2025
Besëlidhjet, Fuqia dhe Premtimet
Liahona Tetor 2025


“Besëlidhjet, Fuqia dhe Premtimet”, Liahona, tetor 2025.

Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Liahona, Tetor 2025

Besëlidhjet, Fuqia dhe Premtimet

Tempulli është thelbësor për fuqinë dhe mbrojtjen që u premtohet besnikëve përpara Ardhjes së Dytë të Zotit Jezu Krisht.

ilustrim i Jozef Smithit duke qëndruar përpara Tempullit të Kirtlandit

Ilustrim i Jozef Smithit nga Dan Burr

Në maj të vitit 1833, katragjyshi im, Asahel Peri, dhe disa miq udhëtuan nga veriu i Nju‑Jorkut për në Kirtland të Ohajos. Ata nuk ishin anëtarë të Kishës së saporivendosur, por dëshironin të takoheshin me Profetin Jozef Smith. Ata mbërritën fiks në kohë për të marrë pjesë në këshillin e parë të zhvilluar për të diskutuar rreth ndërtimit të Tempullit të Kirtlandit.

Pas fillimit të këshillit, Profeti paraqiti punët për ndërtimin e tempullit. Pastaj u bëri thirrje të pranishmëve të shprehnin mendimet e tyre në lidhje me një sipërmarrje kaq të madhe. Shumica u përgjigjën se Kisha ishte shumë e varfër për të marrë përsipër një detyrë të tillë. Ata propozuan ndërtimin e një ndërtesë më të vogël dhe më pak të kushtueshme.

Gjatë diskutimit që pasoi, gjysh Peri dhe miqtë e tij u mblodhën tok, nxorën paratë dhe i numëruan. A kishin mjaftueshëm para për kthimin e tyre dhe për të kontribuar në ndërtimin e tempullit? Disa minuta më vonë, gjyshi im iu afrua Jozef Smithit, nxori një monedhë ari pesëdollarëshe dhe ia paraqiti Profetit. (Një monedhë e tillë sot do të vlente qindra dollarë!)

Jozefi qëndroi para këshillit dhe e ngriti lart monedhën. Më pas, duke folur tërë energji, tha se “puna kishte filluar dhe Shtëpia [e Zotit] do të ndërtohej sipas modelit të paraqitur” nga Zoti Jezu Krisht.

Familja Peri shpejt iu bashkua Kishës në Kirtland, morën bekimet e tyre të tempullit disa vjet më vonë në Tempullin e Navusë dhe më vonë kaluan rrafshinat për në Jutë.

Në kohën kur u përkushtua Tempulli i Kirtlandit në vitin 1836, ai ishte shumë i vogël për t’i nxënë të gjithë shenjtorët e ditëve të mëvonshme që dëshironin të merrnin pjesë në përkushtimin e tij. Ndërsa Kisha rritej, po rritej edhe numri i shenjtorëve, të cilëve iu duhej të merrnin pjesë në mbledhjet në ambiente të jashtme. Presidenti Xhejms E. Faust (1920–2007), i cili shërbeu si presidenti im i kunjit kur isha i ri në moshë dhe si mentor kur u thirra si Autoritet i Përgjithshëm në vitin 2007, bëri këtë vërejtje lidhur me tempullin e dytë të Kishës:

“Para se të përfundonte Tempulli i Navusë në 1846-ën, shenjtorët mblidheshin përjashta, shpesh afër tempullit, për të dëgjuar Jozefin dhe udhëheqësit e tjerë të Kishës tek flisnin. Ndonjëherë, në ato mbledhje merrnin pjesë mijëra njerëz”, herë−herë edhe në mot të ashpër.

“Siç vërejti [Plaku] Xhorxh A. Smith me mënyrën e tij plot humor: ‘Në kohën e Profetit Jozef … [Kisha] lulëzoi më së miri në vend të hapur’.”

