Historia e Kishës
Helmut Hybeneri


Helmut Hybeneri

Helmut Gynter Hybeneri (1925–1942), një anëtar i Kishës në Hamburg të Gjermanisë, ishte më i riu në moshë i qëndresës gjermane ndaj nazizmit që u ekzekutua me urdhër të Gjykatës Popullore Speciale (Volksgerichtshof) në Berlin. Që në fillim të vitit 1941, Hybeneri prodhoi një seri traktesh kundër nazizmit që përfshinte komentet e veta politike dhe transkriptimet e transmetimeve radiofonike të aleatëve. Me ndihmën e adoleshentëve të tjerë, ai shpërndau trakte në mbarë Hamburgun. Në shkurt të vitit 1942, Gjykata e shpalli Hybenerin fajtor për “komplot për kryerje tradhtie të lartë dhe përkrahje tradhtare ndaj armikut” dhe urdhëroi ekzekutimin e tij. Trupi gjykues dënoi edhe shokët e tij: Rudolf Vobenë dhe Karl‑Hainc Shnibenë dhe kolegun e tij në punë, Gerhard Dyverin, për “dëgjimin e një stacioni radiofonik të huaj dhe përhapjen e lajmeve radiofonike të huaja”. Hybeneri u ekzekutua në moshën 17‑vjeçare, tetë muaj më vonë. Vobeja, Shnibeja dhe Dyveri u dënuan me punë të rëndë krahu në kampe të burgosurish në Gjermani.

Hybeneri lindi në Hamburg, në vitin 1925. Nëna e tij pa bashkëshort, Ema Gudat Kunkeli, punoi për t’i siguruar jetesën Helmutit dhe dy gjysmëvëllezërve të tij më të mëdhenj, Hansit dhe Gerhardit. Për rrjedhojë, Helmuti dhe të vëllezërit e kaluan pjesën më të madhe të fëmijërisë me gjyshen e tyre, Vilhemine Sudroun, e cila jetonte aty afër. Në vitin 1939, Ema u martua me Hugo Hybenerin, një punëtor ndërtimi dhe anëtar i Partisë Naziste, i cili më vonë e birësoi Helmutin.

Sikurse dhe fqinjët e tyre, shumë shenjtorë gjermanë të ditëve të mëvonshme në fillim i shihnin me shpresë premtimet e Partisë Naziste për një qëndrueshmëri ekonomike të rimëkëmbur dhe një krenari të shtuar kombëtare. Disa anëtarë të Kishës iu bashkuan partisë, ndërsa të tjerë iu kundërvunë aktivisht regjimit. Disa të tjerë mbajtën qëndrim asnjanës. Helmut Hybeneri e përjetoi nga afër këtë spektër të pjesëmarrjes në parti. Presidenti i tij i degës, Artur Zanderi, ishte anëtar i Partisë Naziste, i cili donte t’i detyronte anëtarët e degës të dëgjonin transmetimet radiofonike të partisë, nën kërcënimin se do t’i raportonte anëtarët për veprimtari kundër qeverisë dhe, në vitin 1938, afishoi një shpallje në derën e shtëpisë së mbledhjeve që informonte se judenjtë nuk ishin të mirëpritur. Një grup anëtarësh vishnin uniformat naziste ushtarake dhe të shërbimeve civile, në mbledhjet e Kishës. Nga ana tjetër, Oto Berndti, presidenti i distriktit të Hamburgut, predikonte nga foltorja kundër rregullores së qeverisë. Edhe pse nuk ishte dakord me idenë e transmetimeve në radio, ai e nxiste privatisht qëndresën e anëtarëve dhe shpesh u jepte shërbesë të kthyerve në besim judeas. Ndonëse Hybeneri fillimisht mori pjesë në Jungvolk‑un vendor (grupin e organizuar nga nazistët për fëmijët) dhe në Rininë Hitleriane, ai arriti ta refuzonte ideologjinë e partisë.

