2010–2019
Me një Mendje të Vetme
Prill 2018


10:19

Me një Mendje të Vetme

Me qëllim që ta arrijmë vendmbërritjen tonë madhështore, kemi nevojë për njëri‑tjetrin dhe kemi nevojë të jemi në unitet.

Një nga krijesat më të mrekullueshme në tokë është flutura monarke. Në një udhëtim në Meksikë për ta kaluar Krishtlindjen me familjen e bashkëshortit tim, vizituam një strehë fluturash, ku kalonin dimrin miliona flutura monarke. Ishte magjepsëse të shihje një pamje aq mbresëlënëse dhe që ne të reflektonim mbi shembullin e unitetit dhe bindjes ndaj ligjeve hyjnore që shfaqin krijesat e Perëndisë.

Flutura monarke
Grumbull fluturash

Fluturat monarke janë fluturake mjeshtërore. Ato përdorin pozicionin e diellit për të gjetur drejtimin nga u duhet të shkojnë. Çdo pranverë, udhëtojnë mijëra kilometra nga Meksika deri në Kanada dhe çdo vjeshtë, kthehen tek të njëjtat pyje të shenjta halore në Meksikë. Ato e bëjnë këtë vit pas viti, me nga një rrahje të vocërr flatrash çdo herë. Gjatë udhëtimit të tyre, grumbullohen natën së bashku mbi pemë për t’u mbrojtur nga i ftohti dhe nga grabitqarët.

Kaleidoskop fluturash
Një kaleidoskop i dytë fluturash

Një grup fluturash quhet kaleidoskop. A nuk është ajo një pamje shumë e bukur? Secila flutur në një kaleidoskop është e pashoqe dhe e ndryshme, megjithatë këto krijesa në dukje të brishta, janë projektuar nga një Krijues i dashur me aftësinë për të mbijetuar, për të udhëtuar, për t’u shumuar dhe për ta përhapur jetën teksa shkojnë nga një lule tek tjetra duke shpërndarë pjalmin. Dhe ndonëse secila flutur është e ndryshme, ato punojnë së bashku për ta bërë botën një vend më të bukur dhe më të frytshëm.

Po ashtu si fluturat monarke, edhe ne jemi në një udhëtim për t’u kthyer te shtëpia jonë qiellore, ku do të bashkohemi me Prindërit tanë Qiellorë. Po ashtu si fluturave, neve na janë dhënë tipare hyjnore që na lejojnë të lundrojmë nëpër jetë, me qëllim që ta “përmbush[im] qëllimin e krijimit [tonë]”. Ashtu si ato, nëse i thurim së bashku zemrat tona, Zoti do të na mbrojë “si një klloçkë mbledh zogjtë e saj nën krahët e saj” dhe do të na bëjë të formojmë një kaleidoskop të bukur.

Vajza e djem, të reja e të rinj, motra e vëllezër, ne jemi së bashku në këtë udhëtim. Me qëllim që ta arrijmë vendmbërritjen tonë madhështore, kemi nevojë për njëri‑tjetrin dhe kemi nevojë të jemi në unitet. Zoti na ka urdhëruar: “Jini një; dhe nëse nuk jeni një, nuk jeni të mitë”.

Jezu Krishti është shembulli suprem i unitetit me Atin e Tij. Ata janë një në qëllim, në dashuri dhe në vepra, “vullneti i Birit duke u shkrirë në vullnetin e Atit”.

Si mund ta ndjekim shembullin e përkryer të Zotit për unitetin me Atin e Tij dhe të jemi më shumë në unitet me Ata dhe me njëri‑tjetrin?

Një model frymëzues gjendet te Veprat e Apostujve 1:14. Lexojmë: “Të gjithë [burrat] ngulmonin me një mendje të vetme në lutje dhe përgjërim së bashku me gratë”.

Mendoj se është domethënëse që fraza “me një mendje të vetme” shfaqet disa herë në librin e Veprave të Apostujve, ku lexojmë se çfarë bënë pasuesit e Jezu Krishtit menjëherë pasi Ai u ngjit në qiell si një qenie e ringjallur, si dhe [për] bekimet që ata morën për shkak të përpjekjeve të tyre. Është gjithashtu domethënëse që ne e gjejmë një model të ngjashëm mes besnikëve të kontinentit amerikan në kohën kur Zoti i vizitoi dhe u dha shërbesë atyre. “Me një mendje të vetme” do të thotë në harmoni, në unitet dhe të gjithë së bashku.

Disa nga gjërat që shenjtorët besnikë i bënë në unitet në të dy vendet, ishin që ata dëshmuan për Jezu Krishtin, e studiuan fjalën e Perëndisë dhe i dhanë shërbesë njëri‑tjetrit me dashuri.

