Mesazhi i Vizitave Mësimore
Përqafimi me Dashuri i Atyre që Largohen nga Udha
Studiojeni këtë material me lutje dhe kërkoni frymëzim për të ditur se çfarë të tregoni. Si do t’i përgatitë kuptueshmëria e qëllimit të Shoqatës së Ndihmës bijat e Perëndisë për bekimet e jetës së përjetshme?
“Realiteti është që nuk ka familje të përsosura … ”, tha Presidenti Diter F. Uhtdorf, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë. “Çfarëdo problemesh që po i has familja juaj, çfarëdo që duhet të bëni për t’i zgjidhur ato, fillimi dhe fundi i zgjidhjes është dashuria hyjnore, dashuria e pastër e Krishtit.”1
Për ata që nuk po marrin pjesë plotësisht në ungjill, Linda K. Barton, Presidente e mëparshme e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, tha: “Ati Qiellor i do të gjithë fëmijët e Tij. … Nuk ka rëndësi se ku janë ata – brenda apo jashtë udhës – Ai i do ata sërish në shtëpi.”2
“Sado të pabindur që mund të jenë [fëmijët tuaj], … kur u flisni atyre ose bisedoni me ta, mos e bëni atë me zemërim, mos e bëni atë me ashpërsi, me një frymë ndëshkuese”, dha mësim Presidenti Jozef F. Smith (1838–1918). “Flituni atyre me mirësi.”3
Plaku Brent H. Nilson, i Të Shtatëdhjetëve, e përsëriti udhëzimin e Shpëtimtarit për ata që kanë dhjetë dhrahmi dhe e humbasin njërën: “Kërkoj[eni] derisa ta gje[ni]. Kur njeriu i humbur është biri juaj ose bija juaj, vëllai juaj ose motra juaj, … pas gjithçkaje që mund të bëjmë, ne e duam atë njeri me të gjithë zemrën tonë. …
Marrshim ju dhe unë zbulesën për të ditur se si t’u afrohemi më mirë njerëzve në jetën tonë që janë humbur, dhe, kur është e domosdoshme, të kemi durimin dhe dashurinë e Atit tonë në Qiell dhe të Birit të Tij, Jezu Krishtit, kur duam, vështrojmë dhe presim për plangprishësin.”4
Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, tha: “Jam lutur me besim që dikush që e doja, do të kërkonte dhe do ta ndiente fuqinë e Shlyerjes. Jam lutur me besim që engjëj njerëzorë do t’u vinin në ndihmë dhe ata erdhën.
Perëndia ka krijuar një mënyrë për ta shpëtuar secilin prej fëmijëve të Tij.”5
Shkrime të Shenjta dhe Informacion i Mëtejshëm
Mateu 18:12; Alma 31:35; 3 Nefi 13:32; DeB 121:41–42
Besim Familje Ndihmë