“Plani i Perëndisë për një Familje të Përjetshme”, Liahona, dhjetor 2025.
Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Liahona, Dhjetor 2025
Plani i Perëndisë për një Familje të Përjetshme
Familjet të cilat e përqafojnë planin e Perëndisë, duan siç deshi Shpëtimtari dhe i nderojnë besëlidhjet e tyre, një ditë do të trashëgojnë “bekimet e jetës së përjetshme dhe një plotësi të gëzimit”.
Afër fundit të misionit tim kohëplotë, u gëzova kur mora dhurimin dhe u vulosa me prindërit e mi në Tempullin e San‑Paolos në Brazil.
Prindërit e mi, Aparesidosi dhe Mersedisi, ishin me prejardhje të ndryshme fetare, por përvojat e tyre të jetës i përgatitën që ta pranonin ungjillin e rivendosur.
Im atë qe rritur në një familje të mirë, por jo fetare. Megjithatë, kur ishte në moshë të re, ai qe i interesuar për fenë. Ai lexonte Biblën, frekuentonte orë mësimore për Biblën dhe studionte jetën e Jezu Krishtit. Studimet e tij e bënë të kishte mjaft interes si për ungjillin e Shpëtimtarit, edhe për familjen, duke e bërë të kishte një dëshirë për t’u martuar me dikë me po të njëjtën mendje.
Ndryshe nga im atë, ime më vinte nga një familje shumë fetare. Ata i përqafuan parimet e ungjillit, frekuentonin shërbesat në kishë dhe e ushtronin me besnikëri fenë e tyre. Duke u rritur në atë mjedis, ime më u bë ai lloj personi që nuk mungonte kurrë në një mbledhje të kishës.
Kështu, pasi prindërit e mi u martuan dhe tre vëllezërit e mi dhe unë erdhëm në jetë, ata bënë më të mirën për të na rritur sipas dritës së njohurisë së tyre për parimet e ungjillit. Një ditë, tetoja ime, që ishte anëtare jo aktive e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, i tha tim eti: “Ke katër djem, i dashur. Nëse do vërtet të rritësh një familje të përqendruar te Krishti dhe ta keni Perëndinë në familjen tuaj, duhet të vini te kisha ime.”
Im atë e dëgjoi atë që tha ajo, por nuk ndërmori ndonjë veprim deri në ditën kur misionarët kohëplotë predikuan derë më derë në lagjen tonë të banimit, na trokitën në derë dhe filluan të na mësonin. Ai shpejt e kuptoi se ata përfaqësonin kishën të cilën tetoja ime e kishte nxitur që ta merrte parasysh si një kërkues.
Drita dhe e Vërteta
Një nga gjërat që u ngjalli fillimisht interes prindërve të mi tek ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit, është rëndësia që Kisha vë te familja dhe mësimdhënia se “[s]humica e veprës së [Perëndisë për] shpëtimi[n] dhe … ekzaltimi[n] përmbushet nëpërmjet familjes”. Përpara se të pagëzoheshin, prindërve të mi u lanë aq shumë mbresë ato që po mësonin, saqë i ftuan fqinjët t’u bashkoheshin për mësimet me misionarët.
Një nga gjërat që u ngjalli fillimisht interes prindërve të mi tek ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit, është rëndësia që Kisha vë te familja.
Teksa u takuan me misionarët dhe vazhduan ta studionin ungjillin pas pagëzimit të tyre, prindërit e mi mësuan mënyra se si “t’i rrisni[n] fëmijët [e tyre] në dritë e të vërtetë” dhe se si “t[a] vendos[nin] në rregull shtëpinë” e tyre në aspektin shpirtëror (Doktrina e Besëlidhje 93:40, 43).
Ata mësuan që “familja është thelbësore në planin e Krijuesit për destinacionin e përjetshëm të fëmijëve të Tij” dhe se “lumturia në jetën familjare ka më shumë të ngjarë të arrihet më mirë kur bazohet te mësimet e Zotit Jezu Krisht”.
Ata mësuan që “martesat dhe familjet e suksesshme ngrihen dhe ruhen mbi parimet e besimit, lutjes, pendimit, faljes, respektit, dashurisë, dhembshurisë, punës dhe aktiviteteve të shëndosha argëtuese”.
