Shoqata e Ndihmës: Një Komunitet Besëlidhjesh
Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror i Shoqatës së Ndihmës dhe Mbledhja e Dëshmive
E diel, 16 mars 2025
Presidentja Kamill N. Xhonson,
Të dashura motra, ju mirëpresim këtu në katin e sipërm të Dyqanit me Tulla të Kuqe në Navunë historike në Ilinois. Ky është një vend i shenjtë ku, në vitin 1842, Profeti Jozef Smith organizoi Shoqatën e Ndihmës sipas modelit të priftërisë dhe si pjesë e një Rivendosjeje të vazhdueshme të ungjillit të Jezu Krishtit.
Këtu në Navu, motrat e Shoqatës së Ndihmës u përgatitën për bekimet e shtëpisë së Zotit. Bekimet i përgatitën motrat materialisht dhe ato ndihmuan për ndërtimin e tempujve duke drejtuar ferma, duke qepur këmishë dhe duke bërë çdo gjë që mundeshin për t’u përgatitur për bekimet e shtëpisë së Zotit. Gjithashtu u përgatitën vetë shpirtërisht dhe këtu e në korijet përreth Navusë patën mundësinë të dëgjonin drejtpërsëdrejti profetin tonë, Jozef Smithin. Ishte këtu që ai i udhëzoi të përgatiteshin për bekimet që do të vinin kur të merrnin pjesë në ordinancat e shtëpisë së Zotit.
E dimë dhe shprehim dëshminë se ishin forca dhe fuqia të cilat rrodhën nga bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve, që ua bekuan jetën atyre motrave dhe vëllezërve dhe tërë shenjtorëve që shkuan përpara nëpër vendin e shkretë pas përvojës së tyre në Navu. Sa të lumtura jemi që e kemi këtë mundësi për t’jua treguar këtë vend të shenjtë. Kudo ku jetoni nëpër botë, shpresoj ta dini që linja e prejardhjes suaj fillon këtu në Navu. Si anëtare të Shoqatës së Ndihmës, këtu u hodhën rrënjët tona. Tani e tutje, teksa pema rritet e zgjerohet dhe degët janë në të gjithë botën, shpresoj ta ndieni lidhjen me këtë mjedis të shenjtë ku gratë i lanë shqetësimet e botës dhe u përqendruan vetëm te Shpëtimtari dhe bërja e besëlidhjeve me Të.
Si ndiheni që jeni këtu?
Motra Xh. Enet Denis
Sa përvojë e bukur të jemi në vendin ku ato 20 gra u organizuan për herë të parë dhe më pas të mendojmë për ju të gjitha anembanë botës. Si motra të Shoqatës së Ndihmës, e keni atë trashëgimi prej asaj që ato bënë këtu.
Presidentja Xhonson
Ato krijuan një komunitet besëlidhës këtu në Navu, apo jo?
Motra Kristin M. Ji
U kujdesën për njëra‑tjetrën.
Presidentja Xhonson
Sigurisht. Kemi krijuar një komunitet besëlidhës anembanë botës si motra që marrim pjesë në ordinancat e priftërisë dhe bëjmë e mbajmë besëlidhje. Kemi krijuar një komunitet global për të bekuar jetën e vëllezërve dhe motrave tona.
Motra Ji
Ku ato kujdesen për njëra‑tjetrën, ku kujdesen për njëra‑tjetrën. Kur kam lexuar për ndodhitë këtu në Navu, ajo që më bëri më shumë përshtypje, ishte se gjithmonë dikush po i sillte diçka dikujt në nevojë ose po kujdesej për dikë. Ishte pjesë e natyrshme e asaj që bënin. E bëjmë natyrshëm si motra të Shoqatës së Ndihmës. Zoti siguroi një organizatë ku motrat mundën të vepronin sipas ndjenjës së natyrshme të dhembshurisë dhe një vend ku ta bënin këtë, që të ndienin ndihmën e Tij dhe ta ofronin ndihmën e Tij me gatishmëri.
