“Një Model për Unitetin në Jezu Krisht”, Liahona, Tetor 2024.
Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Liahona, Tetor 2024
Një Model për Unitetin në Jezu Krisht
Teksa kemi unitet në Jezu Krisht, ashtu si njerëzit te 4 Nefi, dëshira jonë për të qenë në unitet i tejkalon ndryshimet tona dhe çon drejt lumturisë.
Ne jetojmë në një epokë kur një valë në rritje mosmarrëveshjesh dhe polemikash po përhapet në të gjithë globin. Të ndihmuara nga teknologjia dhe të nxitura nga njerëz zemrat e të cilëve janë ftohur, këto forca përçarëse kërcënojnë të na i mbushin zemrat me përbuzje dhe ta mbushin komunikimin tonë me grindje. Lidhjet shoqërore po prishen. Luftërat janë të tërbuara.
Në këtë kontekst, pasuesit e vërtetë të Jezu Krishtit dëshirojnë paqen dhe kërkojnë në mënyrë aktive të ndërtojnë një lloj tjetër shoqërie – një shoqëri që bazohet mbi mësimet e Jezu Krishtit. Për këtë qëllim, Zoti na ka dhënë porosinë: “Jini një; dhe nëse nuk jeni një, nuk jeni të mitë” (Doktrina e Besëlidhje 38:27). Vërtet, uniteti është tipari dallues i Kishës së vërtetë të Jezu Krishtit.
Si punojmë kundër forcave të përçarjes dhe grindjes? Si e arrijmë unitetin?
Fatmirësisht, 4 Nefi në Librin e Mormonit na jep një shembull. Ky kapitull shënon shkurtimisht mënyrën se si jetuan njerëzit pasi Shpëtimtari i kishte vizituar, u kishte dhënë mësim dhe kishte themeluar Kishën e Tij mes tyre. Ky rrëfim tregon se si këta njerëz arritën një unitet të lumtur e paqësor dhe na jep një model që mund ta ndjekim për të arritur vetë po atë unitet.
Kthimi në Besim
Te 4 Nefi 1:1 lexojmë: “Dishepujt e Jezusit kishin formuar një kishë të Krishtit në të gjitha tokat rreth e përqark. Dhe [njerëzit] erdhën me ta dhe … u penduan me të vërtetë për mëkatet e tyre.”
Ne bashkohemi në unitet rreth Zotit dhe Shpëtimtarit Jezu Krisht. Ndërsa çdo person mëson rreth Jezu Krishtit, ungjillit të Tij dhe Kishës së Tij, Fryma e Shenjtë i dëshmon për të vërtetën zemrës së secilit person. Atëherë secili prej nesh mund ta pranojë ftesën e Shpëtimtarit për të pasur besim tek Ai dhe për ta ndjekur Atë nëpërmjet pendimit.
Kështu fillon udhëtimi i një individi për kthimin në besim – larg dëshirave egoiste dhe mëkatare dhe drejt Shpëtimtarit. Ai është themeli i besimit tonë. Dhe teksa secili prej nesh shikon tek Ai në çdo mendim (shihni te Doktrina e Besëlidhje 6:36), Ai bëhet një forcë që sjell unitet në jetën tonë.
Besëlidhjet
Anali te 4 Nefi vazhdon të thotë se ata që erdhën në Kishë dhe u penduan për mëkatet e tyre, “u pagëzuan në emër të Jezusit; dhe ata morën gjithashtu Frymën e Shenjtë” (4 Nefi 1:1). Ata hynë në një besëlidhje, në një marrëdhënie të veçantë lidhëse, me Perëndinë.
Kur i bëjmë dhe i mbajmë besëlidhjet, ne e marrim mbi vete emrin e Zotit si individë. Përveç kësaj, ne e marrim emrin e Tij mbi vete si popull. Të gjithë ata që bëjnë besëlidhje dhe përpiqen fort që t’i mbajnë ato, bëhen populli i Zotit, thesari i Tij i veçantë (shihni tek Eksodi 19:5). Pra, ne udhëtojmë përgjatë shtegut të besëlidhjeve si individualisht ashtu edhe kolektivisht. Marrëdhënia jonë besëlidhëse me Perëndinë na jep një kauzë të përbashkët dhe një identitet të përbashkët. Teksa e lidhim veten me Zotin, Ai na ndihmon t’i kemi “zemrat [tona] të thurura në bashkim dhe në dashuri kundrejt njëri‑tjetrit” (Mosia 18:21).
