2020–2024
Të të Njohin Ty
konferenca e përgjithshme e tetorit 2022


10:49

Të të Njohin Ty

(Gjoni 17:3)

Dëshira ime e sinqertë është që ju do të arrini ta njihni Jezusin nëpërmjet emrave të Tij të shumtë dhe që ju do të bëheni si Ai.

Disa vjet më parë, pata një përvojë jetëndryshuese gjatë një mbledhjeje sakramenti në lagjen e vendbanimit tonë në Arizonë. Ndërsa lutja e sakramentit tregonte gatishmërinë tonë për të “marr[ë] mbi vete emrin e [Jezu Krishtit]”1, Fryma e Shenjtë më kujtoi se Jezusi ka shumë emra. Më pas kjo pyetje më erdhi në zemër: “Cilin nga emrat e Jezusit duhet të marr mbi vete këtë javë?”

Më erdhën në mendje tre emra dhe i shkrova. Secili prej atyre tre emrave përmbante cilësi të ngjashme me të Krishtit që dëshiroja t’i zhvilloja më plotësisht. Në javën që pasoi, u përqendrova te këta tre emra dhe u përpoqa t’i përvetësoja cilësitë dhe karakteristikat e tyre përkatëse. Prej asaj kohe, kam vazhduar ta bëj atë pyetje si pjesë të adhurimit tim vetjak: “Cilin nga emrat e Jezusit duhet të marr mbi vete këtë javë?” Përgjigjja e kësaj pyetjeje dhe përpjekja për të zhvilluar cilësi të ngjashme me të Krishtit, e kanë bekuar jetën time.

Në Lutjen e Tij të mrekullueshme Ndërmjetësuese, Jezusi shprehu këtë të vërtetë të rëndësishme: “Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar”2. Sot do të doja t’ju tregoja për bekimet dhe fuqinë që vjen nga njohja e Jezu Krishtit nëpërmjet emrave të Tij të shumtë.

Një mënyrë e thjeshtë për ta njohur dikë është duke i mësuar emrin. Është thënë se “emri i një personi për vetë atë person është tingulli më i ëmbël dhe më i rëndësishëm në çdo gjuhë”3. A e keni pasur ndonjëherë përvojën që ta thërrisni dikë me emër tjetër ose t’ia harroni emrin? Unë, dhe gruaja ime, Aleksisi, me raste e kemi thirrur një nga fëmijët tanë “Lola”. Fatkeqësisht, siç mund ta keni marrë me mend, Lola është qeni ynë! Për mirë a për keq, duke e harruar emrin e dikujt i komunikoni atij personi që ndoshta nuk e njihni shumë mirë.

Jezusi i njihte dhe i thërriste njerëzit në emër. Izraelit të lashtë, Zoti i tha: “Mos ki frikë, sepse unë të kam çliruar, të kam thirrur me emër; ti më përket mua”4. Në mëngjesin e Pashkës, dëshmia e Maries për Krishtin e ringjallur u forcua kur Jezusi e thirri atë me emër.5 Në mënyrë të ngjashme, Perëndia e thirri Jozef Smithin në emër si përgjigje ndaj lutjes së tij me besim.6

Në disa raste, Jezusi u vuri dishepujve të Vet emra të rinj që qenë tregues për natyrën, aftësinë dhe potencialin e tyre. Jehova i vuri Jakobit emrin e ri Izrael, që do të thotë “dikush që triumfon me Perëndinë” ose “lejojeni Perëndinë të triumfojë”7. Jezusi i vuri Jakobit dhe Gjonit emrin Boanerges, që do të thoshte “bij të bubullimës”8. Duke parë udhëheqjen e tij në të ardhmen, Jezusi i vuri Simonit emrin Kefa ose Pjetër, që do të thotë shkëmb.9

Ashtu si Jezusi e njeh secilin prej nesh me emër, një mënyrë se si mund të arrijmë ta njohim më mirë Jezusin është duke i mësuar emrat e Tij të shumtë. Ashtu si emrat Izrael dhe Pjetër, shumë nga emrat e Jezusit janë tituj që na ndihmojnë të kuptojmë misionin, qëllimin, karakterin dhe cilësitë e Tij. Ndërsa arrijmë t’i dimë emrat e shumtë të Jezusit, ne do të arrijmë ta kuptojmë më mirë misionin e Tij hyjnor dhe karakterin e Tij vetëmohues. Njohja e emrave të Tij të shumtë gjithashtu na frymëzon që të bëhemi më shumë si Ai, të zhvillojmë cilësi të ngjashme me të Krishtit që na sjellin gëzim dhe qëllim në jetën tonë.

