“Eksodi 5–6: Bërja e Vullnetit të Zotit, Pavarësisht nga Rezultati”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Eksodi 5–6: Bërja e Vullnetit të Zotit, Pavarësisht nga Rezultati”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Eksodi 1–6: Mësimi 40
Eksodi 5–6
Bërja e Vullnetit të Zotit, Pavarësisht nga Rezultati
Pasi Zoti e thirri atë për të çliruar Izraelin nga robëria në Egjipt, Moisiu i kërkoi faraonit ta lejonte popullin e Zotit të shkonte. Faraoni refuzoi dhe përkundrazi e shtoi barrën e izraelitëve. Pavarësisht nga reagimi i faraonit, Moisiu vazhdoi ta ndiqte atë që Zoti i kërkoi të bënte. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë që premtimet e Zotit mund t’u japin shtysë që të bëjnë vullnetin e Tij, pavarësisht nga rezultatet e menjëhershme.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të vijnë në orën mësimore të përgatitur për të dhënë përgjigjet e tyre për pyetjen vijuese: A e bën ndjekja e Jezu Krishtit jetën tuaj më të lehtë apo më të vështirë?
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Të Ndjekësh Jezu Krishtin
Ftojini nxënësit të marrin parasysh se si do të përgjigjeshin nëse dikush do t’u bënte pyetjen vijuese.
-
A e bën ndjekja e Jezu Krishtit jetën tënde më të lehtë apo më të vështirë?
Për ta diskutuar këtë pyetje, mund të shkruani Më të lehtë dhe Më të vështirë si tituj në tabelë dhe të renditni arsyet e nxënësve për përgjigjen e tyre nën kreun e duhur. Merreni parasysh t’i vini disa nxënës t’i shpjegojnë përgjigjet e tyre.
Moisiu i kërkon faraonit t’i çlirojë izraelitët
Nëse dëshironi, mund të vini në dukje se tek Eksodi 5–7, Moisiu dhe izraelitët mund të kenë pyetur veten nëse ndjekja e Shpëtimtarit e bën jetën më të lehtë apo më të vështirë. Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë kontekstin e kapitujve tek Eksodi 5–7, merreni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës të tregojnë atë që mbajnë mend rreth Moisiut dhe fëmijëve të Izraelit nga Mësimi 39: “Eksodi 2–4”. Nëse është e nevojshme, ftojeni një nxënës që të lexojë përmbledhjen vijuese.
Fëmijët e Izraelit kishin qenë në robërinë e egjiptianëve për shumë breza. Zoti e dëgjoi thirrjen e popullit të Tij dhe thirri Moisiun të ndihmonte për t’i çliruar nga robëria (shih tek Eksodi 3:9–10).
Lexo tek Eksodi 5:1–2, duke kërkuar se çfarë i thanë Moisiu dhe Aaroni faraonit nga Zoti.
-
Cila ishte përgjigjja e faraonit?
Merreni parasysh të shkruani në tabelë përgjigjen e faraonit: “Kush është Zoti?” Mund t’i pyesni nxënësit se përse kjo pyetje është e rëndësishme për ne që t’i përgjigjemi për vete. Pjesa e radhës e mësimit do t’i referohet kësaj pyetjeje.
Në zemërimin e tij, faraoni e bëri jetën e izraelitëve më të vështirë, duke ua shtuar barrën e punës së përditshme (shih tek Eksodi 5:6–9). Izraelitët u ankuan te Moisiu dhe Aaroni për shtimin e barrëve të tyre (shih tek Eksodi 5:20–21).
-
Po të ishe Moisiu, si mund të ishe ndier?
Lexo tek Eksodi 5:22–23, duke menduar rreth asaj se si mund ta përmbledhësh atë që po i thotë Moisiu Zotit.
-
Në ç’mënyrë mund të gjejmë lidhje me Moisiun tek Eksodi 5:22–23?
Nxënësit mund të tregojnë se si ndihen kur nuk shohin bekime të menjëhershme pasi i binden Zotit. Vlerësojini përgjigjet dhe ndjenjat e tyre.
