë. Ende më kujtohet kur një misionar i ri amerikan dha mësim: “Në qoftë se Perëndia është me [ju], kush mund të jetë kundër [jush]?” Dhe [që] “gjithçka është e mundur [me] Perëndinë”.
Kishte diçka te këto shkrime të shenjta që më preku me fuqi të madhe. Mendova: “Nëse është kështu, atëherë përse duhej të kem frikë?”
Kështu që besova. Dhe i mirëbesova Perëndisë.
Për ca kohë isha në një program stazhi. Një nga mësuesit e mi më sfidoi të ndiqja shkollën e natës për të studiuar inxhinierinë mekanike. Prej kësaj zbulova pasionin tim për aviacionin!
U shtanga kur mësova se që të bëhesha pilot, duhej të dija anglisht. Vërtet doja të bëhesha pilot dhe disi, mrekullisht, goja më ndryshoi dhe anglishtja nuk qe më një gjuhë kaq e pamundur.
Kjo nuk nënkupton që gjërat gjithmonë shkuan vaj.
Kur isha 19 vjeç, udhëtova drejt San-Antonios në Teksas që të filloja trajnimin tim për pilot në Forcën Ajrore. Në aeroplan, u ula pranë një burri që fliste me një theks të fortë nga Teksasi. Kuptova për tmerrin tim se anglishtja që kisha punuar me aq mund për ta mësuar, nuk ishte e njëjta anglishte që flisnin në Teksas!
Edhe në shkollën e trajnimit për pilot, gjërat ishin të vështira. Ishte një program jashtëzakonisht konkurrues, ku të gjithë haheshin për vendin në krye të listës së diplomimit. E kuptova sakaq se isha në pozitë të pafavorshme ngaqë shumica e shokëve të mi të klasës e kishin anglishten gjuhën amtare.
Instruktorët e mi të fluturimit më paralajmëruan për një tjetër mangësi të mundshme – kaloja tepër shumë kohë në kishë. Anëtarët vendorë më mirëpritën në degën dhe në shtëpitë e tyre, dhe madje gjatë kohës sime ndërtuam së bashku një godinë kishtare në Big-Spring të Teksasit. Instruktorët e mi shqetësoheshin se veprimtari të tilla po më pengonin të renditesha ndër të parët në klasë. Nuk mendoja si ata. I mirëbesova Perëndisë dhe bëra më të mirën që munda.
Në fund, e mësova njëmend anglishten (ndonëse ende po punoj për këtë). E përfundova trajnimin tim për pilot me shumë sukses. U bëra një pilot për avionë luftarakë dhe më pas kapiten për një linjë ajrore. Po ajo vajza e bukur, me sy bojë kafe, e ëndrrave të mia? Ja ku e kam këtu.
Jini të Zellshëm për Gjërat e Vogla
Derisa të zbulohet e tërë tabloja, mos u tronditni nga detyrat e mëdha dhe të vështira të jetës. Mbajeni mend se gjërat e mëdha përbëhen nga gjëra të vogla. Nëse zotoheni të bëni “gjëra[t e] vogla dhe të thjeshta” që Perëndia jua kërkon t’i bëni, dhe i bëni ato me aq zell sa të mundeni, gjëra të mëdha do të pasojnë.
Disa prej këtyre “gjërave të vogla dhe të thjeshta” përfshijnë lutje[t] e qëllimshme çdo ditë, studimin e shkrimeve të shenjta, bërjen e programeve Eja, Më Ndiq dhe Për Forcën e Rinisë pjesë të rutinës suaj, të jetuarit e Fjalës së Urtësisë, frekuentimin e kishës, pagimin e të dhjetave dhe ofertave dhe që të siguroheni se keni një rekomandim aktual tempulli.
Bëjini këto gjëra edhe kur nuk doni t’i bëni, edhe kur duan sakrificë. Është sakrifica ajo që i bën ato të shenjta dhe “sakrifica sjell të qiellit bekime”.
Sakrificat tuaja “të vogla dhe të thjeshta” janë pikat e të jetuarit të përditshëm që përbëjnë kryeveprën e jetës suaj. Mund të mos e shihni se si lidhen pikat tani, dhe ende nuk ju duhet ta shihni. Thjesht kini besim të mjaftueshëm për çastin në të cilin po jetoni tani. Mirëbesoni te Perëndia dhe “nga gjëra të vogla [do të vijë] ajo që është e madhe”.
