Konferenca e Përgjithshme
Ide për të Mësuarit dhe Mësimdhënien


“Ide për të Mësuarit dhe Mësimdhënien nga Konferenca e Përgjithshme”, Ide për të Mësuarit dhe Mësimdhënien nga Konferenca e Përgjithshme (2020)

“Ide për të Mësuarit dhe Mësimdhënien nga Konferenca e Përgjithshme”, Ide për të Mësuarit dhe Mësimdhënien nga Konferenca e Përgjithshme

Ide për të Mësuarit dhe Mësimdhënien nga Konferenca e Përgjithshme

Në konferencën e parë të Kishës së rivendosur, Zoti u bëri premtime mbresëlënëse atyre që i “m[arrin]” dhe “ua v[ënë] veshin” fjalëve të profetëve të Tij. “Pasi duke i bërë këto gjëra, portat e ferrit nuk do të hapen kundër jush; po, dhe Zoti Perëndi do t’i shpërndajë fuqitë e errësirës përpara jush dhe do të bëjë që qiejt të dridhen për të mirën tuaj dhe për lavdinë e emrit të tij” (Doktrina e Besëlidhje 21:4–6).

Që nga ajo konferencë e parë, anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e kanë pritur me padurim dëgjimin e zërit të Zotit nëpërmjet shërbëtorëve të Tij. Merrni parasysh se si mund t’i merrni më plotësisht mesazhet dhe t’ua vini veshin më plotësisht mesazheve që merrni nga profetët e Zotit dhe udhëheqësit e tjerë të Kishës në konferencën e përgjithshme.

Më poshtë janë disa ide për t’i marrë parasysh teksa mësoni nga mesazhet e konferencës së përgjithshme personalisht, me familjen tuaj dhe në klasat apo mbledhjet e Kishës.

Ide për Studimin Vetjak

  • Dëgjojeni Shpirtin. Studimi i mesazheve të konferencës fton zbulesën. Ndërsa studioni, kushtojuni vëmendje mendimeve dhe ndjenjave nga Shpirti edhe nëse ato nuk kanë të bëjnë fare me mesazhin e konferencës. Ato mbresa mund të jenë pikërisht gjërat që Perëndia dëshiron që ju të dini.

  • Bëni pyetje dhe kërkoni përgjigje. Zbuloni një kuptim më të thellë në një mesazh të konferencës duke bërë pyetje që ju ndihmojnë të përsiatni atë që mesazhi e jep mësim. Ju mund të bëni pyetje të tilla si: “Si e forcon ky mesazh besimin tim te Jezu Krishti?” apo “Si do të më ndihmojë të bëhem një dishepull më i mirë?”

  • Mbajini shënim mbresat tuaja. Ka shumë mënyra për t’i mbajtur shënim mbresat tuaja. Për shembull, mund të mbani një ditar të ideve tuaja ose të bëni shënime në anë të mesazhit të konferencës.

  • Vëreni në zbatim mesazhin për veten tuaj. Edhe mesazhi më frymëzues i konferencës ka vlerë të kufizuar nëse nuk e zbatojmë atë në jetën tonë dhe nuk e lëmë t’i udhërrëfejë mendimet dhe vendimet tona. Çfarë dëshiron Ati Qiellor që unë të bëj për shkak të këtij mesazhi?

  • Kërkojini referencat. Për ta thelluar kuptueshmërinë tuaj për mesazhin e një folësi, kërkojini shkrimet e shenjta dhe mësimet profetike që u përmendën gjatë gjithë mesazhit dhe te shënimet në fund të mesazhit.

  • Kërkoni … Ka shumë gjëra që mund t’i kërkoni teksa studioni mesazhet e konferencës së përgjithshme. Teksa i studioni, kini parasysh të kërkoni për sa vijon:

    • Jezu Krishtin. Gjeni dëshmi për Shpëtimtarin dhe përshkrime të jetës së Tij, mësimeve të Tij, Shlyerjes së Tij dhe fuqisë që Ai mund t’u japë atyre që e ndjekin Atë.

    • Fjalë dhe fraza frymëzuese. Shenjoni ose shkruani mendimet tuaja për fjalët dhe frazat që ju frymëzojnë, që i ndieni të rëndësishme për ju ose që ju japin shtysë.

