E Drejta për të Përdorur Fuqinë e Perëndisë
Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror i Shoqatës së Ndihmës dhe Mbledhja e Dëshmive
E diel, 16 mars 2025
Të dashura motra, jemi mbledhur në godinat anembanë botës për të kremtuar Shoqatën e Ndihmës. Ç’bekim që dëgjuam nga Presidenca e mrekullueshme e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës! Ato gjithmonë më frymëzojnë. Ato ushtrojnë një ndikim si i Krishtit, i cili më nxit të bëj më mirë dhe të jem më i mirë. Na folën nga Dyqani me Tulla të Kuqe në Navu të Ilinoisit, në Shtetet e Bashkuara, vendi i organizimit të Shoqatës së Ndihmës. Dëshmisë së tyre po i shtoj timen. Perëndia ju do. Perëndia ju njeh. Ju jeni të çmuara për Të.
Historia e Shoqatës së Ndihmës është frymëzuese. Siç tha Ema Smithi, presidentja e parë e Shoqatës së Ndihmës: “Ne do të bëjmë diçka të jashtëzakonshme”. Siç na mësuan Presidentja Xhonson, Motra Denis dhe Motra Ji, kjo organizatë nuk synonte të ishte një klub shoqëror apo një grup bamirësie. Qëllimi i saj ishte dhe ende është hyjnor. Është që t’i ndihmojë fëmijët e Perëndisë të kthehen në praninë e Tij.
Pas bisedës sime, do të jeni në gjendje t’i jepni dëshmitë njëra-tjetrës për bekimet që rrjedhin nga Jezu Krishti, Kisha e Tij dhe kjo organizatë hyjnore e grave. E di se Jezu Krishti është i vetëdijshëm për rrethanat tuaja dhe dëshiron t’ju bekojë. Atij i nevojitet ndikimi juaj në Kishën e Tij. Përpjekjet tuaja për t’u shërbyer fëmijëve të Perëndisë nëpërmjet Shoqatës së Ndihmës, janë jetike.
Jozef Smithi dha mësim se puna e ditëve të mëvonshme për shpëtimin dhe ekzaltimin është një kauzë që “është e destinuar të sjellë shkatërrimin e forcave të errësirës … dhe shpëtimin e familjes njerëzore”. Shoqata e Ndihmës dhe ju jeni vendimtare për këtë vepër. Siç dha mësim Presidenti Rasëll M. Nelson: “Mbretëria e Perëndisë nuk është dhe nuk mund të jetë e plotë pa gra të cilat bëjnë besëlidhje të shenjta dhe më pas i mbajnë ato, pa gra të cilat mund të flasin me fuqi dhe autoritet nga Perëndia”.
Gratë që i mbajnë besëlidhjet, jo vetëm që e dallojnë nevojën për fuqinë e Perëndisë në jetën e tyre, por kanë qasje të veçantë tek ajo fuqi nëpërmjet besëlidhjeve që bëjnë. Ç’bekim mbresëlënës është të kemi “të drejtën e përdorimit të fuqisë së perëndishmërisë – fuqi e mjaftueshme për të përballuar barrët, pengesat dhe tundimet e kohës sonë”. Sigurisht, besëlidhjet e pagëzimit dhe të tempullit nuk janë, në vetvete, burimi i fuqisë. Zoti Jezu Krisht dhe Ati ynë Qiellor janë burimi i tërë fuqisë së besëlidhjeve.
Por mos u gaboni. Fuqia e Perëndisë nuk është një forcë kozmike, pa formë, e pavarur prej Tij. Fuqia që Ai ofron, nuk është si një llambë magjike që plotëson dëshirat ose një relikt i shenjtë që pretendon të jetë burim fuqie. Madje as veshja e priftërisë së shenjtë nuk është e fuqishme në vetvete. Jo, fuqia e Perëndisë lidhet detyrimisht me Të dhe qëllimet e Tij.
