Takime Shpirtërore për Krishtlindje
Plotësia e Historisë së Krishtlindjes


Plotësia e Historisë së Krishtlindjes

Krishtlindja fton ndjenja mirëdashjeje, gëzimi dhe dashurie. Dhe ashtu siç do ta vërtetojë çdo prind, ndjenja të ngjashme zakonisht shoqërojnë lindjen e çdo të porsalinduri. Sigurisht, lindja e Krishtit ishte e pangjashme me çdo lindje tjetër. Hollësitë e vyera – udhëtimi për në Bethlehem, një han i mbipopulluar, një koritë e thjeshtë, një yll i porsagjetur dhe engjëjt shërbestarë – e bëjnë historinë e lindjes së Tij një histori për t’u mbajtur mend. Prapëseprapë, historia e lindjes së Shpëtimtarit përfaqëson vetëm një pjesë të arsyes përse ne e ndiejmë Shpirtin gjatë periudhës së Krishtlindjes. Krishtlindja nuk është vetëm një kremtim i mënyrës se si Jezusi erdhi në botë, por edhe një njohuri e asaj se kush është Ai – Zoti dhe Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti – dhe i arsyes pse erdhi Ai.

Presidenti Tomas S. Monson ka dhënë mësim: “Për shkak se Ai erdhi në tokë, … ne [mund] të kemi gëzim dhe lumturi në jetën tonë dhe paqe çdo ditë të vitit. … Për shkak se Ai erdhi, ekzistenca jonë në vdekshmëri ka kuptim.”

I Parëlinduri i Atit

Ky kuptim bëhet më i qartë kur ne e marrim parasysh plotësinë e historisë së Krishtlindjes. Siç shpjegoi Presidenti Gordon B. Hinkli: “Nuk do të kishte Krishtlindje, në qoftë se nuk do të kishte pasur Pashkë. Foshnja Jezus nga Bethlehemi do të ishte veçse një foshnjë tjetër pa Krishtin shëlbues të Gjetsemanit e Kalvarisë dhe faktin ngadhënjimtar të Ringjalljes.”

Lindja e Jezusit në Bethlehem nuk është fillimi i historisë dhe Kalvari nuk është fundi. Shkrimet e shenjta na mësojnë se Ai ishte “në fillim … pranë Perëndisë” në Këshillin në Qiell para lindjes. Edhe ne ishim aty, ku e njohëm Atë si Jehovën, të Parëlindurin e Atit tonë të Përjetshëm. Ne mësuam se Ai do të përmbushte rolin qendror si Krijues dhe Shëlbues i botës. Ne lëshuam britma gëzimi ndërsa e përqafuam planin e madh të Atit për lumturinë. Megjithëse pati disa që ngritën krye kundër planit të Perëndisë, ne jemi midis atyre që e vendosëm besimin tonë në Jezu Krisht. Ne i pranuam me gatishmëri rreziqet e vdekshmërisë sepse kishim mirëbesim se Jezusi do ta përmbushte vullnetin e Atit – se nëpërmjet Tij ne do të shpëtoheshim.

Lindja e Birit të Vetëmlindur të Perëndisë

Këtu në tokë, kujtimet e jetës sonë të mëparshme mbulohen nga një vel harrese. Qëllimi ynë, për sa i përket ardhjes në tokë, ishte që të mësonim se si të “ecim nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet vizionit”.

Për ta forcuar atë besim, Perëndia dërgoi profetë që e parashikuan dhe e parathanë ardhjen e Mesias së premtuar. Një nga ata profetë ishte Nefi, i cili pa në vegim një pemë që ishte jashtëzakonisht e bukur dhe e bardhë. Kur kërkoi të dinte interpretimin e vegimit të tij, atij iu tregua qyteti i Nazaretit dhe Maria, një virgjëreshë që ishte shumë e bukur dhe e dëlirë. Më pas, engjëlli që ishte me Nefin, bëri këtë pyetje shumë depërtuese: “A e di ti denjimin e Perëndisë?” E thënë ndryshe: “A e kupton ti arsyen përse Vetë Perëndia do të vijë në botë, përse Ai do të denjonte të zbriste nën të gjitha gjërat?” Përgjigjja e Nefit ishte disi ngurruese: “Unë e di se ai i do fëmijët e tij; megjithatë, unë nuk e di kuptimin e të gjitha gjërave”.