Sot në mëngjes, teksa po mendoja e përsiatja rreth Motrës Ema, misionit të saj dhe shoqërimit me profetin, më erdhi mendimi: “Ata bënin të njëjtat lutje që i kemi bërë ne”. Luteshin për fëmijët. Luteshin për bashkëshortët e bashkëshortet. Për njëri‑tjetrin. Të njëjtën nevojë që kemi ne, e kishin edhe ato. Kemi shumë ngjashmëri. Ato i mirëbesuan Zotit. Kishte shumë paqëndrueshmëri në atë kohë, apo jo? Kishte vdekje dhe mungesë mundësish. Gjithsesi mirëbesuan tek Ai. Secila nga ne ka mungesat e veta të mundësive për të cilat na nevojitet Perëndia, na nevojiten besëlidhjet, na nevojitet t’i mirëbesojmë Atij. Shumë herë duhet të heqim dorë dhe t’i mirëbesojmë Atij se do të na udhërrëfejë përmes atyre vendeve, se mund t’i mirëbesojmë Atij për familjet tona, se këto besëlidhje dhe premtime janë më të vërteta sesa çdo gjë që mund ta shohim e ta ndiejmë.
Presidentja Xhonson
Te Doktrina e Besëlidhje, seksioni 25, zbulesa që iu dha Ema Smithit, thotë: “Kapu pas besëlidhjeve [të tua]”. Kjo është fiks ajo që po përshkruan. Si të thuash ndryshe: “Mirëbesoni tek unë. Mirëbesoni te premtimet që Unë ju kam bërë, sepse premtimet e mia janë të sigurta.” Për ato premtime që i bëjmë në shtëpinë e Zotit dhe sigurisht në pagëzim, na kthehet premtimi se Ai do të jetë gjithmonë me ne, se do ta kemi Shpirtin e Tij që të na ndihmojë, se do të kemi engjëj për të na dhënë shërbesë dhe për t’u kujdesur për nevojat tona. E di se këto janë ende reale. Ato premtime që Ai i bën, që ua bëri atyre shenjtorëve të dashur këtu në Navu, na i bën dhe neve kur marrim pjesë në ordinancat e ungjillit të Jezu Krishtit, që i kemi në dispozicion nëpërmjet çelësave të priftërisë.
Motra Denis
Mendoj për Emën, sa fëmijë humbi, se si iu desh të shpërngulej nga vendi në vend, se sa pak gjëra kishin. Por kishin besëlidhjet e tyre duke nisur nga pagëzimi. Kishin marrëdhënien besëlidhëse me Perëndinë që i mbajti. Kjo e mbajti Emën gjatë gjithë asaj. Nuk mendoj se mund ta kishte bërë atë që bëri, pa atë marrëdhënie me Perëndinë që e dinte se e kishte dhe pa ato premtime që kishte.
Motra Ji
E vërtetë, ajo qëndrueshmëri vjen nga Jezu Krishti, këtë po përshkruan, apo jo? Gjithçka tjetër do të lëvizë e ndryshojë në jetën tonë. Njerëzit do të vijnë e shkojnë. Por te marrëdhënia me Të qëndron qëndrueshmëria jonë e vërtetë, apo jo?
Presidentja Xhonson
Mendoj se ndërtimi i atij tempulli, përgatitja për ato besëlidhje shtesë i shtyu me forcë përpara. Më pas u dha forcë që të shkonin përpara drejt së panjohurës në një kohë kur duhet të kenë ndier shumë pasiguri. Mirëbesimi i tyre te besëlidhjet vërtet nuk duhet të jetë mbresëlënës, sepse të gjithë duhet ta kemi, por ç’shembull i bukur është për ne të gjithë, ta vëmë mirëbesimin tonë besëlidhës te Zoti dhe te përfaqësuesi i Zotit, një profet në tokë sot.
Motra Denis
Më pëlqen shumë historia kur Brigam Jangu ishte në tempull. Ai ishte atje duke administruar ordinancat. Shumë njerëz ishin atje dhe ai ndenji deri natën vonë që njerëzit të mund të merrnin ordinancën e dhurimit. Ai tha: “Në rregull, mbaruam”. Po bëhej tepër e rrezikshme për shkak të turmave përreth. Tha se ishte koha të shkonin drejt tragetit që të kalonin Misisipin. Të nesërmen në mëngjes kur u zgjua, oborri i tempullit dhe tempulli ishin mbushur me njerëz që s’pranonin të largoheshin pa marrë dhurimin. E dinin se do t’iu duheshin ato bekime dhe se mund të kalonin shumë, shumë vjet përpara se të kishin një tempull tjetër. Besëlidhjet na ndihmojnë të lidhemi më thellësisht me Atin tonë në Qiell e Jezu Krishtin dhe na japin forcën që na duhet për të shkuar përpara, sikurse bënë ata shenjtorë, kudo ku jemi në botë.