Ne jemi mirënjohës që në kohën tonë, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme po lulëzon në ambiente të jashtme, të brendshme dhe kudo në botë. Ky lulëzim përfshin ndërtimin e tempujve me një ritëm të paparë “sipas modelit të paraqitur”, një model që gjithmonë ka përfshirë bekime, shenjtërim, besim dhe sakrificë.

ilustrim i Tempullit të Kirtlandit

A Glorious Light – Kirtland Temple [Një Dritë e Lavdishme – Tempulli i Kirtlandit], nga Glen S. Hopkinson, nuk lejohet kopjimi

Pse Kaq Shumë Tempuj?

“Paraardhësit tanë kanë profetizuar se tempujt do të mbushin peizazhin e Amerikës së Veriut dhe të Jugut, ishujt e Paqësorit, Europën dhe vende të tjera”, – tha Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) disa dekada më parë. “Nëse kjo punë shëlbuese do të bëhet në atë shkallë që duhet bërë, do të nevojiten me qindra tempuj.”

Presidenti Rasëll M. Nelson tha se ne po ndërtojmë tempuj me një ritëm të pashembullt sot, “ngaqë Zoti na ka udhëzuar për ta bërë këtë. Bekimet e tempullit ndihmojnë për ta mbledhur Izraelin në të dyja anët e velit. Këto bekime ndihmojnë edhe për të përgatitur një popull i cili do të ndihmojë që bota të përgatitet për Ardhjen e Dytë të Zotit!”

Në lutjen e tij përkushtuese për Tempullin e Kirtlandit, Jozef Smithi u lut: “Që gjithë njerëzit që do të hyjnë në pragun e shtëpisë së Zotit, të mund të ndiejnë fuqinë tënde. …

Dhe ne të kërkojmë, Atë i Shenjtë, që shërbëtorët e tu të mund të largohen nga kjo shtëpi të armatosur me fuqinë tënde, dhe që emri yt të mund të jetë mbi ta e lavdia jote të jetë përreth tyre dhe engjëjt e tu të ngarkohen me përgjegjësi për ta” (Doktrina e Besëlidhje 109:13, 22; theksimi i shtuar, shihni edhe vargun 23).

Kur i lexoj ato vargje, mendoj për vegimin e Nefit për ditët e mëvonshme. Viri re formulimin e ngjashëm: “Dhe ndodhi që unë, Nefi, vura re fuqinë e Qengjit të Perëndisë, e cila zbriti mbi shenjtorët e kishës së Qengjit dhe mbi njerëzit e besëlidhjes së Zotit që ishin shpërndarë mbi të gjithë faqen e tokës; dhe ata ishin të armatosur me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe” (1 Nefi 14:14; theksimi i shtuar).

Unë besoj se tempujt e ditëve të mëvonshme luajnë një rol thelbësor në përmbushjen e profecisë së Nefit dhe janë kryesorë për mbrojtjen dhe fuqinë që u premtohet besnikëve përpara Ardhjes së Dytë.

Disa vjet më parë, ndërsa shërbeja si peshkop i një lagjeje të universitetit, më la mbresa në mënyrë të veçantë një e re në lagjen time. Ajo më lë mbresa ende. Ju e njihni atë si Presidenten Emili Bell Friman, Presidente e Përgjithshme e Të Rejave. Në një fjalim nga konferenca e fundit e përgjithshme, ajo dha mësim se nëpërmjet tempullit, Jezu Krishti na ngre në një nivel më të lartë shpirtëror.

“Sa herë që kaloj pragun e shtëpisë së Tij, përjetoj një marrëdhënie më të thellë besëlidhëse me Të”, – tha Presidentja Friman. “Jam shenjtëruar me Shpirtin e Tij, më është dhuruar fuqia e Tij dhe jam veçuar për të ndërtuar mbretërinë e Tij.”

Fuqia e Premtuar

Presidenti Nelson ka folur shpesh për fuqinë e Jezu Krishtit në dispozicion nëpërmjet besëlidhjeve të tempullit. “Marrja e zgjedhës së Shpëtimtarit do të thotë që ju keni qasje te forca dhe fuqia shëlbuese e Tij", – tha ai. Presidenti Nelson ka dhënë gjithashtu mësim:

“Ndërsa i mbajmë besëlidhjet tona të tempullit, marrim qasje më të madhe te fuqia forcuese e Zotit. Në tempull, ne marrim mbrojtje nga goditjet e botës.”