Në pranverën e vitit 1941, Hybeneri zbuloi një radio me valë të shkurtra që i përkiste vëllait të tij Gerhardit dhe e përdorte për të dëgjuar transmetimet e lajmeve të natës nga Korporata Britanike e Transmetimeve (BBC‑ja) – një krim sipas ligjit nazist. Nganjëherë, dy miqtë nga kisha, Karl‑Hainc Shnibeja dhe Rudolf (Rudi) Vobeja, i bashkoheshin atij. Hybeneri shpejt filloi të prodhonte trakte kundër nazizmit që përçonin informacionet e transmetimeve bashkë me komentet e tij vetjake. Duke përdorur letra karboni dhe nja dy makina shkrimi të huazuara nga dega e Kishës, Hybeneri bëri kopje të këtyre trakteve, të cilat ai, Shnibeja dhe Vobeja i ngjitnin nëpër stendat e buletinit të Partisë Naziste, i hidhnin në rrugë plot me njerëz dhe i futnin tinëz nëpër kuti postare. Hybeneri u përpoq pa sukses që të rekrutonte për të ndihmuar adoleshentë të tjerë që i njihte. Gjatë një periudhe prej tetë muajsh, Hybeneri prodhoi një seri traktesh ku sfidohej retorika e partisë dhe kundërshtoheshin raportet zyrtare të luftës. Ai gjithashtu iu drejtua drejtpërsëdrejti zyrtarëve të partisë. Fyhreri “do t’ju çojë me mijëra veta në zjarre vetëm që ta përfundojë krimin që nisi”, – shkroi Hybeneri në një nga traktet. “Me mijëra nga gratë e fëmijët tuaj do të mbeten të veja e jetimë. Dhe për hiç mos gjë!”

Në shkurt të vitit 1942, agjentët e Gestapos i arrestuan Hybenerin, Vobenë, Shnibenin dhe Dyverin nën akuzat e krimeve të ndryshme sipas ligjit nazist, duke përfshirë “komplotin e kryerjes së tradhtisë së lartë”. Më 11 gusht, gjatë një seance gjyqësore që zgjati për më shumë se nëntë orë, ata të katër u gjykuan përpara tre anëtarëve të Gjykatës Popullore Speciale në Berlin. Që të katërt u shpallën fajtorë. Hybenerin e dënuan me vdekje, ndërsa Vobenë, Shnibenë dhe Dyverin i dënuan me 4 deri në 10 vjet në kampet e punës. Hybeneri u ekzekutua me gijotinë më 27 tetor 1942.

Muri Përkujtimor i Gedenkshtete Plëcenzesë [Gedenkstätte Plötzensee]

Muri Përkujtimor i Gedenkshtete Plëcenzesë [Gedenkstätte Plötzensee] në Berlin, Gjermani, ku u ekzekutua Hybeneri.

Fill pas arrestimit të Hybenerit, presidenti i degës Artur Zanderi shkroi “i shkishëruar” në dokumentin e anëtarësisë së Helmutit. Megjithatë, presidenti i distriktit Oto Berndti nuk pranoi të jepte firmën e dytë miratuese. Enton Hjuku, një anëtar i presidencës së Misionit të Europës, e dha firmën e dytë miratuese. Disa udhëheqës të Kishës më vonë thanë se patën qëllim ta veçonin Kishën nga Hybeneri për të mbrojtur shenjtorët e ditëve të mëvonshme nga zemërata e zyrtarëve nazistë. Pasi mbaroi Lufta II Botërore, Presidenca e Parë e hoqi vendimin e shkishërimit të Hybenerit dhe, në vitin 1948, Hybenerit iu dhanë ordinancat në tempull me mëkëmbës.