    • Parimet dhe doktrinat. Pyeteni veten: “Çfarë parimesh ose doktrinash u dhanë mësim në këtë mesazh?” Nganjëherë, parimet dhe doktrinat shprehen drejtpërsëdrejti dhe nganjëherë ato nënkuptohen nëpërmjet një historie apo shembulli.

    • Listat. Ndonjëherë një folës jep një listë idesh, zbatimesh apo të vërtetash. Ju gjithashtu mund të keni mbresën për të krijuar vetë listën tuaj të gjërave që po mësoni.

    • Ftesat dhe bekimet. Gjeni ftesa për të vepruar sipas tyre dhe bekimet që premtohen. Përcaktoni se si do të veproni sipas atyre ftesave.

  • Krijoni hallka lidhëse. Te Biblioteka e Ungjillit mund të krijoni hallka lidhëse ndërmjet mesazheve të konferencës, shkrimeve të shenjta dhe përmbajtjeve të tjera.

  • Organizojeni sipas temës. Te Biblioteka e Ungjillit mund ta organizoni përmbajtjen sipas temave duke përdorur “Etiketimet” dhe “Blloqet e Shënimeve”. Kjo mund të jenë e dobishme më vonë kur po përgatitni një bisedë apo mësim.

  • Caktoni një orar. Te Biblioteka e Ungjillit mund të krijoni një plan studimi që ju ndihmon të gjurmoni përparimin tuaj të studimit të mesazheve përpara konferencës së ardhshme. Ju gjithashtu mund të vendosni kujtues që t’ju ndihmojnë t’i arrini synimet tuaja të studimit.

Idetë për Studimin Familjar

  • Paraqitni një citim. Përzgjidhni një citim që e mendoni kuptimplotë, dhe vendoseni atje ku pjesëtarët e familjes do ta shohin. Mund ta shpërndani atë edhe në mënyrë elektronike. Pjesëtarët e familjes suaj mund ta bëjnë me radhë që të përzgjedhin një fragment për ta publikuar. Mund të zgjidhni t’i mësoni përmendsh citimet si familje.

  • Krijoni diçka. Pjesëtarët e familjes suaj mund të kënaqen duke bërë diçka, të tillë si një vizatim apo shenjues libri, për të cilën u frymëzuan nga diçka që u dha mësim në një mesazh konference. Të gjithë mund ta tregojnë atë që bënë.

  • Shqyrtojini historitë. Gjeni histori në mesazhet e konferencës që do ta ndihmojnë familjen tuaj të mësojë parimet e ungjillit. Pjesëtarët e familjes suaj mund të tregojnë me radhë historitë e tyre të parapëlqyera ose ju mund t’i interpretoni ato me role.

  • Vërini në zbatim mësimet. Pasi të keni studiuar së bashku një mesazh konference, diskutoni për mënyra të ndryshme se si lidhen mësimet me përvojat që po përjeton familja juaj. Pastaj vendosni si familje se çfarë do të bëni për ta vënë në jetë atë që keni mësuar.

  • Shpërndajini mësimet me të tjerë. Ka dobi nga leximi individual i mesazheve të konferencës dhe më pas të bashkoheni për të folur për ide dhe fragmente frymëzuese. Kjo mund të jetë një mënyrë e mrekullueshme për të mësuar nga njëri‑tjetri.

  • Bëni pyetje. Nëse pjesëtarë të familjes suaj kanë pyetje rreth një teme të ungjillit, shpenzoni kohë duke kërkuar përgjigje në mesazhet e konferencës rreth asaj teme (shihni te nënndarja “Temat” në programin Biblioteka e Ungjillit).

  • Studiojini mesazhet e profetit. Si familje, merrni parasysh të studioni disa mesazhe nga Presidenti i Kishës (shihni te nënndarja “Folësit” në programin Biblioteka e Ungjillit).

Për ide të veçanta për familjet me fëmijë të vegjël, shihni tek “Activities for Children” [“Veprimtari për Fëmijë të Vegjël”] (ChurchofJesusChrist.org).

