2024
Jezu Krishti Është Burimi i Shpresës së “Gjallë”, të “Mirë” dhe “më të Shkëlqyer”
Dhjetor 2024


“Jezu Krishti Është Burimi i Shpresës së ‘Gjallë’, të ‘Mirë’ dhe ‘më të Shkëlqyer’”, Liahona, dhjetor 2024.

Mesazhi i Përmuajshëm i Revistës Liahona, Dhjetor 2024

Jezu Krishti Është Burimi i Shpresës së “Gjallë”, të “Mirë” dhe “më të Shkëlqyer”

Në këtë periudhë të veçantë kremtimi të lindjes së foshnjës në Bethlehem, e kujtofshim përherë se Jezu Krishti erdhi në botë për të qenë Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë!

Maria dhe Jozefi me Jezusin foshnjë

The Nativity [Lindja e Krishtit], nga Sharlotte Andrus

Apostulli Pjetër dhe profetët e Librit të Mormonit, Jakobi dhe Moroni, e theksojnë dhuratën shpirtërore të shpresës te Krishti në mënyra udhëzuese të ngjashme.

Për shembull, Pjetri deklaroi: “Qoftë bekuar Perëndia edhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, i cili me anë të mëshirës së tij të madhe na rilindi për një shpresë të gjallë me anë të ringjalljes së Jezu Krishtit prej së vdekurish” (1 Pjetër 1:3; theksimi i shtuar). Ju lutem, vërejeni përdorimin e fjalës “të gjallë” për të përshkruar “shpresën”.

Jakobi shpalli: “Kështu që, vëllezër të dashur, pajtohuni me të, nëpërmjet shlyerjes së Krishtit, Birit të tij të Vetëmlindur dhe ju mund të merrni një ringjallje, sipas fuqisë së ringjalljes që është në Krisht dhe të paraqiteni si frytet e para të Krishtit te Perëndia, duke patur besim dhe duke marrë një shpresë të mirë të lavdisë në të, para se ai ta shfaqë veten në mish” (Jakobi [LiM] 4:11; theksimi i shtuar). Ju lutem, vërejeni përdorimin e fjalës “të mirë” për të përshkruar “shpresën”.

Dhe Moroni pohoi: “Dhe mua më kujtohet gjithashtu se ti ke thënë se kishe përgatitur një shtëpi për njeriun, po, madje mes pallateve të Atit tënd, në të cilën njeriu mund të ketë një shpresë më të shkëlqyer; prandaj njeriu duhet të shpresojë ose ai nuk mund të marrë një trashëgim në vendin që ti ke përgatitur” (Ethëri 12:32; theksimi i shtuar). Ju lutem, vërejeni përdorimin e fjalës “të shkëlqyer” për të përshkruar “shpresën”.

Çfarë Është Shpresa te Krishti?

Dhurata shpirtërore e shpresës te Krishti është pritja e gëzueshme e jetës së përjetshme nëpërmjet “meritave dhe mëshirës dhe hirit të Mesias së Shenjtë” (2 Nefi 2:8) dhe një dëshire të fortë për bekimet e premtuara të drejtësisë. Mbiemrat “të gjallë”, “të mirë” dhe “më të shkëlqyer” në këto vargje sugjerojnë një sigurim gjithnjë e më të gjerë e kumbues për Ringjalljen dhe jetën e përjetshme nëpërmjet besimit te Jezu Krishti.

Profeti Mormoni shpjegoi:

“Dhe përsëri, vëllezër të mi të dashur, unë dua t’ju flas në lidhje me shpresën. Si do të mund të arrini të keni besim, po të mos keni shpresë?

Dhe për çfarë duhet të keni shpresë? Vini re, unë ju them juve se duhet të keni shpresë nëpërmjet shlyerjes së Krishtit dhe fuqisë së ringjalljes së tij, që të ngriheni në jetën e përjetshme dhe kjo për shkak të besimit tuaj në të, sipas premtimit.

Prandaj, në qoftë se një njeri ka besim, ai duhet të ketë shpresë, pasi pa besim, nuk mund të ketë ndonjë shpresë” (Moroni 7:40–42).

Plani i Atit për Lumturinë

Shpresa te Krishti që është e gjallë, e mirë dhe më e shkëlqyer fillon me njohurinë që Perëndia, Ati i Përjetshëm, jeton. Ai është Ati ynë dhe ne jemi fëmijët e Tij shpirtërorë. Ne jemi me plot kuptimin e fjalës bij dhe bija shpirtërore të Perëndisë dhe kemi trashëguar cilësi hyjnore prej Tij.

Ati është autori i planit të lumturisë (shihni tek Abraham 3:22–28). Si bij e bija shpirtërore të Perëndisë, ne e “pranua[m] planin e Tij, me anë të të cilit fëmijët e Tij mund të merrnin një trup fizik, mund të fitonin përvojë tokësore për të përparuar drejt përsosjes dhe së fundi, mund të arrinin destinacionin e tyre hyjnor si trashëgimtarë të jetës së përjetshme”. Në shkrimet e shenjta, mësojmë: “Ati ka një trup prej mishi e kockash, po aq të prekshëm sa edhe të një njeriu; Biri gjithashtu” (Doktrina e Besëlidhje 130:22). Kështu, marrja e trupave fizikë është thelbësore në procesin e përparimit drejt fatit tonë hyjnor.

Ne jemi qenie dysore. Shpirti ynë, pjesa jonë e përjetshme, vishet me trup fizik që u nënshtrohet dëshirave dhe orekseve të vdekshmërisë. Plani i Atit për lumturinë është hartuar që të sigurojë drejtim për fëmijët e Tij, t’i ndihmojë ata të kthehen të sigurt në shtëpi tek Ai me trupa të ringjallur e të ekzaltuar dhe për të marrë bekimet e gëzimit dhe lumturisë së përjetshme.

