2.
Perëndia dëshiron të komunikojë me ju
Rivendosja e ungjillit filloi kur një adoleshent i quajtur Jozef Smith u lut dhe Ati Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, iu përgjigjën atij. Perëndia vazhdon ta udhërrëfejë Kishën e Tij nëpërmjet profetëve të gjallë. Ai gjithashtu dëshiron t’ju flasë juve, fëmijës së Tij, nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Të mësuarit të dalloni se si Fryma e Shenjtë ju flet personalisht, është një nga zotësitë më me vlerë që mund të fitoni.
Të Vërtetat e Përjetshme
Shpirti ju çon drejt Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Ky është një rol i rëndësishëm i Frymës së Shenjtë. Ai gjithashtu do t’ju frymëzojë të pendoheni dhe ta ndiqni Jezu Krishtin që të mund të merrni bekimet e Shlyerjes së Tij. Kur pendoheni, Shpirti ju pastron dhe ju ndihmon të ndryshoni.
Fryma e Shenjtë i flet mendjes dhe zemrës suaj. Mesazhet nga Shpirti mund t’ju vijnë në mendje në shumë mënyra: nëpërmjet mendimeve të frymëzuara, paralajmërimeve, kuptueshmërisë së qartë dhe kujtimeve shpirtërore. Fryma e Shenjtë mund t’i flasë zemrës suaj nëpërmjet ndjenjave lartësuese moralisht, të tilla si ngushëllimi, vetëbesimi, paqja, dashuria, gëzimi, përulësia, mirënjohja dhe durimi.
Ftesat
“Merrni Frymën e Shenjtë.” Këto fjalë u thanë kur u konfirmuat anëtar/e i/e Kishës së Krishtit. Si e merrni Frymën e Shenjtë? Duke iu bindur mësimeve të Jezu Krishtit. Ai është forca juaj. Ndjekja e Tij e fton Frymën e Shenjtë në jetën tuaj.
Kërkojeni Atin tuaj Qiellor në lutje. Hapjani zemrën Atij. Falënderojeni Atë për bekimet e shumta dhe të mrekullueshme që ju ka dhënë. Tregojani Atij gëzimet, shqetësimet dhe pyetjet tuaja. Qëndroni të qetë dhe mbani vesh për përgjigjet e Tij, të cilat mund të vijnë si ndjenja paqeje, mendime në mendjen tuaj ose mbresa për të bërë diçka.
Dëgjojeni zërin e Perëndisë në shkrimet e shenjta. Shkrimet e shenjta janë fjalët e Perëndisë për ju! Mësoni prej tyre çdo ditë për të zbuluar zërin e Tij dhe për të ndier dashurinë e Tij. Teksa lexoni, përsiateni atë që Ai mund të jetë duke jua mësuar dhe shkruajini mbresat që vijnë. Bëjeni zakon të përditshëm që të studioni shkrimet e shenjta, veçanërisht Librin e Mormonit, gjatë gjithë jetës suaj.
Veproni sipas mbresave shpirtërore që merrni. Nëse keni një mendim ose mbresë për të bërë diçka të mirë që do ta bekojë dikë, bëjeni atë! Të gjitha gjërat e mira vijnë nga Perëndia. Tregojini Atit tuaj Qiellor se Ai mund të ketë mirëbesim se ju do të ndiqni mbresat prej Tij.
Bekimet e Premtuara
Fryma e Shenjtë do t’ju ngushëllojë dhe udhërrëfejë. Ai njihet si Ngushëlluesi. Ai do t’ju përkrahë në kohë sprove. Ai do t’ju ndihmojë të dini se çfarë të thoni ose të bëni. Me ndikimin e Tij, mund të dalloni ndryshimin ndërmjet asaj që është e vërtetë dhe asaj që është e rreme. Ai mund t’ju ndihmojë të gjeni mirësinë tek të tjerët dhe tek vetja. Shpirti gjithashtu mund t’ju paralajmërojë për rrezikun. Ai do t’ju udhërrëfejë drejt Jezu Krishtit dhe larg nga mëkati.
Ju mund të merrni dhurata shpirtërore. Ka shumë dhurata që Perëndia ua jep fëmijëve të Tij nëpërmjet Shpirtit të Tij. Disa dhurata të përmendura në shkrimet e shenjta përfshijnë zbulesën, të besuarit te Jezu Krishti, mësimdhënien, dallimin dhe urtësinë. Lutuni për t’i kërkuar Atit Qiellor rreth dhuratave shpirtërore që Ai jua ka dhënë, se si mund t’i zhvilloni ato dhe se si Ai dëshiron që t’i përdorni ato për të bekuar të tjerët.
Pyetje dhe Përgjigje
Përse njerëzit e tjerë kanë përvoja më të mëdha shpirtërore sesa kam unë? Jo të gjitha përvojat shpirtërore janë të mrekullueshme ose dramatike. Shumicën e kohës, Perëndia na flet nëpërmjet mendimeve në mendjet tona ose ndjenjave të buta në zemrat tona. Këto janë pëshpëritjet e qeta të zërit të ulët e të vogël. Mund të jeni duke e ndier Shpirtin dhe të mos e dalloni atë ende. Vazhdoni të luteni. Vazhdoni ta studioni fjalën e Perëndisë. Me kalimin e kohës dhe me praktikë, do të mësoni ta dalloni Shpirtin në një larmi mënyrash.
Shihni te 1 Mbretërve 19:11–12 (Perëndia flet me një zë të qetë e të vogël); Gjoni 15:26 (Shpirti dëshmon për Krishtin); Moroni 10:3–5 (dijeni të vërtetën me anë të Shpirtit); Doktrina e Besëlidhje 11:12–13 (Shpirti udhëheq për të bërë mirë); 45:57 (merreni Shpirtin si udhëzuesin tuaj); 46:8–26 (dhuratat shpirtërore).
Pyetja për Rekomandimin e Tempullit
-
A keni besim dhe një dëshmi për Perëndinë, Atin e Përjetshëm; Birin e Tij, Jezu Krishtin; dhe Frymën e Shenjtë?