Mirëbesoni te Perëndia
Në moshën tuaj, nuk ia kisha fare idenë se ku do të më çonte jeta ime. Sigurisht që nuk shihja asnjë nga pikat përpara të lidhej.
Por i mirëbesova vërtet Perëndisë. Besova se, nëse bëja më të mirën në atë çast, Perëndia do të kujdesej për tablonë e madhe.
Dhe e bëri.
Ai e dinte fundin që nga fillimi, kur unë nuk e dija.
Unë nuk e shihja dot të ardhmen, por Ai mundej.
Edhe gjatë vështirësive, kur pandehja se më kishte braktisur, Ai ishte me mua – e shoh këtë tani.
Te Fjalët e Urta, gjejmë këtë premtim: “Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.”
Ju nxit të besoni se jeta juaj do të jetë pafundësisht më e mirë nëse mbështeteni te Perëndia që t’jua udhërrëfejë hapat. Ai di gjëra që ju nuk mund t’i dini dhe ka përgatitur një të ardhme për ju që nuk mund kurrsesi ta përfytyroni. Apostulli Pal dëshmoi: “[Asnjë] sy nuk … ka parë[,] … [asnjë] vesh nuk … ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në [asnjë mendje] … ato [gjëra] që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë”.
Pyeteni veten: “A mund të mbledh mjaft besim që të besoj te Perëndia? A jam i gatshëm të mirëbesoj se Ai më do dhe do ta udhërrëfejë shtegun tim?”
Nëse gjeni qoftë edhe një pjesëz besimi sa një farë sinapi në zemrën tuaj, edhe nëse është thjesht një dëshirë për të besuar, niseni me aq.
Perëndia i kthen farat e vogla në pemë të mëdha. Bëni gjërat e vogla dhe të thjeshta dhe Ai do t’ju “bë[jë] njëmijë herë më të shumtë dhe [do t’ju] beko[jë] ashtu si ju ka premtuar!”
Ne Përgjigjemi para Perëndisë
Nuk duhet të shkoni larg në kulturën e sotme, që të dëgjoni zëra kontradiktorë që e shkurajojnë ose madje e tallin besimin te Perëndia në përgjithësi dhe te feja jonë në veçanti.
Media shoqërore i përforcon të tillë zëra.
Por brezi juaj nuk është i vetmi brez, besimi i të cilit te Perëndia është sfiduar dhe tallur. Kjo duket se është pjesë e provës së vdekshmërisë për të gjithë fëmijët e Perëndisë.
“Po të ishit nga bota”, u tha Jezusi dishepujve të Tij, “bota do të donte të vetët; por sepse nuk jeni nga bota, por unë ju kam zgjedhur …, prandaj bota ju urren.”
Gjithashtu mund të pranoni se kur bëni zotimin për të ndjekur Shpëtimtarin, ndonjëherë banorët e ndërtesës së gjerë dhe të madhe do ta shprehin me zë të lartë kundërshtimin e tyre. Madje mund të përpiqen t’ju bullizojnë e turpërojnë.
Por mbajeni mend që ju nuk përgjigjeni para tyre. Ju përgjigjeni para Perëndisë. Një ditë, do të qëndroni përpara Tij që të jepni llogari për jetën tuaj.
Ai do të pyesë nëse e ndoqët Shpëtimtarin, nëse e deshët të afërmin tuaj, nëse u përpoqët me zell të qëndroni në shtegun e dishepullimit dhe i nderuat besëlidhjet tuaja.
Miqtë e mi të dashur, tani është koha të zotoheni ndaj Krishtit dhe ta ndiqni shtegun e Tij.
Një ditë, të gjithë fëmijët e Perëndisë do të gjunjëzohen dhe do të rrëfejnë se Jezusi është Krishti, Shëlbuesi, Shpëtimtari i botës. Ata do ta dinë se Ai vdiq për ta.
Atë ditë do të jetë e qartë se zëri i Tij është zëri i vetëm vërtet me rëndësi.