Paraqitni vetëvlerësimin vijues dhe ftojini nxënësit t’i përsiatin përgjigjet e tyre.
Plotësoje fjalinë në vijim në një mënyrë që i reflekton më mirë ndjenjat e tua. Mund të përzgjedhësh më shumë se një përgjigje:
Kur nuk shoh bekime të menjëhershme pasi i bindem Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit, unë ndihem …
Nëse nxënësit do të kishin dobi nga nxitjet për këtë vetëvlerësim, mund t’i shkruani për ta në tabelë disa prej fjalëve vijuese nga të cilat të zgjedhin: i acaruar, i pështjelluar, i zemëruar, i zhgënjyer, i vendosur, shpresëdhënës, vetbesues, plot paqe. Ata gjithashtu mund të shtojnë atë që mund të bëjnë në këtë situatë.
Ndërsa vazhdon të mësosh sot, kërko të vërteta rreth Jezu Krishtit që mund të të ndihmojnë ta ndjekësh Atë edhe kur është e vështirë dhe bekimet nuk janë të menjëhershme. Kushtoju vëmendje mbresave nga Fryma e Shenjtë që mund të të ndihmojnë në rrethanat e tua vetjake.
Premtimet e Zotit
Ndërsa nxënësit lexojnë fragmentet vijuese, merreni parasysh t’i ftoni ata t’i shenjojnë të gjitha thëniet në të cilat Zoti i referohet Vetes (thëniet që fillojnë me Unë, Unë jam, Unë do të dhe Unë kam). Shenjimi i shkrimeve të shenjta mund t’i ndihmojë nxënësit t’i vënë re dhe kujtojnë idetë dhe të vërtetat e rëndësishme që mësojnë.
Lexo tek Eksodi 6:1–8; 7:1–2, 5, duke kërkuar atë që i dha mësim Zoti Moisiut rreth Vetes së Tij.
Pasi nxënësit të kenë pasur kohë për të lexuar dhe shenjuar, ata mund ta diskutojnë pyetjen vijuese me një partner.
Pyetjet që i ndihmojnë nxënësit ta vlerësojnë atë që po mësojnë, mund ta ndihmojnë një mësues të përcaktojë se kur janë gati nxënësit për të ecur përpara në mësim. Një mënyrë për ta bërë këtë është të bëni pyetje për atë që kanë lexuar nxënësit në shkrimet e shenjta, si ajo më poshtë. Për trajnim shtesë mbi bërjen e pyetjeve që vlerësojnë të mësuarit, shihni pjesën “Always be ready to respond to spiritual promptings about the needs of the learners” [“Jini gjithnjë gati t’u përgjigjeni nxitjeve shpirtërore rreth nevojave të nxënësve”] te Teacher Development Skills [Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve].
-
Çfarë po mëson rreth Zotit nga premtimet e Tij për Moisiun?
Nxënësit mund t’i shkruajnë përgjigjet e tyre nën kreun “Kush është Zoti?” në tabelë. Përgjigjet e nxënësve mund të përfshijnë listën vijuese:
Ai është Perëndia i Plotfuqishëm (6:2–3).
Ai i kujton dhe i mban premtimet e Tij (6:3–5).
Ai premtoi t’i çlironte izraelitët nga robëria (6:6; 7:5), t’u jepte atyre vendin e Kanaanit (6:4, 8) dhe të ishte Perëndia i tyre (6:7)
Duke vazhduar të bësh vullnetin e Zotit
Kujto mënyrën se si u ndje Moisiu më parë. Lexo tek Eksodi 7:6 dhe shenjo atë që bënë Moisiu dhe Aaroni pasi mësuan nga Zoti dhe i dëgjuan premtimet e Tij.
-
Po të ishe Moisiu, cili prej premtimeve nga Zoti do të të kishte ndihmuar të ktheheshe te faraoni? Përse?
-
Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga përvoja e Moisiut?
