“Hyrja”, Programi EnglishConnect 3 – Fletore Pune me Zë (2024)
“Hyrja”, EnglishConnect 3 – Fletore Pune me Zë
Hyrja
Si të Përdoret Kjo Fletore Pune
Qëllimi i kësaj fletoreje pune është t’ju ndihmojë të zhvilloni aftësitë tuaja të anglishtes dhe të rritni besimin tuaj nëpërmjet veprimtarive dhe historive. Kjo fletore pune përmban dy pjesë: “Personal and Partner Language Study” dhe “Proficiency Practice”. Ju duhet të shpenzoni kohë duke punuar me të dyja pjesët çdo javë. Më poshtë është një përshkrim i secilës pjesë.
Personal and Partner Language Study
Personal and Partner Language Study
Pjesa “Personal and Partner Language Study” ju jep veprimtaritë për ta ushtruar anglishten tuaj me njerëz të tjerë. Kjo pjesë ndahet në 13 mësime, çdonjëri prej të cilëve ka dy nënpjesë. Nënpjesa e parë është “Personal Language Study” që ju përgatit për nënpjesën e dytë “Practice Partner Language Study”. Sigurohuni që t’i kryeni këto veprimtari sipas radhës që janë dhënë.
Se me sa shpejtësi i zhvilloni këto mësime varet nga ju dhe partnerët tuaj të studimit. Për shembull, ju mund të zgjidhni që të përfundoni një mësim në javë, ose mund ta bëni një mësim për dy javë, duke e zgjatur në këtë mënyrë kohën e studimit.
Në fund të secilit mësim përfshihet një mundësi për të reflektuar lidhur me të mësuarit e gjuhës nga ana juaj. Më poshtë janë disa ide që mund t’i merrni parasysh për t’i përdorur për reflektimin tuaj:
-
Lutuni dhe dëgjoni. Ati Qiellor mezi pret që t’ju ndihmojë të mësoni. Kërkojini Atij që t’ju tregojë se çfarë keni nevojë të bëni dhe Ai do t’ju jap mendime dhe ide.
-
Krijoni lista të asaj që po shkon mirë dhe asaj që nuk po shkon mirë. Bëni plane se si mund të përmirësoheni.
-
Shkruani në ditarin tuaj rreth të gjitha gjërave që bëtë gjatë studimit nga ana juaj të gjuhës. Vlerësojeni efektshmërinë e çdo gjëje.
-
Jini krijues/e. Vizatoni një figurë ose shkruani një poezi apo tregim të shkurtër që përshkruan mënyrën se si ndiheni rreth të mësuarit tuaj ose mënyrës se si mund të përmirësoheni.
Proficiency Practice
Proficiency Practice
Pjesa “Proficiency Practice” në këtë fletore pune ju jep mundësi që të përmirësoni leximin, të shkruarit, dëgjimin dhe të folurit tuaj. Ju duhet të shpenzoni kohë duke lexuar, shkruar, dëgjuar dhe folur çdo javë, edhe nëse ndonjëra prej tyre kërkon më shumë përpjekje sesa tjetra. Nëse e shihni se jeni më përpara me pyetjet e leximit, atëherë shpenzoni më shumë kohë duke punuar me pyetjet e të shkruarit derisa të jeni pak a shumë në të njëjtë pikë me secilën. Kjo do t’ju ndihmojë që të ruani një baraspeshim midis aftësive tuaja të leximit, të shkruarit, dëgjimit dhe të folurit.
Pjesët e leximit si dhe të shkruarit kanë katër nivele. Brenda secilit nivel janë katër funksione (ose grupe) pyetjesh: “Ask/Answer”, “Describe”, “Narrate” dhe “Negotiate”.
Duhet të punoni me pyetjet në secilin funksion derisa të ndieni se e keni zotëruar funksionin në atë nivel. Kur filloni t’u përgjigjeni saktë gati të gjitha pyetjeve në një funksion, mund të përqendroheni te funksione të tjera. Kur u përgjigjeni saktë të gjitha pyetjeve në të katër funksionet, ju mund të shkoni në nivelin tjetër.
Nuk është e nevojshme që t’i anashkaloni nivelet. Nëse parapëlqeni kështu, ju mund ta nisni në fillimin e nivelit 1 dhe të punoni me të gjitha pyetjet sipas radhës. Më e rëndësishme sesa përpjekja për të gjetur pyetje që ju sfidojnë, është që të shpenzoni kohë duke u ushtruar.
Answers
Përgjigjet
Pjesa e fundit e kësaj fletoreje pune përmban përgjigjet për pyetjet e leximit dhe të të kuptuarit për secilin mësim. Do të mësoni më mirë në qoftë se përpiqeni t’i jepni përgjigje secilës pyetje përpara se të shikoni zgjidhjen e dhënë.
Kjo pjesë gjithashtu jep paragrafë me shembuj për çdo nxitje “Write”. Shembujt mund t’ju ndihmojnë që të merrni parasysh mënyra për ta përmirësuar të shkruarit tuaj ose për të dhënë përshtypje lidhur me të shkruarit e ushtrimit nga partneri juaj. Do të mësoni më mirë nëse fillimisht i shkruani vetë paragrafët tuaj dhe pastaj i lexoni shembujt më vonë.
Përmbledhje
Ndiqini këshillat vijuese për ta bërë më të efektshëm studimin tuaj:
-
Shpenzoni kohë çdo javë duke punuar me pjesët “Personal and Partner Language Study” dhe “Proficiency Practice”.
-
Në pjesën “Proficiency Practice” sigurohuni që t’u përgjigjeni saktë të gjitha pyetjeve në të katra funksionet “Ask/Answer”, “Describe”, “Narrate” dhe “Negotiate” përpara se të kaloni në nivelin e radhës.
-
Në pjesën “Proficiency Practice” ndajeni kohën tuaj midis pjesëve të leximit, të shkruarit, dëgjimit dhe të folurit çdo javë, por shpenzoni më shumë kohë me aftësinë që keni nevojë ta përmirësoni më shumë. Për shembull, nëse hasni vështirësi më shumë me të shkruarit e anglishtes sesa leximin, ushtroni më shumë pjesën e të shkruarit.