Nuk Ka Rëndësi
Teksa flasim që ta lejojmë Perëndinë ta udhërrëfejë jetën tonë, do të doja të qartësoja një gjë. Mund të mos ju pëlqejë ajo që do t’ju them. Kur i kërkoni udhërrëfim Perëndisë rreth vendimeve në jetën tuaj, përfshirë disa vendime të rëndësishme, Ai mund të mos ju japë një përgjigje të hollësishme.
E vërteta është se nganjëherë për Zotin nuk ka rëndësi se çfarë vendosni, për aq sa qëndroni brenda besëlidhjeve dhe parimeve themelore të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit.
Ka raste kur Perëndia ka një shteg specifik që Ai dëshiron që ta ndiqni. Ka dhe raste kur Ai do t’ju paralajmërojë kundër zgjedhjeve të caktuara për shkak të rreziqeve që nuk mund t’i parashikoni. Por më pas ka raste kur një pyetje ka shumë përgjigje “të drejta” dhe ju mund të gjeni gëzim nga çdonjëra prej tyre për aq sa jetoni sipas së vërtetave të përjetshme të Perëndisë.
Kur kjo i ndodhi Jozef Smithit dhe shokëve të tij, Zoti u dha një përgjigje interesante kur ata e kërkuan udhërrëfimin e Tij. Ai tha: “S’ka rëndësi për mua”.
Pastaj Ai shtoi: “Vetëm jini besnikë”.
Ndoshta mund të jetë zhgënjyese të dëgjoni që Perëndia nuk do t’ju japë një itinerar të hollësishëm për rrugëtimin e jetës. Por a doni vërtet që të udhëzoheni në çdo hollësi?
A i doni vërtet përgjigjet gati për jetën përpara se të keni mundësi t’i kuptoni gjërat vetë? Çfarë lloj aventure do të ishte ajo? A nuk do t’jua grabiste kjo ndjenjën tuaj të arritjes? Si do ta rritnit dhe shtonit ndonjëherë besimin tuaj te Zoti dhe vetvetja?
Siç i tha Zoti Oliver Kaudrit: “Ti duhet ta studiosh atë tërësisht në mendjen tënde; më pas ti duhet të më pyesësh nëse është e drejtë”.
Ati Qiellor ju dha planin e Tij, Udhën e Tij. Ai ju dha tablonë e madhe. Ai ju ka dhënë një tru dhe një zemër. Në qoftë se i mirëbesoni Atij, Ai do t’ju ndihmojë t’i përdorni që të dyja siç duhet për të marrë vendime. Ai ju mirëbeson se do të merrni vendimet më të mira të mundshme duke ndjekur Jezu Krishtin.
Në shumë raste, vendimet që merrni në një kohë të caktuar mund të mos kenë aq rëndësi sa ajo që bëni pasi merret vendimi.
Për shembull, një çift mund të zgjedhë të martohet edhe pse disa familjarë nuk i konsiderojnë si një çift i përsosur. Megjithatë, kam shumë shpresë për një çift të tillë nëse, pasi të jetë marrë vendimi, ata qëndrojnë tërësisht të zotuar ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj Zotit me gjithë zemër e mendje. Duke e trajtuar njëri-tjetrin me dashuri e mirësi, duke u përqendruar te nevojat emocionale, shpirtërore dhe materiale të njëri‑tjetrit dhe duke i bërë gjërat “e vogla” vazhdimisht, ata bëhen çifti i përsosur për këdo.
Në kontrast, krahasojeni me çiftin ku të gjithë mendojnë se ata kanë zgjedhur njeriun “e përsosur” dhe më pas supozohet që u krye e gjithë puna e rëndë. Nëse i japin fund vardisjes ndaj njëri‑tjetrit, e ndalin komunikimin, i lënë pas dore besëlidhjet e tyre të shenjta dhe shkasin në egoizëm e në një jetë që përqendrohet te vetja, ky çift është në shtegun drejt pikëllimit dhe keqardhjes.
I njëjti parim zbatohet për zgjedhjet profesionale. Kam shpresë të madhe për ata që vendosin të zgjedhin mbase një vend pune me më pak prestigj, por që bëjnë çmos dhe gjejnë mënyra që ta përdorin punën e tyre për të përlëvduar Perëndinë dhe për t’i bekuar fëmijët e Tij.