Disa vjet më parë, Presidenti Rasëll M. Nelson i studioi të gjitha shkrimet e shenjta në lidhje me Jezu Krishtin tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.10 Ai më pas i ftoi të rinjtë e të rejat në moshë madhore që t’i studionin të njëjtat shkrime të shenjta. Lidhur me emrat e shumtë të Jezusit, Presidenti Nelson tha: “Studiojeni gjithçka është Jezu Krishti duke kërkuar me lutje dhe vrull që ta kuptoni çfarë do të thotë për ju vetë secili prej titujve dhe emrave të Tij të ndryshëm”11.

Pas ftesës së Presidentit Nelson, fillova të krijoja vetë listën time me emrat e shumtë të Jezusit. Lista ime personale tani ka mbi 300 emra dhe jam i sigurt se ka edhe shumë të tjerë që nuk i kam zbuluar ende.

Ndërkohë që ka disa emra të Jezusit që janë rezervuar vetëm për Të12, do të doja të jepja pesë emra dhe tituj që gjejnë zbatim për secilin prej nesh. Ju ftoj të krijoni vetë listën tuaj ndërsa arrini ta njihni Jezusin nëpërmjet emrave të Tij të shumtë. Duke e bërë këtë, do të zbuloni se ka emra të tjerë, bashkë me cilësitë e tyre përkatëse të ngjashme me të Krishtit, të cilat do të dëshironi t’i merrni mbi vete si një dishepull i besëlidhjes me Jezusin.13

Së pari, Jezusi është Bariu i Mirë.14 Si i tillë, Jezusi i njeh delet e Tij15, “i thërret delet e tij me emër”16 dhe, si Qengj i Perëndisë, dha jetën e Vet për delet e Tij17. Në mënyrë të ngjashme, Jezusi dëshiron që ne të jemi barinj të mirë, veçanërisht në familjet tona dhe si vëllezër e motra shërbestare. Një mënyrë se si e tregojmë dashurinë tonë për Jezusin është duke i kullotur delet e Tij.18 Për ato dele që mund të jenë duke u endur, barinjtë e mirë shkojnë në shkretëtirë për t’i gjetur delet e humbura dhe pastaj qëndrojnë me to derisa të kthehen në vend të sigurt.19 Si barinj të mirë dhe si të na e lejojnë kushtet vendore, ne duhet të përpiqemi të kalojmë më shumë kohë duke u dhënë shërbesë njerëzve në shtëpitë e tyre. Gjatë dhënies së shërbesës nga ana jonë, dërgimi i mesazheve me celular dhe teknologjia duhet të përdoren për ta rritur, jo për ta zëvendësuar, kontaktin personal.20

Së dyti, Jezusi është Kryeprifti i të Mirave që do të Vijnë.21 Duke e ditur se po i afrohej Kryqëzimi, Jezusi tha: “Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua; në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën”22. Sot, ndërsa bota jonë është shpesh e polarizuar dhe e ndarë, ekziston një nevojë e madhe që ne të predikojmë dhe të ushtrojmë pozitivitet, optimizëm dhe shpresë. Pavarësisht çdo sfide në të shkuarën tonë, besimi gjithmonë drejtohet tek e ardhmja23, i mbushur me shpresë, duke na lejuar që ta përmbushim ftesën e Jezusit për të marrë zemër24. Të jetuarit e ungjillit plot gëzim na ndihmon të bëhemi dishepuj të të mirave që do të vijnë.

Një titull tjetër i Jezusit është se Ai është i Njëjtë Dje, Sot e Përjetë.25 Qëndrueshmëria është një cilësi e ngjashme me të Krishtit. Jezusi bëri përherë vullnetin e Atit të Tij26 dhe krahu i Tij është vazhdimisht i shtrirë për të na shpëtuar, për të na ndihmuar dhe për të na shëruar.27 Ndërsa jemi më të qëndrueshëm në të jetuarit e ungjillit, ne do të bëhemi më shumë si Jezusi.28 Ndonëse bota do të përjetojë lëkundje të mëdha në lavjerrësit e saj të popullaritetit, ndërsa njerëzit lëkunden dhe transportohen nga çdo erë doktrine29, të jetuarit e ungjillit me qëndrueshmëri na ndihmon të jemi të patundur dhe të palëvizur gjatë stuhive të jetës30. Ne gjithashtu mund të tregojmë vazhdimësi duke e pranuar ftesën e Presidentit Nelson për të “gje[tur] kohë për Zotin”31. Forcë e madhe shpirtërore vjen nga gjërat e vogla dhe të thjeshta32 si zhvillimi i “zakone[ve] të shenjta dhe rutina[ve] të drejta”33 të lutjes së përditshme, pendimit, studimit të shkrimeve të shenjta dhe shërbimit ndaj të tjerëve.