Pastaj engjëlli tha: “Virgjëresha që ti shikon është nëna e Birit të Perëndisë”. Nefi pa Marien duke mbajtur në krahë një fëmijë dhe me gëzim engjëlli thirri me zë të lartë: “Shiko Qengjin e Perëndisë, … madje Birin e Atit të Amshuar!” Papritmas, kuptimi i pemës – dhe arsyeja pse ne e kremtojmë lindjen e Krishtit – u bënë edhe më të qarta për Nefin. Ai tha: “Është dashuria e Perëndisë që derdhet në zemrat e fëmijëve të njerëzve; prandaj, ajo ësht[ë] më e dëshirueshmja mbi të gjitha gjërat”. “Po”, shtoi engjëlli, “dhe më e gëzueshmja për shpirtin”.

Përfundimisht, thuajse 600 vite pas vegimit të Nefit, dita e shumëpritur dhe e profetizuar prej kohësh erdhi. Jezusi kaloi përmes velit dhe erdhi në botë si një foshnjë e pambrojtur ndonëse ishte një foshnjë e pangjashme me asnjë tjetër. Biri i Parëlindur i Perëndisë në shpirt u bë Biri i Tij i Vetëmlindur në mish. Ky fëmijë, i lindur në rrethanat më të përulura, do të mbante mbi shpatullat e Tij shpëtimin e familjes së përjetshme të Perëndisë! Me të vërtetë, “shpresat, frika e gjith’ kohës” u puqën në “qytez[ën] e Bethleh’mit” atë natë.

Por historia, sigurisht, nuk mbaron atje. Sado mrekullibërëse që ishte lindja e Shpëtimtarit, do të ndodhnin mrekulli edhe më të mëdha.

Puna e Atit

Ne dimë fare pak për vitet e hershme të Jezusit. Na thuhet se Ai “rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve”. Në moshën 12-vjeçare, dëshira e Tij e shprehur ishte të “merre[j] me punët e Atit [të Tij]”. Ajo punë ishte që t’i bënte të ditur botës “dashurinë e madhe dhe të mrekullueshme” të Atit për fëmijët e Tij.

“Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e Tij të vetëmlindurin, … që bota të shpëtohet prej tij.”

Puna e Atit të Tij ishte që të “përshko[nte] vendin duke bërë mirë”. Ajo ishte një punë dhembshurie – [që përfshiu] “shërimin e të sëmurëve, ngritjen e të vdekurve, bërjen që ulokët të ecin, të verbërit të marrin shikimin e tyre dhe të shurdhët të dëgjojnë”.

Puna e Atit të Tij ishte që t’i hapte sytë e besimit tonë, t’i zgjonte aftësitë tona shpirtërore dhe ta shëronte dhembjen tonë, krenarinë tonë, sëmundjen tonë dhe mëkatet tona. Ishte për të “[na] ndihm[uar në] dobësi[të tona]”. Dhe për ta përmbushur këtë, Jezusi me gatishmëri vuajti dhembje, mospranim, hidhërime dhe tundime të çdo lloji.

Puna e Atit të Tij ishte që na ndihmonte ne për përmbushjen e qëllimit tonë në tokë – për “n’qiell [t’na] bëj[ë] gati”, që ne “me T[ë] të jetojm’”. Me fjalë të tjera, puna e Atit të Tij ishte – dhe është – “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”.

Shlyerja e Jezu Krishtit

Përfundimisht, plotësia e historisë së Krishtlindjes e arrin kulmin me tri ditët e fundit të jetës së Shpëtimtarit. Në atë periudhë shumë të rëndësishme, Shpëtimtari kaloi nga Kopshti i Gjetsemanit në kryqin e Kalvarit për te Varri i Kopshtit. Siç dha mësim Plaku Xhefri R. Holland, “ndikimi dhe efektshmëria” e atij çasti do të “shtrihej … deri te fillimi i kohës dhe më tej … gjatë gjithë përjetësisë”.

Me fatin e çdo shpirti njerëzor që varej prej Tij, Jezusi hyri në Kopshtin e Gjetsemanit vërtet fillikat. Atje erdhi marrja në pyetje, fshikullimi dhe përfundimisht vdekja torturuese në kryq. Me të njëjtën përulësi dhe nënshtrim që Ai shpalli që në fillim: “Ja ku jam, dërgomë mua”, Ai tani tha: “O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim[e]!”