Presidentja Xhonson
Disa prej paraardhësve të mi në ato ditë të fundit këtu në Navu patën bekimin dhe mundësinë për të marrë dhurimin. Qëndroj mbi supet e tyre sikurse ne të gjitha qëndrojmë mbi supet e këtyre motrave që shkuan përpara me mirëbesim te besëlidhjet.
Motra Denis
Na trego për paraardhësit e tu.
Presidentja Xhonson
Feni Dek Perishi, e bija, Xhejni, dhe katragjyshi im, Samuel Perishi, të gjithë morën dhurimin këtu në shkurt të vitit 1846, si pjesë e atij grupi prej pesë mijë vetash për të cilët diskutuat. Më pëlqejnë fjalët që përdori Xhejni për ta përshkruar atë kohë. Ajo tha: “Kemi ungjillin e Jezu Krishtit, kemi Kishën dhe kemi një tempull”. Dhe tha: “O, ç’gëzim i mbushi shpirtrat tanë ngaqë e kemi tempullin”.
Reflektoj për këtë gjë dhe mendoj se ishte një kohë e tillë me pasiguri për ta. Po përgatiteshin ta linin atë komunitet të bukur që kishin krijuar, dhe të shkonin drejt vendit të shkretë. Prapëseprapë qe një kohë me shumë gëzim. Çfarë tjetër mund ta shpjegonte gëzimin që ndjeu, paqen që ndjeu?
Motra Ji
Mes gjithë sfidave që patën, kishin paqe dhe gëzim.
Presidentja Xhonson
I patën. Qe për shkak se bënë besëlidhjet. Paraardhësit e Kristinës ishin këtu në të njëjtën kohë. Jemi mjaft të sigurta se ngaqë ishin të afërta në moshë, ato ishin shoqe, siç jemi ne tani.
Motra Ji
Nëse nuk ishin në atë kohë, janë tani.
Presidentja Xhonson
Janë tani. Po, patjetër!
Motra Ji
Nensi Sebini, nga familja e nënës sime, ishte rreth 17 vjeçe kur u bashkua me Kishën. Në atë kohë edhe ajo mori dhurimin në shtëpinë e Zotit. Xhejni yt ishte vetëm 20 vjeçe.
Presidentja Xhonson dhe Motra Ji
Mendojmë se jetonin shumë pranë njëra‑tjetrës.
Motra Ji
Me siguri bënë ndonjë bashkëbisedim. Por sa e këndshme të mendosh se tani, pasardhëset e tyre janë të ulura këtu dhe ka miqësi mes tyre. Dhe që ne kapemi pas besëlidhjeve si ato dhe që kemi të njëjtin besim, që mirëbesojmë te Zoti me gjithë zemër. Kjo nuk na ka humbur. E përçojmë atë nga brezi në brez.
Edhe në paçim apo jo paraardhëse këtu, ose anembanë botës, ne e fillojmë këtu me besëlidhjet tona dhe kjo vazhdon përgjithmonë. Të gjitha zgjedhjet që bëjmë sot, kanë rëndësi. Ato kanë rëndësi jo veç për ju, por edhe për ata që do të vijnë më pas dhe ata që ishin më parë në këtë anë të velit dhe në anën tjetër, kur i mbajmë besëlidhjet. Mendoj se ka shumë motra në Shoqatën tonë të Ndihmës sot, që ndoshta e ndiejnë se janë tepër të reja ose tepër të moshuara. Se nuk janë të arsimuara, ose çfarëdo tjetër që mund të shtoni. Mbase ndieni se s’jeni të përgatitura për ta bërë këtë punë. Por duam t’ju themi se ju jeni të përgatitura dhe kemi nevojë për ju sot. Zoti ka nevojë që të jeni pjesë e kësaj pune sot. Keni dhunti dhe talente që tani në botë nevojiten shumë.
Presidentja Xhonson
Kemi marrë udhëzim profetik që si motra ne mund dhe duhet ta ndryshojmë botën. Duhet ta përgatitim botën për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit, Jezu Krishtit. Si do ta bëjmë atë? Do ta bëjmë këtë duke krijuar një komunitet besëlidhjesh. Ndonjëherë komuniteti i besëlidhjeve përbëhet veç nga unë, në fakt nga dy veta, meqë besëlidhjen e kam me Zotin.
Motra Ji
E vërtetë.