Si gjithmonë, Jezu Krishti jep shembullin përfundimtar për ne. Gjithë fuqia “si në qiell ashtu edhe në tokë” iu dha nga Perëndia Jezu Krishtit, sepse Jezu Krishti e lejoi vullnetin e Tij të “shkri[hej] në vullnetin e Atit”. Në ekzistencën para lindjes, Shpëtimtari tha: “Atë, vullneti yt u bëftë”. Ai e përsëriti këtë në Gjetseman dhe në kryq. Pas ringjalljes së Tij, Ai ua përsëriti këtë njerëzve në Librin e Mormonit dhe përsëri në fillim të kësaj periudhe ungjillore. Ai mori fuqi nga Perëndia sepse u parashugurua për ta marrë atë dhe Ai mund të mirëbesohej që ta përdorte atë fuqi siç do ta përdorte Vetë Ati Qiellor.
Merreni parasysh edhe profetin Nefi të Librit të Mormonit, birin e Helamanit. Kur fuqia vulosëse iu dha Nefit, Jezu Krishti i tha: “Unë do të të bekoj përgjithmonë … që të gjitha gjërat do të bëhen sipas fjalës [sate]”. Arsyeja përse Krishti ia mirëbesoi Nefit këtë fuqi gjithëpërfshirëse, qe ngaqë Nefi ishte thirrur si profet dhe ngaqë ai pa u lodhur dhe pa frikë kishte bërë vullnetin e Perëndisë. Ai kërkoi planin e Perëndisë, jo planin e Tij. Ai nuk kërkoi dhe as nuk do të “kërko[nte] atë që është në kundërshtim me vullnetin [e Perëndisë]”. Ai mori qasje te fuqia e Shpëtimtarit sepse atij mund t’i mirëbesohej se do ta përdorte atë fuqi siç do ta përdorte Jezu Krishti Vetë.
Edhe kur përpiqemi fort që ta rritim fuqinë e Perëndisë në jetën tonë, ajo mbetet fuqia e Tij. Fuqia e besëlidhjeve që ne e përdorim, nuk qëndron brenda nesh. Edhe mënyra se si fitojmë “ndonjë bekim nga Perëndia, … është me anë të bindjes ndaj atij ligji mbi të cilin ai bazohet”, po ashtu, dhe [qasja] te fuqia e Perëndisë varet nga “parime[t e] drejtësisë”. Fuqia e Perëndisë nuk mund të përdoret për qëllime egoiste apo për të ushtruar kontroll mbi dikë. Përpjekja për të ushtruar fuqinë e Tij “në çfarëdo shkallë padrejtësie” shkakton që fuqia e Tij të “tërhiqe[t]” dhe ne paralajmërohemi se “ajo do të kthehet për dënimin [tonë]”. Ata që nuk arrijnë ta vënë mirëbesimin e tyre te Perëndia, që janë të paqëndrueshëm në dishepullimin e tyre ose që i ngurtësojnë zemrat e tyre apo e marrin nëpër këmbë të Shenjtin e Izraelit, nuk mund të marrin qasje te fuqia e Tij. Për ta kultivuar fuqinë e Perëndisë në jetën tonë, jemi të detyruar të përpiqemi që të jemi të drejtë, të bëjmë atë që është e drejtë, dhe të veprojmë sipas vullnetit të Tij.
Bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve të shumta me Perëndinë ju afron më pranë Tij, ju shndërron dhe ju jep qasje më të madhe te fuqia e Tij. Gratë që i mbajnë besëlidhjet, janë të “shpërndar[a] mbi të gjithë faqen e tokës” dhe janë të “armatosur[a] me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe”. Kudo qofshi, kjo fuqi është për ju. Ju ndihmon të fitoni lumturi, paqe dhe prehje më të madhe. Ju ndihmon të zotëroni dituri më të madhe, të bëheni ndjekëse më të forta të drejtësisë dhe të bëheni trashëgimtare me të drejta në mbretërinë e Perëndisë. Ju merrni fuqi për t’i bërë ballë tundimit dhe për t’u penduar kur pengoheni. Merrni fuqi që ju forcon për t’u bërë ballë më mirë sprovave dhe pikëllimeve.