“Ordinancat … thelbësore [të Shpëtimtarit] na lidhin me Të nëpërmjet besëlidhjeve të shenjta të priftërisë. Më pas, ndërsa i mbajmë besëlidhjet tona, Ai na dhuron fuqinë e Tij shëruese, forcuese. Dhe o, sa do të na nevojitet fuqia e Tij në ditët në vazhdim.”

“Fuqia morale dhe shpirtërore që populli ynë ka nevojë pikërisht tani dhe për ditët në vijim, është fuqia e Perëndisë Atit dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit. Ne fitojmë qasje te fuqia e Tyre duke bërë dhe duke i mbajtur besëlidhjet me Ta.”

Fuqia qiellore ka rëndësi, vëllezër dhe motra, sepse jetojmë në një botë shumë të ligë. Pa këtë fuqi, nuk do të jemi në gjendje të “duroj[m]ë ditën e ardhjes së tij” ose të “qëndroj[m]ë më këmbë ditën kur ai do të shfaqet” (Malakia 3:2). Ne nuk e dimë se kur do të vijë ajo ditë, por lajmëtari i Tij tashmë është dërguar për të “përgatitur rrugën” për ardhjen e Tij (Malakia 3:1). Ndërkohë, bota nuk po shkon qetësisht drejt asaj dite.

Ne kemi nevojë për fuqinë që u premtohet besnikëve për të na ndihmuar:

  • Ta lejojmë Perëndinë të triumfojë në jetën tonë.

  • Të pendohemi dhe t’i afrohemi më shumë Zotit.

  • Të bekojmë, ngushëllojmë, udhëheqim dhe japim shërbesë.

  • “T’u bëjmë ballë më mirë sprovave, tundimeve dhe pikëllimeve tona” (shihni te Mosia 3:19).

  • Të gjejmë paqe dhe gëzim te Krishti ndërsa ecim në shtegun e besëlidhjeve.

  • Të përgatitemi “kundër ditës së djegies” dhe “fatkeqësi[së së] të ligjve” (Doktrina e Besëlidhje 109:46).

  • Të kryejmë punën e Zotit para Ardhjes së Tij të Dytë.

Tempulli i Tusonit, Arizonë

Fotografi e kubesë e Tempullit të Tusonit, Arizonë, nga James Whitney Young

Rojtarët e Shpëtimit

Vepra dhe lavdia e Atit Qiellor është “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39). Çdo tempull qëndron si një rojtar tokësor i planit të Perëndisë për shpëtimin, duke treguar rolin qendror të Shpëtimtarit në atë vepër dhe lavdi.

Të armatosur me fuqinë e Tij, çdo burrë dhe grua që i mban besëlidhjet, i martuar ose jo, që i mban me besnikëri besëlidhjet e tempullit do të bekohet në këtë jetë dhe në jetën që do të vijë.

Presidenti Nelson ka premtuar: “Përfundimi për të cilin përpiqet fort secili prej nesh, është të na dhurohet fuqi në një shtëpi të Zotit, të vulosur si familje, besnikë ndaj besëlidhjeve të bëra në një tempull të cilat na kualifikojnë për dhuratën më të madhe të Perëndisë – dhuratën e jetës së përjetshme. Ordinancat e tempullit dhe besëlidhjet që bëni atje, janë thelbësore për ta forcuar jetën tuaj, martesën e familjen tuaj dhe aftësinë tuaj për t’u bërë ballë sulmeve të kundërshtarit. Adhurimi juaj në tempull dhe shërbimi juaj atje për paraardhësit tuaj do t’ju bekojnë me zbulesë dhe paqe të shtuar vetjake dhe do ta forcojnë zotimin tuaj për të qëndruar në shtegun e besëlidhjeve.”

Si një Apostull i Zotit Jezu Krishtit, unë dëshmoj se këto gjëra janë të vërteta.