Drejtësia, Barazia dhe Ndihma ndaj të Varfërve
Rrëfimi te 4 Nefi vazhdon: “Nuk pati grindje dhe debate mes tyre dhe të gjithë njerëzit [e] trajtonin me drejtësi njëri‑tjetrin.
Dhe ata kishin të gjitha gjërat e përbashkëta mes tyre; prandaj nuk kishte të pasur dhe të varfër, skllevër dhe të lirë, por ata të gjithë ishin bërë të lirë dhe pjesëmarrës të dhuratës hyjnore” (4 Nefi 1:2–3).
Në marrëdhëniet tona të përkohshme, Zoti dëshiron që ne të jemi të barabartë dhe të drejtë me njëri‑tjetrin dhe të mos ta mashtrojmë apo të përfitojmë nga njëri‑tjetri (shihni te 1 Thesalonikasve 4:6). Teksa afrohemi te Zoti, ne “nuk do të ke[m]i një mendje për të dëmtuar njëri‑tjetrin, por për të jetuar në paqe dhe për t’i dhënë çdo njeriu sipas asaj që i takon” (Mosia 4:13).
Zoti na ka urdhëruar që të kujdesemi për të varfrit dhe nevojtarët. Ne duhet të “j[apim] nga pasuria” jonë për t’i ndihmuar ata, sipas aftësisë sonë për ta bërë këtë, pa i gjykuar (shihni te Mosia 4:21–27).
Secili prej nesh duhet ta “vlerësojë vëllanë e tij si veten” (Doktrina e Besëlidhje 38:24). Nëse duam të jemi populli i Zotit dhe të kemi unitet, jo vetëm që duhet ta trajtojmë njëri‑tjetrin si të barabartë, por gjithashtu duhet ta shohim me të vërtetë njëri‑tjetrin si të barabartë dhe të ndiejmë në zemrat tona se jemi të barabartë – të barabartë përpara Perëndisë, me vlerë të barabartë dhe potencial të barabartë.
Bindja
Mësimi pasues nga 4 Nefi, vjen në këtë shprehje të thjeshtë: “Ata ecën sipas urdhërimeve që kishin marrë nga Zoti dhe Perëndia i tyre” (4 Nefi 1:12).
Zoti u kishte mësuar këtyre njerëzve doktrinën e Tij, u kishte dhënë urdhërime dhe kishte thirrur shërbëtorë që t’u administronin atyre. Një nga qëllimet e Tij përse e bëri këtë, ishte që të sigurohej se nuk do të kishte polemika mes tyre (shihni te 3 Nefi 11:28–29; 18:34).
Bindja jonë ndaj mësimeve të Zotit dhe shërbëtorëve të Tij është thelbësore që të kemi unitet. Kjo përfshin zotimin tonë për t’iu bindur urdhërimit që të pendohemi sa herë që dështojmë dhe për ta ndihmuar njëri‑tjetrin ndërkohë që përpiqemi fort të bëjmë më mirë dhe të jemi më të mirë çdo ditë.
Mbledhja së Bashku
Më pas, ne mësojmë se njerëzit te 4 Nefi “vazhdua[n] në agjërim dhe lutje, duke u mbledhur shpesh së bashku qoftë për t’u lutur, si dhe për të dëgjuar fjalën e Zotit” (4 Nefi 1:12).
Ne kemi nevojë të mblidhemi së bashku. Mbledhjet tona javore të adhurimit janë një mundësi e rëndësishme që ne të gjejmë forcë, si individualisht ashtu edhe kolektivisht. Ne marrim sakramentin, mësojmë, lutemi, këndojmë së bashku dhe e përkrahim njëri‑tjetrin. Edhe mbledhjet e tjera ndihmojnë në kultivimin e ndjenjës së përkatësisë, miqësisë dhe qëllimit të përbashkët.