Së katërti, Jezusi është I Shenjti i Izraelit.34 Jeta e Jezusit ishte një model i shenjtërisë. Ndërsa e ndjekim Jezusin, ne mund të bëhemi një i shenjtë Izrael.35 Ne rritemi në shenjtëri ndërsa e vizitojmë rregullisht tempullin, ku fraza “Shenjtëri Zotit” është e gdhendur mbi çdo hyrje. Sa herë që adhurojmë në tempull, largohemi të pajisur me fuqi më të madhe për t’i bërë shtëpitë tona vende shenjtërie.36 Për këdo që aktualisht nuk ka një rekomandim për të hyrë në tempullin e shenjtë, unë ju ftoj të takoheni me peshkopin tuaj dhe të përgatiteni për të hyrë ose për t’u kthyer në atë vend të shenjtë. Koha në tempull do ta rritë shenjtërinë në jetën tonë.

Emri i fundit i Jezusit është se Ai është Besniku dhe i Vërteti.37 Ashtu si Jezusi ishte gjithnjë besnik dhe gjithnjë i vërtetë, dëshira e Tij e zjarrtë është që ne t’i shfaqim këto veti në jetën tonë. Kur na lëkundet besimi, ne mund t’i thërrasim Jezusit: “O Zot, shpëtomë”, ashtu si Pjetri, ndërsa filloi të fundosej në detin e stuhishëm të Galilesë.38 Në atë ditë, Jezusi shtriu dorën për ta shpëtuar dishepullin që po mbytej. Ai ka bërë të njëjtën gjë për mua dhe Ai do të bëjë të njëjtën gjë për ju. Mos hiqni kurrë dorë nga Jezusi – Ai nuk do të heqë kurrë dorë nga ju!

Kur jemi besnikë dhe të vërtetë, ne ndjekim thirrjen e Jezusit “qëndroni në mua”, që mund të nënkuptojë edhe “qëndroni me mua”39. Kur ballafaqohemi me pyetje, kur na vënë në lojë për besimin tonë, kur gishtat e përçmimit drejtohen nga ne prej njerëzve në ndërtesat e mëdha e të gjera të botës, ne mbetemi besnikë dhe qëndrojmë të vërtetë. Në këto çaste, ne kujtojmë përgjërimin e Jezusit: “Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë”40. Ndërsa e bëjmë këtë, Ai na jep besimin, shpresën dhe forcën e nevojshme për të qëndruar me Të përgjithmonë.41

Të dashur vëllezër dhe motra, Jezusi dëshiron që ne ta njohim Atë sepse emri i Tij është emri i vetëm nën qiell nëpërmjet të cilit mund të shpëtohemi.42 Jezusi është Udha, e Vërteta dhe Jeta – askush nuk mund të kthehet tek Ati përveçse nëpërmjet Tij.43 Jezusi është e vetmja udhë! Për këtë arsye, Jezusi na bën thirrje: “Ejani tek unë”44, “Më nd[iqni]”45, “Ec[ni] me mua”46 dhe “Mësoni nga unë”47.

Me gjithë zemrën time, jap dëshmi për Jezu Krishtin – se Ai jeton, se Ai ju do dhe se Ai ju njeh me emër. Ai është Biri i Perëndisë48, i Vetëmlinduri i Atit.49 Ai është Shkëmbi ynë, Kalaja jonë, Mburoja jonë, Streha jonë dhe Çlirimtari ynë.50 Ai është Drita që Shkëlqen në Errësirë.51 Ai është Shpëtimtari ynë52 dhe Shëlbuesi ynë.53 Ai është Ringjallja dhe Jeta.54 Dëshira ime e sinqertë është që ju do të arrini ta njihni Jezusin nëpërmjet emrave të Tij të shumtë dhe që ju do të bëheni si Ai ndërsa mishëroni cilësitë e Tij hyjnore në jetën tuaj. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Doktrina e Besëlidhje 20:77.