Ide për Mësimdhënien në Klasat e Kishës

  • Ftojini të përgatiten. Ju keni më shumë gjasa të keni një diskutim kuptimplotë rreth një mesazhi nga konferenca nëse anëtarët e kanë studiuar mesazhin paraprakisht. Gjeni mënyra për t’i informuar ata për atë që do të diskutohet. Madje mund t’u bëni atyre një ose dy pyetje që t’i përsiatin për t’i ndihmuar që të përgatiten.

  • Diskutoni në grupe. Diskutimet në grupe më të vogla përfshijnë më shumë njerëz. Merrni parasysh ndarjen e anëtarëve në grupe të vogla dhe caktojini secilit grup që të lexojë e diskutojë një pjesë të ndryshme të mesazhit të konferencës. Më pas, kërkojini secilit grup të tregojë një të vërtetë që e mësuan. Ose mund të formoni grupe të reja me njerëz që studiuan pjesë të ndryshme, dhe lërini t’ia tregojnë njëri‑tjetrit atë që mësuan.

  • Përgjigjuni pyetjeve. Bërja e pyetjeve si këto mund të prodhojë diskutime kuptimplota rreth një mesazhi të konferencës: Çfarë të vërtetash të ungjillit gjejmë në këtë mesazh? Si mund t’i vëmë në zbatim këto të vërteta? Çfarë ftesash dhe bekimesh të premtuara u dhanë? Çfarë na mëson ky mesazh rreth punës që Perëndia do që ne të bëjmë?

  • Shpërndajini citimet tek të tjerët. Mund të jetë frymëzuese ta dëgjojmë njëri‑tjetrin të flasim për mënyrën se si një mesazh i konferencës na preku dhe na lartësoi moralisht. Nxitini anëtarët të tregojnë fragmente kuptimplota nga një mesazh konference dhe kërkojuni të marrin parasysh se si mund t’i shpërndajnë këto citime për të bekuar dikë që e njohin.

  • Jepni mësim me sende. Nëse po kërkoni një mënyrë krijuese për ta diskutuar një mesazh të konferencës, ftojini disa anëtarë që paraprakisht të sjellin sende nga shtëpia, të cilat mund t’i përdorin për të dhënë mësim diçka nga mesazhi. Kërkojuni anëtarëve të shpjegojnë se si lidhen ato objekte me pjesë të veçanta të mesazhit.

  • Përgatitni një mësim që ta jepni në shtëpi. Këtu është një mënyrë për t’i nxitur familjet që të mësojnë nga mesazhet e konferencës në shtëpi: Kërkojuni anëtarëve të punojnë në dyshe për të planifikuar një mësim të mbrëmjes së shtëpisë të bazuar në një mesazh të konferencës. Si mund ta bëjmë mesazhin që të ketë më shumë domethënie për familjet tona?

  • Tregojini përvojat. Thëniet dhe historitë nga mesazhet e konferencës mund t’i nxitin anëtarët të tregojnë përvojat e tyre që lidhen me to, apo të tregojnë shembuj nga shkrimet e shenjta. Këta shembuj mund të ilustrojnë ose përforcojnë doktrinën e dhënë mësim në mesazhin e konferencës.

  • Mësoni rreth një shkrimi të shenjtë. Shumica e mesazheve të konferencës përmbajnë fragmente nga shkrimet e shenjta që lidhen me mesazhet, te vetë mesazhi apo te shënimet në fund të mesazhit. Anëtarët mund të lexojnë një fragment të shkrimit të shenjtë që përmendet në mesazhin e konferencës, dhe të diskutojnë se si mësimet në atë mesazh i ndihmojnë që të kuptojnë më mirë fragmentet e shkrimeve të shenjta.

  • Gjeni një përgjigje. Anëtarët do të gjejnë kuptim më të thellë te mesazhet e konferencës nëse bëni pyetje që nxitin përsiatjen apo zbatimin e parimeve të ungjillit që jepen mësim në to (për ndihmë, shihni te Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 31–32). Ju mund t’u kërkoni anëtarëve të përzgjedhin një pyetje dhe ta përdorin mesazhin për të shkruar një përgjigje. Ftojini ata që t’i diskutojnë përgjigjet e tyre në grupe të vogla.

  • Luani materiale zanore apo filmike. Një nga mënyrat më të mira për t’i ndihmuar anëtarët që të ndiejnë frymën e një mesazhi, është të luani një material zanor apo filmik të shkurtër të mesazhit.