Pasuesit e Zotit ishin një në qëllim, në dashuri dhe në vepra. Ata e dinin se cilët ishin, ata e dinin se çfarë kishin për të bërë dhe e bënë atë me dashuri për Perëndinë dhe për njëri‑tjetrin. Ata ishin pjesë e një kaleidoskopi madhështor që bënte përpara me një mendje të vetme.

Disa nga bekimet që morën ata, ishin se u mbushën me Frymën e Shenjtë, mrekulli ndodhën mes tyre, Kisha u rrit, nuk pati grindje mes njerëzve dhe Zoti i bekoi ata në të gjitha gjërat.

Mund të hamendësojmë se arsyeja përse ata kishin kaq shumë unitet, ishte sepse ata e njihnin Zotin personalisht. Ata kishin qenë pranë Tij dhe kishin qenë dëshmitarë të misionit të Tij hyjnor, të mrekullive që kreu Ai, dhe të Ringjalljes së Tij. Ata i panë e i prekën shenjat në duart e këmbët e Tij. Ata e dinin me siguri se Ai ishte Mesia i premtuar, Shëlbuesi i botës. Ata e dinin se “Ai është burimi i të gjithë shërimit, paqes dhe përparimit të përjetshëm”.

Edhe pse mund të mos ta kemi parë Shpëtimtarin tonë me sytë tanë fizikë, ne mund ta dimë se Ai jeton. Teksa i afrohemi më pranë Atij, teksa kërkojmë të marrim një dëshmi vetjake për misionin e Tij hyjnor me anë të Frymës së Shenjtë, ne do të kemi një kuptueshmëri më të mirë për qëllimin tonë; dashuria e Perëndisë do të jetojë në zemrat tona; ne do të kemi vendosmërinë që të jemi një në kaleidoskopët e familjeve, lagjeve dhe komuniteteve tona; dhe ne do t’i japim shërbesë njëri‑tjetrit “në mënyra më të reja, më të mira”.

Mrekulli ndodhin kur fëmijët e Perëndisë punojnë së bashku të udhërrëfyer nga Shpirti për t’u ardhur në ndihmë njerëzve të tjerë në nevojë.

Rrugë të përmbytura me grupe shpëtimi

Dëgjojmë kaq shumë histori për dashuri miqësore që shfaqet mes njerëzve kur godasin katastrofa. Për shembull, kur qyteti i Hjustonit pësoi një përmbytje të madhe vitin e kaluar, njerëzit i harruan nevojat e veta dhe shkuan për të shpëtuar të tjerët. Një president i kuorumit të pleqve i bëri komunitetit një thirrje për ndihmë dhe një flotë prej 77 barkash u organizua me të shpejtë. Grupet e shpëtimit shkuan nëpër lagjet e prekura të banimit dhe transportuan familje të tëra për në njërën prej shtëpive tona të mbledhjeve, ku ata morën strehimin dhe ndihmën shumë të nevojshme. Anëtarë dhe joanëtarë punuan së bashku me një qëllim.

Misionarë duke dhënë mësime spanjishteje

Në Santiago të Kilit, një presidente e Shoqatës së Ndihmës pati dëshirën t’i ndihmonte emigrantët në komunitetin e saj, të cilët kishin ardhur nga Haiti. Duke u këshilluar së bashku me udhëheqësit e saj të priftërisë, ajo dhe udhëheqës të tjerë shprehën idenë që t’u ofronin atyre emigrantëve orë mësimi spanjishteje, duke i ndihmuar të bëhen më mirë pjesë përbërëse e shtëpisë së tyre të re. Çdo mëngjes të shtune, misionarët mblidhen së bashku me nxënësit e tyre të zellshëm. Ndjesia e unitetit në atë ndërtesë është një shembull frymëzues i njerëzve nga rrethana të ndryshme që shërbejnë me një mendje të vetme.

Vullnetarë në Meksikë

Në Meksikë, qindra anëtarë udhëtuan orë të tëra për të ndihmuar të mbijetuarit e dy tërmeteve të fuqishme. Ata erdhën me mjete, pajisje dhe dashuri për fqinjët e tyre. Teksa vullnetarët u mblodhën së bashku në njërën prej shtëpive tona të mbledhjeve duke pritur udhëzime, kryetari i bashkisë i qytetit Iksuatan shpërtheu në lot teksa pa një shfaqje të tillë të “dashuri[së së] pastër [të] Krishtit”.

Zoti po na jep tani mundësinë që të këshillohemi së bashku çdo muaj në kuorumet tona të priftërisë dhe në Shoqatat tona të Ndihmës, kështu që, që të gjithë, të mund të bëhemi pjesëmarrës më aktivë në kaleidoskopin e lagjes apo degës sonë – një vend ku të gjithë përshtatemi dhe të gjithë jemi të nevojshëm.