  2. Gjoni 17:3; theksimi i shtuar. Në lidhje me këtë lutje, Presidenti Dejvid O. Mek‑Kei dha mësim: “Ky tekst është marrë nga një prej lutjeve më të lavdishme, mendoj lutja më e madhërishme, që është shqiptuar ndonjëherë në këtë botë, duke mos përjashtuar Lutjen e Zotit. Kjo ishte lutja e Krishtit që u shqiptua pak para se Ai të hynte në Kopshtin e Gjetsemanit natën që u tradhtua. … Nuk di asnjë kapitull tjetër më të rëndësishëm në Bibël” (në Conference Report, tetor 1967, f. 5).

  3. Dale Carnegie, How to Win Friends and Influence People, bot. i rish. (1981), f. 83.

  4. Isaia 43:1; theksimi i shtuar.

  5. Shih te Gjoni 20:16.

  6. Shih te Joseph Smith – Historia 1:17.

  7. Bible Dictionary, “Israel”.

  8. Marku 3:17.

  9. Shih te Lluka 6:14; Gjoni 1:42.

  10. Shih Russell M. Nelson, “I Studied More Than 2,200 Scriptures about the Savior in Six Weeks: Here Is a Little of What I Learned”, Inspiration (ditar në internet), 28 shkurt 2017, ChurchofJesusChrist.org. Pas kësaj përvoje, Presidenti Nelson thirri: “Jam bërë tjetër njeri!” (“Marrja e Fuqisë së Jezu Krishtit në Jetën Tonë”, Liahona, maj 2017, f. 39.)

  11. Rasëll M. Nelson, “Profetët, Udhëheqja dhe Ligji Hyjnor” (takimi shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë në moshë madhore, 8 janar 2017), broadcasts.ChurchofJesusChrist.org.

  12. Për shembull, Jezusi është Mesia, Krishti, Jehova i Madh, i Parëlinduri nga të Vdekurit dhe Biri i Vetëmlindur i Perëndisë.

  13. Përveç ftesës së Presidentit Nelson për t’i studiuar shkrimet e shenjta lidhur me Jezusin tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, ju gjithashtu mund t’i studioni emrat e shumtë të Jezusit duke iu referuar Bible Dictionary [Fjalorit Biblik], nën zërin “Christ, names of” [“Krishti, emrat e”]. Gjithashtu mund të dëshironi të studioni librin e Plakut Xhefri R. Holland Witness for His Names (2019) dhe një bisedë në një takim shpirtëror nga Plaku Ronald A. Rasband të titulluar “Name above All Names” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang” – Havai, 20 tetor 2020), speeches.byuh.edu.

  14. Shih te Gjoni 10:11.

  15. Shih te Gjoni 10:14.

  16. Gjoni 10:3.

  17. Shih te Gjoni 10:11–15; 1 Nefi 11:31–33.

  18. Shih te Gjoni 21:15–17.

  19. Më pëlqen në veçanti Përkthimi prej Joseph Smith-it i vargut te Lluka 15:4 (te kombinimi tresh në anglisht), ku thuhet: “Cili prej jush, që ka njëqind dele, nëse humbet një prej tyre, nuk i lë të nëntëdhjetë e nëntat dhe shkon në vendin e shkretë pas asaj që ka humbur, deri sa ta gjejë atë?” (te Lluka 15:4, poshtëshënimi a, [në anglisht] theksimi i shtuar).

  20. Siç vërejti Plaku Dejvid A. Bednar: “Të gjithë mendojnë që dërgimi i një mesazhi me celular mjafton [për dhënien e shërbesës]. Ka raste kur është e nevojshme të jeni në shtëpi dhe është e nevojshme t’i shihni njerëzit në sy, sepse do të merrni mbresa dhe frymëzim në shtëpi, që nuk do t’i merrni kurrë në ndonjë mënyrë tjetër” (“An Evening with Elder David A. Bednar” [transmetim për mësuesit e fesë,] 7 shkurt 2020], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org).