Ata mësuan që familjet mund të jenë të përjetshme dhe se “po ai shoqërim që ekziston mes nesh këtu, do të ekzistojë mes nesh atje, veçse do të jetë me lavdi të përjetshme” (Doktrina e Besëlidhje 130:2).
Dhe ata mësuan që “qëllimi përfundimtar i çdo mësimdhënieje, i çdo veprimtarie në Kishë është që prindërit dhe fëmijët e tyre të jenë të lumtur në shtëpi, të vulosur në një martesë të përjetshme dhe të lidhur me brezat e tyre”.
Duke pasur atë njohuri, ata dëshironin të vuloseshin si një familje e përjetshme.
Me Vështrimin nga Përjetësia
Pasi prindërit e mi u pagëzuan, ata e ushtruan atë që po mësonin, duke u zhvendosur prej botës për në mbretërinë e ungjillit. Ata punuan për ta bashkuar familjen tonë duke bërë mbrëmje të shtëpisë dhe studim familjar të shkrimeve të shenjta, duke i frekuentuar me besnikëri mbledhjet e Kishës dhe duke bërë punë për historinë familjare. Me këto përpjekje për bashkim, ata shpresonin të krijonin një familje të përqendruar te plani i shpëtimit me vështrimin nga përjetësia.
Në 1965‑n, vitin në të cilin u pagëzuan prindërit e mi, tempulli më i afërt për San‑Paolon në Brazil, qe në Mesa të Arizonës, thuajse 9650 kilometra larg. Udhëtimi qe tepër i kushtueshëm për familjen tonë, kështu që prindërve të mi iu desh të prisnin deri në përkushtimin e Tempullit të San‑Paolos në Brazil, në vitin 1978, që të mund të merrnin ordinancat e tyre të tempullit dhe të vuloseshin. Asokohe, unë po shërbeja në një mision në Rio‑de‑Zhaneiro.
Afro dy muaj përpara se ta përfundoja misionin tim në shkurt 1980, presidenti im i misionit na lejoi mua dhe shokun tim të misionit të udhëtonim brenda një nate me anëtarët e kunjit nga Rio‑de‑Zhaneiro për në tempullin e San‑Paolos, në mënyrë që të mund të merrja dhurimin dhe të vulosesha me prindërit e mi. Sikurse prindërit e mi, kisha pritur me vite për bekimet e premtuara të ordinancave dhe besëlidhjeve të tempullit.
Ajo përvojë ma ndryshoi këndvështrimin për të ardhmen dhe më dha një vështrim të parë, të shpejtë të vërtetësisë së fjalëve të Presidentit Rasëll M. Nelson, të kohëve të fundit: “Koha në tempull do t’ju ndihmojë të mendoni çelestialisht dhe të rrokni një këndvështrim të asaj se kush jeni vërtet, kush mund të bëheni dhe të llojit të jetës që mund të keni përgjithmonë”.
Koha ime e shkurtër në tempull në atë rast ndikoi thellësisht te pjesa e mbetur e shërbimit tim misionar. Me atë këndvështrim të ri, dëshmimi për tempullin dhe rëndësinë e planit të Perëndisë për familjet pati gjithashtu një ndikim afatgjatë në jetën time.
Kur ime shoqe, Rozana, dhe unë u martuam dy vjet pas misionit tim, ne u vulosëm në tempull me objektivin për të rritur familjen tonë të përjetshme. Për ta bërë këtë, ne punuam së bashku për të krijuar tradita familjare si ato që na kishin mësuar prindërit, të gjitha të përqendruara te Shpëtimtari, mësimet e Tij dhe mësimet e profetëve të Tij të kohëve të sotme.
Sot, fëmijët tanë po i rritin fëmijët e tyre me të njëjtat parime të ungjillit për lumturinë. Për ne, familja është gjithçka pasi ne e kuptojmë rolin qendror të familjes në planin e Perëndisë.
Si Autoritet i Përgjithshëm, pata bekimin të vulosja tri fëmijët e mi me bashkëshortët/et e tyre në tempull. Të shihje sytë e tyre në çastin kur u gjunjëzuan tek altari në tempull, qe një përvojë e bukur. Mund t’i shihja pasardhësit/et e mi/a të bekoheshin nga të njëjtat parime të ungjillit që më kishin mësuar prindërit e mi dhe që unë e Rozana ua kishim mësuar atyre. Mund t’i shihja ato bekime të vijonin te brezat e ardhshëm. Gjithashtu, m’u kujtua se cili e bën gjithçka të mundur.
