2024
Perëndia do të na Përkrahë dhe do të na Ruajë
Gusht 2024


“Perëndia do të na Përkrahë dhe do të na Ruajë”, Liahona, gusht 2024.

Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Liahona, Gusht 2024

Perëndia do të na Përkrahë dhe do të na Ruajë

Ashtu si kapiten Moroni, ne mund të marrim fuqi dhe ndihmë hyjnore për betejat me të cilat përballemi në jetë.

kapiten Moroni duke mbajtur titullin e lirisë

Ilustrimet nga Eric Chow

Kur e lexova për herë të parë Librin e Mormonit, më pëlqeu historia e luftërave mes nefitëve dhe lamanitëve. U magjepsa nga besimi, zgjuarsia dhe taktikat e përdorura nga kapiten Moroni, një komandant ushtrie që u caktua udhëheqës i të gjitha ushtrive nefite kur ishte vetëm 25 vjeç. Ai ishte i urtë, i fortë dhe mendjemprehtë. Ai qe tërësisht i zotuar për lirinë dhe mirëqenien e popullit të vet. (Shihni tek Alma 48:11–12.)

Në vend që t’i merrte vetë meritat për suksesin ushtarak, Moroni ia njohu meritat për suksesin Perëndisë dhe përkrahjes së shenjtë që ushtritë e tij morën nga gratë dhe fëmijët që nuk luftuan. Ai i tha një udhëheqësi armik, të cilin e kishte mundur: “Zoti … ju ka dorëzuar në duart tona. Dhe tani do të doja që ti të kuptosh se kjo gjë … bëhet për shkak të fesë sonë dhe besimit tonë në Krisht.” Moroni më pas dha pikëpamjen e tij profetike: “Perëndia do të na përkrahë dhe do të na mbajë dhe do të na ruajë, derisa të jemi besnikë ndaj tij dhe ndaj besimit tonë dhe fesë sonë” (Alma 44:3, 4).

Me kalimin e kohës, kam arritur të kuptoj se Moroni dha modelin për parimet që mund t’i zbatojmë, që të na ndihmojnë të kalojmë sfidat e jetës bashkëkohore. Ndërsa ushtrojmë besim te Jezu Krishti, Shpëtimtari i botës, Ai do të na bekojë me fuqinë e Tij. Por që Ai ta bëjë këtë dhe që ne t’i dallojmë bekimet e Tij, nevojitet që ne të kuptojmë qëllimin tonë, të bëjmë strategji për sukses dhe të përgatitemi për betejat metaforike me të cilat përballemi, ashtu si Moroni u përgatit për betejat reale dhe u përball me to në jetën e tij. Ndërsa e bëjmë këtë, Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do të na përkrahin dhe do të na ruajnë.

Të Kuptuarit e Qëllimit Tonë

Moroni, herë pas here, u kujtoi njerëzve se kush ishin (trashëgimtarë të besëlidhjes së Abrahamit), të kujt ishin (fëmijë të dashur të Perëndisë) dhe kauzën për të cilin luftonin (familjen, besimin dhe lirinë). Moroni i mësoi popullit se po luftonin për vetë mbijetesën e tyre dhe për lirinë nga shtypja dhe skllavëria. Në dallim me ta, armiqtë luftonin për arritje dhe pushtet vetjak duke i nënshtruar të tjerët.

Kur disa nefitë kërkuan ta uzurponin autoritetin për përfitim vetjak, Moroni grisi pelerinën e tij dhe shkroi në një pjesë të saj elementet bazë të mesazhit të tij: “Në kujtim të Perëndisë tonë, fesë sonë, lirisë sonë dhe të paqes sonë, të bashkëshorteve tona dhe të fëmijëve tanë”. Ai e ngriti këtë flamur, të cilin e quajti “titulli i lirisë”, në majë të një shtize dhe e përdori për t’u kujtuar njerëzve për se po bëhej lufta dhe për t’i përfshirë në kauzë. (Shihni tek Alma 46:12–13, 19–20.)

Në betejat shpirtërore të jetës, “beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër … sunduesve të … errësirës … [dhe] kundër frymërave të mbrapshta” (Efesianëve 6:12). Edhe ne kemi nevojë të na kujtojnë se për se bëhet e gjithë lufta. Plaku Nil A. Maksuell (1926–2004), dikur një anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e shprehu këtë mendim në një bashkëbisedim plot gojëtari, ndonëse të shkurtër.