  21. Shih Hebrenjve 9:11.

  22. Gjoni 16:33.

  23. Shih Jeffrey R. Holland, “‘Remember Lot’s Wife’: Faith Is for the Future” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 13 janar 2009), f. 2, speeches.byu.edu. “Besimi gjithnjë drejtohet tek e ardhmja. Besimi ka të bëjë gjithnjë me bekimet, të vërtetat dhe ngjarjet që ende do të jenë dobiprurëse në jetën tonë.”

  24. Shih te Mateu 9:2; Marku 6:50; Gjoni 16:33; 3 Nefi 1:13; Doktrina e Besëlidhje 61:36.

  25. Shih Hebrenjve 13:8; shih edhe Bible Dictionary, “Christ, names of”.

  26. Shih te Gjoni 8:29.

  27. Shih tek Alma 5:33; 19:36; 3 Nefi 9:14.

  28. Shih, për shembull, Dejvid A. Bednar, “Më të Zellshëm dhe më të Përfshirë në Shtëpi”, Liahona, nëntor 2009, f. 20: “Konsekuenca [Qëndrueshmëria] është parim kyç ndërsa ngremë themelin e një vepre të madhe në jetën tonë vetjake. … Ne duhet të jemi dhe të bëhemi më konsekuentë [të qëndrueshëm].”

  29. Shih Efesianëve 4:14.

  30. Shih te Mosia 5:15.

  31. Rasëll M. Nelson, “Gjeni Kohë për Zotin”, Liahona, nëntor 2021, f. 120.

  32. Shih tek Alma 37:6.

  33. Kjo është një frazë që Presidenti Dallin H. Ouks e ka përsëritur disa herë gjatë shërbesës së tij. Shih, për shembull, YSA Face to Face with Elder Oaks and Elder Ballard” (transmetim për të rinjtë në moshë madhore beqarë, 19 nëntor 2017), ChurchofJesusChrist.org.

  34. Shih te 2 Nefi 9:18–19, 41.

  35. Në një takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë në moshë madhore të kohëve të fundit, Motra Uendi Nelson bëri një pyetje që, sipas saj, mund të ndryshojë jetën, ta shtojë vetëbesimin dhe ta pakësojë ankthin, të japë shtysë, ta shtojë mirënjohjen dhe ta pakësojë stresin, të ndihmojë për t’i bërë ballë tundimit dhe të sjellë gëzim, ngushëllim, dashuri dhe paqe. Ajo pyetje ishte: “Çfarë do të bënte një i ri ose e re e shenjtë në moshë madhore?” Më pas, ajo inkurajoi zbatimin e kësaj pyetjeje vetëm në një situatë çdo ditë, për tri ditë radhazi. Shih “Një Pyetje që Mund ta Ndryshojë Jetën Tuaj” (takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë në moshë madhore, 15 maj 2022), broadcasts.ChurchofJesusChrist.org.

  36. Shih te Doktrina e Besëlidhje 109:12–13, 22.

  37. Shih te Zbulesa 19:11.

  38. Mateu 14:30.

  39. Gjoni 15:4.

  40. Doktrina e Besëlidhje 6:36.

  41. Një herë, Plaku Xhefri R. Holland vërejti se në spanjisht, fraza në anglisht “qëndroni në mua” është përkthyer “permaneced en mi”. Ai vazhdoi: “Atëherë kuptimi i kësaj është ‘rrini, por qëndroni përgjithmonë’. … Ejani njëherë e përgjithmonë, për hirin tuaj dhe për hir të të gjithë brezave që duhet t’ju ndjekin dhe ne do ta ndihmojmë njëri‑tjetrin që të jemi të fortë deri në fund” (“Abide in Me”, Liahona, maj 2004, f. 32).

  42. Shih te 2 Nefi 31:21.

  43. Shih te Gjoni 14:6.

  44. Mateu 11:28; 3 Nefi 9:14, 22.

  45. Mateu 16:24; Lluka 18:22; Gjoni 21:19; shih edhe te 2 Nefi 31:10.

  46. Zbulesa 3:4; Moisiu 6:34.

  47. Mateu 11:29; Doktrina e Besëlidhje 19:23.

  48. Shih te 3 Nefi 9:15.

  49. Shih te Gjoni 1:14; Alma 5:48.

  50. Shih te 2 Samuelit 22:2–3.

  51. Shih te Doktrina e Besëlidhje 6:21.

  52. Shih te Lluka 2:11.

  53. Shih te Doktrina e Besëlidhje 18:11–13.

  54. Shih te Gjoni 11:25.