Secili prej shtigjeve tona është i ndryshëm, por ne ecim në ta së bashku. Shtegu ynë nuk ka të bëjë me atë çfarë kemi bërë apo ku kemi qenë; ai ka të bëjë me atë ku po shkojmë dhe çfarë po bëhemi, në unitet. Kur këshillohemi së bashku të udhërrëfyer nga Fryma e Shenjtë, ne mund ta shohim se ku jemi dhe ku na duhet të jemi. Fryma e Shenjtë na jep një këndvështrim që sytë tanë natyrorë nuk mund ta shohin, sepse “zbulesa është e përhapur midis nesh” dhe, kur i vëmë bashkë ato zbulesa, ne mund të shohim më shumë.

Teksa punojmë në unitet, qëllimi ynë duhet të jetë që ta kërkojmë dhe ta bëjmë vullnetin e Zotit; shtysa jonë duhet të jetë dashuria që ndiejmë për Perëndinë dhe për fqinjin tonë; dhe dëshira jonë më e madhe duhet të jetë që të “punojmë zellshmërisht”, që të mund të përgatitim udhën për kthimin e lavdishëm të Shpëtimtarit tonë. E vetmja mënyrë se si do të jemi në gjendje që ta bëjmë këtë, është “me një mendje të vetme”.

Ashtu si fluturat monarke, le të vazhdojmë në udhëtimin tonë së bashku në qëllim, secili prej nesh me vetë tiparet dhe ndihmesat tona, duke punuar që ta bëjmë këtë një botë më të bukur dhe më të frytshme – me nga një hap të vogël për çdo herë dhe në harmoni me urdhërimet e Perëndisë.

Zoti ynë Jezu Krishti na ka premtuar se, kur mblidhemi së bashku në emrin e Tij, Ai është mes nesh. Unë dëshmoj se Ai jeton dhe se Ai u ringjall në një mëngjes të bukur pranvere si sot. Ai është Monarku mbi të gjithë monarkët, “Mbreti i mbretërve dhe Zot[i] i zotërve”.

Qofshim ne një në Atin dhe në Birin e Tij të Vetëmlindur, siç udhërrëfehemi nga Fryma e Shenjtë, është lutja ime e përulur, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Abraham 3:26; 4:7, 9–12, 15, 18, 21, 24–25.

  2. Një fakt interesant mbi fluturat monarke është se duhen deri tre breza për ta kryer udhëtimin drejt veriut për në Kanada. Megjithatë, një “brez superior” e bën të gjithë udhëtimin drejt jugut për në Meksikë, e kalon dimrin aty dhe bën pjesën e parë të udhëtimit sërish drejt veriut. (Shih “Flight of the Butterflies” [material filmik, 2012]; “‘Flight’: A Few Million Little Creatures That Could”, WBUR News, 28 shtator 2012, wbur.org.)

  3. Shih “Why Do Monarchs Form Overnight Roosts during Fall Migration?” learner.org/jnorth/tm/monarch/sl/17/text.html.

  4. Shih “What Is a Group of Butterflies Called?” amazingbutterflies.com/frequentlyaskedquestions.htm; shih edhe “kaleidoscope”, merriam-webster.com. Kaleidoscope vjen nga fjalët greke kalos (“e bukur”) dhe eidos (“formë”).

  5. Shih “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Liahona, maj 2017, f. 145.

  6. Doktrina e Besëlidhje 88:19; shih gjithashtu Doktrina e Besëlidhje 88:25.

  7. Shih Mosia 18:21.

  8. 3 Nefi 10:4.