Presidentja Xhonson
Por komuniteti yt i besëlidhjeve mund të zgjerohet e rritet. Më vjen ndërmend një përvojë vërtet e bukur e kohëve të fundit. Qe një grup motrash të Shoqatës së Ndihmës. Ishin të gjitha të ulura në rreth, gju më gju. Isha në një distrikt dhe takova presidenten e Shoqatës së Ndihmës të distriktit, presidenten e Fillores të distriktit dhe presidenten e Të Rejave të distriktit, e cila kishte qenë anëtare e pagëzuar vetëm prej një muaji. Ndihej paksa e mbingarkuar dhe po na shprehte disa shqetësime për faktin se si do ta kryente detyrën e saj të re. Pjesa e parapëlqyer e mbledhjes është kur presidentja e Shoqatës së Ndihmës i tha: “Mos u shqetëso, do të të ndihmojmë”. Ideja kjo është. Kudo qofshim, ne krijojmë një komunitet besëlidhjesh të përqendruar te Jezu Krishti. Me dhuntitë e natyrshme që na janë dhënë, ne kujdesemi për njëra‑tjetrën. Kjo do të ndodhte dhe atje. S’kishte pse të merakosej. Mund të mirëbesonte te Zoti. Kishte dhe motrat e Shoqatës së Ndihmës.
Motra Denis
Ngaqë jemi të gjitha anëtare të Shoqatës, kudo që të shërbejmë.
Presidentja Xhonson
Vërtet. Pra, për ca kohë ajo do të shërbejë tek Të Rejat me vajzat e reja. Por gjithnjë do të jetë pjesë e Shoqatës së Ndihmës. Ato motra të Shoqatës së Ndihmës po i hidhnin krahun dhe do të kujdeseshin për të.
Motra Ji
E bukur. Ndërthuret e gjitha, apo jo?
Presidentja Xhonson
Po, patjetër!
Motra Ji
Po të bekojmë një fëmijë, bekojmë një familje. Kur bekojmë një motër, bekojmë një familje. Ose një baba. Gjithçka ndërlidhet në atë mënyrë, që është kaq e bukur. Kemi një ortakëri të shkëlqyer me Jezu Krishtin. Ai është ortaku ynë më i madh që mund të na ndihmojë në gjithçka. Nganjëherë mendoj se si gra na pëlqen t’i bëjmë gjërat vetë. Kjo s’është gjë e keqe. Ai na ka dhënë dhuntinë që të kemi iniciativë dhe të bëjmë gjëra. Por të paktën mua, e di se nganjëherë Ai më vë në një situatë ku jam mjaft e mbingarkuar me qëllim që të mbështetem mjaft tek Ai. Dhe që të krijojmë atë marrëdhënie me Të, që ta dimë përse i bëjmë gjërat që bëjmë. A nuk mendoni se këto motra këtu në Navu e dinin përse e bënë atë që bënë? Sepse e donin Zotin dhe donin t’i mbanin besëlidhjet që bënë me Të, po kështu edhe ne.
Motra Denis
Teksa i ndihmonin të tjerët që ta ndienin dashurinë e Tij, ato e ndien edhe vetë. Mendoj se duhet të kujtojmë të gjitha se ka disa mes nesh që nuk e ndiejnë dashurinë e Zotit, cilado qoftë arsyeja. Por kur me çiltërsi u hedhim krahun të tjerëve dhe i bëjmë ta ndiejnë dashurinë tonë, ata fillojnë të ndiejnë edhe dashurinë e Shpëtimtarit.
Motra Ji
Ai e di se kemi nevojë ta ndiejmë dashurinë e Tij dhe vë dhembshuri brenda nesh për t’u shërbyer të tjerëve që ne dhe ata ta ndiejmë atë.
Presidentja Xhonson
Të gjitha motrat tona kanë mundësi që të jenë pjesë e nismës globale për mirëqenien e grave dhe fëmijëve duke bërë gjëra të thjeshta në shtëpitë e tyre, në lagjet e banimit dhe në komunitetet e tyre. E bëjmë këtë gjë për një nënë, një grua, një fëmijë, me radhë, sikurse e bënte Shpëtimtari.
Motra Ji
Ftesë e bukur, apo jo? Që si materialisht edhe shpirtërisht të vijmë tek Ai. Na duhet dhe ana materiale dhe ajo shpirtërore, apo jo? Sapo më erdhi në mendje, është interesante se si duket që rrethanat janë më pak të rëndësishme sesa lidhja jonë me Atin tonë Qiellor dhe Shpëtimtarin.
