Për Forcën e Rinisë
Pas Gabimeve të Tua − Madje Gabimeve të Mëdha
Për Forcën e Rinisë, Prill 2026


Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Për Forcën e Rinisë, Prill 2026

Pas Gabimeve të Tua − Madje Gabimeve të Mëdha

Ne mund të mësojmë shumë nga Apostulli Pjetër rreth Shpëtimtarit, Shlyerjes së Tij dhe përpjekjes përsëri.

Pjetri duke mohuar Krishtin

Peter’s Denial [Mohimi i Pjetrit], nga Carl Bloch

Shumica prej nesh kanë të paktën një kujtim që do të donim thjesht të mund ta harronim. Qoftë nëse ishte një çast i sikletit të qartë, një aksident i dhimbshëm fizik ose një debat ku the fjalë që do të doje të mund t’i ktheje mbrapsht, ka shumë raste në jetë kur një buton “bëje prapë” ose madje një buton “fshije” tingullon jashtëzakonisht joshës.

Një Profeci e Hidhur u Përmbush

Apostulli Pal ishte një person mahnitës në Dhiatën e Re. Ai kishte besimin dhe kurajën që të ecte mbi ujë drejt Jezusit, por vetëm pak çaste më vonë e lejoi frikën që ta pushtonte dhe filloi të fundosej, duke i bërë thirrje Zotit për ndihmë (shih te Mateu 14:28–31). Ndërkohë që nuk i dimë të gjitha hollësitë e jetës së Pjetrit, ne dimë vërtet për një kohë kur ai qau me hidhërim.

Vetëm pak orë përpara se të arrestohej Jezu Krishti, Ai profetizoi se Pjetri do ta mohonte Atë tri herë përpara se gjeli të këndonte dy herë. Pjetri nuk pranoi ta besonte një profeci të tillë dhe “duke ngulur këmbë më tepër, thoshte: ‘Edhe sikur të më duhet të vdes me ty, nuk do të të mohoj kurrë’” (Marku 14:31).

Sigurisht, profecia e Shpëtimtarit u vërtetua. Me tmerrin dhe frikën që shoqëruan arrestimin e Shpëtimtarit, trimëria e Pjetrit e la në baltë atë. Pasi tashmë e mohoi se e njihte Shpëtimtarin dy herë dhe duke qenë i shtyrë për ta mohuar një herë të tretë, Pjetri “nisi të mallkojë dhe të betohet: ‘Unë nuk e njoh atë njeri për të cilin po flisni’” (Marku 14:71).

Kur gjeli këndoi dy herë dhe Pjetri solli ndërmend profecinë e Shpëtimtarit, “ai … qau me hidhërim” (Mateu 26:75).

Por ky nuk është fundi i historisë së tij.

Një Udhë e Ndryshuar, Përgjithmonë

Nga gjithçka që mund të mësojmë në shkrimet e shenjta, frika e Pjetrit kurrë më nuk e mposhti dëshminë e tij për Jezu Krishtin. Ai dëshmoi guximshëm për Shpëtimtarin në çdo mundësi, pavarësisht nga rreziku vetjak për ta bërë këtë gjë. Mbaje mend, Pjetri po i jepte mësim një populli që sapo e kishte kryqëzuar Jezu Krishtin. Rreziku ishte i vërtetë.

Kur Pjetri e shëroi burrin që ishte i çalë që nga lindja, duke e urdhëruar: “Në emër të Jezu Krishtit Nazarenas, çohu dhe ec!” (Veprat e Apostujve 3:6, atë e arrestuan së bashku me Gjonin dhe e morën në pyetje se si e kreu këtë mrekulli.

Pjetri u përgjigj guximshëm: “Le ta njihni të gjithë ju dhe mbarë populli i Izraelit se kjo u bë në emër të Jezu Krishtit Nazarenas, që ju e kryqëzuat dhe që Perëndia e ringjalli prej së vdekuri; me anë të tij ky njeri del para jush i shëruar plotësisht.

Ky është guri që ju, ndërtuesit, e hodhët poshtë dhe që u bë guri i qoshes. Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi” (Veprat e Apostujve 4:10–12).

Ç’përgjigje e guximshme! Dhe provë e qartë e bindjeve të tij.

Shërbëtorë të Papërsosur, të Aftë në Mënyrë të Përsosur për të Shërbyer

Secili prej nesh do të mëkatojë në këtë jetë. Pavarësisht nga përpjekjet tona më të mira, ne nuk do të arrijmë t’i përmbushim herë pas here shpresat dhe synimet tona. Sikurse Presidenti Xhefri R. Holland (1940–2025), President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dikur dha mësim: “Me përjashtim të rastit të Birit të Tij të përsosur, të Vetëmlindur, njerëz të papërsosur janë gjithë çka Perëndia ka pasur si veprues përherë”.

Vlera jote shpirtërore nuk përcaktohet ose kufizohet nga gabimet e tua, madje gabimet e mëdha. Sepse u pendua dhe Krishti e fali, mohimi nga Pjetri i Krishtit nuk e pengoi atë që më vonë të dëshmonte, jepte mësim dhe të kthente njerëz në besim me fuqi të madhe. Shkrimet e shenjta janë plot me shembuj të dishepujve të tjerë që mëkatuan, u penduan dhe vazhduan me besim te Krishti.

Satani gjithmonë do të përpiqet të të bindë se mëkatet e tua po shtohen dhe se kurrë nuk do të jesh në gjendje t’i kapërcesh ato. Shpërfilli gënjeshtrat e tij!

Motra Tamara W. Runia, Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Të Rejave, dha mësim: “Dhe, ju keni nevojë ta dëgjoni këtë, kështu që do t’i them me zë të lartë këto fjalë: Ju nuk jeni ai zëri në kokën tuaj apo ato gabimet që keni bërë. Edhe ju mund të keni nevojë ta thoni këtë me zë të lartë. I thoni Satanit: ‘Jo sot’. Lëreni atë pas krahëve.

Ndiejeni atë tërheqje, trishtimin sipas mënyrës së Perëndisë që ju kthen për nga Shpëtimtari juaj, dhe shikojeni hirin e Tij të hyjë në jetën tuaj dhe në jetën e njerëzve që i doni. Premtoj se, në çastin që e sjellim guximshëm para Tij zemrën e thyer, Ai menjëherë na gjendet pranë.”

Jezu Krishti

Christus Consolator [Krishti Ngushëllues], nga Carl Bloch

Ditët e Tua të Shkëlqyera Përpara

Në këtë stinë të Pashkës, teksa përsiat më tërësisht Shlyerjen e Shpëtimtarit, mbaj mend se aftësia për t’u penduar dhe për t’u përpjekur sërish është njëra nga dhuratat më të mëdha që mund të marrësh ndonjëherë. Për shkak të Jezu Krishtit, gabimet e tua më të këqija mund të falen dhe më pas të hidhen tutje si zinxhirë të rëndë.

“Shpëtimtari është përherë e përgjithmonë më i ndritshëm se terri i turpit”, − ka dhënë mësim Motra Runia.

Për shkak të Jezu Krishtit, shpresa gjithmonë mund të shkëlqejë shndritshëm përpara teksa qëndron i përqendruar tek Ai.