Në vitin 2004, i shkova për vizitë Plakut Maksuell në dhomën e spitalit, jo shumë kohë përpara se të vdiste. Ai ishte tejet i sjellshëm me këdo që e vizitonte ose e ndihmonte. Punonjësit e kujdesit shëndetësor futeshin në dhomën e tij dhe dilnin duke qarë. I thashë: “Plaku Maksuell, kjo është njëmend e vështirë”. Ai qeshi lehtë dhe tha: “O, Dejll, ne jemi qenie të përjetshme që jetojmë në një botë të vdekshme. Jemi jashtë habitatit tonë, si peshku jashtë ujit. Vetëm kur kemi një këndvështrim të përjetshëm, këto përvoja këtu kanë kuptim.”

Ne kurrë nuk duhet ta humbim nga sytë përbërjen e gjerë të natyrës sonë hyjnore dhe fatit tonë të përjetshëm dhe forcat djallëzore që na kundërshtojnë. Të kuptuarit si duhet të planit të Atit Qiellor do të na japë shtysë të vazhdojmë të luftojmë për shpëtimin tonë të përjetshëm dhe për lirinë tonë nga skllavëria shpirtërore.

populli duke përgatitur fortifikimet

Krijimi i Strategjive për Sukses

Gjatë gjithë betejave që bënë ushtritë e Moronit, ai krijoi strategji për të siguruar suksesin. Ai përdori spiunë për të zbuluar veprimtaritë dhe qëllimet e armiqve të tij. Ai kërkoi drejtim nga profeti, Alma. Moroni më pas i përdori ato të dhëna për qasjen e tij ndaj betejës. I pozicionoi burimet sipas nevojës, duke vendosur më shumë ushtarë në qytetet që kishin më pak fortifikime. Ai, në mënyrë strategjike, bëri plane veprimi duke u bazuar në informacione të përditësuara.

Kështu, ai fitoi epërsi ndaj ushtrive armike. Ai nuk kënaqej kurrë nga fitoret e së shkuarës; përkundrazi, ai vazhdoi të përmirësonte aftësitë e tij dhe të ushtrive të tij që të përballeshin me sfidat e së ardhmes.

Ne mund të përdorim qasje të ngjashme për t’u marrë me antagonistët shpirtërorë. Mund t’ia nisim duke e dalluar se çfarë po përpiqet të bëjë Satani në jetën tonë. Ai përpiqet të na shpërqendrojë nga qëllimi ynë. Kur përballemi me tundim, duhet ta pyesim veten:

  • Si është ky veprim nga ana ime në krahasim me fjalën e zbuluar të Perëndisë?

  • Cilat janë pasojat e ndërmarrjes së këtij veprimi?

  • A do të më ndihmojë ky veprim ta përmbush qëllimin tim në tokë?

Ne duhet të dallojmë gjithashtu rezultatin përfundimtar të dhënies pas madje edhe tundimeve të vogla. Teksa i jepemi tundimit, ne pimë “pak nga pak helm” (Alma 47:18), një strategji tej mase e efektshme që përdoret nga fuqitë e ligësisë, e cila mund të çojë në rrjedhoja fatale nga ana shpirtërore.

Ne mund të fortifikohemi kundër tundimeve të Satanit duke ndjekur drejtimin që marrim nga profeti ynë i ditëve të mëvonshme. Bërja e kësaj na ndihmon të mbajmë një këndvështrim të përjetshëm, nëpërmjet të cilit të vlerësojmë veprimet tona. Krijimi i strategjive për mënyrën se si do të përballemi me tundimet që dalin në fusha të ndryshme të jetës sonë, do të na ndihmojnë të bëjmë zgjedhjet më të duhura në çast. Strategjitë dhe qasjet e planifikuara paraprakisht do të na ndihmojnë të mbrohemi prej shpërqendrimeve nga qëllimi ynë i përjetshëm.