Dashuria
Anali te 4 Nefi më pas na jep atë që është ndoshta çelësi i madhërishëm i gjithë kësaj, gjëja pa të cilën uniteti i vërtetë nuk arrihet: “Nuk pati grindje në tokë, për shkak të dashurisë së Perëndisë që jetonte në zemrat e njerëzve” (4 Nefi 1:15).
Paqja vetjake arrihet kur ne, të nënshtruar përulësisht, me të vërtetë e duam Perëndinë. Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi. Ta duam Perëndinë më shumë se këdo ose gjithçka tjetër është kushti që sjell paqe, ngushëllim, siguri dhe gëzim të vërtetë. Ndërsa zhvillojmë dashuri për Perëndinë dhe Jezu Krishtin, dashuria për familjen dhe fqinjin tonë do të rrjedhë natyrshëm.
Gëzimi më i madh që do të përjetoni ndonjëherë, ndodh kur ju mbusheni plotësisht me dashuri për Perëndinë dhe për të gjithë fëmijët e Tij.
Dashuria hyjnore, dashuria e pastër e Krishtit, është kundërhelmi ndaj grindjes. Është karakteristika kryesore e një pasuesi të vërtetë të Jezu Krishtit. Kur përulemi përpara Perëndisë dhe lutemi me gjithë energjinë e zemrës sonë, Perëndia do të na dhurojë dashuri hyjnore (shihni te Moroni 7: 48).
Kur të gjithë ne kërkojmë që dashuria e Perëndisë të banojë në zemrat tona, mrekullia e unitetit do të na duket krejtësisht e natyrshme.
Identiteti Hyjnor
Përfundimisht, njerëzit te 4 Nefi treguan një shenjë uniteti që meriton vëmendjen tonë: “Nuk kishte as vjedhës, as vrasës, as nuk kishte Lamanitë, as ndonjë lloj tjetër ‑itësh; por ata ishin të gjithë një, fëmijë të Krishtit dhe trashëgimtarë të mbretërisë së Perëndisë” (4 Nefi 1:17).
Etiketimet që i kishin përçarë njerëzit për qindra vjet, u zhdukën përpara një identiteti më durues e fisnikërues. Ata e panë veten e tyre, dhe çdo njeri tjetër, sipas marrëdhënies së tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.
Larmishmëria dhe ndryshimet mund të jenë të mira dhe domethënëse për ne. Por identitetet tona më të rëndësishme janë ato që lidhen me origjinën dhe qëllimin tonë hyjnor.
E para dhe më e rëndësishmja, secili prej nesh është një fëmijë i Perëndisë. Së dyti, si anëtar i Kishës, secili prej nesh është një fëmijë i besëlidhjes. Dhe së treti, secili prej nesh është një dishepull i Jezu Krishtit. E nxit secilin prej nesh që të mos lejojë asnjë identifikues tjetër të “zhvendosë, zëvendësojë ose të marrë përparësi mbi këto tri emërtime afatgjata”.
Jini Një
Perëndia i fton të gjithë që të vijnë tek Ai. Ka vend për çdo njeri. Ne mund të jemi të ndryshëm në kulturën, politikën, etnitë, shijet tona dhe në shumë mënyra të tjera. Por ndërsa bashkohemi në Jezu Krisht, dallime të tilla zbehen në domethënien e tyre dhe zëvendësohen nga dëshira jonë mbizotëruese për të qenë një – që të mund të jemi të Tijët.
Merrini me seriozitet mësimet që jepen mësim te 4 Nefi. Ndërsa secili prej nesh përpiqet fort që t’i përfshijë këto elemente thelbësore të unitetit në jetën tonë, mund të thuhet për ne, ashtu siç u tha për ta: “Me siguri nuk mund të kishte një popull më të lumtur mes gjithë njerëzve të krijuar nga dora e Perëndisë” (4 Nefi 1:16).
© 2024 by Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved. Shtypur në SHBA. Miratuar për anglisht: 6/19. Miratuar për përkthim: 6/19. Përkthim i Monthly Liahona Message, October 2024. Albanian. 19359 101