2023
Kur Bota Ime Ishte e Errët, u Drejtova te Krishti
Mars 2023


“Kur Bota Ime Ishte e Errët, u Drejtova te Krishti”, Liahona, mars 2023.

Të Rinjtë në Moshë Madhore

Kur Bota Ime Ishte e Errët, u Drejtova te Krishti

Me kaq shumë gjëra të errëta që po ndodhnin rreth meje, nuk isha e sigurt se ç’do të thoshte që të kishe një themel në Krisht.

grua duke parë drejt dritës

Fotografia nga Getty Images, pozuar nga një modele

Në një mesazh të kohëve të fundit nga konferenca e përgjithshme, Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, foli për kohët e rrezikshme në botë: “Apostulli Pal i shkroi Timoteut: ‘Dhe dije këtë: në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira’ (2 Timoteut 3:1).

… Kështu që do të bëhet më e vështirë, jo më e lehtë, t’i nderojmë besëlidhjet që duhet të bëjmë dhe mbajmë për të jetuar ungjillin e Jezu Krishtit.”1

Ndërsa i dëgjoja këto fjalë, u ndjeva në ankth. Po përballesha tashmë me sfida në shtëpinë time në Venezuelë. Kështu që pyetje të ngjashme me “Si mund të qëndroj optimiste kur bota është kaq e errët?” dhe “Si mund të shoh përpara drejt një të ardhmeje të ndritur në një të tashme kaq të zymtë?” ishin në atë kohë në zemrën time.

Por Presidenti Ajring e ofroi zgjidhjen. Ai citoi te Helamani 5:12, i cili flet që ne ta ndërtojmë themelin tonë “mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti”.

Kam besuar gjithnjë se ky shkrim i shenjtë ishte i vërtetë, por që ta ndërtoja themelin tim mbi Shpëtimtarin më dukej më e lehtë të thuhej sesa të bëhej. Megjithatë, ndërsa jam afruar më shumë te Krishti, kam parë se gjithçka vepron për të mirën tënde kur besimi yt tek Ai është i fortë (shih te Doktrina e Besëlidhje 90:24).

Të Ndihesh i/e Braktisur

Disa muaj më parë, mora një lajm shkatërrues nga familja ime. M’u duk sikur m’u shemb e gjithë bota. Ndihesha e mpirë, e pështjelluar dhe kaq në ankth saqë u sëmura.

Nuk e kuptoja se përse po përballeshim me vështirësi të tilla kur po përpiqesha të isha besnike. Vrisja mendjen se mos kisha bërë ndonjë gjë gabim. E ardhmja dukej e zezë dhe ndihesha e braktisur nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.

Mes mundimit tim bisedova me një shok të mirë. Ai më tha diçka që nuk do ta harroj kurrë: “Mendoj se kjo situatë është një mundësi e mirë që ti të përsiatësh për marrëdhënien tënde vetjake me Zotin. Pavarësisht se çfarë ndodh, e ke ti në dorë që të drejtohesh tek Ai për ndihmë. Nëse e bën këtë, Ai do të të sigurojë dashurinë dhe lehtësimin që të nevojitet pikërisht tani.”

Ato fjalë ma ndryshuan këndvështrimin. Isha e zemëruar, e lënduar dhe e pështjelluar nga rrethanat e mia, por e kisha një zgjedhje. Pavarësisht asaj që po kalojmë, se çfarë frike kemi ose se me çfarë vështirësish po përballemi, Jezu Krishti është gjithmonë pranë nesh. Kemi zgjedhjen që të drejtohemi drejt Tij me besim, jo të largohemi prej Tij në kohë të trazuara.

Kjo është mënyra se si e forcojmë themelin tonë të besimit tek Ai dhe u bëjmë ballë vështirësive në botë. Duke e zgjedhur Atë.

Sikurse Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Në mes të këtij zjarri të rafinuesit, në vend që të zemëroheni me Perëndinë, afrohuni me Perëndinë. Thirrini Atit në emrin e Birit. Ecni me Ta në Shpirt, ditë pas dite. Lejojini Ata që ndërsa koha kalon, të shpërfaqin besnikërinë e Tyre ndaj jush. Njihini Ata realisht dhe njiheni veten realisht.”2

Krishti po priste që unë të drejtohesha tek Ai për ndihmë. Kjo nuk do të thoshte që do të m’i hiqte menjëherë të gjitha problemet ose të rregullonte çdo gjë në jetën dhe në familjen time, por Ai më ndihmoi të bëhesha më e mirë, të gjeja gëzim dhe të përmirësohesha.

Me kalimin e kohës, teksa e kërkova Shpëtimtarin nëpërmjet lutjes, studimit të shkrimeve të shenjta dhe besimit, Ai më ndihmoi t’i falja pjesëtarët e familjes sime dhe ta ftoja gëzimin përsëri në jetën time, edhe pse disa sfida nuk janë zgjidhur ende.

Një Premtim Sigurie

Këto sigurisht që janë ditë të fundit të rrezikshme. Ne dëgjojmë për luftëra dhe zhurma luftërash, pandemi, fatkeqësi natyrore dhe jam shumë e sigurt se do të vijnë kohë edhe më të vështira në vijim. Megjithatë, ndërtimi mbi shkëmbin që është Jezu Krishti, dhe mirëbesimi tek Ai, do të na japin gjithmonë paqe dhe gëzim, pavarësisht nga ajo me të cilën po përballemi. Siç dha mësim edhe Presidenti Ajring: “Për ata prej nesh që janë të shqetësuar për veten dhe për ata që dua[m], ka shpresë në premtimin që Perëndia ka bërë një vend sigurie gjatë stuhive që na presin”3.

Çfarë premtimi i fuqishëm dhe i bukur. E kam parë atë premtim të përmbushet në jetën time. E di se ky është ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit dhe se Ai është burimi i çdo bekimi. Ai është drita, Ai është Shpëtimtari ynë dhe ne jemi delet e Tij. Le të zgjedhim Atë dhe të zgjedhim besimin.

Autorja jeton në Zulia, Venezuelë.