Në dekadat qysh nga Lufta II Botërore, Helmut Hybeneri është përkujtuar për qëndresën e tij ndaj regjimit nazist. Ekspozita përkujtimore janë instaluar në një shkollë profesionale në Hamburg, në Qendrën Përkujtimore të Qëndresës Gjermane në Berlin dhe në burgun e Plëcenzesë, ku Hybeneri u ekzekutua. Përveç këtyre, një qendër rinore, një shkollë dhe dy rrugë në Hamburg mbajnë emrin e tij. Që nga vitet 1940, grupet politike, sociale dhe fetare kanë zhvilluar kremtime të ndryshme më 8 janar (ditëlindja e tij) dhe më 27 tetor (dita e ekzekutimit të tij) duke nderuar heroizmin e tij. Më 8 janar 2020, një shkolle në një qendër paraburgimi për të mitur pranë burgut të Plëcenzesë iu dha emri i Hybenerit në nder të tij. Më së fundmi, ndoshta vetë mendimet e Hybenerit të shkruara në një letër që e dërgoi gjatë çasteve të tij të fundit, shërbejnë si kujtuesi më i mirë i forcës së tij të bindjes dhe shpresës së durueshme: “Jam shumë mirënjohës për Atin tim Qiellor që kësaj jete plot agoni po i vjen fundi këtë mbrëmje. Nuk mund ta duroj dot më gjatë prapëseprapë! Ati im në Qiell e di se nuk kam bërë asgjë të gabuar. … E di se Perëndia jeton dhe se Ai do të jetë gjykatësi i duhur i kësaj çështjeje. Deri në ribashkimin tonë të lumtur në atë botë më të mirë!”

Tema të Ngjashme: Germany [Gjermania], World War II [Lufta II Botërore]

Shënime

  1. Erin Blakemore, “Meet the Youngest Person Executed for Defying the Nazis”, History Stories, 31 gusht 2018, https://www.history.com/news/meet-the-youngest-person-executed-for-defying-the-nazis. Rudi Vobeja dhe Karl‑Hainc Shnibeja botuan kujtime mbi përvojat e tyre të qëndresës ndaj regjimit nazist përkrah Hybenerit; shihni te Rudi Wobbe dhe Jerry Borrowman, Before the Blood Tribunal (American Fork, Utah: Covenant Communications, 1992), ribotuar si Three against Hitler (American Fork, Utah: Covenant Communications, 1992); Karl‑Heinz Schnibbe, Alan F. Keele dhe Douglas F. Tobler, The Price: The True Story of a Mormon Who Defied Hitler (Solt‑Lejk‑Siti: Bookcraft, 1984). Rreth Hybenerit janë shkruar libra (artistikë dhe biografikë), artikuj dhe ese të tjera të shumta.

  2. People’s Court, Verdict, Document 52 në Blair R. Holmes and Alan F. Keele, bot. dhe përkth., When Truth Was Treason: German Youth against Hitler: The Story of the Helmuth Hübener Group, bot 2‑të (Provo: Stratford Books, 2003), f. 219–220; District Court Hamburg, Arrest Warrant, Document 16 në Holmes and Keele, bot. dhe përkth., When Truth Was Treason, f. 174–175; Rudolf Wobbe, Statement, Document 66 në Holmes and Keele, bot. dhe përkth., When Truth Was Treason, f. 259–262; Wobbe and Borrowman, Before the Blood Tribunal, f. 74. Shihni edhe tek Tema: World War II [Lufta II Botërore].

  3. Wobbe dhe Borrowman, Before the Blood Tribunal, f. 14; Richard Lloyd Dewey, Hübener vs. Hitler: A Biography of Helmuth Hübener, German Teenage Resistance Leader, bot. 2‑të (Provo: Academic Research Foundation, 2004), f. 1–2; Schnibbe, Keele, and Tobler, The Price, f. 20.

  4. Schnibbe, Keele dhe Tobler, The Price, f. 20; Dewey, Hübener vs. Hitler, f. 5–6.

  5. Shihni te Dewey, Hübener vs. Hitler; David Conley Nelson, Moroni and the Swastika: Mormons in Nazi Germany (Norman: University of Oklahoma Press, 2015), f. 99–104. Ndërkohë që [David Conley] Nelson‑i pretendon se përkrahja e anëtarëve të Kishës për ideologjinë e partisë shkoi përtej “thjesht mbrojtjes”, shumica e dëshmitarëve okularë përshkruan një “pjesëmarrje ngurruese” të shkaktuar nga dëshira për të mbrojtur vetveten, familjet e tyre dhe Kishën nga ndërhyrja qeveritare, burgimi ose më keq. Për shembull, shihni tek Oto Berndt, Statement [Deklaratë], Dokumenti 65 te Holmes dhe Keele, red. dhe përkth., When Truth Was Treason, f. 257.