Kam më pak shpresë për ata që zgjedhin profesione që duken mbresëlënëse, por, përgjatë udhës, e humbasin përqendrimin tek identiteti i tyre hyjnor dhe e mira që mund të kryenin duke i shërbyer Perëndisë dhe fëmijëve të Tij në të njëjtën kohë.
Perëndia ka përgatitur bekime të përjetshme përtej përfytyrimit tuaj. Për t’ju ndihmuar t’i merrni, Ai ju dha urdhërime, besëlidhje të shenjta, këshillë të frymëzuar profetike, dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe lirinë morale të zgjedhjes. Kjo është më se e mjaftueshme për t’ju udhëhequr drejt lumturisë në vdekshmëri dhe gëzimit të përjetshëm. Përtej kësaj, mos u dëshpëroni nëse merrni disa vendime që nuk janë dhe aq të përsosura. Kështu nxirrni mësim. Ajo është pjesë e aventurës!
Jo, aventurat kurrë nuk shkojnë vaj nga fillimi në fund. Jeta juaj do të ketë ngritje dhe ulje. Por nëse jeni besnikë ndaj Jezu Krishtit, e shikoni flijimin e Tij shlyes si një dhuratë dashurie dhe pendimin si një mënyrë për ta pranuar atë, mund të keni siguri për një fund të lumtur.
Mund të mos e kuptoni këtë deri shumë kohë më vonë, por do të shihni pas dhe do ta dini se Zoti kurrë nuk ju braktisi, edhe kur ju la t’i merrni shumicën e vendimeve vetë. Do ta shihni se pikat vërtet lidhen.
Pesë Gjëra për t’u Mbajtur Mend
Pra, çfarë shpresoj që do ta mbani mend nga koha jonë së bashku sot?
Së pari, dijeni se përgjigjet e Perëndisë për pyetjet tuaja më të thella mund të kërkojnë paksa kohë dhe mund të vijnë në mënyra të papritura. Përgjigjet e Perëndisë kanë vlerë të përjetshme. Ia vlen të prisni për to.
Së dyti, mos u stërmundoni teksa ecni në shtegun e dishepullimit. Thjesht bëni gjithçka mundeni me gjërat e vogla dhe gjërat e mëdha do të zënë vendin e vet.
Së treti, kini pak besim. Besoni se jeni të rëndësishëm për Perëndinë, se Ai e sheh atë që ju nuk mund ta shihni dhe se Ai do t’ju udhëheqë në shtegun e duhur. Ai ju do. Mirëbesojini Atij.
Së katërti, mos i lejoni zërat shkurajues t’ju largojnë nga rrugëtimi i besimit. Mbajeni mend, ju nuk u jepni llogari kritikuesve tuaj. Ju i jepni llogari Atit tuaj në Qiell. Vlerat e Tij janë me rëndësi.
Së pesti, kërkoni udhërrëfimin e Zotit dhe kur Ai thotë: “S’ka rëndësi”, merrni vendimet më të mira që mundeni nisur nga të vërtetat që dini. Pastaj “jini besnikë”.
Ju lë bekimin tim në fillim të këtij viti të ri, që teksa përpiqeni fort e me zell për ta njohur Atin tuaj Qiellor, për ta ndjekur Jezu Krishtin dhe për t’i nderuar besëlidhjet e Tij, besimi do t’ju rritet.
Vetëbesimi do t’ju rritet teksa përpiqeni ta ndiqni Shpëtimtarin tuaj dhe mësimet e Tij.
Te Jezu Krishti, ungjilli i Tij dhe Kisha e Tij do të gjeni lumturi, gëzim dhe paqe! Dhe një ditë, Ai do t’ju përqafojë me dashuri hyjnore.
Me mirënjohje të papërshkrueshme, ju do të shihni se Perëndia Vetë, me dashurinë, hirin dhe dhembshurinë e Tij të begatë, ju gjend gjithnjë pranë, duke u kujdesur për ju, duke ju bekuar dhe duke përgatitur një vend për ju.
Për këtë dëshmoj dhe ju jap bekimin tim, në emrin e Jezu Krishtit, amen.