Seminari
Osea: Dashuria dhe Mëshira e Zotit


“Osea: Dashuria dhe Mëshira e Zotit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)

“Osea: Dashuria dhe Mëshira e Zotit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër

Osea 1–6; 10–14; Joel: Mësimi 146

Osea

Dashuria dhe Mëshira e Zotit

Në librin e Oseas, Zoti e përdori martesën e Oseas me Gomeren si një simbol për t’i mësuar Izraelit rreth dashurisë së Tij besëlidhëse të pashtershme. Ashtu si Izraeli, hera-herës ne mund të largohemi nga Zoti dhe nga besëlidhjet tona me Të. Prapëseprapë, Jezu Krishti mbetet besnik dhe na do. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë dashurinë dhe mëshirën e pashtershme të Zotit për ta.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë rreth përvojave që i kanë ndihmuar ata ta ndiejnë dashurinë dhe mëshirën e Zotit

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Të kujtuarit e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit

Për ta filluar orën mësimore, përgatitini nxënësit të lidhen në një mënyrë të përshtatshme me historinë e Oseas dhe Gomeres. Një mënyrë për ta bërë këtë është nëpërmjet një skenari si vijuesi.

Kaltra dhe Helena kanë një vit që janë shoqe të ngushta. Gjatë asaj kohe, ato kanë krijuar miqësi dhe e kanë përkrahur njëra-tjetrën nëpër kohët e vështira. Helena tregoi disa gjëra me të cilat ka vështirësi. Kaltra premtoi të mos ua tregonte ato gjëra njerëzve të tjerë. Megjithatë, para disa ditësh, Helena zbuloi se Kaltra u tregoi për vështirësitë e Helenës disa shokëve të tyre të tjerë.

  • Po të ishe Helena, çfarë mendimesh ose ndjenjash mund të kishe?

  • Përse mund të jetë e vështirë ta falësh Kaltrën?

Merreni parasysh të shpjegoni se ky është një shembull i mënyrës se si mund të ndihemi të tradhtuar ose të lënduar kur dikush e shkel një premtim. Ndërkohë që mund të reagojmë në mënyra jo të dobishme në këto situata, Zoti reagon ndryshe.

Libri i Oseas na mëson rreth një marrëdhënieje martesore. Në shkrimet e shenjta, Zoti e përdor shpesh martesën si një simbol për marrëdhënien tonë besëlidhëse me Të. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim se besëlidhjet tona krijojnë “një marrëdhënie besëlidhëse në të cilën të dyja palët [ne dhe Zoti] kanë detyrimin të jenë besnikë dhe të besuar ndaj njëri‑tjetrit” (“Besëlidhja e Përjetshme”, Liahona, tetor 2022, f. 2).

Ndonjëherë, fëmijët e Perëndisë nuk janë besnikë ndaj Zotit dhe e humbasin udhën e besëlidhjeve të tyre me Të. Ndërsa e studion librin e Oseas sot, kërko mënyrën se si ndihet Zoti për popullin e besëlidhjes së Tij dhe si i përgjigjet atij edhe kur ai largohet prej Tij.

Osea dhe Gomera

Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë historinë e Oseas dhe Gomeres, paraqitni ose përmblidhni paragrafin vijues.

Shihni pjesën Burime Shtesë të këtij mësimi te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] për më shumë informacion rreth urdhërimit të Perëndisë për Osean për t’u martuar me Gomeren.

Osea ishte një profet në Mbretërinë Veriore të Izraelit, që profetizoi rreth të njëjtës kohë si Isaia. Zoti e urdhëroi Osean të martohej me Gomeren, pavarësisht faktit që ajo kishte qenë kurorëshkelëse dhe lavire. Osea dhe Gomera patën tre fëmijë së bashku (shih tek Osea 1:2–8).

Nëse dëshironi, mund të shpjegoni se Osea përfaqëson Zotin në lidhje me Gomeren, që përfaqëson popullin e Izraelit. Merreni parasysh të bëni dy kolona në tabelë. Emërtojeni njërën Osea përfaqëson Zotin dhe tjetrën Gomera përfaqëson Izraelin.

Lexo tek Osea 2:5, duke kërkuar atë që Osea tha sekishte bërë Gomera. “Nëna e tyre” i referohet Gomeres.

  • Si mund ta përfaqësojnë veprimet e Gomeres popullin e Izraelit?

    Mund të shpjegoni se pabesia e Gomeres në martesën e saj besëlidhëse me Osean përfaqësonte pabesinë shpirtërore të Izraelit në marrëdhënien e tij besëlidhëse me Perëndinë. Nëse është e dobishme, nxënësit mund të lexojnë te 2 Mbretërve 17:14–16, duke kërkuar mënyrën se si i kishte shkelur Izraeli besëlidhjet e tij me Zotin.