Dua të jap një shembull vetjak se si besëlidhjet e tempullit çuan drejt paqes dhe sigurisë më të madhe për gruan time, Ruthin, dhe mua. Disa vjet pas martese, Ruthi u sëmur rëndë me kancer të vezoreve në mitër. Bëri dy operacione dhe kimioterapi. Fëmija jonë i vetëm, Eshli 16‑muajshe, kurrë nuk ishte ndarë nga nëna e saj dhe grindej si kurrë më parë. Nuk e hante ushqimin që i bëja, prandaj “bëmë marrëveshje” dhe në fund i jepja akullore dhe pije freskuese.
Isha vetëm 28 vjeç dhe nuk dija se si Eshli dhe unë do të mbijetonim pa Ruthin. Ëndrrat për një familje më të madhe mbaruan, por ky ishte shqetësimi më i vogël. Gjatë shtrimit të parë në spital të Ruthit u ndjeva i dërrmuar dhe nuk bëja dot lutje. Më dukej sikur lutjet e mia nuk po arrinin në qiell.
Natën që Ruthi u kthye në shtëpi pas operacionit të parë, u përgatitëm të luteshim siç e bënim zakonisht para se të shkonim në shtrat. Si burracak që isha, i thashë Ruthit të lutej. Nuk do t’i harroj kurrë fjalët e para të lutjes së saj. Ajo tha: “Ati Qiellor, të falënderojmë Ty për fuqinë e priftërisë falë së cilës mund të jemi së bashku përgjithmonë, pavarësisht nga ajo çfarë ndodh”.
Me fjalët e saj, pengesa që përfytyroja midis Perëndisë dhe meje, u hap e tëra. Ndërsa lutja e Ruthit u ngjit në qiell, doktrina e familjeve të përjetshme më shkoi nga koka në zemër. Shqetësimet tona për të ardhmen u pakësuan ngaqë kishim bërë besëlidhje në tempull dhe ishim vulosur në shtëpinë e Zotit. Fuqia nga Perëndia u solli paqe zemrave tona. Tridhjetë e gjashtë vjet më vonë, Presidenti Nelson tha fjalë që kumbuan për mua. Ai tha: “Kur ju zgjateni për [ta marrë] fuqinë e Zotit në jetën tuaj me të njëjtin intensitet që ka një njeri që po mbytet, kur kapet dhe gulçon për ajër, fuqi nga Jezu Krishti do të jenë tuajat”. Kjo është mënyra se si u lut Ruthi. Dhe ajo fuqi erdhi.
Po ashtu, Perëndia do t’ju ndihmojë të kuptoni fuqinë dhe paqen e dhurimit në tempull.
Dhurimi me fuqi do t’ju ndihmojë të shëroheni nëse jeni të plagosura, të copëtuara ose të dërrmuara në çfarëdo mënyre. Mund t’u bëni thirrje fuqive të qiellit që të merrni zbulesë vetjake dhe të kuptoni doktrinën e Krishtit. Fuqia e Perëndisë do t’ju ndihmojë t’i mbroni dhe forconi të tjerët. Me Presidentin Nelson dëshmoj se “[Jezu Krishti] mund [t’ju] japë fuqinë që [ju] nevojitet në jetën [tuaj]” dhe se “kur e [merrni] fuqinë e Tij në jetën [tuaj], si [Shpëtimtari] edhe [ju] do të gëzohe[n]i”.
Po, motra, ju po bëni diçka të jashtëzakonshme dhe mund të përjetoni diçka të jashtëzakonshme. Faleminderit për besimin, për forcën, për aftësinë tuaj për të udhëhequr, për urtësinë, për gatishmërinë dhe aftësinë tuaj që të bëni dhe mbani besëlidhje me Perëndinë. Ju i sillni bekime vetes, familjes suaj, Kishës, komunitetit tuaj dhe botës. Keni fuqinë e Perëndisë në jetë për t’ju ndihmuar të jeni të mira dhe të bëni mirë. Ai ka besim te ju. Kisha e Tij ka besim te ju. Perëndia ju bekoftë në dishepullimin tuaj të vazhdueshëm!
Perëndia jeton. Jezusi është Krishti, Shpëtimtari juaj dhe i imi. Ai është miku juaj i mirë, i urtë, qiellor. Ai e ka rivendosur Kishën e Tij në tokë. Këto gjëra i di. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.