Mirëbesoni te Perëndia
Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore
2 shkurt 2025
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, miqtë e mi të dashur në moshë të re, ju shoh me sytë e zemrës kudo qofshi anembanë botës. Dukeni të mrekullueshëm! Jeni të bukur. Do të doja ta përqafoja fort secilin prej jush.
Sa mirë që jam me ju sot! Aq më tepër që jam këtu me Apostullin tim të parapëlqyer. E di që nuk duhet të kemi ndonjë të parapëlqyer, por në rastin tim, nuk ka gjë. Jam e martuar me të.
Së fundi, festuam 62‑vjetorin e martesës. Edhe jemi ende të dashuruar!
Këto janë pra, frytet e ungjillit! Kur marrim mesazhe përgëzimi e dashurie nga nipat e mbesat tona dhe stërnipat e stërmbesat tona, e ndiejmë se sa të çmuara janë bekimet e anëtarësisë në Kishë dhe ungjilli i Jezu Krishtit.
Për ata prej jush që janë beqarë, të shkurorëzuar apo që jetojnë në rrethana familjare sprovuese, ju dëshmoj se Perëndia ju njeh dhe ju do dhe, kur qëndroni besnikë ndaj besëlidhjeve tuaja, gëzimi i jetës familjare nuk do t’ju pakësohet apo mohohet. Nuk e di saktësisht se si do të ndodhë kjo, por e di se hiri, mëshira dhe dashuria e Zotit mjaftojnë për të gjithë ne. Ai do ta bëjë atë të ndodhë sipas mënyrës së Tij dhe në kohën e Tij.
Tek ju vështroj dhe ndiej rrezatimin tuaj mahnitës të mirësisë e forcës, më vjen ndër mend një kohë e veçantë kur unë dhe Diteri u rritëm në të njëjtën degë në Frankfurt të Gjermanisë.
E dija që i kishte rënë në kokë për mua, por nuk isha e interesuar. Ishte i lezetshëm, por thjesht njëri prej shokëve të mi të Kishës. Mësuam të vallëzonim së bashku në aktivitetet e Kishës. Ishte koha e muzikës fokstrot, bugi-ugi dhe rokenroll.
Pasi iu bashkua Forcave Ajrore për t’u bërë pilot avionësh luftarakë, nuk e pashë më për thuajse dy vjet. Për të qenë e sinqertë, kur u kthye në Frankfurt, përshtypja ime e parë nuk qe aq pozitive. Ai ngjante si ata tipat me vetëbesim të tepruar në filmin Top Gun.
Por kur më foli, më la mbresë; ishte pjekur gjatë atyre dy viteve. E dinte se çfarë donte të bënte në jetë dhe ishte i fortë në ungjill. Ai ishte mjaft i vendosur dhe krijues ndërsa më vardisej. Disa muaj më vonë, u martuam.
Miqtë e mi të dashur, nuk jam penduar kurrë që i hodha një vështrim të dytë të vëmendshëm, madje dhe pas një mbrese të pasigurt herën e parë.
Diteri është dashuria e jetës sime dhe babai e gjyshi i mrekullueshëm i fëmijëve tanë dhe i fëmijëve të fëmijëve tanë.
Por, eca ca si shumë nga ajo që doja t’ju tregoja.
Kur isha 12 vjeçe, babai më ndërroi jetë nga kanceri. Pas vdekjes së tij, shtëpia jonë u bë një vend trishtimi, vuajtjeje dhe dëshpërimi.
Dukej se nuk gjendej asgjë apo askush që mund ta ngushëllonte nënën time ose ne, fëmijët. Nuk qe ashtu! Ati Qiellor, me dashuri të madhërishme, nuk na kishte harruar.
Tetë muaj pasi na ndërroi jetë babai, dy misionarë amerikanë na trokitën në derë në Frankfurt të Gjermanisë. Ata dy misionarë, të udhërrëfyer nga Shpirti, i lanë nënës sime Librin e çmuar të Mormonit. Sa e dua Librin e Mormonit!
Këta misionarë të rinj na sollën përgjigjet e Perëndisë. Mesazhi i planit të shpëtimit, planit të lumturisë, ishte aq i bukur dhe i fuqishëm. Ai na riktheu shpresën dhe dritën në shtëpi. Kur e përqafuam ungjillin e rivendosur, u shëruam nga brengosja, dëshpërimi dhe trishtimi.
