Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Për Forcën e Rinisë, Shkurt 2026
A Dëshiron të Jesh më i Lumtur? Provo Mirënjohjen
Kur jeta jote është plot me ndryshime, mirënjohja mund të të ndihmojë të përqendrohesh te gjërat pozitive dhe të qëndrosh plot shpresë.
Ilustrimet nga Maggie Stephenson
“Nuk do të jeni kurrë më të lumtur sesa jeni mirënjohës.”
Sikurse sugjeron ky citim nga Plaku Geri B. Sebin, i Të Shtatëdhjetëve, fakti se sa i lumtur je ndikohet drejtpërsëdrejti nga sa mirënjohës je. Kjo ka kuptim – kur je mirënjohës, ti përqendrohesh te gjërat pozitive dhe jo te gjërat negative.
Prapëseprapë, jeta nuk shkon gjithmonë sipas planit. Ndryshime të papritura mund të të bëjnë më të stresuar, më të trishtuar ose më të acaruar sesa më të lumtur. Por kur gjërat janë të vështira, mirënjohja mund të të ndihmojë që të qëndrosh plot shpresë. Provoji këto tri mënyra për të sjellë më shumë mirënjohje në jetën tënde.
1. Kërko të Mirën
Shpeshherë, është më e vështirë të kesh mirënjohje kur ndien se të mungon diçka. Por cilat bekime mund të mos jesh duke i vënë re prej përqendrimit tek ajo që nuk ke në vend të asaj që vërtet e ke?
Teksa kërkon për të mirën në jetën tënde, me kalimin e kohës ajo do të bëhet më e lehtë për ta gjetur.
2. Shprehi Mirënjohje Dhënësit
Kur i numëron bekimet e tua, mos harro se nga vijnë ato.
Falënderimi i Atit Qiellor për dhuratat e Tij, përfshirë dhuratën e Birit të Tij, mund ta thellojë dashurinë tënde për Të dhe besimin tënd tek Ai. Presidenti D. Tod Kristoferson, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, gjithashtu shpjegoi: “Të ndierit dhe shprehja e mirënjohjes ndaj Perëndisë … e mbushin adhurimin me një ndjesi ripërtëritjeje të gëzueshme”, duke të sjellë gëzim e forcë dhe duke e ndihmuar dëshminë tënde që të qëndrojë e sigurt.
3. Përqendrohu te Plani i Atit Qiellor
Qartësisht, të kesh mirënjohje nuk do të thotë të shpërfillësh gjërat e vështira në jetë ose të ndihesh i lumtur gjatë gjithë kohës. Edhe Jezu Krishti ndjeu dhembje dhe e pranoi atë (shih tek Alma 7:11; Doktrina e Besëlidhje 19:18–19). Trishtimi është pjesë normale e vdekshmërisë.
Por pavarësisht nga gjithçka, një gjë kurrë nuk ndryshon: Plani i Atit Qiellor për mëshirën. Tërë trishtimi dhe lëndimi që përjeton në jetë, do të rregullohet për shkak të Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij (shih te Zbulesa 21:4).
Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi: “Të qenit mirënjohës në kohët e vuajtjes nuk do të thotë që ne kënaqemi me rrethanat tona. Kjo vërtet do të thotë që, nëpërmjet syve të besimit, ne shohim përtej sfidave tona të së sotmes.”
© 2026 by Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved. Shtypur në SHBA. Miratuar për anglisht: 6/19. Miratuar për përkthim: 6/19. Përkthim i Monthly For the Strength of Youth Message, February 2026. Albanian. 19935 101