Duke përdorur fjalët e tyre, nxënësit mund të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me vijuesen: Kur i besojmë Zotit dhe premtimeve të Tij, ne mund ta mirëbesojmë dhe ndjekim Atë edhe kur nuk shohim rezultate të menjëhershme.
Për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë se si mund të zbatohet kjo e vërtetë në situatat me të cilat mund të përballen, merreni parasysh të jepni thënien vijuese. Nxënësit e gatshëm mund t’ia lexojnë secilin paragraf klasës me zë të lartë.
Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha këshillë të rëndësishme për ne ndërsa presim bekimet e premtuara të Zotit:
“Disa i keqkuptojnë premtimet e Perëndisë, sikur ato nënkuptojnë se bindja ndaj Tij jep rezultate specifike sipas një programi të caktuar. Ata mund të mendojnë: ‘Nëse shërbej me zell në një mision me kohë të plotë, Perëndia do të më bekojë me një martesë të lumtur dhe me fëmijë’, ose ‘Nëse nuk i bëj detyrat e shkollës ditën e Shabatit, Perëndia do të më bekojë me nota të mira’, ose ‘Nëse paguaj të dhjetën, Perëndia do të më bekojë me atë punë që kam dëshiruar’. … Ne nuk duhet ta mendojmë planin e Perëndisë si një makinë shitëse kozmike ku ne 1) përzgjedhim një bekim të dëshiruar, 2) futim shumën e kërkuar të veprave të mira dhe 3) porosia dorëzohet menjëherë.
Perëndia njëmend do t’i nderojë besëlidhjet dhe premtimet e Tij ndaj secilit prej nesh. Nuk kemi përse shqetësohemi për këtë. Fuqia shëlbuese e Jezu Krishtit … siguron se Perëndia mundet dhe do t’i përmbushë premtimet e Tij. Është thelbësore që ne t’i nderojmë dhe t’u bindemi ligjeve të Tij, por jo çdo bekim që bazohet te bindja ndaj ligjit, formësohet, projektohet dhe i përcaktohet një kohë sipas pritshmërive tona. Ne bëjmë më të mirën tonë, por duhet t’ia lëmë Atij administrimin e bekimeve, si materiale edhe shpirtërore.” (“Marrëdhënia Jonë me Perëndinë”, Liahona, maj 2022, f. 78–79)
-
Çfarë të bëri përshtypje nga kjo thënie?
Kujtojuni nxënësve se një gjë që mësuam rreth Zotit është se Ai i mban mend dhe i mban premtimet e Tij (shihni tek Eksodi 6:3–5).
Shpjegoni se Zoti i përmbushi premtimet e Tij ndaj Moisiut (shihni tek Eksodi 20:2; Ligji i Përtërirë 7:6; 14:2; Jozueut 24:5–7, 13). Nëse keni kohë të mjaftueshme, mund t’i shkruani këto referenca në tabelë dhe t’i vini nxënësit të përkojnë përmbushjen me premtimin.
Ashtu siç Zoti i mësoi Moisiut më shumë rreth Vetes së Tij duke ia përsëritur premtimet e Tij, edhe ne mund ta njohim më mirë Zotin duke përcaktuar premtimet që na ka bërë Ai. Rishikimi i këtyre premtimeve mund të na ndihmojë t’i bindemi Atij, edhe nëse nuk marrim rezultate të menjëhershme.
Përcakto tre parime që të ka bërë Zoti në shkrimet e shenjta ose nga mësimet e kohëve të fundit nëpërmjet shërbëtorëve të Tij të zgjedhur. Mund të gjesh premtime te:
-
Fragmentet e zotërimit doktrinor ose shkrime të shenjta të tjera.
-
Materiali Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve.
-
Biseda të konferencave të përgjithshme të kohëve të fundit.
Pas një kohe të mjaftueshme, mund t’i ftoni nxënësit e gatshëm ta tregojnë atë që mësuan ose ndien ndërsa studiuan disa nga premtimet. Inkurajojini nxënësit të vazhdojnë të mirëbesojnë te Zoti pavarësisht nga rezultati i menjëhershëm.