Maria me Jezusin fëmijë

The Christ Child [Fëmija Krisht], nga Sharlotte Andrus

Roli Shëlbues i Jezu Krishtit në planin e Atit

Jezu Krishti është Biri i Vetëmlindur i Atit të Përjetshëm. Ai erdhi në botë për të bërë vullnetin e Atit të Tij (shihni tek 3 Nefi 27:13). Jezu Krishti është i vajosuri i Atit për të qenë përfaqësuesi i Tij vetjak në të gjitha gjërat që i përkasin shpëtimit të njerëzimit. Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë për shkak se Ai e mposhti edhe vdekjen, edhe mëkatin.

Alma i profetizoi popullit të Gideonit në lidhje me veprën shpëtuese të Mesias:

“Dhe ai do të shkojë përpara, duke vuajtur dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji; dhe kjo, që të plotësohet fjala që thotë se ai do të marrë përsipër dhembjet dhe sëmundjet e popullit të tij.

Dhe ai do të marrë përsipër vdekjen që ai të mund të zgjidhë rripat e vdekjes, që e lidhin popullin e tij; dhe ai do të marrë përsipër dobësitë e tyre, që zemra e tij të mund të mbushet me mëshirë, sipas mishit, që ai të mund të dijë, sipas mishit, se si të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre.

Tani Shpirti i di të gjitha gjërat; megjithatë, Biri i Perëndisë vuan sipas mishit, që ai të mund të marrë përsipër mëkatet e popullit të tij, që të fshijë shkeljet e tyre, sipas fuqisë çliruese të tij” (Alma 7:11–13).

Parimi i parë i ungjillit është besimi te Zoti Jezu Krisht. Besimi i vërtetë përqendrohet në dhe te Shpëtimtari dhe na mundëson t’i mirëbesojmë Atij dhe të kemi siguri të plotë te fuqia e Tij për të na shpëtuar nga vdekja, për të na pastruar nga mëkati dhe për të na bekuar me fuqi përtej sonës.

Moroni dëshmoi: “Dhe për shkak të shëlbimit të njeriut, që erdhi nëpërmjet Jezu Krishtit, ata kthehen në praninë e Zotit; po, dhe është me anë të tij që të gjithë njerëzit shëlbohen, sepse vdekja e Krishtit sjell ringjalljen e cila sjell një shëlbim nga një gjumë i pafund, gjumë nga i cili të gjithë njerëzit do të zgjohen nga fuqia e Perëndisë, kur të bjerë boria; dhe të gjithë do të dalin, si të vegjël dhe të mëdhenj, dhe të gjithë do të qëndrojnë para shufrës së tij, pasi të jenë shëlbuar dhe të jenë çliruar nga ky rrip i përjetshëm vdekjeje, vdekje e cila është një vdekje fizike” (Mormoni 9:13).

Unë dëshmoj se Shpëtimtari i këputi rripat e vdekjes. Ai u ringjall, Ai jeton dhe Ai është i vetmi burim i shpresës së gjallë, të mirë dhe më të shkëlqyer.

Një Spirancë për Shpirtin

Profeti Ethëri dëshmoi: “Prandaj, kushdo që beson në Perëndi, mund të shpresojë me siguri për një botë më të mirë, po, madje për një vend në krahun e djathtë të Perëndisë, shpresë e cila vjen nga besimi dhe shërben si një spirancë për shpirtrat e njerëzve, që do t’i bëjë ata të sigurt dhe të vendosur, gjithmonë plot me vepra të mira, duke qenë të udhëhequr për të lavdëruar Perëndinë” (Ethëri 12:4; theksimi i shtuar).

Në këtë periudhë të veçantë kremtimi të lindjes së foshnjës në Bethlehem, e kujtofshim përherë se Jezu Krishti erdhi në botë për të qenë Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë! Ai na ofron dhuratat e paçmueshme shpirtërore të jetës, dritës, përtëritjes, dashurisë, paqes, largpamësisë, gëzimit dhe shpresës.

Ju ftoj ta kërkoni siç duhet dhuratën shpirtërore të shpresës te Shpëtimtari duke i studiuar mësimet dhe dëshmitë e profetëve të lashtë dhe bashkëkohorë në lidhje me flijimin e Tij shlyes dhe Ringjalljen e mirëfilltë. Ndërsa e bëni këtë, ju premtoj se dëshmia juaj për natyrën hyjnore të Shëlbuesit do të forcohet, kthimi juaj në besim tek Ai do të thellohet, dëshira dhe vendosmëria juaj për të qëndruar si një dëshmitar/e guximtar/e i/e Tij do të shtohen dhe ju do të bekoheni me një spirancë për shpirtin, madje me shpresë të gjallë, të mirë dhe më të shkëlqyer.

Me Apostujt që kanë dhënë dëshmi për Të gjatë gjithë epokave, unë shpall gëzueshëm dëshminë time se Jezu Krishti është Biri i gjallë i Perëndisë të gjallë. Ai është Shëlbuesi ynë i ringjallur me një trup të përlëvduar e të prekshëm prej mishi e kockash. Për shkak të shëlbimit dhe pajtimit me Perëndinë që Zoti e bën të mundur për të gjithë njerëzimin, ne mund të marrim sigurimin shpirtëror dhe një shpresë të gjallë, të mirë dhe më të shkëlqyer se “të gjithë do të ngjall[e]n në Krishtin” (1 Korintasve 15:22).

Shënim

  1. Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].