Me mesazhin e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit, nuk pati më terr në familjen tonë, meqenëse drita dhe errësira nuk mund të jenë në të njëjtin vend njëkohësisht.
Këta dy misionarë ishin dy të rinj të mirë në moshë madhore. Për ne, ata ishin dy engjëj lavdie të dërguar nga Perëndia.
Miqtë e mi të dashur në moshë të re, ju jeni krijuar nga i njëjti material hyjnor! Ju jeni të zgjedhurit e kohës sonë, të cilët me fjalë dhe vepra e jepni mësim dhe e jetoni mesazhin e ungjillit kudo ku jeni. Për këtë qëllim, jeni vendosur në qytetin, në shkollën apo vendin tuaj të punës, në familjen tuaj. Mos harroni, ju keni potencialin të jeni engjëj lavdie për ata që janë pranë jush.
Ju përfaqësoni Kishën e Jezu Krishtit dhe jeni udhëheqës të fuqishëm që shpallni ungjillin nëpërmjet jetës suaj të mirë e dëshmisë suaj të guximshme.
Udhëheqës është ai që i ndihmon të tjerët ta shohin, ta ndiejnë dhe ta gjejnë udhën e drejtë. Miqtë e mi të dashur, ndihmojeni njëri‑tjetrin për të gjetur udhën e drejtë dhe për të qëndruar të rrënjosur thellë në Kishë dhe në ungjill.
Çdo fjalë ose vepër e thjeshtë dhe e qartë dashamirësie, integriteti, dashurie hyjnore, mirësie, shërbimi, dashurie dhe dhembshurie, mund të shërbejë si udhëheqje në mbretërinë e Perëndisë. Mos e nënvleftësoni ndikimin dhe fuqinë tuaj për mirë.
Më lejoni të shtoj disa fjalë për motrat tona të çmuara. Në këto kohë të vështira, ju është bërë thirrje që t’i përdorni talentet dhe guximin tuaj në luftën midis së mirës dhe së ligës.
Në vitin 1979, Presidenti Spenser W. Kimball profetizoi: “Shumica e rritjes së madhe që po i vjen Kishës në ditët e fundit, do të ndodhë ngaqë shumë gra të mira të botës … do t’i afrohen Kishës. … Kjo do të ndodhë në atë masë në të cilën gratë e Kishës pasqyrojnë drejtësi … në jetën e tyre dhe … shihen si të veçanta e të ndryshme – në mënyra të lumtura – nga gratë e botës.”
Presidenti Rasëll M. Nelson shtoi në vitin 2015: “[Motra, ne] kemi nevojë për forcën tuaj, kthimin tuaj në besim, bindjen tuaj, aftësinë tuaj për të udhëhequr, urtësinë tuaj dhe zërat tuaj. Mbretëria e Perëndisë nuk është dhe nuk mund të jetë e plotë pa gra të cilat bëjnë besëlidhje të shenjta dhe më pas i mbajnë ato!”
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, Kisha dhe Zoti ju ofrojnë burime të fuqishme për t’i përmbushur këto qëllime në jetë.
Lexojini shkrimet e shenjta, përqafojeni programin Eja, Më Ndiq dhe programin e institutit, flisni në mënyrë të qëllimshme me Atin Qiellor në lutjet tuaja, frekuentojeni Kishën dhe vërini në zbatim të vërtetën dhe mësimet e ungjillit në jetën e përditshme. Bëjini dhe mbajini besëlidhjet. Zbatojeni procesin e pendimit që të merrni faljen. Mirëbesojini Atit Qiellor. Mirëbesojini Jezu Krishtit. Ata do t’ju udhërrëfejnë. Ata ju duan. Dhe, ata ju gjenden pranë.
Miqtë e mi të dashur, ju lutem, dijeni dashurinë dhe mirënjohjen time për çdonjërin prej jush. Lutja dhe bekimet e mia janë me ju. Ju jeni një pjesë e rëndësishme e veprës së mrekullueshme dhe të shenjtë të Perëndisë në këtë kohë, në historinë e botës. Për këtë dëshmoj, në emrin e Jezu Krishtit, amen.