2023
Përgatitja për të Frekuentuar Tempullin
Dhjetor 2023


“Përgatitja për të Frekuentuar Tempullin”, Liahona, Dhjetor 2023.

Mesazhi i Përmuajshëm i Revistës Liahona, Dhjetor 2023

Përgatitja për të Frekuentuar Tempullin

njerëz duke ecur drejt Tempullit të Ogdenit në Jutë

Fotografi e Tempullit të Ogdenit në Jutë nga Mark Brunson

Në tempujt e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ne mund të marrim besëlidhje dhe ordinanca të shenjta për veten tonë dhe paraardhësit tanë. Ne e frekuentojmë tempullin që të tregojmë dashurinë dhe mirënjohjen tonë për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Ne mund të përgatitemi për ta frekuentuar tempullin duke e mësuar dhe duke e jetuar ungjillin e Jezu Krishtit. Për më shumë informacion rreth tempujve shihni artikullin te rubrika Bazat e Ungjillit “Temple Work” [“Puna në Tempull”] në botimin e tetorit 2021 të Liahonës.

fjalët jashtë Tempullit të Durbanit në Afrikën e Jugut

Fotografi e Tempullit të Durbanit në Afrikën e Jugut nga Matthew Reier

Shtëpia e Zotit

Tempujt quhen “shtëpi[a] e Zotit”. Ata janë vende të shenjta ku mund të ndiejmë Shpirtin e Perëndisë dhe dashurinë e Tij për ne. Ata gjithashtu janë vende ku mund të bëjmë besëlidhje dhe të marrim ordinanca të veçanta të cilat do të na përgatitin që të kemi jetë të përjetshme. (Besëlidhjet janë premtime të shenjta midis Perëndisë dhe fëmijëve të Tij.) Të qenit besnikë ndaj besëlidhjeve tona dhe marrja e këtyre ordinancave na ndihmon të kemi një marrëdhënie të veçantë me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.

të rinj e të reja duke qëndruar jashtë Tempullit të Guajakilit në Ekuador

Fotografi e Tempullit të Guajakilit në Ekuador nga Janae Bingham

Kush Mund ta Frekuentojë Tempullin?

Anëtarët e Kishës mund të kryejnë pagëzime për të vdekurit duke filluar nga viti kur mbushin 12 vjeç. Një anëtar ose anëtare mund ta marrë dhurimin nëse ai ose ajo është të paktën 18 vjeç, ka qenë anëtar ose anëtare e Kishës për të paktën një vit dhe dëshiron t’i bëjë e t’i mbajë besëlidhjet e tempullit (shihni te Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 27.2.2, ChurchofJesusChrist.org). Një burrë dhe një grua që e kanë marrë tashmë dhurimin e tyre në tempull, mund të vulosen (martohen) për përjetësinë në tempull.

Besëlidhjet dhe Ordinancat

Ju do të bëni besëlidhje dhe do të merrni ordinanca në tempull. “Hyrja në një marrëdhënie besëlidhëse me Perëndinë na lidh me Të në një mënyrë që e bën më të lehtë çdo gjë në lidhje me jetën” (Rasëll M. Nelson, “Mundeni Botën dhe Gjeni Prehje”, Liahona, nëntor 2022, f. 97). Një ordinancë është një akt i shenjtë fizik që kryhet me anë të autoritetit të priftërisë. Ordinancat kanë kuptim të thellë shpirtëror. Për shembull, kur merrni pjesë në një ordinancë, ju i tregoni Perëndisë se jeni të gatshëm t’i merrni dhe mbani besëlidhjet e Tij.

Përgatitja Vetjake

Përgatituni shpirtërisht duke i ndjekur mësimet e Jezu Krishtit dhe duke i mbajtur besëlidhjet që bëtë me Perëndinë në pagëzim. Gjithashtu mund të studioni burimet e Kishës, të tilla si shkrimet e shenjta dhe bisedat e konferencave të përgjithshme. Temples.ChurchofJesusChrist.org jep informacion rreth asaj se çfarë të prisni kur ta frekuentoni tempullin. Gjithashtu përfshin më shumë hollësi rreth besëlidhjeve, ordinancave dhe simboleve të tempullit.

jashtë Tempullit të Navusë në Ilinois

Fotografi e Tempullit të Navusë në Ilinois nga Eve Tuft

Simbolizmi

Zoti shpesh jep mësim duke përdorur simbole. Për shembull, pagëzimi – futja nën ujë dhe dalja përsëri jashtë – është sikurse vetja juaj e mëparshme vdes dhe vetja juaj e re rilindet (shihni te Romakëve 6:3–6). Ordinancat e tempullit të drejtojnë te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij. Mund të jetë e vështirë që ta kuptoni të gjithë simbolizmin herën e parë që e frekuentoni tempullin, por ju mund të vazhdoni të mësoni ndërsa ktheheni në tempull gjatë gjithë jetës suaj.

Rekomandimi i Tempullit

Për të hyrë në tempull, ju keni nevojë të jeni të përgatitur dhe të denjë. Ju mund të merrni një rekomandim për të hyrë në tempull pas një interviste me peshkopin ose presidentin tuaj të degës dhe me presidentin e kunjit ose të misionit. Këta udhëheqës do të bëjnë një grup pyetjesh që të sigurohen se ju po e jetoni ungjillin e Jezu Krishtit. Udhëheqësit tuaj mund t’ju flasin rreth këtyre pyetjeve që më parë.

Kthimi në Tempull për Paraardhësit Tuaj

Ati Qiellor dëshiron që të gjithë fëmijët e Tij të bëjnë besëlidhje me Të dhe të marrin ordinanca të shenjta. Këto ordinanca, të tilla si pagëzimi dhe dhurimi, duhet të bëhen në tempuj për ata që kanë ndërruar jetë pa e marrë ungjillin. Ju mund të ktheheni në tempull për të bërë ordinanca për pjesëtarët e vdekur të familjes suaj.