Një Kujtues për Krishtlindjen
Familja është thelbësore në planin e Perëndisë për lumturinë, por pa Shpëtimtarin, Jezu Krishtin, ai plan nuk do të qe i mundur. Shlyerja e Tij dhe ordinancat e besëlidhjet që gjenden në ungjillin e Tij, e bëjnë të mundur premtimin për ekzaltimin.
Presidenti Nelson ka shpallur: “Ekzaltimi është një çështje familjare. Vetëm nëpërmjet ordinancave shpëtuese të ungjillit të Jezu Krishtit mund të ekzaltohen familjet. Përfundimi më i lartë për të cilin përpiqemi fort, është që ne të bëhemi të lumtur si familje – ta kemi marrë dhurimin [indaumentin], të jemi vulosur dhe të jemi të përgatitur për jetën e përjetshme në praninë e Perëndisë.”
Kur vizitoj vende që nuk i kam parë ndonjëherë, përpiqem të gjej një komplet të vogël të skenës së Lindjes së Krishtit i cili mua dhe Rozanës na kujton Shpëtimtarin. Jam duke krijuar goxha koleksion.
Teksa po përsiatnim për ato skena të përulura të Lindjes së Krishtit, ime shoqe dhe unë një herë menduam: “Çfarë ka me të vërtetë më shumë rëndësi në jetën tonë?” Përgjigjja, natyrisht, është Shpëtimtari, ungjilli i Tij dhe familja jonë. Për të na kujtuar për dashurinë e Atit tonë Qiellor për ne dhe se është nëpërmjet Shpëtimtarit që premtimi për familje të përjetshme bëhet i mundur, disa vjet më parë, përpara Krishtlindjes, ne i vendosëm të gjitha kompletet tona të skenës së Lindjes të Krishtit në dy rafte të mëdha në shtëpinë tonë dhe i lamë të ekspozuara në vend që t’i hiqnim pas festave të Krishtlindjes. Kjo traditë na ndihmon ta kemi shpirtin e Krishtlindjes në shtëpinë tonë gjatë gjithë vitit.
Çdo ditë, tek hedhim vështrim tek ato skena të Lindjes së Krishtit, ato butësisht na kujtojnë rolin qendror të Shpëtimtarit në jetën tonë. Ato na kujtojnë që paqja në tokë tani (shihni te Lluka 2:14) dhe lumturia e përjetshme në botën tjetër, varen nga Shpëtimtari dhe nderimi i besëlidhjeve që kemi bërë me Të. Ato gjithashtu na kujtojnë “se ai erdhi në botë, madje Jezusi, që të kryqëzohej për botën dhe të merrte mëkatet e botës, dhe ta shenjtëronte botën, dhe ta pastronte atë nga gjithë padrejtësia;
Se nëpërmjet tij të gjithë mund të shpëtohen, të cilët Ati i kishte vënë nën fuqinë e tij dhe i kishte bërë prej atij” (Doktrina e Besëlidhje 76:41–42).
Ashtu sikurse ne i mësuam këto të vërteta prej prindërve tanë, unë dhe Rozana kemi punuar që t’ua përcjellim ato fëmijëve tanë. Tani, fëmijët tanë po ua mësojnë po këto të vërteta fëmijëve të tyre. Farat e mbjella në zemrën e prindërve të mi, 60 vjet më parë, në shtëpinë tonë të vogël në Brazil, kanë lulëzuar e dhënë fryt “që është shumë i çmueshëm, që është më i ëmbël mbi çdo gjë që është e ëmbël dhe që është më i bardhë nga çdo gjë që është e bardhë, po, dhe i kulluar mbi çdo gjë që është e kulluar” (Alma 32:42).
Dëshmoj se ata që e përqafojnë planin e Perëndisë për familjet, duan siç deshi Shpëtimtari dhe i nderojnë besëlidhjet e tyre, një ditë do të trashëgojnë “bekimet e jetës së përjetshme dhe një plotësi të gëzimit” me njerëzit e tyre të dashur dhe me Atin e Birin.
© 2025 by Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved. Shtypur në SHBA. Miratuar për anglisht: 6/19. Miratuar për përkthim: 6/19. Përkthim i Monthly Liahona Message, December 2025. Albanian. 19614 101