Eja, Më Ndiq
Ide për ta Përmirësuar të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë


“Ide për ta Përmirësuar të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)

familje duke studiuar së bashku

Ide për ta Përmirësuar të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Teksa e studioni ungjillin e Shpëtimtarit në shtëpi dhe në kishë, merrini parasysh pyetjet vijuese:

  • Si mund ta ftoni Shpirtin në studimin tuaj?

  • Si mund të përqendroheni te Shpëtimtari gjatë studimit tuaj?

  • Si mund të përfitoni nga çastet e përditshme të të mësuarit?

  • Si mund t’i nxitni pjesëtarët e familjes dhe anëtarët e klasës t’i studiojnë shkrimet e shenjta në mënyrë të pavarur dhe të tregojnë se çfarë po mësojnë?

Ja tek janë disa mënyra të thjeshta për ta përmirësuar studimin tuaj të fjalës së Perëndisë.

Lutuni për frymëzim

Shkrimet e shenjta janë fjala e Perëndisë, ndaj kërkojini ndihmë Atij për t’i kuptuar ato.

Kërkoni të vërteta rreth Jezu Krishtit

Të gjitha gjërat dëshmojnë për Krishtin (shihni te 2 Nefi 11:4; Moisiu 6:63), kështu që merrni parasysh që t’i shënoni ose shenjoni vargjet që dëshmojnë për Shpëtimtarin, që e thellojnë dashurinë tuaj për Të dhe ju mësojnë mënyrën si ta ndiqni Atë. Nganjëherë të vërtetat rreth Shpëtimtarit dhe ungjillit të Tij shprehen drejtpërsëdrejti dhe nganjëherë ato nënkuptohen nëpërmjet një shembulli apo historie. Pyeteni veten: “Çfarë të vërtetash të përjetshme jepen mësim në këto vargje? Çfarë më mësojnë këto vargje rreth Shpëtimtarit?”

Dëgjojeni Shpirtin

Kushtojuni vëmendje mendimeve dhe ndjenjave tuaja, edhe po të mos kenë lidhje me atë që po lexoni. Ato mbresa mund të jenë ato që Ati juaj Qiellor dëshiron që ju t’i mësoni.

Shënojini mbresat tuaja

Ka shumë mënyra se si t’i shënoni mbresat që ju vijnë teksa studioni. Për shembull, ju mund të zbuloni se fjalë dhe fraza të caktuara në shkrimet e shenjta ju bëjnë përshtypje; mund t’i shënoni ato dhe t’i shkruani mendimet tuaja si shënim në shkrimet tuaja të shenjta. Gjithashtu mund të mbani një ditar me idetë, ndjenjat dhe mbresat që merrni.

e re duke studiuar

Tregojuani të tjerëve atë që po mësoni

Diskutimi rreth ideve që dalin nga studimi juaj vetjak, është një mënyrë e mirë për t’u dhënë mësim të tjerëve dhe gjithashtu ndihmon që të forcohet kuptueshmëria juaj për atë që keni lexuar. Tregojuani atë po mësoni pjesëtarëve të familjes dhe miqve (nga afër ose në rrugë digjitale) dhe ftojini ata të bëjnë të njëjtën gjë.

Lidhini shkrimet e shenjta me jetën tuaj

Merreni parasysh mënyrën se si tregimet dhe mësimet që po lexoni, gjejnë zbatim në jetën tuaj. Për shembull, mund ta pyetni veten: “Çfarë përvojash kam pasur që janë të ngjashme me atë që po lexoj?”

Bëni pyetje ndërsa studioni

Ndërsa i studioni shkrimet e shenjta, mund t’ju lindin pyetje në mendje. Këto pyetje mund të kenë lidhje me atë që po lexoni ose me jetën tuaj në përgjithësi. Përsiatini këto pyetje dhe kërkoni përgjigje ndërkohë që vazhdoni t’i studioni shkrimet e shenjta.

i ri duke studiuar

Përdorini ndihmat për studimin e shkrimeve të shenjta

Për të marrë ide shtesë për vargjet që lexoni, përdorni materialin Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta dhe ndihma të tjera për studimin.