Nganjëherë uleni në një klasë të Shoqatës së Ndihmës dhe ndiheni fillikat, ose uleni kudo qoftë, por e kuptoni se dikush që ju ulet pranë, ka po të njëjtat sfida dhe dëshira që të tjerët ta duan, ta vlerësojnë dhe që ka vend për të. Kur i shprehim ndjenjat në Shoqatën e Ndihmës dhe kemi mundësi t’i shprehim, ka mundësi që të kuptojmë se kemi më tepër ngjashmëri sesa ndryshime.
Por e di dhe mund të dëshmoj se nuk jemi kurrë vetëm, se Ati ynë Qiellor dhe Shpëtimtari ju njohin. Se Ata janë të vetëdijshëm për nevojat tona, interesohen për atë që ju shqetëson, dhe dëshirojnë t’ju bekojnë, dhe se motrat pranë jush kanë të njëjtat dëshira që t’i duan, të kenë mundësinë për të kontribuar dhe për t’u ndier të vlerësuara. E di se Ai është i vetëdijshëm, se është përkrah nesh në vendimet, sfidat dhe gëzimet tona. Se Ai është përkrah nesh. Ne mund të këshillohemi me Të. Është një mundësi e bukur dhe e bekuar që të dimë se Ai eci i vetëm në shteg që ne të mos ecim të vetëm, kurrë.
Motra Denis
A e dini se po përfytyroj grupe motrash anembanë botës që po na shohin tani? Së shpejti do të kemi mundësinë të dëgjojmë një Apostull, Plakun Dejll G. Renland, të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve. Sa të privilegjuara jemi që ta dëgjojmë! Pas kësaj, do të keni mundësinë t’i jepni dëshmi njëra‑tjetrës për gjërat që keni ndier në zemër, që Shpirti ju ka dëshmuar, për bekimin që është Shoqata e Ndihmës dhe për besëlidhjen që keni me Shpëtimtarin dhe se çfarë domethënie ka Ai në jetën tuaj. Sa ndjenjë e veçantë është të mendojmë për të gjitha motrat përreth botës dhe të ndiejmë se jemi një motëri botërore besëlidhëse, kudo qofshim. Ne ju duam, motra!
Presidentja Xhonson
Ç’bekim të jemi gra besëlidhjesh në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme! Motra, është një kohë e lavdishme dhe së bashku japim dëshmi se jemi të përfshira në veprën e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. E dimë se Ai jeton. E dimë se na do. E dimë se Ai dëshiron që ne të kemi një marrëdhënie besëlidhëse me Të. E dimë se Ai dëshiron që t’ua shtrijmë ndihmën e Tij motrave dhe vëllezërve tanë anekënd botës. Kur e bëjmë këtë gjë, kur jemi mjeti se si Ai ua jep ndihmën e Tij të tjerëve, do ta gjejmë ndihmën e Tij edhe vetë.
Është dëshmia jonë që Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme udhëhiqet nga një profet i gjallë. Ne e duam atë. E nderojmë dhe e mbështetim atë.
Është dëshmia jonë se Jozef Smithi ishte profeti i Rivendosjes, që ai i rivendosi të gjitha gjërat, përfshirë rendin e lashtë për gratë, duke sjellë kolektivisht ndihmën e Jezu Krishtit për të tjerët. Synimi ynë që nga fillimi, që nga viti 1842, është që t’i kthejmë të gjithë fëmijët e Atit tonë Qiellor në shtëpi. E dimë se kjo është e mundur nëpërmjet Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Prej Shlyerjes së Tij, mund të jemi të pastra, të shëruara e të shenjtëruara dhe të kthehemi në shtëpinë qiellore, dhe të ekzaltohemi e të jetojmë në praninë e Atit Qiellor dhe të Shpëtimtarit, Jezu Krishtit.
Këtu nisi e gjitha për ne si anëtare të Shoqatës së Ndihmës.
Ç’rast i lavdishëm që të jemi pikërisht në këtë mjedis të shenjtë!
Kemi ndier engjëj përreth nesh sot.
Është dëshmia jonë, motra, se Perëndia ju do, ju njeh dhe jeni të çmuara në sytë e Tij. Jua lëmë këtë dëshmi, në emrin e shenjtë të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, amen.