Toka rënkoi, miqtë e Tij vajtuan dhe errësira e mbuloi vendin. Shpëtimtari kaloi në botën e shpirtrave, ku “një grup i panumërt i shpirtrave të të drejtëve” – shpirtrat e drejtë që kishin vdekur – pritën ardhjen e Tij. Në ngjashmëri mbresëlënëse me atë që kishte ndodhur në fillim të kohës, bijtë dhe bijat e Perëndisë lëshuan britma gëzimi dhe u përkulën për ta adhuruar Çliruesin e tyre.

Ringjallja e Dritës së Botës

Shpejt erdhi koha që Shpëtimtari të merrte sërish trupin e Tij fizik dhe ta plotësonte fitoren e Tij mbi vdekjen. Herët në mëngjesin e një dite pranverore, ditën e parë të javës, Maria Magdalena shkoi te varri i Tij dhe e gjeti bosh. Ajo ishte e para që ia dëgjoi zërin dhe e pa fytyrën e Tij të dashur. Jezusi më vonë iu shfaq Apostujve të Tij, duke i ftuar që t’i vinin re duart dhe këmbët e Tij, që ta “prekni[n Atë] dhe shikoni[n]” që ishte vërtet Ai – që Shëlbuesi i tyre njëmend jeton përsëri!

Ky është “gëzim[i i] madh” që ne kremtojmë për Krishtlindje – jo vetëm që Krishti lindi por që Ai jetoi mes nesh, dha jetën e Tij për ne, u ringjall dhe përfundimisht, “kr[eu] veprën që [Ati i Tij i dha] të bëj[ë]”. Ne gëzojmë sepse pështjellimi dhe kaosi i kësaj bote mund të qetësohen nga premtimi që na është bërë që në fillim fare – një premtim i përmbushur me anë të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Për këtë arsye, historia e Krishtlindjes nuk tregohet dot plotësisht pa historinë e Pashkës. Ishte sakrifica shlyese e Shpëtimtarit që e bëri të shenjtë natën e qetë në Bethlehem. Ishte dhurata e Tij shëlbuese që na bëri ne të lëshonim britma gëzimi në botën para lindjes – kjo dhuratë që shëron sëmundjen tonë, kthen shikimin tonë dhe fshin lotët tanë.

Drita që na pëlqen shumë për Krishtlindje, buron nga Drita e Botës, Jezu Krishti. Historia që e çmojmë për Krishtlindje, na tregon për planin e Atit tonë për lumturinë, të cilin e bëri të mundur Krishti. Dhurata që e bën periudhën e Krishtlindjes të shenjtë, është pikërisht jeta e Tij, të cilën Ai e dha që ne të mund të kemi jetë të përjetshme. E marrshim këtë dhuratë dhe e shpërndafshim dashurinë e Tij dhe ungjillin e Tij me të gjithë botën, veçanërisht gjatë kësaj periudhe të mrekullueshme të vitit, është lutja ime, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Thomas S. Monson, “Because He Came” (Takimi Shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë, 4 dhjetor 2011), lds.org/broadcasts.

  2. Gordon B. Hinckley, “The Wondrous and True Story of Christmas”, Ensign, dhjetor 2000, f. 5.

  3. Gjoni 1:1.

  4. Shih Doktrina e Besëlidhje 93:21.

  5. Shih Jobit 38:7.

  6. 2 Korintasve 5:7.

  7. Shih 1 Nefi 11:8–23.

  8. “O Qyteza e Bethleh’mit”, Himne, nr. 127.

  9. Lluka 2:52.

  10. Lluka 2:49.

  11. Doktrina e Besëlidhje 138:3.

  12. Gjoni 3:16–17.

  13. Veprat e Apostujve 10:38.

  14. Mosia 3:5.

  15. Shih Alma 7:11–12.

  16. “Larg në një Koritë”, Himne, nr. 125.

  17. Moisiu 1:39.

  18. Jeffrey R. Holland, “The Atonement of Jesus Christ”, Encyclopedia of Mormonism, eom.byu.edu/index.php/Atonement_of_Jesus_Christ.

  19. Abraham 3:27.

  20. Lluka 23:46.

  21. Shih Doktrina e Besëlidhje 138:12–23, 37.

  22. Lluka 24:39.

  23. Lluka 2:10.

  24. Gjoni 17:4.

  25. Shih Isaia 25:8; Zbulesa 21:4.