  6. Wobbe dhe Borrowman, Before the Blood Tribunal, f. 28–32; Schnibbe, Keele dhe Tobler, The Price, f. 22–24.

  7. Dewey, Hübener vs. Hitler, f. 23–24, 27–28, 61, 71–73; Wobbe dhe Borrowman, Before the Blood Tribunal, f. 15, 31–32, 39; Schnibbe, Keele, dhe Tobler, The Price, f. 16, 22.

  8. Wobbe, Statement [Deklaratë], f. 259; Schnibbe, Keele dhe Tobler, The Price, f. 25–27; Wobbe dhe Borrowman, Before the Blood Tribunal, f. 34–39.

  9. Holmes dhe Keele, red., When Truth Was Treason, f. 336n8.

  10. Helmuth Hübener, “I’ve Calculated for Everything”, Dokumenti 42 te Holmes dhe Keele, red. dhe përkth., When Truth Was Treason, f. 208. Sipas dokumenteve të akuzës, Gestapoja gjeti 29 prej trakteve, përfshirë 9 “fletëpalosje më të vogla” dhe 20 fletë të plota traktesh; shihni një listë të plotë dhe përshkrime të këtyre trakteve te Holmes dhe Keele, red. dhe përkth., When Truth Was Treason, f. 191–193, 221–224.

  11. Kryeavokati i Shtetit i Gjykatës më të Lartë Rajonale Hanseatike, Çështja Kriminale kundër Hybenerit, Dokumenti 23 te Holmes dhe Keele, red. dhe përkth., When Truth Was Treason, f. 180–182. Gjetkë, krimi u përshkrua edhe si “përgatitje për tradhti të lartë”; shihni te District Court Hamburg, Arrest Warrant [Gjykata e Qarkut të Hamburgut, Mandat Arresti], f. 174–175; Wobbe dhe Borrowman, Before the Blood Tribunal, f. 66–67. “Gestapo” ishte shkurtim i emërtimit Geheime Staatspolizei (“Policia Shtetërore Sekrete”).

  12. Wobbe dhe Borrowman, Before the Blood Tribunal, f. 69–76; Schnibbe, Keele dhe Tobler, The Price, f. 51–54.

  13. Gjykata Popullore, Vendimi, f. 219–231; Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm e Gjykatës Popullore, Raporti i Ekzekutimit, 27 tetor 1942, Dokumenti 62 te Holmes dhe Keele, red. dhe përkth., When Truth Was Treason, f. 241–242.

  14. Berndt, Deklaratë, f. 258–259. Oto Berndti shpjegoi: “Kjo u bë që të shmangeshin vështirësi të mëtejshme me partinë [naziste]. Shenjtorët që besuan në idealet e Gjermanisë së Re, … i bënë gjërat që bënë, sepse besuan se do të ishte në interesin më të mirë të Kishës dhe të atdheut. Pendim dhe falje janë shfaqur pas luftës nga të gjithë njerëzit e përfshirë” (Berndt, Deklaratë [Statement], f. 258–259). Shihni edhe te Dewey, Hitler, f. 174.

  15. Shihni te https://helmuthhuebener.de; Helmuth Hübener Exhibition, “Memorial in Hamburg in Remembrance of Nazi Crimes”, https://gedenkstaetten-in-hamburg.de/en/memorials/show/helmuth-huebener-exhibition; Gedenkstätte Deutscher Widerstand, “Helmuth Hübener”, https://www.gdw-berlin.de/en/recess/biographies/index_of_persons/biographie/view-bio/helmuth-huebener; Brigitte Oleschinski, Plötzensee Memorial Center (Berlin: Qendra Përkujtimore e Rezistencës Gjermane, 2002), f. 31.

  16. Schnibbe, Keele dhe Tobler, The Price, f. ix; “Schule der Berliner Jugendstrafanstalt wird Helmuth-Hübener-Schule”, https://presse-de.kirchejesuchristi.org/artikel/schule-der-berliner-jugendstrafanstalt-wird-helmuth-huebener-schule.

  17. Schnibbe, Keele dhe Tobler, The Price, f. 58.