“6–12 Shkurt. Gjoni 2–4: ‘Duhet të Lindni Përsëri’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2023 (2022)
“6–12 Shkurt. Gjoni 2–4”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2023
6–12 Shkurt
Gjoni 2–4
“Duhet të Lindni Përsëri”
Leximi i kapitujve te Gjoni 2–4 është një mënyrë e mirë për ta filluar përgatitjen për të dhënë mësim. Mbajeni shënim çfarëdo mbrese shpirtërore që merrni dhe përdoreni këtë përvijim të mësimit për të gjetur këndvështrime dhe ide shtesë për mësimdhënien.
Ftojini të Tregojnë
Shkruani tri tituj në tabelë: Gjoni 2 , Gjoni 3 dhe Gjoni 4 . Anëtarët e klasës mund të marrin disa minuta kohë që t’i shqyrtojnë këta kapituj dhe pastaj të shkruajnë nën secilin titull një varg që i ka ndihmuar ta kuptojnë doktrinën dhe ngjarjet në atë kapitull. Diskutoni për vargjet që shkruan.
Jepeni Mësim Doktrinën
Gjoni 2:1–11
Mrekullitë e Jezu Krishtit “shfaq[ën] lavdinë e tij”.
-
Përvijimi i mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet sugjeron që Gjoni 2:1–11 të lexohet nga këndvështrimi i dikujt që ishte i pranishëm kur Jezusi e ktheu ujin në verë. Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë ide që morën teksa e bënë këtë. Çfarë mësojmë për Shpëtimtarin nga këto vargje? Si e manifestoi kjo mrekulli lavdinë e Perëndisë? (Shih vargun 11.)
Gjoni 2:13–22
Ne mund t’i mbrojmë vendet dhe gjërat e shenjta.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të mësojnë nga rrëfimi i Jezusit që i dëbon këmbyesit e monedhave jashtë tempullit, ju mund t’u kërkoni atyre të mendojnë për gjëra të tjera, përveç tempujve, që Zoti i konsideron të shenjta. Si mund të ndihmojmë për ta ruajtur shenjtërinë e këtyre gjërave të shenjta?
Gjoni 3:1–21
Ne duhet të lindim përsëri që të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë.
-
Si mund t’ia shpjegojmë dikujt çfarë do të thotë të lindësh përsëri? Merrni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës që ta praktikojnë me personin ulur pranë tyre se si do t’i përgjigjeshin kësaj pyetjeje. Ndërsa e bëjnë atë, ata mund të diskutojnë pyetje si këto: Çfarë mësojmë nga fjalët e Jezusit te Gjoni 3:3–7? Si na ndihmon pendimi, pagëzimi dhe konfirmimi që të lindim përsëri? Thëniet te pjesa “Burime Shtesë” mund t’i shtojnë ide këtij diskutimi.
-
Disa njerëz besojnë se një njeri në të vërtetë nuk mund të ndryshojë. Sidoqoftë, Nikodemi, është një shembull i dikujt që vërtet ndryshoi si rrjedhojë e ndjekjes së ungjillit të Jezu Krishtit. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që ta kuptojnë këtë, ju mund t’i ftoni të shqyrtojnë vargjet te Gjoni 3:1–2; Gjoni 7:45–52 dhe Gjoni 19:38–40. Çfarë mësojmë nga këto fragmente rreth qëndrimeve dhe bindjeve të Nikodemit? Si ndryshoi ai me kalimin e kohës? Çfarë shembujsh të njerëzve mund të tregojmë, të cilët kanë ndryshuar për shkak të ungjillit?
Gjoni 4:5–34
Jezu Krishti na ofron “ujë të gjallë” dhe “ushqim” po të bëjmë punën e Perëndisë.
-
Trupat tanë kanë nevojë për ushqim dhe ujë çdo ditë. Jezusi iu referua këtyre nevojave universale kur i dha mësim edhe gruas samaritane, edhe dishepujve të Tij (shih Gjoni 4:5–34). Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës ta kuptojnë atë çfarë po jepte mësim Shpëtimtari, ju mund të vini në tabelë figura ushqimesh dhe të ujit dhe t’i ftoni anëtarët e klasës të shkruajnë nën secilën figurë të vërtetat rreth ushqimit dhe ujit shpirtëror që dha mësim Jezusi. Si na e shuan Shpëtimtari urinë tonë shpirtërore dhe etjen tonë shpirtërore?
Jezu Krishti na ofron ujin e gjallë.
-
Reflektimi mbi përparimin e dëshmisë së gruas samaritane për Jezu Krishtin, mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës suaj që të përsiatin mënyrën se si kanë arritur ta dinë se Ai është Mesia. Si klasë, kërkoni termat që përdori gruaja samaritane për t’iu referuar Shpëtimtarit te Gjoni 4:6–30. Çfarë lënë të kuptojnë këto terma rreth dijenisë së saj për atë se kush ishte Jezusi? Si jemi rritur ne në dëshminë tonë se Ai është Shpëtimtari ynë?
Burime Shtesë
Çfarë do të thotë të lindesh përsëri?
Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim: “Kthimi në besim … është i fuqishëm, jo i pakët – një rilindje shpirtërore dhe ndryshim themelor i asaj që ndiejmë dhe dëshirojmë, i asaj që mendojmë dhe bëjmë si dhe i asaj që jemi. Në të vërtetë, thelbi i ungjillit të Jezu Krishtit shkakton një ndryshim themelor e të përhershëm në vetë natyrën tonë, i mundësuar nga mbështetja mbi ‘merita[t] dhe mëshirë[n] dhe hiri[n e] Mesias së Shenjtë’ (2 Nefi 2:8). Kur zgjedhim që t’i shkojmë pas Mësuesit, zgjedhim të ndryshojmë – të rilindim shpirtërisht” (“Ye Must Be Born Again”, Liahona, maj 2007, f. 20; [“Duhet të Lindni Sërish”, Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 20]).
Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim: “Ne u lindëm përsëri kur hymë në një marrëdhënie besëlidhjeje me Shpëtimtarin tonë duke u lindur nga uji dhe nga Shpirti dhe duke marrë mbi vete emrin e Jezu Krishtit. Ne mund ta ripërtërijmë atë rilindje çdo ditë Shabati kur marrim sakramentin. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme pohojnë se ata që kanë lindur përsëri në këtë mënyrë, janë bij dhe bija të lindura shpirtërisht të Jezu Krishtit (shih Mosia 5:7; 15:9–13; 27:25). Megjithatë, me qëllim që t’i marrim bekimet e synuara të kësaj gjendjeje të të lindurit përsëri, ne prapëseprapë duhet t’i mbajmë besëlidhjet tona dhe të durojmë deri në fund” (“Have You Been Saved?”, Ensign, maj 1998, f. 56).
Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë
Mësuesi nuk është më i mirë se nxënësi. Roli juaj si mësues është i rëndësishëm, por ju nuk jeni burimi i vetëm i frymëzimit në orën mësimore. Ndihmojini anëtarët e klasës të mësojnë nga Shpirti dhe t’ia tregojnë njëri-tjetrit atë çfarë mësojnë.