    Për t’i ndihmuar nxënësit të lidhen me shkrimet e shenjta, mund të bëni një pyetje si vijuesja. Renditini përgjigjet e nxënësve në tabelë nën titullin Gomera përfaqëson Izraelin.

  • Si largohen njerëzit në kohën tonë nga Zoti dhe besëlidhjet e tyre me Të?

Nxënësit mund të thonë për shembull, duke qenë tepër i ngarkuar për të gjetur kohë për Zotin, duke përdorur në mënyrë të papërshtatshme teknologjinë, duke i trajtuar keq të tjerët, duke vendosur gjëra të tjera përpara Zotit ose mëkate më të rënda. Nxënësit mund të reflektojnë mbi këtë listë ose mbi gjërat e tjera ndërsa përsiatin nxitjen vijuese.

Reflekto mbi mënyrat se si mund të tundohesh t’i shkelësh besëlidhjet e tua ose mënyrat se si mund të jesh duke u larguar nga besëlidhjet me Zotin.

ikona e seminarit Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë dashurinë dhe mëshirën e Zotit për ta, mund të përdorni fletushkën “Kuptueshmëria e Dashurisë dhe Mëshirës së Zotit”. Nxënësit mund të punojnë vetë për të inkurajuar përsiatje të qetë, plot lutje, ose mund të punojnë në grupe me një udhëheqës grupi të caktuar për të drejtuar diskutimin e tyre. Ndërsa nxënësit punojnë, lëvizni nëpër klasë dhe përgjigjuni për pyetjet e nxënësve sipas nevojës.

Të mësosh rreth Zotit

Ftojini nxënësit të tregojnë pohime të vërtete që i shkruan në fletushkat e tyre. Ata mund t’i thonë me zë të lartë ose t’i shkruajnë thëniet e tyre në tabelë nën titullin Osea përfaqëson Zotin. Ata mund të shkruajnë të vërteta si vijueset:

  • Jezu Krishti është plot dashuri dhe mëshirë, edhe kur largohem prej Tij.

  • Jezu Krishti e fton popullin e besëlidhjes së Tij të pendohet dhe të zbatojë besëlidhjet e tij.

Ndërsa nxënësit shprehen, ju mund të bëni pyetje për ndjekjen e ecurisë për t’i ndihmuar ata të bëjnë lidhje të qarta me shkrimet e shenjta: “Cila pjesë e historisë ju ndihmoi ta mësoni këtë rreth Tij?” ose “Si e patë atë të vërtetë rreth Tij të ilustruar nëpërmjet Oseas?”

Para se të bëni pyetjen vijuese, mund t’i referoni nxënësit te lista në tabelë e mënyrave se si ne ndonjëherë largohemi nga Zoti dhe nga besëlidhjet tona me Të.

  • Si mund t’i ndihmojë ajo që po mëson rreth Zotit të rinjtë që ndihen të shkurajuar ose të turpëruar për shkak se janë larguar nga Zoti?

    Para se të bëni pyetjen e radhës, mund të jetë e mençur t’i këshilloni nxënësit të mos tregojnë asgjë tepër personale, të tillë si mëkatet e mëparshme. Mund edhe të tregoni një përvojë nga vetë jeta juaj.

  • Në ç’mënyra e ke parë Zotin të demonstrojë dashurinë dhe mëshirën e Tij në jetën tënde ose në jetën e dikujt që ti njeh?

Demonstro kuptueshmëri

Kur nxënësit kanë një mundësi për të shpjeguar ose për të reflektuar mbi atë që kanë mësuar, kjo mund të ftojë Frymën e Shenjtë t’u japë atyre mësim më tej. Një mënyrë se si ata mund ta bëjnë këtë është veprimtaria vijuese e shkurtër me shkrim.

Zgjidh njërën nga veprimtaritë vijuese.

  • Shkruaj një mesazh. Mendo për dikë (mund të jesh ti) që mund të mendojë se është larguar së tepërmi nga Zoti për të marrë falje. Shkruaji një mesazh inkurajues këtij personi dhe tregoji atë që ke mësuar rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit që ti mendon se mund ta ndihmojë atë.

  • Shkruaj një përshkrim. Si do ta përshkruaje karakterin e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit në bazë të asaj që ke mësuar ose menduar sot?

Ju mund t’u tregoni nxënësve se ne, ashtu si Gomera, mund të zgjedhim ta pranojmë ftesën me dashuri të Zotit për t’u penduar dhe për t’u kthyer tek Ai pasi jemi larguar. Merreni parasysh ta mbyllni me dëshminë tuaj për Zotin.