Një shembull është ai i teknologjisë. Teknologjia mund të jetë një shpatë me dy tehe, edhe e dobishme, edhe e dëmshme, në varësi të mënyrës si e përdorim. Për të na ndihmuar të bëjmë zgjedhje të urta lidhur me pajisjet tona, të rinj e pleq mund t’i drejtohen pjesës “Taking Charge of Technology” [“Marrja nën Kontroll e Teknologjisë”] dhe broshurës Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve. Këto na kujtojnë qëllimin tonë, na drejtojnë te Jezu Krishti dhe na ndihmojnë ta ftojmë Frymën e Shenjtë në jetën tonë. Planifikimi i mënyrës se si do ta përdorim teknologjinë, i kohës kur do ta përdorim dhe i vendit ku do ta përdorim atë, do të na fortifikojnë kundër taktikave të ulëta të botës.

lamanitët duke sulmuar fortifikimet nefite

Përgatitja për Betejat Metaforike

Duke u paraprirë betejave të ardhshme, Moroni i përgatiti njerëzit e vet me parzmore, mburoja, përkrenare dhe veshje të trasha. Ai e përgatiti popullin në tërësi duke i rrethuar qytetet me fortifikata, duke ndërtuar bregore dheu rreth e përqark tyre.

Shpirtërisht, ne përgatitemi individualisht duke mbajtur urdhërimet e Perëndisë. Ne bëjmë besëlidhje me Perëndinë dhe i mbajmë ato, të cilat sjellin fuqinë e Jezu Krishtit në jetën tonë. Përfshihemi në vepra vetjake, private përkushtimi të tilla si lutja, agjërimi dhe hetimi i shkrimeve të shenjta. Ne gjithashtu veprojmë me besim, duke iu përgjigjur drejtimit shpirtëror që marrim. Përgatitemi me ndërgjegje për sakramentin dhe e marrim atë denjësisht. Teksa e bëjmë këtë, Shpëtimtari bëhet më real në jetën tonë, ashtu sikurse ishte real për Moronin, i cili qe i patundur në besimin e tij te Jezu Krishti. Moroni e dinte se mund të mbështetej te Shpëtimtari për drejtim dhe çlirim (shihni tek Alma 48:16). Edhe ne mund të mbështetemi te Jezu Krishti për drejtim dhe çlirim.

Ne mund të përgatitemi më tej duke i forcuar familjet tona. Ati ynë Qiellor na organizoi nëpër familje që të na ndihmojë të jemi të lumtur dhe të mësojmë si të kthehemi tek Ai. Familjet tona mund të jenë një burim ndihme për ne. Të gjithë mund të ndiejmë gëzim dhe dashuri duke kujtuar se jemi pjesë e familjes së madhe të Perëndisë, pavarësisht nga rrethanat individuale të familjeve tona.

Të gjithë kolektivisht mund të marrim forcë dhe të përgatitemi për betejat tona shpirtërore ndërsa u bashkohemi komuniteteve të shenjtorëve. Kunjet dhe distriktet tona sigurojnë një vend të tillë strehimi dhe mbrojtjeje. Ne mund ta ushqejmë shpirtërisht njëri‑tjetrin, ta ndihmojmë njëri‑tjetrin për të mbajtur urdhërimet e Perëndisë dhe ta inkurajojmë njëri‑tjetrin për t’u mbështetur te Krishti: gjithnjë dhe veçanërisht në kohë sfide. Kur mblidhemi, e kuptojmë se nuk luftojmë të vetëm në betejat tona. Kemi miq, mësues dhe udhëheqës që mund të na ndihmojnë dhe mbrojnë. Të gjithë jemi më të fortë kur përgatitemi së bashku.

Në mënyrë mbresëlënëse, Moroni ia dha meritat për të gjithë lumturinë e popullit të vet të qenit të vërtetë ndaj besimit të tyre te Perëndia dhe feja e tyre. Ashtu si Moroni, ne duhet ta kuptojmë se gëzimi vjen për shkak të Atit Qiellor dhe planit të Tij dhe për shkak të Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij. Teksa arrijmë ta kuptojmë qëllimin tonë, krijojmë strategji për sukses dhe përgatitemi për betejat metaforike, ne marrim fuqi dhe ndihmë hyjnore.

Ashtu si Moroni, unë e di se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti sjellin lirinë përfundimtare nga skllavëria – liri nga vdekja dhe mëkati. Ata na bekojnë me fuqinë e Tyre kur ne shohim drejt Tyre për të gjitha gjërat.

Shënime

  1. Taking Charge of Technology” [“Marrja nën Kontroll e Teknologjisë”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  2. Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve (2022), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  3. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2016, f. 82–83.