Merreni parasysh kontekstin e shkrimeve të shenjta

Mund të gjeni ide kuptimplota rreth një fragmenti të shkrimit të shenjtë teksa shqyrtoni kontekstin e tij, përfshirë rrethanat ose mjedisin nga doli në dritë. Për shembull, njohja e sfondit historik dhe e bindjeve fetare të njerëzve, të cilëve u foli Perëndia, mund t’ju ndihmojnë të kuptoni më mirë qëllimin e fjalëve të Tij.

Studiojini fjalët e profetëve dhe të apostujve të ditëve të mëvonshme

Lexojeni atë që kanë dhënë mësim profetët dhe apostujt e ditëve të mëvonshme rreth parimeve që i gjeni në shkrimet e shenjta.

nënë e bir duke studiuar së bashku

Jetoni sipas asaj që mësoni

Studimi i shkrimeve të shenjta jo vetëm që duhet të na frymëzojë, por edhe duhet të na drejtojë që ta ndryshojmë mënyrën se si jetojmë. Dëgjojeni atë që Shpirti ju nxit të bëni ndërsa lexoni, dhe më pas veproni sipas këtyre nxitjeve.

Përdoreni muzikën

Himne dhe këngë të fëmijëve që sugjerohen, gjenden në të gjithë materialin Eja, Më Ndiq. Përdoreni muzikën e shenjtë për të ftuar Shpirtin dhe për ta thelluar besimin dhe dëshminë tuaj për të vërtetat e ungjillit.

familje duke kënduar së bashku

Mësoni përmendsh shkrime të shenjta

Përzgjidhni një fragment të shkrimit të shenjtë që është kuptimplotë për ju, familjen tuaj ose klasën tuaj dhe mësojeni përmendsh duke e përsëritur çdo ditë ose duke luajtur një lojë që ndihmon për ta mësuar përmendsh.

Jepni mësime me sende

Gjeni sende që lidhen me kapitujt dhe vargjet që po lexoni. Merreni parasysh se si lidhet secili send me mësimet në shkrimet e shenjta.

Vizatoni, gjeni ose bëni një fotografi

Lexoni disa vargje dhe më pas vizatoni diçka që lidhet me atë që lexuat. Ose mund të kërkoni një figurë te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit apo diku në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Mund edhe të bëni një fotografi që e ilustron atë që mësuat.

Bëni dramatizimin e një ndodhie

Pas leximit të një ndodhie, ftojini pjesëtarët e familjes ose anëtarët e klasës që ta aktrojnë atë. Pastaj, flisni rreth mënyrës se si lidhet ndodhia me gjërat që po përjetoni.

Jini të aftë të përshtateni në shtëpi

Nëse keni pjesëtarë të familjes që nuk janë të gatshëm të marrin pjesë në studimin familjar të shkrimeve të shenjta, kërkoni mënyra të tjera se si të lidheni me ta. Për shembull, a mund të tregoni të vërteta të përjetshme natyrshëm në bashkëbisedimet tuaja ose të tregoni një shkrim të shenjtë kuptimplotë në një mënyrë që nuk duket si predikuese apo imponuese? Studimi i shkrimeve të shenjta nuk ka përse të jetë njësoj në çdo familje. Disa fëmijë mund të përgjigjen më mirë ndaj studimit të shkrimeve të shenjta tek për tek. Jini plot lutje dhe ndiqini nxitjet e Shpirtit.

Mbledhjet e këshillit të mësuesve për prindërit. Nëse do të doni ndihmë shtesë në përpjekjet tuaja për t’u dhënë mësim fëmijëve tuaj, zbuloni a po zhvillon lagjja juaj mbledhje të këshillit të mësuesve për prindërit (shihni te General Handbook [Manuali i Përgjithshëm], 17.5). Këto mbledhje janë një mundësi që prindërit të këshillohen e të mësojnë së bashku rreth mënyrës se si ta përmirësojnë mësimdhënien e tyre. Ata mund të diskutojnë parimet te Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, idetë në këto faqe për përmirësimin e studimit të shkrimeve të shenjta si familje dhe sugjerimet për të mësuarit dhe mësimdhënien që gjenden në të gjithë materialin Eja, Më Ndiq.