  9. Doktrina e Besëlidhje 38:27.

  10. Mosia 15:7.

  11. Veprat e Apostujve 1:14; theksimi i shtuar.

  12. Disa nga gjërat që shenjtorët bënë në Jerusalem: zgjodhën një Apostull të ri dhe “shtatë burra me dëshmi të mirë”, si dhe i përkrahën ata (shih Veprat e Apostujve 1:26; 6:3–5); u mblodhën së bashku në ditën e Rrëshajëve (shih Veprat e Apostujve 2:1); dëshmuan për Jezu Krishtin (shih Veprat e Apostujve 2:22–36; 3:13–26; 4:10, 33; 5:42); u bënë thirrje njerëzve për pendim dhe i pagëzuan ata (shih Veprat e Apostujve 2:38–41); vazhduan në bashkësi, në thyerjen e bukës dhe në lutje (shih Veprat e Apostujve 2:42); rrinin bashkë dhe çdo gjë e kishin të përbashkët (shih Veprat e Apostujve 2:44–46; 4:34–35); morën pjesë në tempull (shih Veprat e Apostujve 2:46); e “merrnin ushqimin me gëzim dhe me thjeshtësi zemre” (Veprat e Apostujve 2:46); lavdëruan Perëndinë dhe gëzuan simpatinë e gjithë popullit (shih Veprat e Apostujve 2:47); i bindeshin besimit (shih Veprat e Apostujve 6:7); iu kushtuan vazhdimisht lutjes dhe “shërbesës së fjalës” (Veprat e Apostujve 6:4). Disa nga gjërat që shenjtorët bënë në kontinentin amerikan: predikuan ungjillin e Krishtit (shih 3 Nefi 28:23); formuan një kishë të Krishtit (shih 4 Nefi 1:1); pagëzuan njerëz (shih 4 Nefi 1:1); të gjithë njerëzit e trajtonin me drejtësi njëri‑tjetrin (shih 4 Nefi 1:2); i kishin të gjitha gjërat e përbashkëta (shih 4 Nefi 1:3); ndërtuan përsëri qytete (shih 4 Nefi 1:7–9); u martuan (shih 4 Nefi 1:11); ecën sipas urdhërimeve që kishin marrë nga Zoti (shih 4 Nefi 1:12); vazhduan në agjërim dhe lutje (shih 4 Nefi 1:12); u mblodhën shpesh së bashku për t’u lutur dhe për të dëgjuar fjalën e Zotit (shih 4 Nefi 1:12).

  13. Disa nga bekimet që shenjtorët morën në Jerusalem: u mbushën me Frymën e Shenjtë (shih Veprat e Apostujve 2:4; 4:31); morën dhuratën e gjuhëve e të profecisë dhe folën “për gjërat e mëdha të Perëndisë” (shih Veprat e Apostujve 2:4–18); shumë shenja e mrekulli u bënë nga Apostujt (shih Veprat e Apostujve 2:43); mrekulli ndodhën (shih Veprat e Apostujve 3:1–10; 5:18–19; 6:8, 15); më shumë njerëz u bashkuan me Kishën (shih Veprat e Apostujve 2:47; 5:14). Disa nga bekimet që morën shenjtorët në kontinentin amerikan: njerëzit u kthyen në besim te Zoti (shih 3 Nefi 28:23; 4 Nefi 1:2); një brez u bekua (shih 3 Nefi 28:23); nuk pati grindje dhe debate mes tyre (shih 4 Nefi 1:2, 13, 15, 18); nuk kishte të pasur dhe të varfër (shih 4 Nefi 1:3); “ata të gjithë ishin bërë të lirë dhe pjesëmarrës të dhuratës hyjnore” (4 Nefi 1:3); kishte paqe në tokë (shih 4 Nefi 1:4); u bënë mrekulli të mëdha (shih 4 Nefi 1:5, 13); Zoti i begatoi ata … jashtëzakonisht (shih 4 Nefi 1:7, 18); u bënë të fortë, u shtuan jashtëzakonisht shpejt dhe u bënë jashtëzakonisht të bardhë dhe të këndshëm (shih 4 Nefi 1:10); qenë të bekuar sipas premtimeve të shumta që u kishte bërë Zoti (shih 4 Nefi 1:11); “nuk pati grindje në tokë, për shkak të dashurisë së Perëndisë që jetonte në zemrat e njerëzve” (4 Nefi 1:15); “nuk pati zili, as luftime, as trazira, as lavirësi, as gënjeshtra, as vrasje, as ndonjë lloj ndyrësie; dhe me siguri nuk mund të kishte një popull më të lumtur mes gjithë njerëzve të krijuar nga dora e Perëndisë” (4 Nefi 1:16); “nuk kishte as vjedhës, as vrasës, as nuk kishte Lamanitë, as ndonjë lloj tjetër -itësh; por ata ishin të gjithë një, fëmijë të Krishtit dhe trashëgimtarë të mbretërisë së Perëndisë” (4 Nefi 1:17); Zoti i bekoi në të gjitha veprimet e tyre (shih 4 Nefi 1:18).

  14. Xhin B. Bingham, “Që Gëzimi Juaj të Jetë i Plotë”, Liahona, nëntor 2017, f. 85.

  15. Shih 4 Nefi 1:15.

  16. Xhefri R. Holland, “Emisarë për Kishën”, Liahona, nëntor 2016, f. 62.

  17. Moroni 7:47.

  18. Nil L. Andersen, në “Panelet e Organizatave Ndihmëse Përdorin Bibliotekën e Re të Trajnimit”, Liahona, prill 2011, f. 76.

  19. Shih Mateu 22:37–40.

  20. Jakobi [LiM] 5:61.

  21. Shih Mateu 18:20.

  22. 1 Timoteut 6:15.